Foto: Atdhe Mulla

Vala e grevave në sektorin publik trondit Kosovën

Zyrtarët paralajmërojnë se kërkesat për rritje pagash nga mësuesit, kirurgët, stafi komunal dhe të tjerë mund ta falimentojnë Kosovën, por disa ekspertë thonë se kryeministri ka vendosur një shembull shumë të keq.

Kosova është prekur nga një valë përshkallëzuese grevash, të nxitura nga ligji i ri mbi pagat i propozuar nga qeveria, i cili pritet të diskutohet në Kuvendin e Kosovës më 31 janar.

Edhe pse shumica e stafit mjekësor e pezulluan grevën e tyre 72 orëshe në fillim të janarit, pas negociatave me qeverinë, kirurgët vazhdojnë të mos kryejnë operacione përveç atyre më urgjente. Si rezultat i kësaj, rreth 200 operacione në ditë anulohen.

Kirurgët po bëjnë grevë kryesisht për të mbështetur një kërkesë për paga në përputhje me ato të gjyqtarëve dhe prokurorëve.

Projektligji i ri është hartuar për të trajtuar problemin e mungesës së homogjenitetit në sistemin e pagave.

Sistemi aktual konsiderohet i fragmentuar, i paqëndrueshëm dhe jo i unifikuar. Pagat aktuale rregullohen me ligje të ndryshme dhe kryesisht me akte nënligjore, dhe baza e tyre ligjore në shumicën e rasteve është e diskutueshme, shkruan Qeveria në projektligjin e propozuar.

Blerim Syla, kreu i Federatës së Sindikatave të Shëndetësisë, tha se negociatat do të vazhdonin me të gjithë aktorët relevantë për të arritur një marrëveshje në interes të shëndetit të pacientit.

“Negociatat do të vazhdojnë pasi ndërsa projektligji për pagat shkon në parlament. Kjo po bëhet për të mirën e pacientëve, pasi ata po vuajnë nga mos ofrimi i shërbimeve,” tha ai.

Foto: Kallxo.com

Minatorët pasuan kirurgët, duke zhvilluar një grevë nëntë ditore nga 3 janari për të kërkuar ndër të tjera një ngritje pagash me 20 për qind.

Greva përfundoi më 12 janar pas arritjes së një marrëveshjeje të përkohshme me Ministrinë e Zhvillimit Ekonomik.

Edhe mësuesit i janë bashkuar trendit, duke kërkuar një koeficient prej 30 për qind rritje pagash në të gjitha nivelet e arsimit.

Sindikata e Bashkuar e Arsimit, Shkencës dhe Kulturës, SBASHK, që përfaqëson shumicën e mësuesve, ka paralajmëruar se greva e tyre, e cila filloi më 14 janar, mund të zgjasë me muaj.

Sindikata ka refuzuar një ofertë prej 10 për qind nga kryeministri Ramush Haradinaj.

“Kjo nuk i plotëson kërkesat e SBASHK, pasi punëtorët teknikë, punonjësit administrativë dhe i gjithë sistemi universitar nuk janë të përfshirë,” tha SBASHK më 20 janar.

Përmbushja e kërkesave të pagave të SBASHK do t’i kushtonte buxhetit të Kosovës rreth 45 milionë euro në vit, sugjerojnë disa të dhëna.

Ndërkohë, Shoqata për të Drejtat e Pacientëve ka reaguar ndaj grevës së vazhdueshme të kirurgëve duke thënë se pacientët nuk mund të lihen pa shërbime shëndetësore.

Besim Kodra, kreu i një shoqate pacientësh, mbajti një konferencë për shtyp më 27 dhjetor, duke bërë thirrje që t’i jepet fund grevës.

Inspektorët e shëndetësisë kanë njoftuar gjithashtu një grevë, duke pretenduar se ata janë kategoria që paguhet më keq në të gjithë sistemin shëndetësor.

Foto: Atdhe Mulla

Ata pretendojnë se është e gabuar që një inspektor të paguhet njësoj si një infermiere, sepse niveli i tyre arsimor nuk është i njëjtë.

Edhe nëpunësit civilë në disa komuna kanë paralajmëruar për greva të mundshme, duke kërkuar një ngritje pagash prej 30 për qind.

Stafi në komunat Mirovicë, Vushtrri dhe Rahovec tha se kërkesa e tyre ishte e njëjtë me atë të SBASHK-ut.

Mehmet Bajrami, nga sindikata e shërbimit civil në Mitrovicë, tha se ata druheshin se projektligji i ri mbi pagat mund të ulte pagën e tyre deri në 40 për qind.

Ata kanë bërë thirrje për një ndryshim në propozime deri më 21 janar. Nëse kjo nuk ndodh, “ne do të marrim vendimin për të hyrë në grevë dhe do të na bashkohen edhe komunat e tjera,” tha Bajrami për BIRN.

Rritja e madhe e pagës së kryeministrit shkaktoi pakënaqësi

Ramush Haradinaj -kryeminister

Partitë e opozitës dhe disa ekspertë thonë se qeveria e humbi moralin për çështjen e rritjes së pagave një vit më parë.

Kjo ndodhi kur kryeministri Haradinaj papritur ngriti pagën e tij dhe ato të kabinetit, me 90 deri 100 për qind.

Kryeministri i Kosovës tani merr pagën më të lartë të çdo kreu qeverie në Ballkanin Perëndimor, 2,950 euro, pavarësisht se Kosova është një nga shtetet më të varfra në Europë.

Albin Kurti, kryetari i partisë kryesore opozitare Vetëvendosja, i ka kërkuar grevistëve të vazhdojnë me kërkesat e tyre.

“Mësuesit duhet të vazhdojnë grevën për të theksuar faktin se pagat e qeverisë duhet të ulen,” shkroi ai në Facebook.

“Qeveria e humbi të drejtën e saj morale për të kërkuar dhënien fund të grevave për shkak të pabarazisë të krijuar nga rritja më e fundit e pagave të qeverisë,” tha për BIRN të mërkurën Florina Duli, drejtoreshë e Iniciativa Kosovare për Stabilitet.

“Vendimi i pa menduar mirë i kryeministrit për rritjen e pagave ka krijuar pakënaqësi në sektorë të tjerë,” vuri në dukje Duli.

“Nuk i takon mësuesve, kirurgëve dhe grevistëve të tjerë të mendojnë për kapacitetin e buxhetit,” shtoi ajo.

Sejdi Rexhepi, një profesor ekonomie, tha për RTV Dukagjini të martën se mësuesit kishin të drejtë të shqetësoheshin për impaktin e ndryshimeve të propozuara.

“Ligji i ri mund të ulë pagat e disa mësuesve, në varësi të titullit të tyre akademik,” tha ai. “Me llogaritjet tona, një profesor normal do të ketë një ulje page me 100 euro – dhe, në varësi të titullit të tyre akademik, disa paga mund të ulen me deri në 200 euro,” shtoi ai.

Megjithatë, Eroll Belegu, një këshilltar i kryeministrit, tha për BIRN se asnjë pagë nuk do të ulej si rezultat i ligjit të ri.

“I kam kërkuar ligjvënësve të ulnin vetëm një pagë, atë të kryeministrit,” tha Haradinaj për mediat gjatë një vizite në Mitrovicë.

Haradinaj shtoi se nëse ndonjë sektor ndihet veçanërisht i pakënaqur me ligjin e ri, qeveria do të shqyrtojë mundësinë e një ndryshimi.

Rritjet e pagave kërcënojnë vendin me “falimentim”

Ndërkohë, Kolegji i Kirurgëve po hyn në javën e tretë të grevës.

Arbër Morina, një kirurg, tha për BIRN se ata kërkonin thjesht një “rrogë të denjë në nivel kombëtar, me të njëjtin koeficient si gjyqtarët dhe prokurorët, për hir të arsimit që kemi ne si kirurgë”.

Kolegji i Kirurgëve po kërkon paga mujore për anëtarët e saj deri në 4,000 euro.

Por këshilltari i kryeministrit Belegu tha se rritje të tilla masive do të nxisnin kritika ndërkombëtare dhe do t’i hiqnim investimet vendit.

“Ne jemi kritikuar tashmë nga FMN-ja se buxheti ynë është shumë i rënduar nga pagat,” tha ai në TV.

Belegu tha se qeveria tashmë kishte pranuar rritjen e pagave në arsim me rreth 30 për qind, por të shpërndarë në afatin katër vjeçar të qeverisë. Sipas tij, paga e mësuesve u rrit me 5 për qind në vitin 2018.

“Nuk shkojmë dot përtej kësaj, përndryshe do të arrijmë në një pikë ku do ta falimentojmë shtetin,” paralajmëroi ai.

“Nëse i ndajmë paratë tona për paga, nuk do të bëjmë investime,” tha ai për RTV Dukagjini.