Foto: Zyra e Kryeministrit

Ushtri apo Hutim?

Prej kur Presidenti Hashim Thaçi e ka shpallur synimin e tij për ta krijuar ushtrinë e Kosovës, ka shpërthyer debati se a ka Kosova në të vërtetë nevojë për një të tillë. Ngjarjet e fundit, sikur qëndrimet agresive nga Beogradi, treni i shumë përfolur me mbishkrimet “Kosova është Serbi!”, dhe konteksti më i gjerë gjeopolitik – në veçanti një Rusi më e vendosur dhe zgjedhja e një Trampi me qëndrime skeptike ndaj NATO-s – kanë shërbyer si arsyetim për ushtrinë. Përveç këtyre faktorëve bashkëkohorë, ushtria është karakteristikë kyçe e një shteti të pavarur, dhe secili njeri që di për ngjarjet në Kosovë gjatë viteve të 90-ta do ta kuptojë se pasiguria në komunitetin e shqiptarëve buron nga përvojat e hidhura.

Ata që janë kundër kësaj ideje hedhin në pah faktin se është dënuar nga Shtetet e Bashkuara dhe NATO, dhe se një lëvizje e tillë është vepër provokuese që rrit tensionet në rajon. Për më shumë, prania e rreth 4,200 ushtarëve të NATO-s në Kosovë sigurisht e bën mundësinë e pushtimit të papërfytyrueshme. Sidoqoftë, Thaçi ka paralajmëruar se Kosova nuk mund të varet vetëm nga mbështetja ushtarake e huaj. Edhe pse një gjë e tillë është e vërtetë deri diku, në rastin thuajse të pamundshëm nëse NATO ndërpret përkrahjen e saj ndaj Kosovës, një ushtri e Kosovës e përbërë nga 5,000 trupa qartazi nuk do të mund t’i bënte ballë një invazioni të armatosur nga Serbia.

Por, këto analiza janë larg nga thelbi. Prej një këndvështrimi ekskluzivisht ushtarak, sigurisht që një ushtri shtetërore është e palogjikshme; nga këndvështrimi i Thaçit, propozimi i një ushtrie për Kosovën ka shumë domethënie, sepse ushtria ka më pak të bëjë logjikën ushtarake apo gjeopolitike dhe më shumë me motivimet e atyre që e bëjnë propozimin.

Patriotizmi dhe frika

Samuel Johnson kishte thënë se “patriotizmi është streha e fundit e një të marri”. Historikisht, asgjë nuk ngjall patriotizëm me efektshëm sesa frika. Për mijëvjeçarë me radhë, qeveritë e kanë përdorur spektrin e rreziqeve nga jashtë si mënyrë për ta mbajtur gjallë mbështetjen vendore. Nxitja e ndjenjës se “armiku” është gati të sulmojë ua mundëson qeverive ta bindin popullin që dëgjesa ndaj sundimit të tyre është çështje me rëndësi ekzistenciale.

Pra, frika nga “tjetri” ka lejuar që regjimet ta zhvendosin vëmendjen e publikut nga dështimet e tyre te armiqtë e jashtëm. Zbatimi i efektshëm i kësaj strategjie krijon një ndjenjë se dyshimi ndaj qeverisë gjatë një “krize” është “jopatriotike”. Kjo dredhi është përdorur nga demagogë sikur Robert Mugabe dhe Slobodan Milosheviqi, por po ashtu mund të shihet te populizmi i llojit të Trampit. Gjasat që një amerikan të vritet në një sulm terrorist të shkaktuar nga një refugjat është 1 në 3.64 miliardë në vit, por këso lloj faktesh kanë më pak ndikim në shoqëri sesa nxitja e frikës nga lufta. Dhe nxitja e një frike të tillë krijon entuziazmin patriotik që nevojitet për t’i përjetësuar regjimet që mbijetojnë vetëm nëse njerëzit mbështesin, e jo dyshojnë.

Elita e korruptuar e Kosovës

Turmat e ngazëllyera që dolën rrugëve të Kosovës kur u shpall pavarësia e vendit në shkurt të vitit 2008 vështirë se do ta kishin paramenduar se në vitin 2017 Kosova do të ishte kaq mbuluar nga papunësia, arsimimi i dobët, shëndetësia e dështuar dhe infrastruktura e pamjaftueshme. Këto probleme mëkeqen nga njohja e kufizuar ndërkombëtare dhe pamundësia e anëtarësimit në Kombet e Bashkuara, Bashkimin e Evropian dhe NATO-n. Për njerëzit e Kosovës, kjo mungesë e njohjes ndërkombëtare ka pasur implikime me të vërtetë negative për standardet e tyre të jetesës dhe mundësinë për të udhëtuar dhe punuar në Evropë.

Këto probleme sigurisht nuk janë unike për Kosovën; ajo çfarë e dallon Kosovën është fakti se ka pasur përqendrimin e vazhdueshëm të vëmendjes ndërkombëtare për gati 18 vjet. Një grumbull i madh i organizatave ndërkombëtare kanë shpenzuar jashtëzakonisht shumë kohë, energji dhe investim në Kosovë, dhe prapëseprapë situata mbetet e zbehtë. Përse?

Sipas disa raporteve dhe komisioneve, zhvillimit në Kosovë i është zënë fryma nga një elitë e korruptuar që ka përdorur institucionet e shtetit dhe fluksin e fondeve ndërkombëtare për përfitimet e tyre. Problemi i korrupsionit në Kosovë mund të jetë endemik, por faji nuk qëndron vetëm te kosovarët. Elita nuk mund të ketë vepruar në mënyrë kaq efektive po mos ta kishte pajtimin e heshtur – e ndonjëherë përkrahjen aktive – të disa aktorëve të fuqishëm ndërkombëtarë.

Ushtri apo hutim?

Meqenëse një rrjet i gjerë i aktorëve vendas kanë pasur gisht në mjerimin e Kosovës, a është çudi që ata tash kërkojnë ta largojnë vëmendjen nga keqqeverisja e tyre duke kultivuar patriotizëm në kurriz të frikës? Për ta shmangur mundësinë që kjo çështje të bëhet provë e patriotizmit, duhet shtruar dy pyetje: së pari, a është kjo çështja më urgjente me të cilën përballet Kosova? Së dyti, kush përfiton nga zhvendosja e vëmendjes publike në sigurinë kombëtare?

Sa i përket pyetjes së parë, problemet me të cilat përballet Kosova qartazi nuk do të shpërbëhen me krijimin e ushtrisë. Duke pasur parasysh shkallën e këtyre problemeve, liderët politikë të Kosovës sigurisht duhet të përqendrohen në luftimin e shkaktarit rrënjësor të shumë prej këtyre problemeve, veçanërisht korrupsionit. Sigurisht, kjo nuk është e mundur sepse shumë nga këta liderë politikë janë vetë të korruptuar.

Kjo çon drejt pyetjes së dytë. Shumë njerëz të elitës politike, veçanërisht presidenti Thaçi, kanë interes në nxitjen e patriotizmit pikërisht për shkak se e ul mospajtimin dhe fsheh problemet më urgjente të shkaktuara nga vite me radhë të keqqeverisjes. Nëse vëmendja zhvendoset në sigurinë kombëtare dhe elita vesh mantelin e “mbrojtësve të shtetit”, statusi i tyre bëhet më i sigurt.

Kjo dredhi mund të shihet po ashtu në Serbi, ku gjatë zgjedhjeve të pritura presidenciale janë shkëmbyer konspiracione qesharake mes kandidatëve të ndryshëm për qëllimet e dhunshme të shqiptarëve të Kosovës për t’i ngushtuar kornizat e debatit. Vërtet, elita e rajonit ka mbijetuar duke mëkuar frikën pikërisht për shkak se ajo shtrëngon një patriotizëm të bindur.

Prandaj, propozimi i ushtrisë është pjesë e një strategjie më të gjerë që ka për synim kufizimin e mospajtimit në vend duke e zhvendosur vëmendjen publike nga burimi i shumë të këqijave që kanë pushtuar Kosovën. Në fund të fundit është e dizajnuar ta mbajë status quo-në duke e çimentuar e kësaj elite që, duke shikuar interesat e tyre, kanë lënë Kosovën të qëndrojë në amulli – e në mos të degjenerojë, prej vitit 2008. Sidoqoftë, njerëzit e Kosovës sigurisht kanë nevojë për më shumë ndryshim se kontinuitet.

Dr. Aidan Hehir është Profesor i Asocuar i marrëdhënieve ndërkombëtare në Universitetin e Westminster-it në Angli. Ai ligjëron në Shkollën Verore të RIT Kosova dhe interesat e tij të studimit përfshijnë shtetndërtimin dhe ligjet që qeverisin përdorimin e forcës.