Foto: Posta e Kosovës

Urdhri që Rrezikon Qëndrueshmërinë Financiare të Postës

Filialet e Postës së Kosovës nuk do të ofrojnë më shërbime të pagesave në hapësira të Ministrisë së Punëve të Brendshme (MPB). Kjo e fundit ka marrë vendim që ta shkëpusë marrëveshjen e bashkëpunimit me Postën e Kosovës.

“Pas shqyrtimit dhe analizës së bërë të vendimit të Autoritetit Kosovar të Konkurrencës, MPB me datën 20.02.2017 ka marrë vendim për shkëputje të Marrëveshjes së Bashkëpunimit të lidhur ndërmjet MPB-së dje Postës së Kosovës bazuar në vendimin të nxjerr nga Komisioni i Autoritetit Kosovar të Konkurrencës, dhe nga kjo datë marrëveshja në fjalë nuk ka kurrfarë efekti juridik. Posta e Kosovës”, thuhet në vendimin e MPB-së.

Ky vendim i MPB-së erdhi pasi Autoriteti Kosovar i Konkurrencës kishte konstatuar se prania e Postës nëpër institucione publike dëmton konkurrencën, përkatësisht është në kundërshtim me Ligjin e Konkurrencës.

Posta e Kosovës është urdhëruar të largohet nga ambientet ku tash kryen pagesat nëpër qendrat e regjistrimit të MPB-së. Por, ultimatumi i vendosur nga MPB-ja është i dykuptimshëm, sepse me shkronja është shkruar numri pesëdhjetë, ndërsa me numër 15.

“Posta e Kosovës brenda pesëdhjetë (15) ditëve duhet t’i lirojë objektet e Ministrisë së Punëve të Brendshme – ARC”, thuhet në vendimin e MPB-së.

Në rastet e tilla, përparësi ka numri i shkruar me shkronja, e që në rastin konkret është pesëdhjetë (50) ditë.

MPB
Urdhri i MPB-së për Postën e Kosovës.

KALLXO.com ka kërkuar përgjigje nga Posta e Kosovës nëse do të apelojnë vendimin e Ministrisë së Punëve të Brendshme. Nga Posta është kërkuar sqarime për numrin e punëtorëve që ka pasur posta nëpër këto pika të vendosura në objektet e institucioneve të Kosovës, e të cilat duhet të largohen. Gjithashtu, për të hyrat që ka pasur Posta vetëm nga këto filiale të vendosura nëpër institucionet publike.

Burimet e KALLXO.com thonë se Posta ka rreth 50 mijë euro të hyra mujore nga këto pika, e që ato vjetore janë mbi gjysmë milioni euro.

Marrëveshja e Bashkëpunimit me MPB e nënshkruar 23.07.2015 parasheh që filialet e Postës të vendosen brenda objektit të MPB-së. Një marrëveshje të tillë për shërbim të pagesave Posta e Kosovës e kishte arritur edhe me disa institucione tjera si Komuna e Prishtinës, Komuna e Gjilanit dhe Komuna e Mitrovicës.

Këto marrëveshje kanë qenë cak i vlerësimit nga Autoriteti Kosovar i Konkurrencës, e cila ka konstatuar se të njëjtat janë të kundërligjshme sepse i kanë diskriminuar operatorët e tjerë ekonomikë.

“Të gjitha marrëveshjet/kontratat e lartpërmendura në Pikën I bien ndesh me Ligjin për Mbrojtjen e Konkurrencës, neni 4 ‘Marrëveshjet e Ndaluara’, paragrafi 1.4- ‘zbatojnë kushte të ndryshme për transaksione të njëjta me ndërmarrje të tjera tregtare, duke i vendosur ato në gjendje të pafavorshme konkurruese”, thuhet në vendimin e AKK-së.

Afati i fundit për zbatimin e këtij vendimi ka qenë gjashtëdhjetë ditë apo deri më 06 shkurt 2017.

“Rekomandohet, Ministria e Punëve të Brendshme, Komuna e Prishtinës, Komuna e Gjilanit, Komuna e Mitrovicës, Komuna e Ferizajt, Komuna e Gjakovës si dhe të gjitha autoritetet shtetërore; qendrore dhe lokale që të ofrojnë kushte të barabarta për transaksionet e njëjta me operatorët e tjerë ekonomikë (IFJB), duke i vendosur ato në gjendje të favorshme konkurruese përmes mekanizmave ligjorë, në respektim të ekonomisë së tregut me konkurrencë të lirë, të përcaktuara me Kushtetutën e Republikës së Kosovës dhe Ligjin për Mbrojtjen e Konkurrencës”, thuhet tutje në vendimin e Autoritetit të Konkurrencës.

Këtë vendim deri më tani ka vendosur që të zbatojë vetëm Ministria e Punëve të Brendshme. Të pyetur nga KALLXO.com rreth zbatimit të këtij vendimi, nga këto komuna është përgjigjur vetëm Komuna e Prishtinës.

Sipas tyre, vendimi i AKK-së nuk është zbatuar për shkak se i mungon këshilla juridike në fund dhe nga ta nuk ka qenë e qartë se a ka të drejtë ankese ndaj këtij vendimi.

“Në kuptimin procedural që përcaktohet me nenin 84, paragrafi F dhe G, të Ligjit të Procedurës Administrative, Nr. 02/L-28, vendimi i Bordit të Autoritetit Kosovar të Konkurrencës nuk përmban një nga elementet kryesore ne pjesën përmbyllëse – këshillën juridike dhe si forme nuk përmbush kushtet formalo juridike – andaj mungojnë informatat për palët se ankesa këtij vendimi a e pezullon ekzekutimin e vendimit apo jo, si dhe bazën ligjore për një gjë të tillë”, thuhet në përgjigjen e Komunës.

KALLXO.com ka siguruar vendimin e AKK-së ku arsyetohet paligjshmëria e këtyre marrëveshjeve, mirëpo në këtë vendim nuk ka është këshillë juridike. KALLXO.com i ka dërguar pyetje me datën 13 shkurt për të kërkuar sqarime rreth pretendimeve të komunës së Prishtinës, por Autoriteti i Konkurrencës nuk janë përgjigjur deri më tani.