Nexhmedin Spahiu

Ura në Mitrovicë Ende po e Ndan, në Vend që ta Bashkojë Kosovën

Zyrtarë të Kosovës, Serbisë, BE-së dhe SHBA-së si dhe shumë diplomatë të tjerë kanë kaluar vite në përpjekje për të zgjidhur çështjen e urës në pjesën veriore, të drejtuar nga serbët në qytetin e Mitrovicës.

Pavarësisht përpjekjeve të tyre, ura ende përçan në vend që të lidhë komunitetet e shqiptarëve të Kosovës dhe serbët në qytet, tha për BIRN Nexhmedin Spahiu.

Spahiu, banor i Mitrovicës dhe një nga pak analistët e njohur për publikun serb dhe kosovar, tha se ky dështim i liderëve vendas, rajonal dhe ndërkombëtar për të zgjidhur problemet në Kosovë dhe Mitrovicë do të sjellë telashe në të ardhmen edhe për problemet e reja që po shfaqen në Ballkan.

“Muri në Mitrovicë: një gabim i ‘përmirësuar’ nga një gabim edhe më i madh,” shkroi ai.

“Muri u shemb sot, por një tjetër do të ndërtohet, vetëm dy metra më tej, tani i legjitimuar nga qeveria e Kosovës, BE-ja, SHBA-ja dhe madje edhe zyrtarët shqiptarë të Kosovës në komunën e Mitrovicës. Budallallëk, poshtërsi, dashakeqësi,” shtoi ai në postimin në rrjetet sociale më 5 shkurt.

Ai e shkroi këtë përshkrim pesimist pasi autoritetet e Kosovës – me ndërhyrjen e Brukselit – shkatërruan një mur polemik të ndërtuar nga serbët në veri të qytetit.

Postimi nuk linte asnjë hapësirë për optimizëm për ngjarjet e ardhshme mes serbëve dhe shqiptarëve në Mitrovicë.

Spahiu, një matematikan, politolog dhe profesor në Universitetin e Prishtinës, drejton stacionin e tij televiziv në Mitrovicë, ku organizon debate mbi tema kombëtare delikate dhe të rëndësishme.

I pyetur se pse ishte aq i zymtë në komentin e tij, ai tha se nuk po mendonte vetëm për barrierat fizike që janë ngritur pranë urës në Mitrovicë që nga lufta.

Spahiu tha gjithashtu se marrëveshja e fundit që parashikon “një strukturë të re betoni” që do të ndërtohet vetëm dy metra larg murit të vjetër, është një fatkeqësi.

Zyrtarët “kanë bërë një marrëveshje e cila sjell legalizimin e barrierave ekzistuese mes njerëzve në vend që të zgjidhë problemet,” Spahiu tha për BIRN.

Megjithëse njerëzit mund të kalojnë urën nga njëra anë e qytetit në tjetrën, ai këmbënguli se situata ishte shumë larg nga të qenët “normale”.

Ura “dikur ishte qendra e qytetit, zemra e Mitrovicës. Tani ajo është veçse një tjetër kufi,” tha ai.

I pyetur se pse kjo urë ishte bërë aq e rëndësishme, kur një tjetër ndodhet vetëm disa qindra metra larg, e hapur si për njerëzit dhe automjetet, ai tha: “Kjo urë është një simbol. Është një thelb i gjithë problemit sot. Nuk do të ketë zhvillime pozitive [në Kosovë], nëse çështja e urës në Mitrovicë nuk zgjidhet.”

Spahiu tha se shqiptarët e panë murin e shkatërruar së fundmi si një fyerje dhe si një mesazh i dërguar nga serbët që thoshte: “Ne jemi të qytetëruarit, ju jeni barbarët”. Ai gjithashtu beson se në fund të fundit, mure të tilla dëmtojnë më shumë serbët se sa shqiptarët.

Sipas Spahiut, Mitrovica është një nga testet e mëdha të aftësisë njerëzore për t’u pajtuar, në të gjithë rajonin e Ballkanit.

Para se lufta në Kosovë të merrte fund në vitin 1999, Mitrovica ishte një nga qytetet më të përziera etnikisht në Jugosllavi, bashkë me Sarajevën, Mostarin dhe Vukovarin.

Pasi policia serbe i vrau xhaxhain në prill 1999 përpara nënës dhe fëmijëve, ai vetëm nuk guxoi më të ftonte miq serbë në shtëpinë ose të fliste gjuhën serbe në prani të familjes.

“Për sa kohë që gjyshja ime qe gjallë [deri në vitin 2007], nuk guxoja të ftoja miq serbë për vizitë në shtëpi ose të flisja serbisht,” kujton ai, duke thënë se gjyshja e tij kurrë nuk e fali vrasjen e djalit të saj.

I pyetur për të ardhmen e marrëdhënieve serbo-shqiptare dhe të ardhmen e Kosovës, ai tha se nuk ndihet aq optimist sa dikur.

“Menjëherë pas përfundimit të luftës, kam menduar se do të ketë disa vite të vështira, por pastaj gjithçka do të bëhet më mirë. Megjithatë kanë kaluar 18 vjet dhe prognoza ime ka rezultuar e gabuar,” tha ai.

Mitrovica ende pret t’i kthehet roli i vjetër si portë për të hyrë në Kosovë, shtoi ai.

“Para luftës kishte mendime progresive që po vinin në Kosovë, por edhe në Tiranë, Tetovë apo Prishtinë përmes Mitrovicës,” tha ai, duke iu referuar tendencave të reja globale të tilla si muzika rok dhe xhaz.

“Tani mund të them veçse çdo progres në Kosovë do të fillojë nga Mitrovica,” përfundoi ai.