Mbledhje e rektoratit të UP-së, kur universiteti kishte rektor | Foto: KALLXO.com

Universiteti Pa Rektor, Studentët Pa Diploma

Viti 2015 u mbyll me probleme për Universitetin Publik “Hasan Prishtina” dhe ky vit nisi me probleme të reja.

Si rezultat i mbetjes vakante të pozitës se rektorit në këtë universitet, qindra studentë po presin marrjen e diplomave të cilave u mungon vetëm nënshkrimi nga ana e rektorit – një procedurë e domosdoshme për vlefshmërinë e këtyre dokumenteve.

Mahir Morina, student i Fakultetit Filologjik, dega e letërsisë, është ankuar se pamundësia e marrjes së diplomës për shkak të mungesës së rektorit ia zvogëlon atij mundësitë për të aplikuar për një vend pune.

“Kam diplomuar në shkurt mirëpo diplomën nuk po mundem ta marr. Mundësitë për punë edhe ashtu janë të vogla, ndërsa fakti që nuk kam diplomë i zvogëlon ato edhe më shumë”, tha Morina.

Me shpalljen e konkursit për zgjedhjen e rektorit të ri, dha dorëheqjen rektori Ramadan Zejnullahu, çka e la UP-në pa udhëheqësi e studentët pa diploma.

Ramadan Zjenullahu, ish-rektor i UP-së | Foto: Atdhe Mulla
Ramadan Zejnullahu, ish-rektor i UP-së | Foto: Atdhe Mulla

Sekretari i përgjithshëm i Universitetit të Prishtinës, Esat Kelmendi ka konfirmuar për gazetën JNK shifrën e diplomave të grumbulluara që nga dorëheqja e rektorit që sipas tij janë 520 sosh.

Florije Ramadani, e cila është diplomuar në Fakultetin e Edukimit, dega në Gjilan, gjithashtu thotë se nuk ka mundur ta marrë diplomën.

“E kam vetëm certifikatën si dëshmi që kam diplomuar e për diploma po presim akoma derisa të zgjidhet rektori”, ka thënë Ramadani.

Përmes postës elektronike, Kelmendi tregoi për gazetën JNK se mungesa e rektorit ka shkaktuar edhe një sërë problemesh të tjera që nuk lidhen vetëm me diplomat.

“Mungesa e menaxhmentit… ka ndikuar në disa çështje fondamentale siç janë mos nënshkrimi i kontratave të personelit të angazhuar, e të cilët janë duke mbajtur mësimin, pamundësia për kompensim, pastaj fillimi i procedurave për publikim të tenderëve, dërgimi i programeve për akreditim etj”, tha Kelmendi.

Rektorati i UP-së | Foto: KALLXO.com
Rektorati i UP-së | Foto: KALLXO.com

Sipas sekretares së Fakultetit të Ekonomisë, Valbona Zhubi, në mungesë të rektorit ky institucion ka pasur probleme me studentët dhe stafin akademik, të cilëve nuk iu kanë nënshkruar kontratat për avancim dhe si rrjedhojë janë dëmtuar materialisht.

“Problem ka pasur në nivelin e studimeve të doktoratës për kandidatët të cilët janë duke pritur që t’u miratohen në Senat të UP-së tema dhe mentori sipas propozimit të fakultetit”, tha Zhubi nëpërmjet emailit zyrtar.

Sekretari i përgjithshëm i UP-së ka thënë për “Jeta në Kosovë” se mungesa e menaxhmentit në UP po e dëmton universitetin.

“Ne po mundohemi që t’i kryejmë punët që janë brenda kompetencave tona por gjithsesi mungesa e një menaxhmenti të UP-së është evidente”, tha Kelmendi.

Konkursi i parë për rektorin e ri, i shpallur në muajin shkurt, dështoi sepse asnjëri prej kandidatëve nuk mori votat e mjaftueshme, çka shkaktoi rishpalljen e konkursit.

Në ndërkohë konkursi i dytë për zgjedhje të rektorit është i hapur dhe po vazhdon deri më 28 mars ndërsa pritet që zgjedhja e tij të bëhet me 31 mars.

Saga e rektoratit të Universitetit të Prishtinës filloi me shkarkimin e rektorit Ramadan Zejnullahu nga Këshilli Drejtues i UP-së, në tetor të vitit të kaluar dhe rikthimin e tij në punë nga Ministria e Arsimit pasi që kishte protesta nga shoqëria civile për ndërhyrje në këtë institucion.

Protestat e studentëve në mbështetje të ish-rektorit Zejnullahu | Foto: Atdhe Mulla
Protestat e studentëve në mbështetje të ish-rektorit Zejnullahu | Foto: Atdhe Mulla

Si rrjedhojë e kësaj dhe protestave të studentëve që u bënë para rektoratit, MAShT-i në pajtim me vendimin e qeverisë vendosi që të shpallë zgjedhjet e përgjithshme të parakohshme në UP.

Zgjedhjet filluan nga ato studentore dhe vazhduan me zgjedhjen e këshillave drejtues nëpër fakultete, senatorët dhe zgjedhjen e dekanëve.

Zgjedhjet priteshin të përfundonin me zgjedhjen e rektorit të ri, por shpresa për përfundim të rregullt të këtij procesi u shua kur u bë zgjedhja e anëtarëve të Këshillit Drejtues të cilët janë përgjegjës për zgjedhjen e rektorit.

Votat e senatorëve zgjodhën të njëjtët anëtarë që kishin bërë edhe shkarkimin e ish-rektorit Zejnullahu.

http://kallxo.com/garda-e-vjeter-rimerr-kontrollin-e-up-se/