Fakulteti Juridik, Foto: Balkan Insight/Wikimedia

Universiteti i Prishtinës hap për studentët Qendrën për Drejtësi Tranzicionale

Universiteti më i madh publik i Kosovës ka ngritur Qendrën e tij të Burimeve të Drejtësisë Tranzicionale dhe planifikon të ofrojë leksione mbi çështjet që kanë lidhje me konfliktin për studentët në mënyrë që t’i lejojë ata të eksplorojnë strategji për të vërtetën dhe pajtimin.

Ismail Ahmeti sapo ka aplikuar për të studiuar në universitetin kryesor të Kosovës në Prishtinë, ku për herë të parë këtë vit, studentët do të kenë mundësi të përfshihen në hulumtime mbi konfliktin në Qendrën e re të Burimeve të Drejtësisë Tranzicionale, e cila së fundmi u hap si pjesë e Fakultetit të Drejtësisë.

I lindur gjatë vitit pas përfundimit të luftës në Kosovë, Ahmeti i përket brezit të parë të fëmijëve të pasluftës, të cilët tani janë rritur. Ai tha se kjo do të ishte përvoja e tij e parë e drejtësisë tranzicionale, e cila përfshin proceset gjyqësore pas konfliktit dhe përpjekje më të gjera jo-gjyqësore për të ndërtuar demokraci të qëndrueshme dhe paqësore nëpërmjet përpjekjeve për të vërtetën dhe pajtimin.

“Unë e di që drejtësia tranzicionale merret me shkeljen e të drejtave të njeriut në të kaluarën, por nuk di asgjë më shumë përveç kësaj, sepse deri më tani s’ka qenë në kurrikulën mësimore në shkollën tonë,” tha ai për BIRN ditën kur aplikoi në Universitetin e Prishtinës.

Ashtu si shumica e njerëzve në Kosovë, Ahmeti u prek nga lufta edhe pse ajo përfundoi para se ai të lindte – dy nga të afërmit e tij u vranë në prill të vitit 1999, kur forcat serbe bastisen fshatin e tij në afërsi të qytetit lindor të Kosovës në Gjilan dhe e dëbuan familjen e tij të madhe nga shtëpitë e tyre.

Ahmeti gjithashtu tha se motra e tij, një studente në universitet, ndonjëherë i ka folur për padrejtësitë gjatë viteve 1990 në Kosovë, kur shumica e shqiptarëve etnikë u shtyp nga regjimi i Sllobodan Millosheviqit dhe vuante nga ndarja në të gjitha sferat e shoqërisë, duke përfshirë arsimin dhe punësimin.

Ideja e themelimit të Qendrës së Burimeve për Drejtësi Tranzicionale erdhi nga pedagogia e universitetit Remzije Istrefi-Peci, të cilën deputetet së fundmi e votuan për ta emëruar në Gjykatën Kushtetuese të Kosovës. Istrefi-Peci e zhvilloi idenë si pjesë e studimeve të doktoraturës në Universitetin e Grazit në Austri.

Qendra synon të rrisë rolin e arsimit në proceset e drejtësisë tranzicionale duke hartuar programe arsimore dhe duke bërë kërkime shkencore mbi çështjet që lidhen me konfliktin e Kosovës dhe shpërbërjen më të gjerë të Jugosllavisë.

Dafina Buçaj, një studiuese dhe pedagoge e Fakultetit Juridik, tha se qendra do të ofrojë të dhëna, burime dhe njohuri objektive akademike mbi drejtësinë tranzicionale në gjuhën shqipe.

Dafina Buçaj, Foto: Balkan Insight/Foto kortezi

“Aktualisht, universiteti kryesor publik në vend, Universiteti i Prishtinës, nuk është shumë i ndjeshëm kur bëhet fjalë për drejtësinë tranzicionale”, tha Buçaj për BIRN.

Ajo tha se aktualisht ekzistojnë dy perspektiva për drejtësinë tranzicionale në Kosovë – perspektiva institucionale dhe perspektiva e shoqërisë civile, e cila është më subjektive, pasi ajo merret më nga afër me viktimat e luftës – por asnjëra prej tyre nuk është një pikëpamje e plotë.

“Të parës i mungon subjektiviteti, të dytës i mungon perspektiva objektive”, tha Buçaj.

Pothuajse dy dekada pas përfundimit të luftës në Kosovë, konteksti akademik i konfliktit nuk është përcaktuar në mënyrë adekuate në një shoqëri në të cilën marrëdhëniet ndëretnike mbeten të thyera.

Një nga qëllimet kryesore të qendrës është të bëjë hulumtime për institucione të ndryshme të Kosovës dhe të ofrojë dëshmi se sa mësohet drejtësia tranzicioni në vend dhe të zbulohet se deri në çfarë mase fakultetet universitare sigurojnë burime të nevojshme, siç janë librat dhe literatura të tjera.

Fokusi do të jetë në Fakultetin e Edukimit në Universitetin e Prishtinës, për të parë se si mësuesit e shkollave fillore po përgatiten për të trajtuar çështjet e drejtësisë tranzicionale.

Në vitin 2017, presidenti Hashim Thaçi nisi një iniciativë për të ngritur një Komision për të Vërtetën dhe Pajtimin, por Buçaj është skeptike rreth mundësisë së saj për sukses, për shkak të asaj që ajo beson është mungesa e përgatitjes së duhur dhe hulumtimit të përparuar.

“Nisma duhet të ishte ndërmarrë pas hulumtimeve akademike mbi mënyrë se si duhet të arrihet pajtimi. Të bësh kërkime është mënyra më e mirë. Ajo që është nisur mund të jetë një komision për zbulimin e të vërtetës ose për dokumentim, por jo pajtimi sepse nuk do të ketë ballafaqime të qëndrimeve midis viktimave dhe autorëve të krimeve”, shtoi Buçaj.

Si pjesë e procesit të pajtimit në Ruandën e pasluftës, për shembull, të mbijetuarit e gjenocidit u përballën me autorët e krimeve në seancat e gjykatave në fshat që u mbajtën në publik para të afërmve dhe fqinjëve.

Qendra për Burime të Drejtësisë Tranzicionale po mbështetet nga organizata e Kombeve të Bashkuara për barazi gjinore, UN Women, dhe kreu i zyrës së saj në Kosovë, Flora Macula, tha se është shumë e rëndësishme që ajo të analizojë problemet gjinore që lidhen me luftën.

“Mendoj se Qendra duhet të ofrojë një perspektivë gjinore për luftën dhe ndërtimin e paqes, me një fokus të veçantë në dhunën seksuale gjatë konfliktit,” tha Macula për BIRN.

“Është shumë e rëndësishme që brezat e ardhshëm t’i japin fund stigmatizimit me të cilin përballen të mbijetuarit e dhunës seksuale”, shtoi ajo.

Themeluesit e Qendrës së Burimeve të Drejtësisë në Tranzicion planifikojnë ta prezantojnë drejtësinë tranzicionale si një lëndë specifike në kurrikulat e Fakultetit të Drejtësisë dhe të Fakultetit të Shkencave Politike të Universitetit të Prishtinës dhe më vonë të krijojnë një program studimesh master mbi drejtësinë tranzicionale.

Buçaj tha se universiteti mund të luajë një rol të madh në parandalimin e çdo rikthimi në konflikt duke përhapur dije dhe informacione që janë siguruar në një mënyrë objektive.

“Ne duhet të punojmë me studentët dhe do të duhet të gjejmë mënyra për t’iu qasur atyre në kontekstin e informacionit rreth konfliktit. Ne e dimë se ne duhet të ndajmë informacione në mënyrë të tillë për të mos ushqyer apo nxitur urrejtje që do të mund të dëmtonte paqen duke krijuar nacionalistë të rinj”, shpjegoi ajo.

Ismail Ahmeti, i cili shpreson të studiojë në Universitetin e Prishtinës semestrin e ardhshëm, tha ndërkohë se ai beson se drejtësia tranzicionale është aq e rëndësishme saqë duhet t’u mësohet edhe nxënësve në shkollat e Kosovës.

“Mendoj se drejtësia tranzicionale duhet të jetë pjesë e kurrikulave të shkollave të mesme ose e ndonjë programi ekstrakurikular. Të fillosh të mësosh për të nën universitet është tepër vonë për të rinjtë, sepse jo të gjithë ata që mbarojnë shkollën e mesme shkojnë në universitet”, tha ai.