Universiteti i Mitrovicës lejon mandate të dyfishta në menaxhment

Disa rregullore lidhur me zgjedhjet e brendshme në Universitetin e Mitrovicës po lejojnë mandate të dyfishta menaxheriale. Pas interesimit të KALLXO.com universiteti ka dërguar kërkesë për interpretim ligjor në Ministrinë e Arsimit, nën dyshimet se mund të jenë të jashtëligjshme.

Një profesor pas zgjedhjeve në Universitetin publik të Mitrovicës mund të jetë njëkohësisht anëtar i Këshillit Drejtues të Universitetit dhe Këshillit të Fakultetit.

Po ashtu në universitetin ‘Isa Boletini’ lejohet që një anëtar i Këshillit të Fakultetit të jetë edhe anëtar i Senatit të Universitetit.

Këto përjashtime, ky universitet i ka futur si fusnota brenda rregulloreve të brendshme për zgjedhjet e vitit 2019, të shpallura më 28 mars.

Sipas UMIB, këto përjashtime janë bërë për shkak të numrit të vogël të stafit akademik.

Në ‘rregulloren për rregullat dhe procedurat për zgjedhje’ në njërën fusnotë thuhet: Përjashtimisht në zgjedhjet e përgjithshme 2019, për shkak të numrit të vogël të stafit akademik nëpër njësi akademike, një anëtar i personelit akademik ka të drejtë të kandidojë edhe të ushtrojë njëkohësisht mandatin e anëtarit të Këshillit të Fakultetit dhe të anëtarit të Senatit”.

Ngjashëm në fusnotën tjetër thuhet.. “një anëtar i personelit akademik ka të drejtë të ushtrojë në të njëjtën kohë më shumë se një mandat, respektivisht, mund të ushtrojë në të njëjtën kohë mandatin e anëtarit të Këshillit Drejtues dhe të Këshillit të Fakultetit”.

Përveç këtyre, në këto rregullore janë vendosur fusnota që lejojnë specifikisht në Fakultetin e Edukimit dhe atë Juridik që ” në mungesë të stafit administrativ në marrëdhënie të rregullt pune, të drejtë vote dhe kandidimi për anëtar të Këshillit nga rradhët e stafit joakademik ka edhe stafi me kontratë për marrëveshje të veçanta për periudhën që e ushtron këtë pozitë”.

Këto ndryshime i ka kundërshtuar profesori i Fakultetit të Edukimit, Qerim Selimi.

Ai i ishte drejtuar me shkresë Këshillit Drejtues dhe Rektorit të këtij universiteti duke kërkuar sqarime lidhur me këto ndryshime.

“Nuk pajtohem me këtë rregullore që është konflikt interesit dhe do të përdori të gjitha mjetet ligjore që në këtë Universitet të zbatohen rregullat dhe ligji”, tha ai.

Ky universitet ka arsyetuar vendimin duke insistuar se për shkak të mungesës së stafit, këto fusnota kanë qenë të domosdoshme.

“Marrë parasysh se universitetet publike të themeluara në vitin 2013 ende funksionojnë në bazë të statuteve të përkohshme, shumë çështje të caktuara nuk janë të rregulluara….fundja Statuti aktual si i përkohshëm, fare nuk e përmend procesin e rregullt zgjedhor dhe mandatin e organeve, ai i referohet vetëm organeve të parapara për fazën e përkohshme të menaxhimit të Universitetit dhe të fakulteteve. Në asnjë prej dispozitave të Statutit nuk përmendet kufizim i të drejtës të ushtrimit të më shumë mandateve në të njëjtën kohë”, thuhet në përgjigjen e Ahmet Jasharit, drejtor për informim në UMIB.

Sipas tij, nëse nuk lejohen mandatet e dyfishta mund të vije në situata ku Këshilli i Fakultetit përbëhet nga më shumë asistentë se profesorë.

“Këto janë disa nga arsyet që janë në favor të mandatit të dyfishtë të personelit akademik për zgjedhjet e përgjithshme 2019, shpresojmë se në zgjedhjet e vitit 2023, Universiteti i Mitrovicës do të ketë numër shumë më të madh të personelit akademik, dhe nuk do të ketë nevojë për mandate të dyfishta”, thuhet në përgjigje.

Në disa raste të vendimeve që merren brenda organeve të universitetit, e sidomos për çështje të avancimeve akademike, organet si Këshilli i Fakultetit dhe Senati përcjellin vendimet e njëra tjetrës.

Më saktësisht Senati vendos për një rast të caktuar me propozim të Këshillit të Fakultetit.

Lidhur me këtë çështje, universiteti ka thënë se rastet e konfliktit të interesit do të zgjidhen individualisht.

“Sa i përket asaj nëse është shqyrtuar mundësia e konfliktit të interesit në këto pozita, rastet e tilla mund të shqyrtohen si individuale kur kemi të bëjmë me rastin e nxjerrjes së vendimeve. Rast konkret kemi të bëjmë me nxjerrjen e një vendimi në Këshill të Fakultetit, anëtari i Senatit apo i Këshillit Drejtues të atij fakulteti nuk do të votoj, nëse Senati apo Këshilli Drejtues apo individi e sheh si konflikt të interesit. Në këtë mënyrë edhe mund edhe të evitohet konflikti i interesit me mos votim në organin e shkallës së dytë, Senat apo në KD”, thuhet në përgjigje.

Pas pakënaqësive të shfaqura, Këshilli Drejtues ka dërguar kërkesë për interpretim ligjor në Ministrinë e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë.

Këshilltari i Ministrit, Valmir Gashi tha se kërkesa është në shqyrtim.

“E kemi pranuar dhe jemi në shqyrtim e sipër”, tha Gashi.