Foto: vehaber.org

‘Ujkonja’ që po tremb ‘Sulltanin’

Mes lavdisë së pretenduar në tubimin masiv parazgjedhor, duartrokitjeve, brohorisë dhe fjalimeve me kumt –si gjithnjë – propagandën shoviniste, nuk kish asgjë më tepër se një ngutje apo carpe momentum përpara se ëndrrat të kthehen në pluhur.

‘Turqia e Erdoganit’, të mbiquajtur ‘Sulltan’ do të shkojë në zgjedhje këtë të diel më 24 qershor, shumë më herët nga se ishte parashikuar. Rëndësia e tyre është domethënëse pasi do të votohet për një reformë kushtetuese që garanton një sistem parlamentar ose presidencial, duke nënkuptuar më shumë fuqi gjithëpërfshirëse për Erdogan. Një gjë është e sigurt, Turqia do të marrë një tjetër pamje pas këtyre zgjedhjeve.

Mbajtja kaq herët, jo e paqëllimshme, e zgjedhjeve të parashikuara për në nëntor të 2019-ës shpërfaq një Turqi të trazuar dhe një udhëheqës të cilit dita-ditës i është shtuar pasiguria në të ardhmen e pushtetit të tij. Duke marrë parasysh pozicionin e tanishëm të Turqisë, në krizë ekonomike dhe shoqërore, me marrëdhënie të çara me Perëndimin e me një rol të diskutueshëm në Lindjen e Mesme, dita e diel do të jetë një çast historik i përcaktimit të natyrës politike të vendit dhe qëndrimit ndërkombëtar. Pavarësisht se koha për përgatitje synohej të ishte tejet e shkurtër për ‘kundërshtarët’ e Erdogan, kjo pak hapësirë u arrit të shfrytëzohej në mënyrë të shkëlqyer sakaq.

Ka vendosur t’i kundërvihet sistemit me gjithë vrull e gjallëri dhe të shpallë kandidaturën e saj me ‘Partinë e së Mirës’, Meral Aksener, e njohur ndryshe si Asena, që në mitologjinë turke njihet si ujkonja nga e cila patën prejardhjen klanet e para turke, të cilët u vendosën në rajonin Altaj. Simboli i lënë mënjanë për shumë kohë i ujkonjës u soll në përdorim nga Mustafa Kemal Ataturk, si një formë e ngritjes së vetëdijes kulturore kombëtare. Jo pa shkak duket vënia e kësaj nofke një gruaje si Meral.

Edhe pse ‘Partia e së Mirës’ është krijuar së fundmi, Meral Aksener nuk është e re në skenën politike, përkundrazi, një veterane e politikës. Ajo ka shërbyer si Ministre e Punëve të Brendshme për tetë muaj, gjatë viteve 1996 dhe 1997, në kulmin e luftës kundër separatistëve kurdë, gjersa u largua me forcë nga detyra nga memorandumi ushtarak i vitit 1997. Ka qenë po ashtu zëvendës kryetare e parlamentit. Megjithatë, ajo thekson që gjatë kohës kur ka qenë në detyrë, nuk ka pasur asnjë shkelje të të drejtave të njeriut në Turqi. Ajo fitoi besueshmëri që atëherë, pasi kundërshtoi ushtrinë që po përpiqej të rrëzonte qeverinë civile me anë të një grushti shteti.

Një figurë femërore në një garë politike është gjithnjë e përshëndetur dhe e mirëpritur sidomos nga gjinia e njëjtë. Turqia në historinë e saj radhit një numër të konsiderueshëm të grave në pjesëmarrje politike, madje dhe me një kryeministre, Tansu Çiller nga viti 1993 në 1996-ën. Mirëpo në një mjedis si ky i sotmi, Meral Aksener ka tërhequr vëmendjen e nevojshme nga ata që shpresojnë për një të ardhme demokratike të Turqisë.

Ajo që e ngre më lart figurën e Aksener është vetë mënyra se si media tashmë nën thundrën e pushtetit të Erdogan në Turqi e trajton atë. Meral portretizohet shpesh si një komplotiste e rrezikshme kundra shtetit, madje është arritur deri në atë pikë sa të lidhet veprimtaria e saj me atë të organizatës terroriste të Fetullah Gylen. Orvatjet e medias për ta mpakur dhe njollosur figurën e saj tregon që dikush prapa skenës po ha thonjtë i shqetësuar.

Përpos së gjithash, Aksener është quajtur në POLITICO si ’Marine Le Pen’ e Turqisë, gjë që e shfaq atë në një tjetër këndvështrim. Për një kohë të gjatë, deri pak më parë, Aksener ka qenë anëtare e Partisë së Lëvizjes Nacionaliste (MHP), një parti e së djathtës së skajshme, nga ku u largua pasi kjo parti vendosi të mbështeste reformat e Erdogan-it. ‘Partia e së Mirës’ është e qendrës së djathtë, e cila sipas Kemal Kirisci, ekspertit të politikave të jashtme të Turqisë, i ka munguar për një kohë të gjatë Turqisë, qëkur Partia Drejtësi dhe Zhvillim (AKP) e Erdogan ndryshoi kah e djathta. ‘Partia e së Mirës’ është deri më tash në koalicion me opozitaret Partia Republikane Popullore (CHP) e qendrës së majtë, Partia Islamike Saadet (SP) dhe Partinë Demokratike (DP), me qëllim përzënien e Erdogan-it.

Përveç premtimit të saj se do t’i ringjallë marrëdhëniet tashmë në pikë kritike të Turqisë me Evropën, Aksener kërkon të zbusë imazhin ushtarak të shtetit turk, të rivendosë demokracinë perëndimore, respektimin e ndarjes së tre pushteteve dhe krijimin e një opozite me rëndësi të mirëfilltë e me zë. Megjithëse kundërshtare e politikave të Erdogan, Aksener nuk premton shumë në aspektin e përçarjes sociale dhe politike. E krahasuar me Marine Le Pen, jo pa qëllim, Aksener është kundra dialogut me kurdët dhe mban një qëndrim të patundur se gjenocidi ndaj popullit armen në vitin 1915 nuk është kurrgjë tjetër veçse një shpifje. Madje si ministre e brendshme iu drejtua njëherë udhëheqësit të Partisë së Punëtorëve të Kurdistanit (PKK), Abdullah Ocalan si ‘pjellë armene’, shprehje për të cilën kërkoi ndjesë më vonë.

Sipas sondazheve të pranverës, era fryn në drejtimin e duhur për një parti të qendrës së djathtë, e cila ka tërhequr votues konservatorë dhe fetarë të AKP-së. Mbështetja që ka marrë Aksener deri më tani është rreth 12%, që e ka pozicionuar në vendin e tretë në kandidaturë pas Muharrem Ince nga partia kryesore opozitare ‘Partia Republikane e Popullit’ (CHP), gjë që është mjaftueshëm për ta ndryshuar pamjen e parlamentit turk. Pavarësisht exit-polls, duhet pasur parasysh lloji i votuesve të mundshëm të Aksener. Një pjesë e tyre medoemos janë mbështetësit e moderuar të AKP-së, të rinjtë, gratë, pa u anashkaluar diaspora turke e cila përbën 8% të popullsisë me rreth 6 milionë qytetarë. Për më tutje, mbetet për t’u parë nëse pas së dielës Turqia do të jetë thellësisht autokratike me më shumë fuqi të përqendruar në duart e Erdogan, apo do të ndryshojë kursin politik.