UÇK Ishte Atraktive për Anëtarë të Organizatave të Dyshimta

Ishte nisur nga Japonia, ku punonte si trajnues kuajsh, për t’iu bashkuar Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK).

Kishte parë në lajme të flitet për dëbime civilësh dhe zëdhënësin e NATO-s Jamie Shea duke i quajtur kryengritësit shqiptarë aleatë. E kishte marrë vendimin ndonëse familja i tha t’i lë kosovarët të zgjidhin problemet e tyre vetë. Kur arriti në Greqi dhe mori aeroplan për Tiranë, një shqiptar e ftoi mysafir në shtëpinë e tij dhe i tha se ai vetë do ta çonte në UÇK.

Bëhet fjalë për shtetasin australian, David M. Hicks. Historia e tij tregohet në një dokument të intelegjencës së Departamentit të Mbrojtjes së SHBA-së, publikuar nga Wikileaks, por edhe ai vetë ka shkruar një autobiografi të titulluar “Guantanamo: Udhëtimi im” në të cilën në disa kapituj flet për Kosovën. Ndër të tjerë, ai ia kushton tërë librin edhe miqve të tij kosovarë.  

Në rrëfimet e tij, Hicks tregon se qëndroi një muaj duke u trajnuar në një kamp ushtarak në afërsi të Tiranës. “Me të hyrë, na u bënë pyetje në lidhje me kombësinë dhe gjuhën…sakaq u gjendëm në grup me njerëz të vendeve tona ose që flisnin anglisht”, tregon ai. “E gjeta vetën me qytetarë amerikanë e britanezë”.

Hicks tregon po ashtu se në kamp kishte gjermanë, italianë, francezë dhe holandezë. Në mesin e tyre, thotë ai, kishte të tillë që kishin qenë më parë në luftë, një grup që urrenin Serbinë ose Rusinë, të rinj me adrenalinë dhe në kërkim të aventurave dhe grupi i fundit që ishin ndjerë keq nga ajo që kishin parë në lajme. “Në mëngjes në mënyrë spontane vraponim ose pinim cigare, por pastaj tërë ditën e kalonim në manovra bazike”.

David, siç shihet nga tregimi i tij, nuk ishte i vetmi i huaj pjesëtar i UÇK-së me lidhje me organizata të dyshimta.

foto  
Foto: Kosovo Don’t Foreget 1999, Facebook  

 

Prezenca e personave me nacionalitet të huaj në radhët e ushtrisë së shpërbërë menjëherë pas përfundimit të luftës, nuk mohohet as sot, 13 vjet pas. Por një nga ish-drejtuesit e UÇK-së, Rexhep Selimi, këmbëngul se ardhja e tyre nuk ishte e organizuar. Ai thotë se në mesin e saj, mund të ketë pasur të huaj, por që kanë ardhur individualisht.

“Ka pasur të huaj, gjermanë e italianë”, thotë Selimi për Gazetën Jeta në Kosovë. “Për australianë nuk e di, por vetë kam takuar dy gjermanë, jo se jam njohur me ta”.

Në regjistrin prej rreth 2.500 dëshmorëve që posedon Organizata e Familjeve të Dëshmorëve të UÇK-së, figurojnë së paku 3 shtetas me nacionalitet të huaj, të rënë dëshmorë për lirinë e Kosovës.

Xhavit Jashari, kryetar i kësaj organizate, thotë se për dy prej tyre e di se ishin njëri italian e tjetri algjerian. Familja e italianit, thotë Jashari, gëzon të beneficionet e plota si dëshmor pasi kishte rënë në betejën e Koshares, në prill 1999.

Por jo të gjithë të huajt e UÇK-së kanë pasur fatin e italianit dëshmor. Disa prej tyre kishin ose vunë më vonë lidhje me organizata të ndryshme dhe u ndoqën nga shërbimet intelegjente të shteteve perendimore.

Edhe Craig Jurisevic, një kirurg australian i cili kishte ardhur në Kosovë për të mjekuar të plagosurit e luftës, i cili kishte përfunduar si luftëtar i UÇK-së, në librin e tij “Gjak në duart e mia- një kirurg në luftë”, përmend të huajt në trupën kryengritëse shqiptare.

Në njërin nga kapitujt e librit të tij, ai përmend disa pjesëtarë të cilët kishin luftuar së bashku si vullnetarë në vende të lindjes, e të cilët në opinion njihen si “Muxhahedinë”.
 
“…Sherafedini, të cilin e njihnin si ‘Sherifi’, kishte shërbyer në Armatën Jugosllave në vitet 1980. Pastaj kishte shkuar në Afganistan për të luftuar kundër forcave okupuese të Bashkimit Sovjetik”, shkruan Jurisevic në librin e tij.
 
Në një fjali tjetër, Jurisevic thotë: “…Ne takuam edhe një numër të vogël të ish-Muxhahedinëve nga Afganistani të cilët luftuan rusët në vitet 1980-1988, që kishin ardhur për të mbështetur vëllëzërit myslimanë…”.

Por prezenca e mundshme e “muxhahedinëve” (në gjuhën arabe nënkupton “luftëtarë të shenjtë”) në luftën e UÇK-së, minimizohet nga ish-drejtuesit e saj.

Rexhep Selimi, tash deputet në Kuvendin e Kosovës nga Lëvizja “Vetëvendosje”, tregon se në atë kohë kryengritësit madje ishin përpjekur që të mos lejonin njerës të tillë ashtu që luftës së UÇK-së t’i jepnin ngjyrime tjera. “Ka pasur tendenca të disa shqiptarëve dhe personave të tjerë me pantallona të shkurtra, por i kemi përzënë menjëherë”, thotë Selimi për Gazetën Jeta në Kosovë.
 
“Iu kemi thënë se lufta jonë nuk është fetare, por kombëtare. I kemi larguar”.

Selimi, megjithatë, nuk e mohon mundësinë që prapë të ketë pasur individë që luftën e kanë bërë me bindje të tjera. “Por në mënyrë të organizuar nuk ka pasur persona të tillë”, thotë Selimi, njëri nga tre personat e parë që ka dalë në publik në emër të UÇK-së më 1997.

Sipas dokumenteve të intelegjencës të publikuara nga WikiLeaks, një numër personash të tillë ishin bërë të dukshëm edhe në muajt dhe vitet e para të pasluftës, nën maskën e humanistëve.

Nga dokumentet që pasqyrojnë deklaratat e vetë të burgosurve del se këtej kanë lëvizur sudanezë, algjerianë, saudit, jemenas e shumë të tjerë – persona të dyshimtë.

Sipas tyre, persona si Sami Muhi-al Din (nga Al-Haramain Foundation) dhe Jamel Lamrani (Al-Qaeda), që në Kosovë kanë kryer punë humanitare, në vende të ndryshme si Pakistan apo Afganistan, kanë qenë të përfshirë direkt në rrjete të terrorizmit.  Al-Haramain Foundation është në mesin e organizatave të ndaluara në SHBA.

Nga të dy grupet ka njerëz të vëzhguar e burgosur.

foto  
Autobiografia e Hicks e promovuar në Youtube  

 

I tillë ishte rasti i David M. Hicks, australiani që merrej me stërvitje kuajsh në Japoni. Ai duke  parë në televizion luftën në Kosovë, dhe rolin e ish UCK-së, bisedon me Jama’at Al Tablighi (JT) në Australi, i cili tërë atë çfarë ndodhte këtu, ia kishte paraqitur si vuajtje të besimtarëve islamë. Sipas analizës së ushtrisë amerikane, Jama’at Al Tablighi drejtonte një Organizatë Joqeveritare në Australi e cila synonte të mbështeste qëllimet terroriste.

David kishte udhëtuar vetëm deri në Burrel, pa mundur të hynte në Kosovë pasi vetëm ishte arritur marrëveshja për tërheqjen e ushtrisë dhe administratës serbe. Kështu, ai ishte kthyer në Tiranë, në Ministrinë e Mbrojtjes, në pritje të largimit.

“Vullnetarët e huaj me të cilët kam qenë në Ministrinë e Mbrojtjes nuk mund të kategorizoheshin me përshkrimin e mercenarëve sipas Ligjeve Ndërkombëtare të Luftës, kryesisht shkaku i mospagesës”, thotë Hicks. “Por jashtë këtij konflikti, do t’i quaja mercenarë. Kam dëgjuar aty histori prej tyre se si kanë shërbyer në luftërat boshnjake e kroate, afrikane. Disa prej italianëve thoshin se donin të shkojnë në Venezuelë prej aty”.

Në fakt, thotë Hicks, shumë europianë, amerikanë e australianë merrnin pjesë “si mercenarë”.

Më vonë, me t’i hyrë në shpirt aventurat siç thotë ai, Hicks-in rrugët e çojnë në gjysmën e vendeve të trazuara të globit, përfshirë në rrjetin më të njohur terrorist në botë Al-Qaida, sipas dokumenteve të Departamentit amerikan të Mbrojtjes, publikuar nga Wikileaks. Ai ishte mbajtur për tri vjet edhe në burgun amerikan të Guantanamo Bay, Kubë.

Sipas këtyre dokumenteve, pas UÇK-së David ishte nisur në Timorin Lindor. Por meqë në luftën e atjeshme nuk e kishte gjetur veten sa duhet, më vonë mbërriti në Pakistan, në provincën e Kashmirit. Aty ra në kontakte me drejtues të lartë të Al-Qaedas, deri edhe me personin e tretë më të rëndësishëm për nga hierarkia, duke mbajtur disa pseudonime.

Forcat e NATO-s e arrestojnë, thuhet në dokumente, në Begram të Afganistanit, ku më pas ishte marrë nga forcat e SHBA-së duke e transferuar në Kubë.

Hicks – i cili kishte nxitur një numër veprimtarësh të të drejtave të njeriut të merreshin me rastin e tij në Australi dhe që i kishte kushtuar qeverisë së atij vendi 500,000 euro për një udhëtim “charter” pasi nuk lejohej në udhëtime normale – pas lirimit më 2007, në librin e tij të para dy viteve thotë se gabimisht ishte renditur nga Qeveria amerikane nga “personi që mbështeste të torturuarit” në “shtypës të tyre”. Ai e akuzon administratën e Presidentit George W. Bush për tortura ndaj tij dhe shumë njerëzve të tjerë.
 
Australiani, i cili kishte shprehur afërsinë me fenë myslimane, thotë në librin e tij se ai kurrë nuk ka pasur një besim të vetëm “qoftë kjo religjion, politikë, korporatizëm, një kulturë a traditë të veçantë”.