Turqia Shkarkon Qindra Oficerë Policorë

Shteti turk ka shkarkuar 350 oficerë të policisë në kryeqytetin Ankara, pasi kanë filluar hetimet e djemve të disa ministrave të qeverisë së Erdoganit.

Shumica e atyre që zëvendësuan drejtuesit policorë dhe policët e shkarkuar nuk janë nga Ankaraja.

Po ashtu, qindra policë të tjerë janë shkarkuar ose transferuar në të gjithë vendin.

Shkarkimet dhe transferimet e policisë u kryen pasi qeveria mbrëmë në mesnatë ka nxjerrë një dekret për shkarkimin e tyre, raporton BBC news.

Të shkarkuarit, sipas mediumit britanik janë drejtues të njësive hetuese të krimeve financiare, kontrabandës dhe krimit të organizuar.

Këto shkarkime kanë filluar, pasi që policia turke arrestoi 49 njerëz të nivelit të lartë në Ankara, gjatë dhjetorit të vitit të kaluar, si të dyshuar për korrupsion dhe ryshfete për tenderët publikë.

Ne mesin e të arrestuarve janë edhe djemtë e disa ministrave, duke përfshirë edhe djalin e ministrit të Brendshëm të Turqisë, Muammer Guler.

Sipas medieve turke, hetimet janë të përqendruara në shpëlarjen e parave nga Irani, për t’i ikur sanksioneve ndërkombëtare që i janë vënë Teheranit, për shkak të programit të tij nuklear.

Po ashtu, mediat turke kishin transmetuar pamje të miliona dollarëve të gjetura nga policia turke në shtëpinë e një djali të një ministri të qeverisë si dhe në shtëpinë e një zyrtari të bankës së shtetit Halkbank.

Nga të arrestuarit janë edhe disa biznesmenë të afërt më Partinë për Drejtësi dhe Zhvillim, lideri i të cilës është vetë kryeministri.

Edhe djali i kryeministrit Erdogan dyshohet të jetë i përfshirë në afera korruptive.

Bilal Erdogan, në fund të muajit dhjetor kishte ikur në Gjeorgji pasi që gjykata turke lëshoi fletarrest për të.

Prokuroria turke dyshon se Bilali është përfshirë në korrupsion gjatë kohës që ai ishte anëtar në bordin e organizatës jo-qeveritare “Turgev”.

Organizata “Turgev”,  kishte fituar një tender nga komuna e Stambollit për ndërtimin e një konvikti për studentë.

Kurse, prokurori Muamer Akas, i cili kishte kërkuar që policia të hetojë procedurën se si “Turgev” ka fituar tenderin për ndërtimin e konviktit, është shkarkuar.

Por, Erdogani ka mohuar se djali i tij Bilali është i përfshirë në korrupsion.

Ai ka thënë se është vënë në shënjestër djali i tij, për ta goditur atë pak para zgjedhjeve lokale të cilat do të mbahen në mars.

Përderisa, kryeministri Erdogan ka akuzuar policinë dhe gjyqësorin për komplot të pistë kundër shtetit dhe qeverisë,tre ministra kanë dhënë dorëheqje pasi që djemtë e tyre u arrestuan si të dyshuar për korrupsion.

Pas të gjitha këtyre zhvillimeve, kryeministri Pecep Tayyip Erdogan reformoi kabinetin qeveritar duke zëvendësuar dhjetë ministra.

Erdogani e akuzon gjyqësorin se është motivuar politikisht dhe është inspiruar nga Fetullah Gulen.

Fethullah Gulen, është një dijetar me influencë në Turqi i cili është qytetar i Sheteve të Bashkuara të Amerikës dhe themelues i një lëvizjes fetaro-politike “Hizmet” (Shërbimi).

Ministri i Drejtësisë, Bekir Bozdag, e akuzon Gjykatën Supreme në Turqi, se ka dekretuar një normë që sipas tij është arbitrare dhe antikushtetuese, e cila fillon të hetojë të dyshuarit pa e njoftuar Qeverinë.

Ai thotë se hetuesit para se të fillojnë për të investiguar aferat korruptive, është dashur ta njoftojnë atë.

Ky shkrim është bazuar në Reuters, il POST, BBC, Ea Worldview.