Ilustrim nga Gazeta JNK

Tri Manipulimet e Qeverisë me Gjendjen e Ekonomisë

Për vite të tëra, Greqia kishte arritur që të fshehë gjendjen reale të ekonomisë së saj, duke mashtruar kreditorët përmes rregullimit të letrave. Me qëllim që të klasifikohej si një ndër shtetet për adaptimin e monedhës së përbashkët Euro, Greqisë i nevojitej që të mbante inflacionin nën kontroll dhe deficitin buxhetor nën 3% të GDP.

Për të mbajtur inflacionin nën kontroll, në ditën kur bëhej matja e inflacionit, largoheshin nga indeksi i çmimeve të konsumit produktet të cilat ishin më të shtrenjta dhe futeshin produktet më të lira. “Dhe kështu, në vend të limonëve, në shportën e konsumit u përfshinë portokajtë”, shkruante Michael Lewis pas krizës financiare greke.

Ditëve të fundit, Kryeministri Isa Mustafa dhe disa nga ministrat e kabinetit qeveritar, kanë filluar një fushatë të gjerë në rrjete sociale, për të na dëshmuar se ekonomia e Kosovës është në ngritje, dhe si rrjedhojë, kemi rritje të punësimit, rritje të GDP-së, rritje të buxhetit shtetëror e renditje më të mirë në ranglistën e të bërit biznes.

Por, përse këto përparime në letër nuk po i vëren askush përveç kabinetit qeveritar (madje vetëm një pjesë e kabinetit)? A po tenton edhe Qeveria e Kosovës, në një formë të na “zëvendësojë limonët me portokaj”, me qëllim që të fshehë gjendjen reale të ekonomisë?

Janë së paku tri të pavërteta të cilat po i përhap qeveria: lartësia e buxhetit shtetëror, rritja ekonomike dhe niveli i papunësisë.

E pavërteta 1: Buxheti prej 2 miliardë euro

Tani e disa javë, qeveria deklaron me ngulm se buxheti i vendit për vitin 2017 për herë të parë në histori do të kalojë shifrën e 2 miliardë eurove. Por, kur flasim për buxhetin, qoftë atë personal, qoftë atë shtetëror, a duhet të vihet fokusi te të hyrat apo te shpenzimet? Nëse fokusi vihet te shpenzimet, atëherë po, buxheti i Kosovës për vitin 2017 parashihet të jetë pak më i lartë se 2 miliardë euro. Kurse nëse fokusi vendoset te të hyrat, atëherë buxheti do të jetë 1 miliard e 725 milionë euro, apo vetëm 91 milionë euro më i lartë se ai i vitit 2016. Qeveria e Kosovës planifikon të shpenzojë 275 milionë euro më shumë se sa që ja lejojnë të hyrat e rregullta, jo për faktin se ekonomia është zhvilluar dhe janë rritur të hyrat buxhetore, por për faktin se qeveria planifikon hyrjen në borxhe dhe qasje në fondin e privatizimit për të financuar projektet kapitale dhe skemat sociale.

E pavërteta 2: Rritja e ekonomisë

E pavërteta tjetër të cilën po e përhap Qeveria e Kosovës është ajo se Kosova ka rritjen më të madhe ekonomike në Evropë. Në një postim të tij në Facebook, Kryeministri citoi një raport të Institutit IFO të Universitetit të Munihut, sipas të cilit Kosova është i vetmi vend në Evropë i cili ka rritje të GDP prej 4 përqind. Mënyra se si u raportua ky fakt është sikurse Kosova i ka punët më së miri në Evropë. Por e kundërta është e vërtetë. Kosova mbetet vendi më i prapambetur ekonomikisht. Nëse Kosova ka rritje ekonomike prej 4.3 përqind në vit, kurse Italia ka trend rritjes prej 1.1 përqind, Danimarka 1.4 përqind, Zvicra 1.5 përqind, kjo nuk nënkupton se Kosova i ka punët disa herë më mirë se sa këto vende. Ashtu siç e ka argumentu në një shkrim tjetër kolegu Dren Pozhegu, nëse Kosova dhe Evropa vazhdojnë me këtë trend të rritjes, do të nevojiten plot 95 vite për të arritur nivelin e zhvillimit të vendeve evropiane.

Sipas ekonomistit Ruchir Sharma, shtetet me rritjen më të madhe të ekonomisë janë zakonisht shtetet më të varfra. Andaj, për të vendosur një standard të pranueshëm të rritjes ekonomike për vendet e ndryshme, kriter duhet të jenë të ardhurat mesatare vjetore për kokë banori. Për vendet e pazhvilluara apo vendet të cilat kanë GDP për kokë banori më të ulët se 5,000 dollarë në vit, çdo rritje vjetore nën 5 përqind është e pamjaftushme. Për vendet të cilat kanë GDP për kokë banori mes 5,000 dhe 15,000 dollarësh, një rritje vjetore prej 3 deri 4 përqind është e mjaftueshme. Për vendet të cilat kanë një GDP për kokë banori në mes të 15,000 dhe 25,000 dollarë, rritje e mirë vjetore konsiderohet ajo e cila është mbi 2 përqind; kurse për vendet me të ardhura mesatare mbi 25,000 dollarë, edhe një rritje vjetore prej 1.5 përqind ështe e mjaftueshme.

Andaj, Kosova me një GDP për kokë banori prej 3,786 dollarësh, duhet të synojë një rritje minimale vjetore prej 6 përqind. Çdo trend i rritjes së GDP nën 6 përqind nënkupton regres ekonomik, e në rastin më të mirë një ruajtje të gjendjes aktuale.

E pavërteta 3: Rritja e punësimit

Javën e kaluar, Agjencia e Statistikave të Kosovës publikoi Anketën e Fuqisë Punëtore për 2016. Sipas të dhënave të ASK, papunësia është 26.2 përqind. I shpejtë ishte reagimi i ministrit të Ministrisë së Punës dhe Mirëqenies Sociale (MPMS), z. Arban Abrashi, i cili u shpreh i gëzuar se në krahasim me 2014 papunësia ka rënë për 9.1 pikë përqindje, kurse Kryeministri Mustafa deklaroi se ky është niveli më i ulët i papunësisë në pesë vitet e fundit dhe se kjo ka ardhur si pasojë e rritjes ekonomike.

Por, sa është e vërtetë se ka rënie të papunësisë? Sipas ASK, 62.2 përqind e personave në moshë pune nuk janë ekonomikisht aktivë. Me një fjalë: nuk janë të punësuar, por as nuk janë duke kërkuar punë. Andaj, sipas logjikës së ASK, 732 mijë e 682 persona të aftë për punë, e të cilët nuk kanë një vend pune, nuk konsiderohen si të papunë. Shkalla e inaktivitetit të fuqisë punëtore më 2016 është rritur për 3.8 pikë përqindje në krahasim me 2014.

Se është absurde të mendohet që mbi 732 mijë persona të aftë për punë nuk dëshirojnë të punojnë, e dëshmon edhe Anketa e Buxhetit të Ekonomive Familjare e publikuar nga ASK më 2015, sipas të cilës, mbi 70 përqind e buxhetit familjar shkon për gjëra bazike, si ushqim dhe banim. Sipas të njëjtit raport, 72 përqind e kosovarëve nuk mund të përballojnë një pushim javor jashtë shtëpisë, kurse për afro 90 përqind të qytetarëve një shpenzim i paparashikuar prej 500 eurosh do t’i vinte në vështirësi. Atëherë, si mund të besohet se këta qytetarë me këso kushte socio-ekonomike nuk dëshirojnë të punojnë?

Sipas ASK, në 2016 janë të punësuar 328,694 persona, një rritje prej 5,128 vende të reja të punës apo 1.5 përqind, krahasuar me vitin 2014. Nëse përgjatë dy viteve janë krijuar vetëm 5,128 vende të reja të punës, atëherë si ka rënë papunësia për 9.1 pikë përqindje?

Të dhënat e punësimit të publikuara nga ASK demantojnë madje vetë Kryeministrin dhe ministrin e MPMS, të cilët në fund të vitit 2015 deklaruan se përgjatë atij viti janë krijuar mbi 17,000 vende të reja të punës, kurse sipas ASK po del se janë krijuar vetëm 5,128 vende të reja, edhe atë për dy vite.

Ministria e Punës dhe Mirëqenies Sociale tani e dy vite ka ndalu publikimin raportin periodik “Puna dhe Punësimi”, një raport i detajuar statistikor për shërbimet e punësimit, i cili do të mund të ofronte një pasqyrë më reale të punës së MPMS sa i përket shërbimeve të punësimit. Në maj të 2016, Instituti GAP ka dërguar kërkesë në Administratën Tatimore të Kosovës për të marrë të dhëna për punësimet sipas organizatave të bizneseve për vitin 2015, por asnjëherë nuk kemi marrë përgjigje. Të dhënat e ATK për vendet e punës tregojnë se më 2012 ishin 11,701 vende të reja të punës, më 2013 ishin 11,160 vende të reja, kurse më 2014 vetëm 5,797 vende të reja të punës. E pas dy viteve të mbylljes së plotë të të dhënave, befasisht u ul papunësia për 9.1 pikë përqindje?

Manipulimi me shifrat zyrtare për gjendjen e ekonomisë solli ekonominë e Greqisë në kolaps financiar. Manipulimi i të dhënave për gjendjen e ekonomisë së Kosovës mund t’i sjellë tri ditë lavdie Kryeministrit, por kjo nuk e ndërron aspak gjendjen e rëndë të ekonomisë së Kosovës.

Sipas Kryeministrit, kushdo që nuk e pranon progresin e Kosovës, është “kokëbosh dhe bandit”. Pajtohem, vetëm sikur të kishim progres së paku. Por si mund të quhet ai i cili manipulon të dhënat zyrtare vetëm e vetëm për të manipuluar qytetarët e papunë e të varfër të këtij vendi?!