Treni i Zhvillimit dhe Vdekjes

Krejt çfarë ka mundur të bëjë ishte të shtrihej me fytyrë për toke dhe lutjet t’i niste me urgjencë Zotit lart në qiell, ta ndihmonte në ato pak minuta që iu bënë të gjata sa krejt jeta.

Lutja kishte vetëm një porosi në formë shprese – të mos vdiste nën rrotat e çelikta të trenit, derisa përmbi vagonët i kalonin njëri pas tjetrit. 

Teuta Sejdiu (22) nga fshati Neredime e Ferizajt e quan veten vajzë me shumë fat.

Në korrik të vitit të kaluar, për pak se nuk u shndërrua në një nga shifrat e viktimave të përvitshme të këtij treni, që policia i regjistron. 

“Këtë përjetim nuk do ta harroj kurrë”, thotë Teuta për Gazetën Jeta në Kosovë. “Edhe dy ditë më pas kam qenë si e mpirë”.

Nga pakujdesia për ta zënë autobusin në drejtim të Prishtinës për të mbërritur me kohë në Fakultetin e Gjuhës dhe Letërsisë, Teuta sa nuk humbi jetën.

“Flisja në telefon dhe duke kaluar hekurudhën. Isha e sëmurë nga këmba e cila m’u ngri (m’u zu ngërç) dhe u rrëzova”, rikujton ajo çastin kritik.

“Në atë moment treni erdhi e nuk kam ditë çfarë të bëj, veç jam kthyer përmbys. Ndërmjet binarëve kam qëndruar pa lëvizur”.

Ajo thotë se pas disa metrash treni ka ndaluar dhe përveç disa gërvishtjeve të vogla, nuk ka pësuar diçka tjetër. 

“Faj kam edhe vetë, sepse nënkalimi ishte jo shumë larg, por isha për ngut”. Jo të gjithë kanë fatin e Teutës. 

Çdo vit është gati e pamundur që treni në qytetin e Ferizajt të mos lëndojë ose mbysë qytetarë.

Teuta Sejdiu

Treni i vdekjes 

Themelimi i Hekurudhave të Kosovës, sipas të dhënave zyrtare, është bërë në vitin 1874.  

Atëherë u ndërtua vija e parë në relacionin Hani i Elezit – Fushë Kosovë – Mitrovicë. 

Ky është viti kur edhe vetë qyteti nisi të krijohet, e emrin mori nga Hani i Ferizit. 

Sipas regjistrimit të fundit të popullsisë në Kosovë në prill 2011, Ferizaj zë vendin e tretë me 108 mijë e 610 banorë, pas Prishtinës e Prizrenit. 

Edhe sot, hekurudha kalon nëpërmes qytetit, ku në dy anët e tij ndërtimet dhe popullsia janë shtuar.

Për këtë arsye, kalimi i qytetarëve nga njëra anë e rrugës në tjetrën bëhet kryesisht mbi binarë.

Ndërtimi viteve të fundit i dy nënkalimeve, nuk e ka zgjidhur sa duhet këtë problem. 

Rastet e aksidenteve të këmbësorëve dhe automjeteve që kalojnë binarët, më së miri e pasqyrojnë këtë. Aksidenti i fundit i trenit në Ferizaj ka ndodhur vetëm dy javë më parë.

Më 20 mars, treni e goditi 24 vjeçarin M.G, hoxhë nga Skenderaj që punon në një konvikt në Ferizaj si edukator islam. Ai mezi shpëtoi pas trajtimit mjekësor në QKUK. 

Të dhënat e Policisë rajonale në Ferizaj, të siguruara për Gazetën Jeta në Kosovë, tregojnë se gjatë tre vjetëve të fundit, kanë ndodhur disa aksidente, përfshirë edhe ato me vdekje.

Vetëm gjatë vitit 2012, janë regjistruar katër raste kur treni ka goditur njerëz e automjete. 

Gjatë vitit 2012, një person është lënduar nga goditja e trenit kurse kanë ndodhur edhe tre raste të tjera me dëme materiale.

Për dallim nga dy vjetëte fundit, të dhënat zyrtare të policisë tregojnë se në vitin 2011, në aksidente të ndara, treni ka mbytur një person dhe ka lënduar një tjetër. 

Me 12 prill 2011, treni ka goditur veturën që kalonte binarët ku është lënduar vozitësi, kurse më 24 dhjetor të të njëjtit vit, treni mbyti një biçiklist.

Treni në Ferizaj – zhvillim e rreziqe 

Problemi me trenin në Ferizaj që ha koka njerëzish, është i moçëm. Një nga rastet më të hershme që Gazeta Jeta në Kosovë ka mundur të identifikojë ka ndodhur në vitin 1997. 

Bashkëshorti i profesoreshës Sh.S nga Ferizaj nuk kishte aq fat sa pati Teuta Sejdiu e cila i shpëtoi për mrekulli shtypjes së trenit.

Atë vit , Sh.S mbeti pa bashkëshortin që vdiq nga goditja e trenit. “Mua më duket si të ketë ndodhur dje”, thotë ajo për Gazetën Jeta në Kosovë. 

Sh.S nuk dëshiron të flasë më shumë për rastin. “E kam plagë në shpirt dhe më dhemb sa herë e kujtoj”. 

Autoritetet lokale thonë se aksidentet ndodhin kryesisht nga pakujdesia e njerëzve që kalojnë mbi binarë për të dalë nga njëra pjesë në pjesën tjetër të qytetit.

Qazime Vata, drejtoreshë e Urbanizimit në Komunën e Ferizajt, thotë se ata nuk kanë buxhet për ta zgjidhur vetë ashtu si duhet këtë problem. 

“Të gjithë ata që e duan jetën e vet e shfrytëzojnë atë pikë kalimi nëntokësore”, thotë Vata për Gazetën Jeta në Kosovë. 

Ajo thotë se hekurudha ka ndikuar në zhvillimin e qytetit, për shkak  të zhvillimit ekonomik që ka sjellë si linjë transporti për njerëz dhe mallra nga Kosova në Maqedoni dhe anasjelltas. 

“Por është e vërtetë se ka sjellë edhe rreziqe për këmbësorë dhe qarkullim të automjeteve”.

Mure rreth hekurudhës 

Samir Reka, drejtor ekzekutiv i Organizatës Joqeveritare INPO që monitoron punën e Komunës së Ferizajt, thotë se me problemin e hekurudhës janë marrë që nga viti 2005.

“Hekurudha është pjesë jetike e qytetit, e së cilës organet komunale nuk i kushtuan vëmendje serioze asnjëherë”, thotë Reka për Gazetën Jeta në Kosovë.

Ai thotë se INPO ka vite që alarmon organet komunale të gjejnë formën e ndërprerjeve të kalimit të hekurudhës në vendet ku nuk është i paraparë kalimi.

“Deri më tani kemi disa nënkalime dhe rifunksionalizimin e trarëve për kalimin e automjeteve”, thotë ai.

Reka shpjegon se përderisa nënkalimi në qendër është funksional, nën kalimi në rrugën e Varoshit, disa metra larg ndërtesës së komunës, është shndërruar në toalet publik.

Zyrtarë të komunës thonë se me dy nënkalime, njëri më shumë funksional, deri diku kalimi nga njëra anë e hekurudhës në tjetrën, është përmirësuar.

Qazime Vata drejtoresha e Urbanizmit thotë seçdo moment sheh njerëzit që kalojnë mbi hekurudhë.

“Dhënia për ndërtim të hekurudhës në Ferizaj në partneritet publiko-privat, nuk i josh shumë investitorët, sepse duhen vite që të nxirren fitimet”, thotë Vata.

Për të siguruar jetën e qytetarëve ajo thotë se përveç dy nënkalimeve, komuna ka bërë edhe rrethimin me mur të një pjesë të hekurudhës. 

“Përreth hekurudhës është bërë muri mbrojtës që nuk lejon kalimin e qytetarëve kurdo e kudo, por ka raste që qytetarët e kalojnë ashtu dhe rrezikojnë”.

Samir Reka, drejtor ekzekutiv i Organizatës Joqeveritare INPO thotë se ata kërkojnë që si masë urgjente pikërisht të rrethohet hekurudha me rrethoja në pjesën e qytetit. 

“Kurse projektet e parapara me vite të funksionalizohen dhe jo të mbeten në sirtar, meqë kjo është një ndër nyjet jetike për zhvillim dhe sigurinë e qytetarëve në Ferizaj”.

Hekurudha është pjesë jetike e qytetit, e së cilës organet komunale nuk i kushtuan vëmendje serioze asnjëherë. Samir Reka

Treni mbetet mbi tokë 

Problemi me trenin në Ferizaj nuk pritet të zgjidhet viteve në vazhdim, e as që ka shpresë që kjo të ndodhë, edhe pse është një nga qytetet më të mëdha të vendit për nga numri i banorëve.

Drejtoresha e Urbanizimit në Komunë, Qazime Vata, e pranon se ka vendkalime të automjeteve mbi hekurudhë, që nuk kontrollohen mirë. 

“Sinjalizimi e të tjerat janë kompetencë e Hekurudhave të Kosovës, por normalisht se është interesi ynë që qytetarët të mbrohen”, thotë Vata.

Ajo shpjegon se komuna është marrë me këtë problem. Për këtë përmend zhvillimin e një konkursi ndërkombëtar për projekt, për ta zgjidhur këtë çështje.

“Ka pasur ide të ndryshme që treni të futet nën tokë, gjysmë nën tokë e gjysmë mbi tokë, ose të ngrihet me ura mbi tokë”, thotë drejtoresha e Urbanizimit.

Por projektet e tilla kërkojnë një thes me para. “Secili projekt bazuar në një përllogaritje të përafërt, kushton nga 40 deri 50 milionë euro”, thotë Vata.

Ajo thotë se çështja e hekurudhës duhet të trajtohet në nivel shtetëror, sepse me buxhet të vet komuna nuk mund të bëjë më tepër.

Vata thotë se komuna ka kërkuar disa herë nga hekurudhat të bëhet sigrurimi i pikave të kalimit me shenja sinjalizuese.

“Hekurudhat kanë thënë se sinjalizimi ka kosto e nuk kanë buxhet”, shpjegon drejtoresha e Urbanizimit. Ajo thotë se kjo cështje u takon Hekurudhave të Kosovës.

Ajo arsyetohet se komuna nuk mund të vendosë asgjë përgjatë hekurudhës pa pasur parapëlqim prej Hekurudhave të Kosovës.

“Ata duhet ta kenë një strategji të funksionimit në nivel shteti”. 

Por zyrtarë të Hekurudhave të Kosovës as për tri ditë nuk qenë në gjendje që Gazetës Jeta në Kosovë t’i japin përgjigje.

Ata nuk mundën të shpjegojnë as përse nuk kanë vendosur shenja të sinjalistikës përgjatë hekurudhës në qendër të Ferizajt?.

Sipas të dhënave zyrtare të Hekurudhave të Kosovës, ato shtrihen në tërë territorin e vendit me gjatësi prej 333,451 km. 

Në këtë gjatësi nuk përfshihen vijat industriale të cilat arrijnë gjatësinë prej 103,4 km.

Vijat hekurudhore bëjnë lidhjen e të gjitha qendrave më të rëndësishme të Kosovës përveç Gjakovës dhe Gjilanit. 

Vijat e hekurudhave të Kosovës kanë lidhje të drejtpërdrejtë edhe me shtetet fqinje si me Maqedoninë e Serbinë dhe përmes tyre edhe me shtetet e tjera.