Ramush Haradinaj, Hashim Thaçi e Kadri Veseli - Foto: Facebook

Trekëndëshi i ‘thumbimeve’ politike

Liderët e institucioneve të Kosovës janë përfshirë në akuza të njëpasnjëshme ndaj njëri-tjetrit, për temat e shumë përfolura aktualisht në vend siç janë “korrigjimi i kufirit”, taksa ndaj Serbisë dhe procesi i dialogut.

Vendosja e taksës fillimisht 10 për qind dhe më pas 100 për qind ndaj produkteve të Serbisë dhe Bosnje e Hercegovinës, në nëntor të 2018-ës nga Qeveria e Kosovës, shfaqi ‘luftën’ mes anëtarëve të koalicionit qeveritar për merita, ndërsa tash ata  janë ‘përçarë’ kur po diskutohet mbetja në fuqi e vendimit, ose heqja e tij.

Ndërkohë, presidenti i vendit Hashim Thaçi u përfshi në debatin e taksës në janar të këtij viti, kur deklaroi se Kosova është gati që ta shqyrtojë heqjen e taksës “nëse Kosovës i jepet një rrugë e qartë drejt arritjes së një marrëveshjeje finale paqësore me Serbinë”.

https://kallxo.com/qytetaret-te-revoltuar-me-paralajmerimin-e-thacit-per-heqjen-e-takses-ndaj-serbise/

Kauzës së Thaçit iu bashkua kryetari i PDK-së, Kadri Veseli, i cili njëherësh e quan vetën ‘lider’ të koalicionit qeverisës, kishte kërkuar pezullimin e taksës për 120 ditë, mirëpo për këtë gjë nuk ka arritur të merret vesh me Haradinajn.

Veseli ndër të tjerash ka ‘kërcënuar’ kryeministrin Ramush Haradinajn me rrëzim të qeverisë nëse nuk ndërmerr veprime.

Kreu i PDK-së ka deklaruar se askush dhe asgjë nuk do të mund ta dëmtojë partneritetin me SHBA-në.

https://kallxo.com/haradinaj-pas-deklaratave-te-veselit-nuk-nderrojme-qendrime/

Me gjithë presionin nga brenda dhe jashtë vendit, kryeministri Haradinaj është treguar i palëkundur sa i përket çështjes së taksës.

Në anën tjetër, kur kreu i ekzekutivit kosovar pyetej nga gazetarët nëse do ta heq tarifën doganore, ai thoshte se “bora do të shkrihet”.

Kjo deklaratë kishte nxitur reagimin e presidentit, i cili përmes një publikimi në Facebook, u shpreh se “Bora ka zënë të shkrihet shpejt…Uroj të mos bëhet skllotë!”.

https://kallxo.com/thaci-thumbon-haradinajn-bora-ka-zene-te-shkrihet-shpejt/

Ndërkohë, lufta e fjalëve mes krerëve të shtetit, ditët e fundit vetëm sa është thelluar.

Kreu i Qeverisë, Haradinaj e kritikoi Thaçin për “korrigjimin e kufirit”, e që sipas tij, presidenti “i ka bërë dëme të mëdha vendit me idetë e tij”.

“Diskutimet e tij e kanë pru gjendjen ku jemi sot. Deklaratat se nëse nuk hiqet taksa hiqet edhe Bondsteel janë produkt i Prishtinës, dhe kërkesë e politikanëve nga Prishtina për me rritë presionin për me heqë taksën për shkak se kanë hyrë në ndonjë obligim ndaj Vuçiqit dhe po duan me na qitë para aktit të kryer”, ka thënë kryeministri në një konferencë për media ditë më parë.

Ndërsa i menjëhershëm ishte reagimi i kryetarit të shtetit.

Thaçi në Samitin e Diasporës në Tiranë, e ‘sulmoi’ Haradinajn për ‘miqësinë’ me nënkryetarin e listës serbe Milan Radoiçiq, të cilin kryeministri e kishte takuar në Qeverinë e Kosovës.

“Pa shkelur mbi trupin tim, nuk mund ta cenojë askush një milimetër të territorit të Republikës së Kosovës. Për ndarje të Kosovës dhe ekzagjerime të tilla, ata që flasin sot janë ata që e kanë ndihmuar Slobodan Milosheviqin, janë miq të Radoiçiqit të cilët i kam dëbuar nga Kosova”, u shpreh Thaçi.

Kurse shefi i ekzekutivit të Kosovës, tha se edhe Thaçi e ka pritur Radoiçiqin në zyrën e tij dhe se vet Haradinaj pohoi se ka qenë në atë takim.

https://kallxo.com/haradinaj-zbardh-takimin-e-hashim-thacit-me-milan-radoiciqin/

“Unë ju siguroj që e kam taku z. Radoiçiq bashkë me Presidentin Hashim Thaçi në zyrën e tij. Unë s’kam qef me i fshehë këto. Kur të takohem me dikë, e ia zgjas dorën dikujt s’kam qef me e fshehë. Ma shumë se dy orë kemi pas takim në zyrën e Thaçit bashkë me përfaqësues tjerë të shtetit”, u shpreh i pari i Qeverisë.

Nënkryetari i Listës Serbe, Milan Radoiçiq është i dyshuar për përshirje në vrasjen e politikanit serb të Kosovës, Oliver Ivanoviq.

Aktualisht Radoiçiq është në arrati, pas një urdhër arresti të lëshuar ndaj tij nga Policia e Kosovës.

https://kallxo.com/policia-urdher-arrest-ndaj-milan-radoiciqit/

Vlerësime për polemikat mes udhëheqësve të shtetit, së fundi ka dhënë edhe kryetari i LDK-së, Isa Mustafa.

Kreu opozitar është shprehur se liderët shtetëror po bëjnë garë mes vete se “kush është më i forti”.

“Kosova është në situatë shumë të rëndë për shkak të jo seriozitetit dhe garës politike mes liderëve institucional. Ata po garojnë se kush është më i fortë. E kam fjalën për presidentin dhe kryeministrin”, tha Mustafa.

LDK-ja ndërkaq, Veselin e ka quajtur ‘spektator’ të gjithë këtyre ngjarjeve.

https://kallxo.com/avdullah-hoti-thaci-haradinaj-e-veseli-po-mundohen-ti-mbulojne-deshtimet/