Afishe kundër abortit, e vendosur nga mjekët në sallën ku kryhen abortet në QKUK | Foto nga: Leonora Aliu

Tregtia me aborte, në Shkup për zgjidhje

Kishte nisur një ditë të zakonshme të punës së saj si infermiere në një Klinikë (emri i njohur për autoren), në hyrje të kryeqytetit maqedonas – Shkup.

Por atë ditë, të verës së këtij viti, Ana (identiteti i vërtetë i së cilës do të mbrohet), e cila punon si infermiere në shërbimin gjinekologjik që ofron Klinika, kishte kuptuar për një rast specifik që nuk kishte pasur klinika më parë.

Një vajzë e re, e mitur sipas përshkrimit të infermieres, kishte kërkuar ndihmë në spital nga dhimbjet e stomakut, por kishte rezultuar të jetë shtatzënë në javën e 20-të, dhe këtë as ajo e as prindërit me të cilët kishte shkuar në klinikë, nuk kishin qenë në dijeni.

“Kishte thënë fillimisht se ka dhimbje stomaku dhe pastaj doli në fakt që është shtatzënë në javën e 20-të dhe gati para lindjes.”, tregon ajo në gjuhën maqedonase. Vajza e re, si infermierja kishte arritur të mësonte, ishte nga Kosova. Se çka kishte ndodhur tutje me shtatzëninë e padëshiruar të vajzës infermierja heziton ta thotë, duke aluduar se nuk e di me siguri, e as spitali në fjalë, i pyetur nuk ka ofruar përgjigje.

Megjithatë raste si ky Ana thotë se rrallë kishte parë në spital, megjithëse paciente nga Kosova që shkojnë për të kërkuar zgjidhje si pasojë e shtatzënive të padëshiruara thotë të ketë shumë. Deri tre në javë thotë se zakonisht shkojnë, në të shumtën e rasteve me kërkesa për abort. Nganjëherë edhe më shumë e nganjëherë edhe më pak.

“Ne i pyesim nganjëherë për statusin martesor, e nganjëherë jo. Por në të shumtën e rasteve nuk flasim shumë me to se nuk din as maqedonisht dhe shumica prej tyre janë të reja dhe flasin anglisht. E kryejnë shërbimin dhe ikin”, tregon Ana. “E kemi një administrator që flet shqip dhe shpesh komunikon me to për çështje të procedurave”, vazhdon tutje ajo kur pyetët se si komunikojnë me pacientët dhe nëse arrijnë të marrin informata rreth kërkesave të tyre. Shkaqet e aborteve nuk thotë se i flasin asnjëherë me pacientet që nuk janë maqedonase.

“Është normale për ne që punojmë këtu, ndoshta për të tjerët që nuk merren me këtë punë nuk është por neve nuk na interesojnë shumë, nëse dikush do të bëjë abort në moshën 18 apo 22 vjeç, është zgjedhja e saj. Se a ka ajo jetë seksuale apo jo, thjeshtë janë normale për ne. Që të bëhet një bisedë për abortin mes dy fqinjëve në rrugë ndoshta është e çuditshme por në spital jo”, thotë ajo.

Se spitalet e Shkupit shpeshherë janë zgjidhje për kosovarët kur kërkojnë abort, janë të vetëdijshëm edhe autoritetet. Si në Kosovë ashtu edhe në Maqedoni.

Në Qendrën Klinike Universitare pohojnë se kur gratë dhe vajzat e reja refuzohen për abort nga Komisioni profesional në Kosovë ka raste kurgjejnë zgjidhje tjera, përfshirë edhe Shkupin. ““Dëgjomë nëse Komisioni e kthen pas javës së dhjetë, ajo gjen zgjidhje shkon në Shkup e shkon atje e… Po vijnë këtu kemi raste në javën e 14-të se e kam çikë, pse me ndërpre, ose në 15 javë ajo është krim, vrasje”, pati thënë shefi i pranimit në Klinikën Gjinekologjike në QKUK.

E kjo nuk do të ishte habi meqë klinikat e Shkupit viteve të fundit kanë pacientë nga Kosova, që kryesisht kërkojnë shërbime më të mira shëndetësore atje.

Drejtoresha e Inspektoratit Sanitar dhe Shëndetësor në Maqedoni, Irinka Sotirova – Buhova është e vetëdijshme që ka paciente nga Kosova që kërkojnë abort në Maqedoni.

Ajo ka treguar se në Republikën e Maqedonisë, abortet ligjore bëhen në të gjitha institucionet shëndetësore që kanë një leje pune që mbulon këtë procedurë, të lëshuar nga Ministria e Shëndetësisë. Mirëpo, të dhënat për pacientët e regjistruar që janë nga Kosova janë në pronësi të institucioneve shëndetësore ngase në ato publike, pacientëve nuk ju figuron shtetësia. Derisa në institucionet që operojnë pa licencë, ajo thotë të kenë vështirë të gjejnë të dhëna sepse abortet nuk evidentohen.

“Për sa i përket çështjes së aborteve të pandërprera, Inspektorati shtetëror sanitar dhe shëndetësor, duke vepruar në përputhje me ligjin, vepron sipas kërkesës. Më shpesh kur ka një ankesë për komplikime të një aborti që ka ndodhur. Megjithatë, inspektimi në vend në këto raste është pa rezultat, sepse me vetë faktin se procedura është e paligjshme, ne nuk mund të gjejmë të dhëna për pacientin në institucionin e mundshëm shëndetësor. Mbetet vetëm në të dhënat anamnestike të pacientit dhe mohimin dhe mungesën e provave tek mjeku. Raste të tilla janë më tej në kompetencë të institucioneve të tjera”, thotë ajo.

Sotirova-Buhova më tej tregon se kanë një bashkëpunim jashtëzakonisht konstruktiv edhe me Inspektoratin Shëndetësor të Kosovës. Me të cilin pas disa takimeve janë dakorduar që të adresojnë “pikat e dhimbshme” rreth pacientëve dhe ekzaminimeve të tyre që kryhen në institucionet private shëndetësore në Maqedoni.

“Synim kemi pikat ‘e dhimbshme’ rreth pacientëve dhe ekzaminimet që kryhen në baza ditore përmes klinikave private dhe përmes institucioneve shëndetësore publike në Shkup dhe janë organizuar takime të reja që do të prodhojnë masa specifike nga të dyja palët”, ka thënë ajo.

Jo zyrtarisht thuhet se në këto takime është kërkuar nga pala kosovare të gjendet bashkëpunimi edhe për çështjen e aborteve.

Por, kryeinspektorja e Shëndetësisë Kosovare, Ardita Baraku, megjithëse ka konfirmuar takimet me kolegen e saj maqedonase disa herë këtë vit, thotë të “mos i kujtohet” të kenë hapur temën e aborteve. “Kemi biseduar për mundësisht e bashkëpunimit por nuk më kujtohet se është hapur kjo temë”, ka thënë Baraku.

Klinika e njohur “Acibadem Sistina”, është një ndër katër klinikat e kontaktuara dhe pyetur nëse ka paciente nga Kosova që kërkojnë kryerjen e aborteve atje. Aty me një pagesë prej 9000 denarë kryhet një abort. Çmimi është i njëjtë si për kosovarët ashtu edhe për pacientë të tjerë.

Përfaqësues të Klinikës nuk kanë dhënë të dhëna në lidhje me moshën apo javën e shtatzënisë në të cilën kërkojnë vajzat dhe gratë nga Kosova të kryhet aborti. Por nuk kanë mohuar se kanë raste dhe kërkesa. Në një përgjigje me shkrim nga Sistina thuhet vetëm se klinika nuk jep detaje rreth të dhënave të pacientëve.

“Spitali Acibadem Sistina është spital privat i akredituar dhe me standarde më të larta dhe respekton të drejtat e pacientëve dhe privatësinë e tyre dhe për këtë arsye nuk mendojmë se është korrekte të japin të dhëna mbi ekzaminimet dhe ndërhyrjet e kryera”, huhet në përgjigjen, ani pse pyetja kishte të bënte vetëm me moshën dhe javën e shtatzënive të ndërprera e jo të dhëna që zbulojnë ekzaminime dhe identitetin e pacientëve.

Një infermiere e klinikës “Sante Plus Hospital”, përmes telefonit shumë shkurtimisht ka pohuar se kanë paciente nga Kosova që kërkojnë aborte por nuk ka dhënë numrin e tyre. Megjithëse ka thënë se shumica janë aborte për shkaqe shëndetësore. Nga Klinika tjetër private “Neuromedika” vetëm është pohuar se kanë pranuar pyetjet me shkrim dhe dërguar në administratë për shqyrtim por nuk kanë kthyer asnjëherë përgjigje to. E përgjigje nuk ka dhënë as klinika “Remedika”, që konsiderohet e dyta më e madhe nga klinikat private, pas “Acibadem Sistina”.

Ndonëse nuk ka të dhëna të sakta publike mbi numrin e pacientëve nga Kosova që kryejnë abort në Maqedoni, numri i aborteve në shtetin fqinjë sipas një përgjigje të Institutit të Shëndetit Publik atje duhet të jetë në rënie.

“Sipas të dhënave tona në dispozicion që mbledhim nga Qendrat e Shëndetit Publik, tendenca është zvogëluar për dhjetë vitet e fundit, por si punonjës të shëndetësisë publike, mendoj se ne duhet të ndërhyjmë në përmirësimin e cilësisë së të dhënave në lidhje me regjistrimin më të mirë dhe zbulimin e aborte të paligjshme që janë një rëndësi e madhe për numrin e vërtetë dhe përmirësimin e politikave të shëndetit publik në fushën e shëndetit seksual dhe riprodhues”, thuhet në përgjigjen përmes email-it të kryeinspektores shëndetësore në Maqedoni.

Anën tjetër Maqedonia ka nisur një debat mbi ndryshimet edhe të Ligjit mbi abortin atje, që sikurse në Kosovë lejon abortin për shkaqe të planifikimit familjar deri në javën e dhjetë, dhe pas kësaj jave vetëm për shkaqe shëndetësore.

Ndryshimi i fundit i Ligjit, i miratuar në vitin 2013 pas një procedure të shpejtë në Parlament, u pasua nga një sërë protesta nga OJQ-të dhe qytetarët, sepse dekreti është kufizues në aspektin e abortit. Amendamenti i detyroi gratë të nënshkruan pëlqimin me shkrim për abortin dhe të shkonin në këshillime të detyrueshme tri ditë para abortit. Ndëshkime të mëdha janë parashikuar për mjekët dhe profesionistët e kujdesit shëndetësor të cilët nuk do të jenë në përputhje me ligjin.

Me ndryshimet që janë në proces, ministri i shëndetësisë në Maqedoni Venko Filipche pati thënë se ndër të tjera, gratë do të mund të abortojnë brenda një dite e jo të presin tri ditë për këshill deri para abortit si dhe në vend të 10 javëve të shtatzënisë, aborti pa komisione do të jetë lejohet deri në 12 javë.

I pyetur rreth pacientëve nga Kosova që kërkojnë abort në Maqedoni, ministri Filipche ka thënë se në institutin e shëndetit publik me vite nuk ka të regjistruar pacientë nga Kosova që këtë shërbim e kanë kërkuar në spitale publike. Megjithatë ai ka thënë se të dhëna nuk kanë as për maqedonas. “Në Ministrinë tonë të Shëndetësisë, nuk mbajmë shënime për numrin e aborteve të kryera, as të qytetarëve tanë e as të të huajve. Institucionet e tjera shëndetësore e bëjnë këtë”, ka thënë ai, megjithëse i vetëdijshëm se kërkesa ka nëpër ordinanca.

E ordinancat publike a private të Kosovës, apo në ndonjë shteti tjetër, nuk janë opsionet e vetme që gratë e vajzat kanë për abort. Tregu farmaceutik i lirë në Kosovë sidomos, ua ka mundësuar që tash atë të kryejnë edhe në kushte krejtësisht shtëpiake, por aspak të sigurta.

Ky artikull është përkrahur në kuadër të projektit të financuar nga Zyra e Bashkimit Evropian në Kosovë dhe i zbatuar nga BIRN dhe AGK. Përmbajtja e këtij botimi është përgjegjësi e autorit dhe në asnjë mënyrë nuk mund të konsiderohet si qëndrim i Bashkimit Evropian ose BIRN-it dhe AGK-së”.

02 Dhjetor 2018 - 20:55

Leonora Aliu 02/12/2018 - 20:55
NDËRVEPRIMI0
Prishtina Insight
NA NDIQNI

Send this to a friend