Tre Kandidatët Shpalosin Programet për Rektor të Universitetit të Pejës

KALLXO.com ka intervistuar tre kandidatët të cilët priten që të premten më 7 korrik, të merren në intervistë nga Këshilli Drejtues i Universitetit të Pejës.

Tre kandidatët kanë folur për plan programin e tyre për udhëheqjen e Universitetit të Pejës “Haxhi Zeka”, në rast se do të zgjedhën udhëheqës të këtij institucioni.

Gjatë kësaj jave, studentët e UPHZ-së kanë protestuar para këtij institucioni për mos akreditim të nëntë programeve, për mos dhënie të bursave për studentët dhe për politizim të këtij institucioni.

KALLXO.com ka pyetur tre kandidatët për Rektor, Fadil Millaku, Afrim Selimaj dhe Armand Krasniqin se si do t’i zgjidhin këto probleme që po pretendojnë studentët e UPHZ-së.

Rektori aktual Fadil Millaku, gjatë intervistës ka thënë se prioritet i tij nëse do zgjidhet rektor i Universitetit të Pejës do të rrisë cilësinë e këtij institucioni, do të krijojë kushte infrastrukturore dhe do të siguroj bursa për studentët.

Po ashtu Millaku pranoi se në UPHZ, stafi akademik por edhe ai administrativ i takon një subjekti politik.

“Unë për momentin në Universitetin ‘Haxhi Zeka’ nuk e di që është një profesor që si takon një partie politike. Të gjithë i takojnë një partie politike, të gjithë janë simpatizantë të një partie politike dhe ti nuk mund të gjesh një njëri që nuk është anëtar i thjeshtë i një partie”, tha Millaku.

Ai tregoi se përse është më i mirë se kundër kandidatët e tij.

“Unë mendoj që mund të punoj për Universitetin Haxhi Zeka për arsye se dy vite kam qenë prorektor dhe gati po bëhen dy vitet rektor dhe e di çka ka nevojë universiteti”, tha Millaku.

E kundërkandidat i Millakut në këtë konkurs është edhe bashkëpunëtori i tij, Prorektori për Buxhet, Financa dhe Infrastrukturë, Afrim Selimaj.

Ai tha se prioritet i tij është rregullimi infrastrukturorë i UPHZ-së, sigurimi i buxhetit më të lartë për këtë institucion. Po ashtu Selimaj pranoi se ka qenë pjesë e strukturave udhëheqëse të subjektit politik  Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, ndërsa sot tha se vetëm i voton dhe i simpatizon.

“Po unë në realitet jam pjesë e një partie politike dhe e votoj një parti politike po aspak deri në ora 16:00 nuk merrem me çështje politike. Unë kam simpati për Aleancën për Ardhmërinë e Kosovës dhe atë e votoj. Kam qenë në strukturat udhëheqëse por në momentin që jam zgjedh Prorektor unë kam dhanë dorëheqje dhe nuk merrem me atë punë”, tha Selimaj.

Po ashtu Selimaj tha se e meriton të jetë Rektor i UPHZ-së për shkak se ka përvojë akademike dhe menaxheriale.

Ndërsa kandidati i tretë për këtë konkurs është Armand Krasniqi, profesor i Universitetit të Prishtinës “Hasan Prishtina” dhe njëkohësisht avokat në komunën e Pejës.

Krasniqi kritikoi qeverisjen e deritashme të Universitetit të Pejës “Haxhi Zeka” duke thënë se ky institucion po rangohen në fund të listave sa i përket cilësisë.

Ai tha se nëse zgjidhet Rektor i UPHZ-së, do të merret me burimet njerëzore, programet e këtij institucione, pavarësinë financiare të universitetit dhe çështje të tjera.

“Unë ju garantoj që nuk do të merrem me të kaluarën për faktin se situata është shumë shqetësuese dhe emergjente në Universitetin e Pejës. Nëse do më epet rasti unë do të merrem me të ardhmen”, tha ai.

Krasniqi foli edhe për de politizim të UPHZ-së duke thënë se me ardhjen e tij, ky institucion nuk do të ketë kohë të merret me politikë.

Ai tha se ka përvojë menaxheriale në udhëheqjen e një Universiteti ndërsa tregoi se ai ka qenë njëri ndër themeluesit e Universitetit të Pejës “Haxhi Zeka”.