Droga e konfiskuar para dy ditësh nga Policia - Foto: KALLXO.com

Transporti i Drogës me Makinat e Policëve të Kosovës

Prokuroria e Mitrovicës është duke hetuar  policë të Kosovës të cilët u kapën para disa javësh me 8 kilogramë marihuanë në Mitrovicën Veriore.

KALLXO.com ka siguruar detaje nga dosja e Prokurorisë së Mitrovicës ku përshkruhen veprimet e policëve dhe mënyra se si ata shoqëronin dhe përcillnin dërgesën e drogës në Mitrovicën Veriore.

Në dokumentin e siguruar, i cili mban numrin 68/2017-të, e i hartuar nga prokurorja e krimeve të rënda, Zejnie Kela, përshkruhen veprimet e të dyshuarit Adnan Gërrxhaliu në përcjelljen e makinës në të cilën qarkullonte sasia e drogës.

Sipas dosjes së prokurores Kelaj me datë 13.07.2017, policie Shemsedin Geci së bashku me tregtarin Adnan Gërrxhaliun e Valon Malaj ishin koordinuar që ta dërgonin drogën nga Skenderaj për në Mitrovicën e Veriut.

Grupi sipas dosjes së Prokurorisë ishte fotografuar në çdo hap nga hetuesit të cilët po e ndiqnin rastin.

“Grupi ishin takuar para një kafiterie në Skenderaj dhe ishin marrë vesh për detajet e rrugëtimit të dërgesës”, përshkruhet në dosje.

“Një makinë Golf 2 pronë e Gërxhaliu do t’i printe kolonës për të hapur rrugë, pas saj do vinte një makinë tjetër ndërsa e fundit do lëvizte makina Golf 4 e drejtuar nga polici Shemsedin Geci”, thuhet në dosjen e prokurorisë.

E njëjta pretendon se gjatë rrugëtimit grupi u ritakua në Mitrovicë në rrugën “Bislim Bajgora”.

“Nga aty Gërrxhaliu së bashku me një person nga Shqipëria kishin vazhduar në Mitrovicën Veriore”, thuhet në dosjen e prokurorisë. Shtetasi shqiptar sipas pretendimeve të Prokurorisë kishte telefonuar Valon Malajn dhe i kishte kërkuar të niset për në veri pasi rruga ishte e lirë.

Prokuroria pretendon se e ka vëzhguar deri në detaje lëvizjen e makinës Golf 2 gjatë qarkullimit të saj në pjesën jugore të Mitrovicës.

Grupi  ishin arrestuar gjatë operacioneve të Policisë dhe IPK-së ndërsa të njëjtit mbahen në paraburgim me vendim të Gjykatës së Mitrovicës. Në procesverbalet e Gjykatës shkruhet se ata nuk i kanë pranuar veprimet duke u thirrur në pafajësi. Avokati i Adnan Gërrxhaliut, Jetulla Berisha, i ka thënë KALLXO.com se tashmë kanë deponuar një ankesë në Gjykatën e Apelit për të kundërshtuar masën e paraburgimit ndaj klientit të tij.

Droga Sfidon besueshmërinë e Policisë

Policia e Kosovës vlerësohet në mesin e institucioneve më të besueshme në Republikën e Kosovës, por skandalet e drogës në vazhdimësi e kanë dëmtuar imazhin e këtij institucioni.

Në rrethana ende të paqarta në prill të vitin 2009 nga depot e provave të policisë së Kosovës janë vjedhur rreth 40 kilogram heroinë. Rasti ende i pazbuluar është shëndrruar në njërën nga kritikat më të mëdha për policinë e Kosovës. Zyrtarë të tjerë të policisë janë përfshirë në afera me drogën. Vitin e kaluar policia arrestoi policin nga Peja, Gazmend Dobruna, nën dyshimin se po transportonte mariuhanë.

Sipas aktakuzës së ngritur nga prokurorial e Prishtinës të akuzuarit Gazmend Dobruna, Shaban Halimi e Aziz Hamiti më 2 gusht të vitit të kaluar në fshatin Shakovicë të Podujevës u ndaluan nga pjesëtarët e Policisë së Kosovës dhe gjatë kontrollit në veturën të cilën e drejtonte Gazmend Dobruna në bagazh u gjet dhe sekuestrua sasi e narkotikut që dyshohej të jetë marihuanë me peshë të përgjithshme prej 5 kilogramë e 455 gramë.

Çështja ende është duke u gjykuar.

 

Shkrimi është edituar duke përmirësuar përshkrimin e profesionit të të dyshuarit Adnan Gërrxhaliu.