Foto: KCSF

Blert Morina nderohet me çmimin për demokraci

Blert Morina dhe kolektivi artistik “Haveit” janë nderuar me Çmimin për Demokraci për vitin 2018 për kontributin e tyre në promovimin e të drejtave të njeriut dhe barazisë gjinore në Kosovë.

Këto çmime u prezentuan në kuadër të projektit “Promovimi i Shoqërisë Demokratike (DSP)”, projekt ky i bashkëfinancuar nga Agjencia Zvicerane për Zhvillim dhe Bashkëpunim (SDC) dhe nga Ministria e Punëve të Jashtme e Danimarkës (DANIDA), dhe zbatuar nga Fondacioni Kosovar për Shoqëri Civile (KCSF).

Këtë vit, ky çmim iu nda Blert Morinës, si njëri ndër anëtarët e parë të komunitetit transgjinor i cili ka iniciuar rastin njohjes instituticonale të së drejtës së ndryshimit të gjinisë dhe grupit kolektiv artistik Haveit si avokues të zëshëm të barazisë gjinore dhe të drejtave të komunitetit LGBTI përmes arteve vizuele dhe performancave publike.

Drejtori ekzekutiv i KCSF-së, Taulant Hoxha tha se çmimi vë në dukje punën, guximin dhe vetëmohimin e qytetarëve të Kosovës për demokratizimin e vendit.

Demokracia është zgjedhje të drejta e të lira, por demokracia është shumë më shumë se kaq. Demokracia është mendim kritik, protestë, guxim qytetar e sfidim të status-quos në baza ditore. Në një periudhë të apatisë së thellë qytetare, frymëzohemi nga ata që dalin nga zona e rehatisë dhe angazhohen në çështje që na prekin secilin personalisht e të gjithëve si shoqëri”, theksoi Hoxha.

Patrick Etienne, përfaqësues i SDC-së vlerësoi kurajën dhe dedikimin e fituesve të Çmimit për Demokraci për vitin 2018.

“Kam një admirim të veçantë për ata të cilët kanë kurajën për të luftuar për të drejtat e njeriut dhe përfshirjen sociale, prandaj jam shumë i lumtur që disa nga ta po vlerësohen sonte”, tha Etienne.

Alketë Sylaj nga kolektivi artistik Haveit that se përmes artit ky grup trajton tema të cilat konsiderohen tabu për shoqërinë në Kosovë.

“Është shumë e rëndësishme që puna dhe angazhimi jonë po njihet”, tha Sylaj.

Përderisa, Anders Kragh Bingen nga DANIDA, i ndau çmimin Blert Morina.

Ai shprehu kënaqësinë e tij që Morina është duke u vlerësuar për luftën e tij dhe, siç tha ai, le të shërbejë ky çmim si një inkurajim për të vazhduar përpjekjet për njohje dhe respektim të të drejtave gjinore në Kosovë.

“Besoj se vlerësimi përmes këtij çmimi është i një rëndësie të veçantë pasi që fituesi në fakt është një aktivist i vërtete i cili lufton për të drejtat e barabarta gjinore në një ambient të vështirë. Duhet shumë kurajë dhe fuqi për të kundërshtuar i vetëm autoritetet dhe të shkojë kundër normave tradicionale në shoqëri, por ne shpresojmë se kjo betejë do të hapë rrugë dhe të inspirojë të tjerët”, deklaroi Bingen.

Morina vlerësoi se ky çmim dërgon një mesazh tek secili anëtar i komunitetit LGBT se iniciativat për përmirësim të jetës së njerëzve në shoqëri, vlerësohen dhe përkrahen.

“Sikur të ishim ndalur pas sfidave të para, sot nuk do të kishim festuar diverzitetin për një javë rresht në hapësirat publike, sot nuk do të kishim pasur persona të cilët pa frikë flasin për identitetin seksual dhe gjinor të tyre”, tha Morina.

Çmimi për Demokraci ndahet në kuadër të Projektit ‘Promovimi i Shoqërisë Demokratike” (DSP) në baza vjetore.

Fituesit e çmimit të këtij viti u bashkohen individëve dhe organizatave që kanë dhënë kontribut të jashtëzakonshëm në forcimin e demokracisë në Kosovë, përfshi Fondacionin Lumbardhi, i cili u vlerësua me Çmimin për Demokraci 2016 për nismën e suksesshme të mbrojtjes së Kinemasë Lumbardhi në Prizren.

Përderisa, sinjalizuesi i një skeme masive të evazionit fiskal në Administratën Tatimore të Kosovës (ATK), Murat Mehmeti, dhe gazeta online Insajderi, publikues të një sërë hulumtimesh mbi korrupsionin dhe krimin e organizuar, morën Çmimin për Demokraci për vitin 2017.