Autostrada Prishtine - Hani i Elezit Foto: KALLXO.COM

Transaksionet dhe burimi i gjobës prej 53 milionë euro për Autostradën (Dokument)

Autostrada Prishtinë – Hani Elezit e njohur ndryshe edhe si autostrada “Arbën Xhaferi” në bazë të kontratës fillestare do duhej të përfundonte më 1 janar të vitit 2018. Kontrata fillestare, në bazë të planit dinamik fillestar, do t’i kushtonte shtetit 608 milionë euro (pas rritjes së TVSH-së nga 16 në 18%). Por, shteti do të paguaj për punën e njëjtë edhe 53 milionë euro shtesë për shkak të zvarritjes së pagesave nga ana e qeverisë. Zvarritja e pagesave ka bërë që të zvarriten për 1 vjet edhe punët që do të kryhen në këtë Autostradë.

Gazeta Jeta në Kosovë ka siguruar një dokument që Ministri i Infrastrukturës, Pal Lekaj ia ka dërguar Sekretarit të Përgjithshëm të Kryeministrisë më 20 prill të këtij viti. Dokumentin, Lekaj e ka quajtur “Memorandum shpjegues për kërkesën e kontraktorit ‘Bechtel & Enka’ për kompensim të shpenzimeve indirekte për shkak të zgjatjes së afatit të kontratës për ndërtimin e autostradës R6 Prishtinë – Hani i Elezit”.

Gazeta Jeta në Kosovë ka gjetur se në fakt aneks-kontrata është nënshkruar vetëm 18 ditë pas ardhjes në pushtet të qeverisë Haradinaj. Aneks kontrata që sipas këtij dokumente ishte kërkuar fillimisht nga ish ministri Zharku në shtator të 2016, është nënshkruar nga ministri aktual Pal Lekaj më 27 shtator 2017, vetëm 18 ditë pas ardhjes në pushtet të Qeverisë Haradinaj.

Aneks kontrata e nënshkruar nga Qeveria Haradinaj e  zgjatë afatin për përfundimin e punimeve të kësaj autostrade deri më 31 dhjetor të 2018.

“Pas vonesave të Qeverisë për pagesat e punëve të kryera nga punëkryesi, Qeveria dhe kontraktori janë detyruar të zgjasin afatin për përfundimin e punimeve, ashtu që Qeveria Haradinaj me dt. 27 shtator 2017 ka nënshkruar aneks kontratën për përfundimin e punimeve deri më 31.12.2018”, thuhet në memorandumin që ministri Lekaj i ka dërguar sekretarisë së Zyrës së Kryeministrit më 20 prill të këtij viti.

Kontrata fillestare për ndërtimin e autostradës Prishtinë Hani i Elezit është nënshkruar më 1 korrik 2014 me vlerë prej 599 milionë e 944 mijë e 263 euro e 55 cent (599,944,263.55 euro), mirëpo pas 1 shtatorit të 2015 ky çmim ishte rritur për mbi 8 milionë euro për shkak të ndryshimit të TVSH-së nga 16% në 18%.

Pra, shifra e shpenzimit për këtë autostradë kishte arritur shifrën e  608 milionë e 348 mijë e 430 euro e 87 cent (608,348,430.81 euro).

Përmes këtij memorandumi, Ministri Lekaj njofton Qeverinë për kërkesat e kompanisë Bechtel Enka, të cilat i kanë kushtuar buxhetit të shtetit plotë 53 milion euro.

Kontraktori, në këtë rast kompania “Bechtel&Enka” i ka kërkuar Qeverisë së Kosovës 16 milionë e 600 mijë euro për dëmin indirekt apo shpenzimet për personelin menaxhues që kanë administruar me projektin.

Ndërsa, 36 milionë e 300 mijë euro “Bechtel & Enka” i ka kërkuar Qeverisë së Kosovës duke u bazuar në përdorshmërinë e pajisjeve. Tek  ky shpenzim përmenden dy shifra. Fillimisht është një kërkesë për 30.8 milionë euro, mirëpo në kalkulimet përfundimtare është 36.3 milionë euro. Pra, në fakturen që do të paguaj qeveria është 5.5 milionë euro më shumë.

Vonesat në pagesa të Qeverisë për “Bechtel&Enka”

‘Bechtel & Enka’ i ka kërkuar edhe 10 milionë euro për shpenzimet që kanë pasur gjatë ndërprerjeve dhe zgjatjes së afatit, pasi ata pretendojnë që kanë pasur humbje të produktivitetit për vitet 2014, 2015 dhe 2016.

Kjo kontratë është nënshkruar në kohën e qeverisë Thaci II, përkatësisht me datën 1 korrik 2014 në kohën kur qeveria ishte në detyrë. Gjatë realizimit të kësaj kontrate, kryeministër ka qenë Isa Mustafa (2015- 2017). Në kohën e Thaçit, ministër i Infrastrukturës ishte ai që sot e zëvendëson Pal Lekajn, Fehmi Mujota, ndërsa në kohën e Isa Mustafës, ministër ishte tani deputeti i LDK-së, Lutfi Zharku.

Të gjitha këto kërkesa të kompanisë, në total kap koston e 63 milion eurove, mirëpo sipas Lekajt kjo shumë është zbritur pas negociatave. E negociatat nuk duket se kanë zgjatur më shumë ser 18 ditë, pasi marrëveshja është nënshkruar 18 ditë pas ardhjes në pushtet të qeverisë Hardinaj.

Pal Lekaj në letrën e tij tregon se gjatë negociatave kanë arritur ta zbresin shumën në 45 milionë euro, pa TVSH. Në total kjo shifër ka shkuar në 53 milionë euro duke e llogaritur TVSH-në prej 18%.

“Në kompensim të kësaj shume është arritur pajtimi i kontraktorit për heqje dorë nga kërkesa për shpërblimin e dëmit për vonesat në pagesa për vitet 2014-2018 si dhe pagesa e shumës së kërkuar në këste mujore për 12 muaj”, thuhet në letrën e Lekajt dërguar Zyrës së Kryeministrit.

Penalltitë për shkak të këtyre vonesave ishin paraparë edhe në kontratën, ku kishte pasur klauzolë shtesë për çdo vonesë të mundshme.

Në këtë shkresë të ministrit Lekaj thuhet se për t’u konstatuar vonesa e kreditorit duhet të plotësohet dy kushte: e para që debitori (Bechtel&Enka) të ketë ofruar ekzekutimin e detyrimeve ndërsa kreditori (Qeveria) të jetë vonuar për shkak të saksimit të kohës.

“Kushti i dytë, kur kreditori (Qeveria) pengon me sjelljen e tij përmbushjen e detyrimeve të debitorit (Bechtel&Enkas). Kjo e dyta do të mund t’i atribuohej vonesës së pagesave të dakorduara për kryerjen e punimeve nga Qeveria”, thuhet në letrën e memorandumit.

Lekaj në shkresën e tij drejtuar qeverisë thotë se bazuar në kontratë në rast se cështja shkon në Arbitrazh të Vjenës, shqyrtimi do të bëhet bazuar në ligjet e Anglisë dhe Uellsit të Britanisë së Madhe dhe jo ligjeve të aplikueshme në vendin tonë. Në shkresën e tij, Lekaj thotë se epilogu i Arbitrazhit nuk është i sigurt, mirëpo nuk thotë se Kosova do të hambë këtë rast.

Në dokumentet që e ka siguruar Gazeta Jeta në Kosovë, shihet se gjatë vitit 2014, Qeveria e Kosovës ka paguar 55 milionë e 468 mijë e 528 euro e 85 cent (55,468,528.85 Euro), ndërsa është dashur të paguaj 70 milionë euro. Pra ka paguar 14 milionë e 531 mijë 471 euro (14,531,471 Euro) më pak apo kthyer në përqindje, rreth 21 % më pak. Por, në dokument nuk tregohet nëse edhe punët në tereën kanë ngecur për këtë përqindje.

Gjatë vitit 2015, Qeveria e Kosovës ka paguar 112 milionë e 124 mijë e 859 euro e 86 cent (112,124,859.86 Euro), ndërsa është dashur të paguaj mbi 107 milionë euro më shumë.

Sipas dokumentit që e ka siguruar Gazeta Jeta në Kosovë, në 2015 është dashur të paguhen 220 milionë euro.

Në vitin 2016 ishin planifikuar të paguhen 205 milionë euro, mirëpo shteti kishte paguar vetëm 155 milionë e 978 mijë e 20 euro e 49 cent (155,978,020.49 Euro)

Punët e kryera dhe të pakryera të Autostradës

Gjatësia totale e autostradës është 65.56 km, ndërsa deri më tani janë hapur për komunikacion/lëvizje mbi 36 km, ndërsa në ndërtim e sipër gjenden mbi 28 kilometra rrugë. Pjesa më e madhe e punëve të pakryera është tek segmenti më i vështirë ku janë paraparë ndërtimi i disa urave.

Kjo autostradë numëron gjithsej 19 ura, ku e përfunduar është vetëm 1 e tillë. 15 janë në ndërtim e sipër, ndërsa 3 ende s’kanë filluar të ndërtohen.

Ndërsa nënkalime janë 18, ku 16 kanë përfunduar, një është duke u ndërtuar dhe një tjetër ende s’ka filluar.

Kjo autostradë do t’i ketë edhe 19 mbikalime, ku 15 janë përfunduar, 3 janë në ndërtim e sipër, ndërsa një ende s’ka filluar.

Shkresa e plotë