'Togu' i burrave të Kosovës përballë grave të BE-së

Ditën e martë të 8 janarit delegacioni shtetëror i Kosovës e filloi në Bruksel.

Delegacioni prej 11 burrash nisi takimin në ora 10:00 me zyrtaret gra të Bashkimit Europian, të prira nga Përfaqësuesja e Lartë të BE-së, Federica Mogherini.

Megjithëse para takimit u deklarua se do të jetë vetëm një takim njohës, aty u diskutuan për shumë çështje, përfshirë edhe taksën prej 100% të vendosur ndaj produkteve të Serbisë muaj më parë nga Qeveria kosovare.

Pas këtij takimi prej gati 2 orësh, kryesuesit e ekipit negociator, zëvendëskryeministri i Kosovës, Fatmir Limaj dhe kryetari i Komunës së Prishtinës, Shpend Ahmeti u deklaruan para mediave.

Limaj me këtë rast tha se në këtë takim u bë e ditur se  nuk do të ketë më dialog mes Kosovës e Serbisë me tema të veçanta dhe të mos implementohet asnjë marrëveshje.

Ndërsa, Ahmeti tha se është bërë me dije që dialogu ka një adresë dhe se kanë kërkuar që ftesat t’i dërgohen edhe delegacionit shtetëror.

Kurse, Përfaqësuesja e Lartë e Bashkimit Europian, Federika Mogherini, kërkoi nga ekipi negociator që të hiqet taksa ndaj produkteve serbe.

https://kallxo.com/mogherini-ua-kerkon-ekipit-negociator-heqjen-e-takses-ndaj-serbise/

Opozita: Ekipi nuk ka legjitimitet

E pikërisht në kohën kur ishte duke u mbajtur takimi i delegacionit shtetëror me atë të BE-së, Lidhja Demokratike e Kosovës mbajti një konferencë për medie, duke e komentuar këtë takim.

Aty, zëdhënësi i kësaj partie, Besian Mustafa tha se ekipi nuk ka legjitimitet pasi nuk e ka  shumicën e votave të Kuvendit të Kosovës, kështu duke kërkuar edhe zgjedhje sa më parë.

https://kallxo.com/ldk-thote-se-ekipi-negociator-nuk-ka-legjitimitet-kerkojne-zgjedhje/

Ndërsa, deputetja e Lëvizjes Vetëvendosje, Albulena Haxhiu, në një prononcim për KALLXO.com tha se ky ekip po funksionin për interesa të presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi dhe jo për interesa të Kosovës.

“Në vend se të angazhoheshin për pavlefshmërinë e aventurave të rrezikshme të Hashim Thaçit ata u bën vagonë të tij prandaj ky proces do të jetë sërish në favor të Serbisë dhe sërish do të përsëriten gabime që do t’i kushtojnë shumë vendit. Ne nuk do të jemi pjesë e këtyre pazareve, përkundrazi do t’i kundërshtojmë fuqishëm ato. Përfaqësuesit e partive në këtë ekip janë përfaqësues të partive minore, të njëjtit nuk përfaqësojnë opozitën, madje nuk përfaqësojnë as vullnetin e qytetarëve”, tha Haxhiu.

Edhe shefi i Grupit Parlamentar i LDK-së, Avdullah Hoti kishte të njëjtin  mendim me Haxhiun për legjitimitetin e ekipit negociator, por se duke shtuar se ka premisa të shkaktojë më shumë dëme.

“Paraqitja e Kosovës sot në Bruksel asnjëherë nuk ka qenë më e dobët, më jolegjitim dhe me premisa për të shkaktuar më shumë dëme. Ky ekip negociator, me përfshirjen e PSD-së, është thjeshtë dekor për të maskuar mungesën e legjitimitetit të koalicionit PAN. Në këtë format si është, ky ekip nuk ka fuqi të marrë vendime apo të kundërshtojë, dhe as të punojë unik. Rrjedhimisht, nuk mund të mbrojë interesat tona. Asnjëherë më parë nuk ka ndodhur që një delegacion i Kosovës të shkojë në Bruksel me qëllime kaq të paqarta dhe enigmatike sa ky ekip “negociator” dekorues”, ka shkruar Hoti në profilin e tij në Facebook.

Ndërsa deputetja e VV-së, Drita Millaku tha se ekipi negociator nuk do të mund të bëjë marrëveshje historike me Serbinë, duke i quajtur si “të dështuar”.

“I ashtuquajturi “Grup Negociator”, nuk e di pse po mendojnë se kanë me bë marrëveshje historike me Serbinë. Të papërgatitur paraprakisht, pa i konsultuar fare përvojat historike, pa u dhënë hapësirë shkencëtarëve e akademikëve dhe duke qenë hije e presidentit arrogant, këta burra çuditërisht pa asnjë grua që në start janë grup i dështuar”, ka shkruar ajo në profilin e saj në Facebook.

KMDLNJ reagon ndaj kërkesës së Mogherinit për taksën, Haradinaj mbron qëndrimin e tij

Lidhur me kërkesën e përfaqësueses së lartë të BE-së, Federica Mogherini që ekipi të largojë taksën 100% ndaj Serbisë , pati reagime edhe nga KMDLNJ dhe kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj.

KMDLNJ kërkesën e Mogherinit për heqjen e taksës e ka quajtur si ultimatum shantazhues.

“Si masë e skajshme kundër një politike skajshmërisht armiqësore dhe rrënuese të Serbisë ndaj Kosovës, e për të cilën Mogherini flet në ‘gjuhën e peshkut’, duke heshtur së bashku me burokratët përcjellës të BE-së”, është thënë në reagimin e tyre.

Ndërsa, Haradinaj në një konferencë për media me ministrin e Tregtisë dhe Industrisë, Endrit Shala ripërsëriti qëndrimin e tij si përgjigje për Mogherinin.

Ai tha se taksa do të hiqet vetëm me njohjen e Kosovës nga ana e Serbisë.

https://kallxo.com/haradinaj-nese-na-njeh-serbia-sot-e-heqim-taksen/

Kryeziu: Ekipi nuk ka legjitimitet

Ndërsa, Taulant Kryeziu nga Instituti EPIK tha për KALLXO.com se ky ekip nuk i ka pasur votat e 80 deputetëve të Kuvendit të Kosovës.

“Ne sot pamë takimin e parë të ekipit nga Kosova dhe përfaqësuesit e BE-së, une mendoj se ky proces, pra normalizimi i marrëdhënieve të Kosovës me Serbinë e cila do të rezulton me një marrëveshje gjithëpërfshirëse dhe të obligueshme duhet të ndërtohet në kuadër premisave kushtetuese. Për këtë duhet të kishim një vendim të Kuvendit të Kosovës, ku me 80 vota duhet të formonte një ekip negociator”, tha ai.

Tutje ai tha se pika e dytë që duhej bërë është kufizimi i mandatit negociues të këtij ekipi.

“Duhet të ketë një kufizim negociues të mandatit të ekipit negociator që nënkupton që territori s’do të jetë temë e diskutimit në këto negociata. Asnjë instucion qendror kushtetues nuk ka të drejtë të diskutojë temat për territorin e Kosovës. Kjo do të ishte baza që do të bërtëtonte apo do e largonte  shqyetimin që kufijtë e Kosovës mq 17 shkurt 2008 nuk do të jenë temë më Serbinë”, tha ai për KALLXO.com

KALLXO.com ka kontaktuar edhe ish-negociatoren e Kosovës në dialog me Serbinë, Edita Tahiri për të marrë një qëndrim të saj ndaj kësaj teme, por se ajo nuk ka qenë e gatshme të japë përgjigje.

Ndryshe, kjo pritet të jetë faza finale e dialogut Kosovë-Serbi, që parashihet të përfundojë më një marrëveshje mes dy vendeve me njohje reciproke.

Këtë dialog tashmë e disa vite e ka udhëhequr presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi ndërsa ekipi negociator është krijuar në mënyrë që kompetencat e dialogut Kosovë-Serbi të mos i takojnë vetëm presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi.

Ky ekip u votua në Kuvendin e Kosovës më 15 dhjetor të vitit 2018 me 52 vota për dhe 2 abstenime, kurse partitë opozitare LV dhe LDK nuk morën pjesë në seancë.

Ndryshe kryesues të ekipit negociator janë Fatmir Limaj, lideri i Nismës dhe Shpend Ahmeti, lider i PSD-së.

Kurse anëtarët e tjerë të këtij ekipi janë: Enver Hoxhaj nga PDK, Avni Arifi nga AAK, Behgjet Pacolli nga AKR, Mahir Yagcilar KDTP, Dardan Gashi AKR, Visar Ymeri dhe Dukagjin Gorani PSD.