Pop ylli i Kroacisë, Severina. Foto: Facebook

Tingujt e Turbo-Folk-ut ende e trembin Kroacinë

Një stacion i ri radiofonik i lansuar në Zagreb ka tërhequr një shkallë të pazakontë vëmendjeje në kryeqytetin kroat dhe ka sjellë shqetësime tek disa njerëz.

Indeksi i një uebfaqeje të lajmeve në Kroaci shënuan disa nga reagimet më dramatike në rrugët e Zagrebit.

“Nuk mund ta besoj! Zagrebi?”, huhej të ketë pyetur një grua e shokuar.

‘’Kjo është e turpshme pasi epoka e pas-luftës ndihet ende këtu’’, tha një burrë i shqetësuar.

‘’Mendoj që është pak primitive, por OK’’, tha një vajzë e re, ndërsa shoqja/shoku  i/e saj e quajti si ‘’degradim i kulturës’’ që vetëm ‘’njerëzit e standardit të ulët’’ mund ta dëgjonin.

Dikush mundet jo pa të drejtë ta pyesë veten se çfarë po transmeton Extra FM që po ngjall kaq shqetësim. Thirrje për të shkatërruar kulturën e lartë? Për të rrënuar monumentet e qytetit? A janë vandalët tek portat, gati për të ardhur dhe shembur katedralen?

Jo, është një stacion radiofonik që luan muzikë turbo-folk.

Turbo-folk, një term i shpikur nga muzikanti malazez Rambo Amadeus, është një zhanër i muzikës që kombinon folk-un, elektronikën dhe pop-in.

U përhap në vitet ’80 në Jugosllavi, më saktësisht, në Serbi, ndonëse nuk është ekskluzivisht një prodhim serb. Një nga variantet e tij ekziston në Bullgari, ku quhet çalga.

Në dekadat në vijim, turbo-folk përfshiu krejt ish-Jugosllavinë, duke u zhvendosur nga hapësirat e kufizuara të shoqërisë në atë mbizotërues.

Në Kroaci, zhanri quhet narodnjaci (popullore), ose cajke, term më përulës, por goxha mbizotërues tashmë.

Në vitet 1990, turbo-folk mund të dëgjohej vetëm në klube nate disi të fshehura e të mënjanuara në periferitë e Zagrebit, por tashmë në vitet 2000, gjatë kohës kur isha në gjimnaz, cajke, kishin depërtuar në qendrën e qytetit, duke u kthyer në zhanër të pranueshëm/legjitim.

Gjithnjë e më shumë të rinj iu kthyen kësaj muzike, duke dëgjuar yje si Dara Bubamara, Seka Aleksiq, Ceca, ose kumbarës së këtij zhanri, Lepa Brena.

Herë pas here ka pasur protesta nga veteranët e luftës dhe djathtistëve kur disa nga këta yje vinin për të kënduar në Zagreb, por koncertet e këngëtarit serb Gjorgje Balaseviq, i cili i përket një tjetër zhanri, patën të njëjtin fat. Në realitetin e pasluftës në Kroaci ose ‘’epoka e pasluftës që ende mund të ndihet’’, siç e parashtroi burri i ri më sipër, gjëra të këtilla priten.

Pavarësisht bareve dhe klubeve të natës që po i ktheheshin turbo-folk-ut, pavarësisht njerëzve që më shumë po i ktheheshin atij, ishte pavetëdija e Kroacisë ose Zagrebit, ose siç Frojdi e quante, ‘idi’ i saj.

Ndonëse ne, banorët e Zagrebit, ishim në dijeni të ekzistencës së turbo-folk-ut mes nesh, donim t’i mbanim këto ide të papranueshme për shoqërinë sa më të përmbajtura që të ishte e mundur.

Ne ishim si ai ‘’burri familjar’’ i respektuar, i cili çdo ditë skandalizohet nga prostitucioni dhe ‘’laviret e ndyra’’ dhe ‘’degjenerimi i shoqërisë’’ – dhe i cili me të rënë nata, shkon vjedhurazi në bordellon më të afërt për të takuar ofruesen e tij të rregullt të seksit.

Prostitucioni nuk është për t’u krahasuar me turbo-folk-un, sigurisht, por hipokrizia që e rrethon, po.

Pse pas kaq vitesh të konsumit të tij, Zagrebi frikësohet ende nga një cajke e pavlerë?

Arsyeja është natyrisht identiteti kulturor i deklaruar zyrtarisht nga Zagrebi.

Zagrebi dëshiron ta prezantojë veten, si për reklamat turistike ashtu edhe për propagandë politike, si pjesë e Evropës qendrore, si një ‘’Vjenë e vogël’’, e ndërtuar mbi themele Austro-Hungareze. Kështu shkon historia; Zagrebi shikon nga perëndimi.

Në pjesën më të madhe të Kroacisë, sidomos në Zagreb, ‘’Ballkani’’ është një term vulgar, i përdorur kryesisht për fqinjët lindorë të vendit, Bosnja dhe Serbia. Ne zakonisht i harrojmë malazezët, por kur pyetemi për ta, themi: ‘’Po, ata po ashtu’’.

Historiania bullgare Maria Todorova e ka quajtur këtë fenomen si ‘’çerdhe ballkanizmi’’. Sipas saj, ‘’çerdhja e ballkanizmit’’, është një tendencë e secilit vend për të ndërtuar një identitet rreth idesë se vendi në juglindje të tij është më pak i qytetëruar.

Në Kroaci, turbo-folk-u sjell ndërlidhje me Ballkanin dhe me një tjetër fjalë vulgare, Jugosllavinë, gjë që prapë çon tek Serbia dhe këtu vjen çasti ku ndizet drita e kuqe.

Një nga problemet kryesore është se zhanri dhe shumica e këngëve vijnë në të vërtetë nga Serbia.

Edhe pse njerëzit shpesh thonë që nuk e pëlqejnë turbo-folk-un sepse është plehrë ose pashije, ajo çka ata nuk pëlqejnë në fakt është gjuha e përdorur. Asgjë nuk thumbon më shumë se fjala (mleko në serbisht në vend të mlijeko në kroatisht, për qumështin), që të zukat përmes kokës.

Si provë e kësaj teorie? Merreni muzikën më me popullaritet në Kroaci, pronë e vetë kësaj të fundit, zabavna glazba dhe më thoni që ka ndonjë farë cilësie më të lartë.

Këngëtaret femra të Kroacisë që i këndojnë këto melodi janë thjesht kopje dhe, siç mund të thoshte ndokush, vjedhje të pavlera nga kolegët e tyre serbë.

Këngëtarja kroate Maja Suput është shembulli i përsosur. Në mes të karrierës, ajo e pa se ku po synonte audienca dhe ndërroi personin e saj dhe këngët. Pati disa operacione plastike, mësoi të përdorte Photoshop-in dhe gjeti një menaxher të ri për t’ia hapur derën drejt një publiku të ri dhe fame dhe ia doli.

Madje edhe mbretëresha e pop-it kroat, Severina, ka luajtur me zhanret dhe paraqitjen për të tërhequr audienca të reja.

Nuk do të ishte e drejtë megjithatë për të thënë që ky qëndrim hipokrit mbi turbo-folk-un, është i kufizuar tek djathtistët.

Ai përfshin të majtën dhe të vetëquajturit kampionë të stilit urban të jetës të cilët përqeshin çdo gjë të largët rurale – edhe pse ata shpesh janë të parët që kërcejnë me turbo-folk kur dehen.

Këto qëndrime mbi të majtën zyrtare të spektrit politik – e theksoj fjalën ‘’zyrtare’’ – u bënë formale gjatë fushatës për zgjedhjet e përgjithshme të 2015-tës në Kroaci.

Atëkohë, Zoran Milanoviq, kryeministër dhe kreu i Partisë Socialdemokrate, SDP, iu kthye Ballkanit, Lindjes dhe cajke-ve.

Pasi e kishte akuzuar djathtistin rival të Unionit Demokratik Kroat, HDZ që po synon ta kthejë Kroacinë në ‘’kasaba-n mediokre e nacionaliste Ballkanike më të madhe’’, duke iu referuar me një term përçmues të një vendi të humbur, me anë të fenomenit të cajke-ve.

‘’Ne nuk jemi Prnjavor’’, tha ai, duke iu referuar një qyteze të Bosnjës. ‘’Shpresoj askush nuk ofendohet (pjesë e fjalisë që zakonisht çon në deklarata shoviniste), që ne nuk i vlerësojmë cajke-t – ne po i shtypim ato dhe kjo do të jetë pjesë e programit tonë’’, tha ai.

Nëse këto analogji ishin thjesht metafora që Milanoviq do i marrë me vete në varrin e tij – askush nuk e ka kuptuar ndonjëherë tërësisht – por edhe përmendja se një zhanër i tërë do ndalohej, tingëllonte jashtëzakonisht keq.

Nëse dëshirojmë të jetojmë në një demokraci dhe të çmojmë lirinë, përse duhet ne apo çdokush tjetër të shqetësohet se çka dëgjojnë të tjerët apo kush po këndon nëpër klube nate? Nëse nuk e pëlqeni, ndërroni frekuencën, kanalin, ose klubin.

Për t’iu rikthyer burrit familjar dhe besnik nga më herët, ai nuk po proteston kundër ligjshmërisë së prostitucionit prej frikës se do i poshtërojë gratë ose do ta bëjë trafikun e qenieve të ligjshëm. Ai thjesht ka frikë se e shoqja do ia gjejë faturën e kartës së kreditit!