Ilustrimi: Jeta Dobranja, Trembelat

T’i Themi ‘Po’ Edukimit Seksual

Shprehjet si “ta “q***** nanën n’p***”, “ma honksh k**n”, dhe të tjera fyese janë të zakonshme në shumicën e familjeve në Kosovë; por një fjalor i tillë është i pranishëm edhe në Kuvendin e Kosovës.

Termi i saktë për vaginën dhe penisin nuk përdoren pothuajse kurrë dhe jo rrallë qeshet kur një djalë 5-vjeçar thotë gjëra degraduese duke përdorur gjuhë fyese. Nga ana tjetër, nëse ai do të fillonte një bisedë serioze për trupin e tij, atij do t’ua mbyllnin gojën, pasi që këto biseda shihen si të turpshme.

Pavarësisht kësaj, tema e trupit mbetet tabu në kulturën tonë. Po pse? A e mbajmë ne trupin tonë për ditë, apo na mban ai neve?! Pse të refuzojmë të mësohemi me trupat tanë? Edhe në rastet kur ka interes në këtë çështje, nuk ka burime arsimore për ta mundësuar eksplorimin e mëtutjeshëm.

Ja një shembull: kur po punoja në një qendër rinore në Kosovë, në Ditën Ndërkombëtare Kundër AIDS-it, sponsori na e dha një kuti të madhe me prezervativë. Detyra jonë ishte që t’ua shpërndajmë kondomat të rinjve bashkë me broshurat informative. Megjithatë, ne i shpërndamë vetëm këto të fundit. Ma ndaluan që të shpërndaja prezervativët duke u arsyetuar se të rinjtë do të kishin turp dhe mund të refuzonin të hyjnë në qendër rinore. Ky turp vazhdon të mbahet sepse të rriturit e mbajnë tabu.

Gjatë ligjëratave me të rinjtë dukej se ata nuk e dinin se si HIV-i mund të kalonte nga një person te tjetri. Në fund të ngjarjes, kolegut tim iu ofruan kondomat. Pasi që u nisa t’i marr ca, më gjykuan, më ndaluan dhe më pas më pyetën se ç’më duheshin… paj, ndoshta për mbrojte?

Nuk mund t’i ndalojmë të rinjtë të bëjnë seks. Ata nuk do të marrin leje, do ta bëjnë atë prapa shpinës sonë. Nëse adoleshentët janë të privuar nga edukimi seksual, ata mund të përballen me pasoja: shtatzani të padëshiruara, që pason me përjashtim shoqëror, nga po ajo shoqëri që e shkakton atë shtatzani. E lëre më sëmundjet e shumta seksualisht të transmetueshme dhe infeksionet që mund të shkaktohen përmes marrëdhënieve seksuale pa mbrojte. Në Prishtinë, seksi me mbrojtje e duhur shihet me indiferencë. Shumica e burrave e përkrahin atë pa mbrojtje duke u arsyetuar se nuk duan që atij t’i hiqet ‘autenticiteti’ gjatë marrëdhënies seksuale. Gratë, duke mos guxuar të konfrontohen me partnerët e tyre, e bëjnë të njëjtën gjë.

Shumë njerëz nuk e dinë as shprehjen e duhur për gjenitalet, duke e mbajtur njohurinë për pjesët e trupit në gjuhë të rrugës. Një edukim i standardizuar për seksin dhe teoritë gjinore mund t’u ofrojnë të rinjve mundësinë për të marrë njohuritë e nevojshme për trupat e tyre në mënyrë që të shërbejnë si një parakusht i fuqishëm për të formuar marrëdhënie të respektueshme dhe të shëndosha.

Për dallim nga mënyra se si është edukuar nëna ime, sot nuk ndodhin mbledhi tradicionale me gjyshet, tezet dhe kushërirat tona nëpër oda ku është diskutuar kjo ‘temë’.

Nëna ime më kishte thënë se “kur gjyshja, tezet edhe vajzat e tezeve vinin mysafirë, flinin në odë. Kur ato vinin ne qëndronim deri në mëngjes. Asohohe nuk kishte internet dhe edukata seksuale nuk përmendej në shkolla. Këto net ishin ngjarjet më të rëndësishme për edukimin tonë seksual. Gjithçka na shpjegohej në detaje që ta mësonim se ç’na priste pas martesës…”.

Pa dyshim se këto mbledhje familjare i kontribuonin ideve patriarkale për marrëdhënie seksuale.

Kosova sot i ka shumicën e të rinjve me qasje në internet. Megjithatë, po aty mund të gjinden pamje të shtrembëruara pornografike të asaj si mund të bëhet seks. Shumica e videove pornografike janë paraqitje e vizalizuar e kulturës së përdhunimit. Mbi të gjitha mesazhi është që gratë nuk duhet t’i kënaqë seksi (befasi: gratë po ashtu e duan seksin!). Poashtu përcillet porosia se dhuna seksuale është normale dhe se gratë duhet të përulen për të marrë role nënshtruese.

Gëzim Kelmendi, ish-deputeti i Kuvendit të Kosovës nga Partia ‘Fjala’, tha më 28 nëntor në Facebook se është kundër edukimit seksual sepse, siç tha ai, “neve nuk na duhet kultura e atyre që ndërrojnë partnerët sikur çorapet”. Më tej ai shtoi: “Fëmijët tanë kanë nevojë për edukatë morale, e cila mësohet në kuadër të edukatës fetare”.

Tash për ju z. Kelmendi. Nëse do të kishit studiuar diçka që lidhet me edukimin dhe studimet kulturore, do ta dinit se kultura konstruktohet nga shoqëria dhe ndryshon vazhdimisht; ne evoluojmë në vazhdimësi, burrat po aq sa gratë, si qenie njerëzore dhe si shoqëri.

Edukimi seksual duhet të bëhet normal, përndryshe do ta edukojmë një gjeneratë tjetër të të rriturve të rebeluar që e urrejnë veten. Ta shpjegoj edhe pak se si përkthehet kjo në praktikë. Fëmijët nuk frikësohen nga trupi i tyre por nga të rriturit. Fëmijët i shohin trupat e tyre si normal. Tjetërsimi i fëmijëve nga trupat e tyre vjen si pasojë e mos-edukimit të tyre nga të rriturit. Shumë njerëz, duke më përfshirë edhe mua, jemi penguar t’i eksplorojmë trupat tanë apo vetëm për t’u shikuar në pasqyrë! Trupi yt duhet të jetë më i njohuri për ty. Është parakusht i dashurisë e pranimit për veten.

Dështimi për ta pranuar domosdoshmërinë e pranimit të pushtetit të fëmijëve në trupin e tyre ka pasoja shkatërruese.

Kjo më sjell në një pozitë ku i bëj lutje të gjithë prindërve, motrave e vëllezërve më të mëdhenj: kur fëmijët ta mësojnë vetë-pranimin dhe respektin për trupin e tyre, ata do të jenë më të përgatitur të përcaktojnë kufij të shëndetshëm për ndërveprim fizik.

Është e domosdoshme që të respektohet fakti se fëmijët i përkasin së pari vetvetes. Nëse fëmija nuk do që të preket, kjo duhet respektuar. Nëse kufiri i shprehjes së afeksionit fizik të fëmijës është refuzimi i përqafimeve nga anëtarët e familjes, ai duhet respektuar.

Çfarë rezultate pozitive mund t’i nxjerrin vajzat nga ky lloj edukimi? Do t’u ndihmonte ta bëjnë demarkacionin e tyre personal dhe duke thënë “jo!”. Ngjashëm, edhe djemtë mësohen që t’i vizatojnë kufijtë personalë.

Një raport i shëndetshëm me trupin tënd dhe edukimi seksual e parandalon abuzimin në fëmijëri. Përmes rrugëtimit tim në arsim, e kam pasur mundësinë që t’i vijoj disa konferenca dhe punëtori rreth edukimit seksual dhe luftimit të abuzimit të fëmijëve. Në këto, ndër të tjera, ka pasur diskutime me policë dhe kriminologë që shpesh thonë se abuzimi më së shpeshti bëhet nga të afërmit dhe komshinjtë.

Përveç kësaj, shumica e fëmijëve nuk i dinë kufijtë e tyre kur një i panjohur i prek ata në vendet intime të trupit, që shpesh ndodh sepse fëmijët nuk kanë mësuar për rëndëisnë e zotërimit të trupit të tyre dhe për të drejtat e tyre mbi trupin e tyre.

Përderisa kjo paraqet cenim të kufijve fizikë, emocionalë dhe personalë, fëmijët e ngatërrojnë atë duke iu dukur normale. Përgjithësisht, të afërmit si gjyshi e gjyshja, xhaxhallarët, dajallarët dhe kushërinjtë shihen si të besueshëm. Edhe në rastet kur fëmijët e ndjejnë këtë lloj cenimi ata mund të bien pre e situatës. Më së shumti, kjo, vërehet në kultura ku raportimi dhe ngritja e zërit kundër abuzimit çon në përjashtim shoqëror dhe ku viktimat heshten me të zakonshmen, “Shuj se marre!”.

Si pasojë e kësaj, viktimat e abuzimit seksual detyrohen të jetojnë në të njëjtat shtëpi me abuzuesit e tyre, më së shumti për shkak të mungesës së vullnetit për t’i ndihmuar ata. Në kulturën e “shukatjes”, vuajtësit e abuzimit seksuual refuzojnë ta ngrisin zërin e të flasin.

Unë e përkrah edukim seksual në shkolla. Kjo nuk më ndalon nga përkrahja e edukatës fetare. Mendoj se të dyjat mund të funksionojnë së bashku. Nuk dua të kem kërcënime. Dua që të tjerët, duke më përfshirë edhe mua, nuk do të kërcënohen sepse këto kërcënime i shërbejnë mashkullizmit helmues që kontrollon shoqërinë tonë, që i vret gratë dhe i abuzon fëmijët tanë.

Artikulli është botuar fillimisht në Prishtina Insight.

Opinionet e shprehura në rubrikën Mendime janë të autorit dhe jo domosdoshmërisht reflektojnë pikëpamjet e BIRN.