‘Thyerja’ e qeverisë Haradinaj 

Përplasjet mes partnerëve të koalicionit qeveritarë, Partisë Demokratike të Kosovës (PDK) dhe Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), për largimin e taksës 100 përqind ndaj produkteve të Serbisë dhe Bosnje e Hercegovinës e kanë sjellë qeverinë Haradinaj në pikën më kritike të funksionimit që nga koha e themelimit të saj në shtator të vitit 2016.

Kështu kanë thënë për gazetën Jeta në Kosovë njohës të çështjeve politike në vend, të cilët janë shprehur se në bazë të zhvillimeve shumë shpejtë pritet që vendi të shkojë në zgjedhje edhe pse Kosova nuk është e gatshme për to.

Tendenca e kryeministrit Ramush Haradinaj për të qëndruar ‘i palëkundur’ ndaj vendimit të taksës edhe pas presionit ndërkombëtar nuk i ka ‘pëlqyer’ partnerit të koalicionit PDK-së.

Në një deklaratë për media të lëshuar gjatë ditës së sotme kjo parti bërë thirrje që “të hiqet dorë nga protagonizmi politik” si dhe ka kundërshtuar kushtin e kreut të qeverisë për konferencë ndërkombëtarë.

“Partia Demokratike e Kosovës kërkon që të hiqet dorë nga deklarimet e thirrjes së një Konference Ndërkombëtare për Kosovën. Kjo ide përmban rrezikun real të rihapjes së statusit final të Kosovës, i zgjidhur përfundimisht me shpalljen e pavarësisë së Kosovës, më 17 shkurt 2008, si dhe rrezikun e involvimit të Rusisë në proces”, thuhet në komunikatën e PDK-së.

Mirëpo, mundësia për rrëzimin  e qeverisë nuk e ka shqetësuar shumë kryeministrin Haradinaj i cili deklaroi se pavarësisht se a do të jetë në qeveri apo jo, vera do të na gjejë me taksën.

“Unë po i luti kolegët e mi Hashimin, Kadrinë, Albinin, Shpendin a bën ne nëse na jep Serbia njohje ne po i japim tregun Kosovës. Tregu është 1 miliard a ne e kemi buxhetin 2 miliard nëse duan me kthye tregun ne e duam njohjen nuk besoj se jam duke e tepruar apo duke u prish me ndonjë mik në jemi duke bërë diçka që gjithë bota bën, ma jep njohjen ta jap tregun”, tha Haradinaj në akademinë përkujtimore në 22-vjetorin e rënies së heronjve të kombit, Zahir Pajaziti, Edmond Hoxha dhe Hakif Zejnullahu në Junik.

Se vendi duhet të shkojë në zgjedhje, pas përplasjeve të fundit brenda koalicionit, janë deklaruar edhe përqafuesit e partive opozitare, PSD dhe LDK, të cilët për KALLXO.com kanë thënë se vendi është në pikën më kritike.

Opozita: Kosova në pikën më kritike të krizës

Shefi i grupit parlamentar të LDK-së, Avdullah Hoti në një prononcim për gazetën Jeta në Kosovë ka vlerësuar se duke e marrë parasysh situatën, vendi është në pikën më kritike të krizës.

“Sa më parë që vendi shkon në zgjedhje te reja është më mirë për qytetarët. Ne kemi kërkuar nga vera e vitit të kaluar të shkojmë ne zgjedhje që të mos thellohet kriza. Tash jemi ardhur në pikën kritike të krizës”, ka thënë ai.

Në anën tjetër Partia Social Demokrate (PSD), janë deklaruar se janë të gatshme për zgjedhje të parakohshme.

“Partia Socialdemokrate beson se Republika e Kosovës duhet të qeveriset nga ana e saj mbi gjithash për shkak të politikave të nevojshme zhvillimore dhe sociale, të cilat do të sjellin më shumë barazi dhe drejtësi. PSD është e gatshme për zgjedhje. Kurdo që mbahen” tha për JNk Natyra Kuqi, zëdhënëse  e kësaj partie.

Koalicioni qeverisës është duke qëndruar mbi akull shumë të hollë

Analisti politik, Ramush Tahiri ka thënë për gazetën Jeta në Kosovë, se pakënaqësia e PDK-së mund të dëshmohet me mos-votim të buxhetit për vitin 2019.

“As brenda vet koalicionit nuk i kanë votat, sidomos te PDK. Nesër kryeministri do të ketë përkrahjen e PSD-së duke larguar ministrin Rikallo por edhe kjo nuk është e mjaftueshme për të votuat buxhetin. Nëse nuk kalon buxheti qeveria rrëzohet dhe vendi shkon në zgjedhje për 45 ditë dhe kjo konsiderohet qeveri në dorëheqje ajo prapë funksionon normalisht dhe mundet me marrë vendime” tha Tahiri.

Edhe Përparim Kryeziu, hulumtues në Grupin për Studime Politike dhe Juridike (GLPS) mendon se zhvillimet e fundit funksionimi i koalicionit qeveritarë është i pamundur.

“Me zhvillimet e fundit, koalicioni qeverisës është duke qëndruar mbi akull shumë të hollë. Deklaratat e fundit të partnerëve qeverisës, përkatësisht të Kryeministrit dhe Kryetarit të Kuvendit, mbi pozicionet e tyre politike e bëjnë të qartë që nga tash e tutje bashkëpunimi i shëndoshë në mes tyre është pothuajse i pamundur”, tha ai për KALLXo.com.

Mirëpo, sipas Kryeziut, pasojat për këto dështime i bart vet shteti i Kosovës sepse qëndrimet e ndryshme për dialogun nuk i kontribuojnë aspak arritjes së marrëveshjes përfundimtare.

“Një partner i cili në njërën anë përkrahë veprimtarinë dhe agjendën e dialogut të ideuar nga Presidenti i vendit, dhe partneri tjetër në tjetrën anë që si kundërpërgjigje propozon organizimin e një Konference Ndërkombëtare e nxjerrin Kosovën në pozitë të disfavorshme negociuese drejt arritjes së një marrëveshje me shtetin Serb. Marrëveshje kjo që nuk të dy rastet mund të ripërcaktoj shtetësinë e Kosovës, dhe kjo në vetvete është dështim historik i Kosovës”, tha ai.

Mosfunksionalizimi i KQZ-së pengon mbajtjen e zgjedhjeve

Përparim Kryeziu nga GLPS ka folur edhe për mundësinë e zgjedhjeve për të cilën ka thënë që Kosova nuk është e gatshme.

“Teknikisht Kosova është e gatshme për zgjedhje po aq sa ka qenë në herën e kaluar. Mirëpo implikimet kësaj radhë janë sa ligjore aq edhe të politikisht të kushtueshme. Në njërën anë është ende e paqartë nëse vendi mund të shkojë në zgjedhje në rend të parë pasi pasi që KQZ-së vazhdon të jetë e bllokuar”, tha ai.

Edhe analisti Ramush Tahiri ka thënë që vendi është i detyruar të shkojë në zgjedhje pasi që është përfshirë në krizë totale, mirëpo ngriti shqetësimin për mosfunksionimin e KQZ-së.

“Kryeministri nuk dëshiron që japë dorëheqje por ai po kërkon që opozita të dëshmoj që i ka votat të rrëzoj qeverinë. Ka shumë arsye se pse mund të bie qeveria, e para është qeveri e pakicës dhe koalicioni nuk po mundet që në kuvend të i kaloj projektligjet, ka përçarje mes PDK-së dhe AAK-së dhe ka mospajtime shumë të thella mes kryeministrit dhe presidentit, dhe nëse nuk ka bashkëpunim ndërinstitucional atëherë qeveria bëhet jo funksionale” tha Tahiri.