"Diaspora Flet" në Gjilan | Foto: KALLXO.com

Thirrje për të Rinjtë që të Mos Largohen nga Kosova

Ish-kandidatja për kongresiste të ShBA-së Suzana Shkreli dhe piktori Sali Musliu që jeton në Frankfurt të Gjermanisë që 7 vjet, treguan përvojat e tyre në takimin “Diaspora Flet” të zhvilluar në Gjilan.

Suzana Shkreli u bëri thirrje të rinjve kosovarë që të mos largohen prej vendit por të rrinë për të ndërtuar një të ardhme më të mirë për fëmijët e tyre.

“U kisha bërë thirrje të rinjve se ky është vendi juaj dhe ju jeni ata që do ta formësoni atë. Gjërat ndoshta janë të vështira, por kur gjërat janë të vështira karakteret e vërteta formësohen dhe liderët e vërtetë lindin dhe këtij vendi i duheni ju më shumë se kurrë. Ata që duan të largohen i kisha inkurajuar të qëndrojnë që të ndërtojnë një të ardhme më të mirë jo vetëm për fëmijët e tyre por për të gjithë Europën”, tha Shkreli.

Ajo rininë kosovare e cilësoi më premtuesen në botë.

“Mendoj që kjo rini që kam takuar është rinia më premtuese në botë, mosha mesatare e kosovarëve është 25 vjet dhe vajzat dhe djemtë e rinj që i kam takuar janë shumë premtues, kanë shumë pasion në sytë e tyre, kanë shumë vullnet të bëjnë gjëra të mira për këtë vend dhe fokusi jonë duhet të jetë se si të investojmë në veten tonë kështu që ne të duam të qëndrojmë”, nënvizoi Shkreli.

Për rininë kosovare foli edhe piktori Sali Musliu duke e konsideruar të padrejtë izolimin e saj.

“Unë kam besim shumë të madh te të rinjtë, e shoh një lloj vitaliteti tek ta. Është jashtëzakonisht hendikep i madh me e izolu një rini, nuk është e drejtë kjo çka po ndodh me rininë tonë sepse nuk po ka mundësi me qenë pjesë e një informacioni i cili është atje jashtë”, tha Musliu.

Sfidat dhe Integrimi i shqiptarëve në diasporë 

Ai tregoi se për t’u arritur një rezultat duhet punë e madhe.

“Rruga deri te një pikë e caktuar natyrisht se prapa ka një punë të madhe. Një rezultat i mirë nuk ndodhë veç hajt, në rend të parë angazhimi, puna, përkushtimi, disiplina një këmbëngulësi për me ja dhanë vetes një satisfaksion që je aty dhe duhesh me dëshmu veten që në se e ka bo dikush tjetër, pse edhe ti nuk je në gjendje me bo”, shpjegoi Musliu.

Musliu që “zejen” e piktorit e mori nga Muslim Mulliqi, tha se kur vizitoi Gjermaninë, duke e parë artin e këtij shteti mendoi se kurrë nuk do të bëhej piktor.

“E pata përshtypjen se truri filloi të më punojë më shpejt se zemra, më ndodhi edhe diçka tjetër, më solli një dëshpërim të madh edhe ai ka qenë një prej dëshpërimeve më të mëdha që i kam pasur në jetën time. Aty e pashë veten se sa më largoi mua ajo ekspozitë me andrrën time që e kisha që një ditë të bëhem piktor- mu krijua një distancë e madhe e cila më dukej e pafund”, rrëfeu Musliu.

Ai tha se në një udhëtim në Gjilan pasi kishte kaluar një kohë në Gjermani ishte pyetur nga shokët se çfarë mësimi kishte marrë atje dhe kjo për të ishte pyetje mjaft e vështirë për t’u përgjigjur.

“Kur erdha në Gjilan e ula me shokët e mi, ata më pyetën se çfarë kam mësuar atje. Ishte pyetje e vështirë, e unë u ndala për pak me u mendu, por edhe ata e patën durimin me prit. Unë u përgjigja kështu: kam mësu me qenë i disiplinum në punë”, rrëfeu Musliu.

Ndërsa Suzana Shkreli tha se ajo ka marrë më të mirën nga kultura shqiptare dhe ajo amerikane.

“Është shumë mirë të jesh gjenerata e parë amerikano-shqiptare sepse t’i merr më të mirën nga kultura jote, më të mirën nga kultura e re dhe mundohesh t’i bashkosh në një kulturë. Të kesh historinë e besës, respektin që tregohet është një gjë shumë e rëndësishme në kulturën tonë”, tha Shkreli.

Shkreli tha se mentaliteti i shqiptarëve të moshuar në SHBA ka mbetur i pandryshuar.

“Nganjëherë Kosova, Shqipëria, Malësia e Madhe ecin përpara, por mentaliteti ynë atje mbetet prapa. Për shembull prindërit e mi emigruan në ShBA në vitet e 70-ta dhe akoma janë prapa me mentalitet, edhe pse Kosova e Shqipëria kanë ecur përpara, disa gjëra kanë mbetur në të kaluarën”, tha ish-kandidatja për kongresiste në ShBA.

Amerika është vend i emigrantëve 

Shkreli theksoi se është kundër politikës së emigracionit të Presidentit Donald Trump.

“Amerika është vendi i emigrantëve. Kjo është ajo që jemi, kush kemi qenë gjithmonë, në kohë luftërash siç e kemi parë këtu në Kosovë SHBA-ja ishte e hapur. Ne po tradhtojmë vlerat tona si amerikanë duke ia kthyer shpinën botës dhe me këtë unë nuk pajtohem aspak”, potencoi Shkreli.

Për Shkrelin Trump vlerëson vetëm paratë, bukurinë e famën.

“Sa i përket administratës aktuale, normalisht unë nuk pajtohem me të. Unë i kam shqetësimet e mia për Trump-in, ai është presidenti aktual i ShBA-së, por mua nuk më pëlqen se si sillet. Është shumë e qartë se ai e vlerëson famën, bukurinë dhe paranë dhe nëse i vlerëson këto gjëra ti nuk ke vend në jetën publike”, përfundoi Shkreli.

Modelet e diasporës që duhet të ndiqen

Suzana Shkreli përsëriti edhe një herë modelin e organizimit të hebrenjve të cilin tha se është mirë ta ndjekë diaspora shqiptare.

Sipas Shkrelit, çdo hebre pavarësisht ku jeton ka të drejtë ta vizitojë Izraelin dhe të lidhet me këtë vend, ndërsa sipas saj hebrenjtë shërbejnë në ushtrinë e shtetit të tyre pa marrë parasysh a janë fëmijë ministrash a fermerësh.

Një shembull tjetër që mund të ndjekë diaspora shqiptare janë edhe kaldinët, një komunitet katolik nga Iraku i persekutuar nga ISIS-i

“Është një komunitet shumë i madh i tyre në Michigan, ka më shumë kaldinë në Michigan sesa që ka në Irak. Tani ka kaldinë avokatë, përkthyes, që bëhen bashkë, punojnë, s’ka lidhje a janë republikanë apo demokratë, ata luftojnë për të drejtat e tyre, ata kanë odën e tyre ekonomike, qendrën kulturore, kanë organizatat e tyre, pra ata janë shumë vite para nesh”, tha Shkreli.

Ndërsa piktori Sali Musliu tha se Diaspora nuk është tash ashtu si ishte gjatë luftës së Kosovës.

“Para luftës ka qenë një komunitet shumë aktiv, në çdo qytet kanë pasur klubet e tyre, informatat janë përcjellë, janë bërë organizimet dhe krejt këto gjëra kanë ndodhë nëpër klube. Prej paslufte, ka njerëz aktiv por intensiteti është në rënie, nuk është vullneti qysh ka qenë më herët”, tha Musliu.

Suzana Shkreli mori pjesë edhe në takimet e “Diaspora Flet” në Kamenicë të shtunën. Këto takime po realizohen nga organizata “Germin”.