Thaçi: Të Gjithë Kryetarët Do T’i Respektojnë Ligjet e Kosovës

Kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi, në mbledhjen e qeverisë të mërkurën, ka deklaruar që të gjithë kryetarët e sapozgjedhur në komuna, do të veprojnë sipas ligjeve të shtetit të Kosovës, pa bërë përjashtime. Sipas Thaçit, nga takimet që ai thotë të ketë pasur me kryetarët e rinj, të gjithë janë shprehur për bashkëpunim të ngushtë me nivelin qendror, duke përfshirë edhe kryetarët serbë. Në këtë mbledhje përveç disa vendimeve tjera, u miratua themelimi i një grupi për komunitetin LGBT.

Sipas kryeministrit të Kosovës, Hashim Thaçi, kryetarët e rinj të të gjitha komunave në Kosovë do të respektojnë  ligjet dhe Kushtetutën e Kosovës, pa marrë parasysh në cilën pjesë të vendit janë ata. Këto deklarata ai i bëri në mbledhjen e radhës së Qeverisë së Kosovës, e cila u mbajt këtë të mërkurë.

Kryeministi Thaçi përmendi takimet të cilat sipas tij i ka zhvilluar me kryetarët e sapozgjedhur, duke përfshirë edhe kryetarët serbë, e të cilët sipas Thaçit kanë shprehur gatishmëri për të bashkëpunuar ngushtë me Qeverinë e Republikës së Kosovës.

“Mund të them se nga të gjitha takimet me kryetarët e komunave, të spektrit të ndryshëm politik, por edhe etnik, shprehet gatishmëria dhe zotimi i plotë që të bashkëpunohet ngushtë me Qeverinë e Republikës së Kosovës”, citohet të ketë thënë Thaçi, sipas Zyrës së Kryeministrit. 

“Kryetarët e rinj që janë zgjedhur, në veri dhe jug, do të respektojnë Kushtetutën dhe ligjet e Kosovës, mbi të cilat edhe janë zgjedhur”, vazhdoi më tutje Thaçi në mbledhjen  e ekzekutivit.

Ai ka ftuar të gjithë ministrat e kabinetit të tij që t’i ofrojnë bashkëpunimin më të mirë të mundshëm për të gjithë kryetarët e sapozgjedhur, pa marrë parasysh se çfarë etniteti ata kanë.

Përveç tri rregulloreve të aprovuara, të cilat kanë të bëjnë me organizimin e strukturës së tri ministrive, në mbledhjen e Qeveris së Kosovës është miratuar vendimin për themelimin e Grupit Këshillëdhënës dhe Koordinues në nivelin Nacional për Komunitetin LGBT (Lesbike, Gei, Biseksualë dhe Transgjenderë ).

Me vendim të qeverisë, ky grup do të përbëhet nga përfaqësues të Zyrës për Qeverisje të Mirë, përfaqësues të disa ministrive në Kosovë, Policisë së Kosovës, Avokatit të Popullit si dhe përfaqësues të disa organizatave joqeveritare.

Në këtë grup gjithashtu do të ketë përfaqësues ndërkombëtarë nga Zyra e Bashkimit Evropian në Kosovë, USAID-i,  si dhe përfaqësues të ambasadave në Kosovë.

Përveç kësaj, në mbledhjen e qeverisë, është miratuar edhe vendimi për ndarjen e mjeteve financiare në vlerë prej 4,500,000 euro për pagesën e skemave pensionale për vitin 2013.

Është aprovuar edhe Raporti i Vlerësimit të Rrezikut Kombëtar Kundër Pastrimit të Parave dhe Financimit të Terrorizmit në Kosovë për vitin 2013.

Ky vendim i Qeverisë obligon Ministrinë e Financave që në bashkëpunim me institucionet tjera të adresojë të gjeturat e vlerësimit të rrezikut kombëtar, përmes një strategjie përkatëse kundër pastrimit të parave, financimit të terrorizmit dhe të parandalimit të ekonomisë joformale.

Përveç miratimit të vendimeve qeveria në këtë mbledhje ka anuluar një vendim të mëhershëm të saj që lidhej me ndarjen e mjeteve për Ministrinë e Integrimeve Evropiane, pasi kjo e fundit nuk kishte nevojë për to.

“Me vendimin e aprovuar sot nga kabineti qeveritar, është anuluar vendimi i Qeverisë së Kosovës…për rindarjen e mjeteve buxhetore të vitit 2013. Sipas këtij vendimi,

mjetet e ndara për Ministrinë e Integrimeve Evropiane, do të trajtohen si kursime, për shkak se vetë Ministria e Integrimeve Evropiane ka deklaruar se nuk ka mundësi t’i shpenzojë brenda vitit buxhetor”, thuhet në njoftimin e qeverisë së Kosovës.

ETIKETA

18 Dhjetor 2013 - 17:14

Meritë Krasniqi 18/12/2013 - 17:14
NDËRVEPRIMI0
Prishtina Insight

Thaçi: Të Gjithë Kryetarët Do T’i Respektojnë Ligjet e Kosovës

by Gazeta JNK
NA NDIQNI

Send this to a friend