Thaçi i ‘gjarpëron’ përgjegjësisë për deportimin e gylenistëve

Ndarja e pushteteve, e cementuar në Kushtetutë dhe dokumente tjera ligjore, është sfiduar sot pasdite në një sallë të vogël të ndërtesës së Kuvendit në një polemikë të tejzgjatur mes Presidentit dhe disa deputetëve opozitarë.

Pas katër herësh mungesë, presidenti i vendit, Hashim Thaçi u paraqit sot para Komisionit Parlamentar Hetimor për rastin e deportimit të gjashtë shtetasve turq.

Ndonëse ishte paraparë që komisioni të intervistonte presidentin, takimi filloi me pyetjet e presidentit dhe vazhdoi për katër orë aq sa zgjati edhe takimi.

Pavarësisht se presidenti ishte ftuar në cilësinë e dëshmitarit, në të shumtën e kohës ai u bënte pyetje deputetëve të këtij komisioni. Ndërsa këta të fundit i përgjigjeshin për të gjitha pyetjet dhe akuzat që ai i hedhtë në drejtim të tyre.

Edhe pse intervistimi ishte thirrur për “gylenistët”, SHIK-u, UÇK-ja, nepotizmi, nuk u lanë pa u përmendur nga ana e presidentit si dhe vetë deputetëve.

Debati eskaloi deri në atë formë sa që deputetët dhanë cilësime të ndryshme për njëri-tjetrin, dikush ‘mercenarë’, dikush ‘zvarranik’, e dikush ‘i poshtër’, ishin këto disa nga cilësimet që presidenti dhe deputetët ia adresuan njëri tjetrit.

Në këtë takim u diskutuan pothuajse të gjitha temat, përveç temës për të cilën edhe ishte thirrur presidenti.

Asnjëri nga deputetët përveç Frashër Krasniqit nuk e pati mundësinë ta pyes presidentin për ‘rolin’ e tij në deportimin e gjashtë shtetasve turq, mirëpo edhe pyetja e këtij të fundit hasi në ‘veshin e shurdhër’ të presidentit. Pasi që deputetët por edhe vet presidenti ishin më shumë të fokusuar në debate të tjera sesa në këtë për ‘gylenistët’.

Ndërsa i gjithë takimi u përmbyll pa rezultat duke iu lënë qytetarëve ta gjykojnë të gjithë procesin.

Pjesa e parë, presidenti ‘merr’ në pyetje anëtarët e komisionit

Ashtu siç kishte kërkuar edhe vet, presidenti u shfaq para komisionit në ora 13:00, me të dhënë betimin, pyetjet nuk i bënë deputetët, por vet presidenti kërkoi që të bëjë pyetje në lidhje me ekspertin ndërkombëtarë të angazhuar nga vet komisioni.

“Kush është eksperti dhe po dëshiroj të shoh një CV që e ka dhe qysh e ka ndërtu raportin sepse kjo lidhet me çështje ndërkombëtare. Kërkoj procesverbalin e asaj dite kur komisioni ka miratuar atë ekspertë. Ta di para kujt të jap deklaratë dhe nga kush futet për ne ekspertizë”, tha Thaçi.

E rreth pyetjes për ekspertin, deputeti nga AAK, Muharrem Nitaj tha se nuk kanë pasur shumë informacione për ekspertin e angazhuar amerikan dhe se ai është kontraktuar nga deputeti i VV-së, Sami Kurteshi.

“Realisht nuk kemi shumë informacione për ekspertin, e vërteta është që është kontraktuar me ndihmën e Sami Kurteshi ka qenë asistent i tij sa ka qenë avokat i popullit. Nuk kemi informacione, nëse ju si president keni informacione ju lutem na e thoni, në rastin konkret eksperti është marrë me përgatitjen e një draft raporti dhe ky raport eventualisht mund të hedhet poshtë.”, tha ai.

Gjatë diskutimeve për ekspertin ndërkombëtar, anëtarët e Komisionit Hetimor u përfshinë në polemika dhe akuza të ndryshme për raportin e Tienmu Ma, i cili gjeti 31 shkelje gjatë dëbimit të “gylenistëve”.

E menjëherë pas deklaratës së Nitajt, reagoi deputeti Sami Kurteshi i cili presidentin e ‘përgëzoi’ për skenarin e përgatitur, si dhe u përkujdes  që të jepte informacione për ekspertin e angazhuar.

“Skenari për prishjen e mbledhjes së komisionit parlamentar po shihet hapur nga ana e presidentit, krejt çështjet ligjore çka të keni nxirrni në letër qitni, asnjë drejtë nuk keni me këtë çka po bëni, na e kemi një komision parlamentar që e ka kriju kuvendi. Çka të keni vërejtje ajo i ndihmon punës, eksperti është Tienmu Ma, që ka punu te avokati i popullit është doktorant i universitetit të Jelit, Oxford dhe Lucernit në filozofi juridike, dhe është ndër më të përëatiturit, punon ende te avokati i popullit”, tha ai.

Në të gjithë këtë ‘debat’ u përfshi edhe antari i komisionit në PSD, Frashër Krasniqi, edhe ai u ‘pajtua’ me konstatimin e Kurteshit se e gjitha kjo është një ‘skenarë’, mirëpo ishte i vetemi deputet i komisionit i cili arriti ta pyeste presidentin për ‘rolin’ e tij në deportimin e ëjashtë shtetsave turq.

“Z. president a ju ka thirre presidenti Erdogan në telefon para se të bëhej depërtomi i shtatasve turq a e keni ditë që deportimi ka mu bo nga vartësit tuaj”, ka pyetur deputeti Krasniqi.

Kjo pyetje e Krasniqit nuk morri përgjigje as në pjesën e parë të inervistimit e as në të dytën.

‘Përplasja’ e deputetit Sami Kurteshi me presidentin

Një orë pauzë nuk i ka mjaftuar presidentit për ta ‘harruar’ pyetjen e tij për legjitimitetin  ekspertin amerikan. Ndonëse me 20 minuta vonesë presidenti u kthye duke refuzuar të përgjigjet në pyetjet e anëtareve të komisionit pa marrë përgjigje për pyetjet e tij.

Fakti që eksperti amerikan ka qenë i angazhuar në institucionin e Avokatit të Popullit në kohën sa në krye të këtij institucioni ishte deputeti Sami Kurteshi ‘ngjalli’ edhe më shumë kureshtjen e presidentit për ekspertin.

E këtë ‘fakt’ presidenti e përdori në të gjitha replikat e tij me deputetin Sami Kurteshi duke e kontestuar edhe më shumë ligjshmërinë dhe paanshmërinë e ekspertit Tienmu Ma.

“Përsëri e theksoj shumë hapur dhe qartë, respektoj ligjshmërinë e themelimit të komisionit hetimor, por në të njëjtën kohë duke respektuar ligjin dhe duke u bazuar në konfirmimin e z. Kurteshi ku konfirmoj se eksperti ndërkombëtar është miku i tij që ka punuar me të, Sami nuk fitoni poena politik, unë kam pas poena politik 7 herë ju kam mujt, kom refuzu me të marrë në parti kur je kon anëtar i ShIK ut”, tha Thaçi.

Ndërsa, anëtari i Komisionit nga LVV-ja, Sami Kurteshi, këto deklarime i quajti shpifje.

“Këto janë shpifje, janë fore të killafta. Këto janë shpifje publike”, tha ai.

Madje në të gjithë debatin e tij me deputetët presidenti e pati përkrahjen e ish-bashkpartiakëve deputetit të ‘zëshëm’ Hajdar Beqa si dhe deputetes së ‘heshtur’  Ganimete Musliu.

Mirëpo presidenti nuk u ndalë me kaq, në ‘përballjen’ e tij me deputetin Kuteshi ai tha që edhe pozitën e Avokatit të Popullit, Sami Kurteshi e ka marrë në saj të tij.

Tensionet në Komisionin Parlamentar Hetimor për deportimin e gylenistëve po vazhdojnë mes Presidentit, Hashim Thaçi dhe anëtareve të këtij komisioni.

Kryetari i Komisionit, Xhelal Sveçla i’u drejtua Thaçit se eksperti i angazhuar nga ky komision ka 5 vite që punon për Avokatin e Popullit.

“Eksperti ka 5 vjet që punon për avokatin e popullit i angazhuar nga Këshilli i Evropës.”, tha Xheval Sveçla.

Ndërkaq, Thaçi u përgjigj, se anëtarin e Komisionit Sami Kurteshin e ka bërë Avokat të Popullit me të njohshëm.

“O Avokat të Popullit e kam bë unë me të njohshëm, mezi dikur e kam bë”, tha Presidenti.

Pastaj ndërhyri Kurteshi i cili e mohoi këtë.

“Po unë e kam zgjedh o Sami, ti e din ardh mu ke lut si zvarranik për mu zgjedhë, po mos bë hajgare”, iu përgjigj Presidenti duke qeshur.

Mes akuzave tjera, Thaçi iu drejtua shumë herë me ‘dashuri’ deputetit Kurteshit

“Sami, po i mirë je, i lezetshëm”, tha Thaçi. Gjithashtu, Presidenti e quajti edhe ‘djalë kreativ’, ‘baby face’ dhe i tha se ‘nuk u rrit kurrë’.

Nuk ‘harrohet’ pa u përmendur edhe UÇK-ja

Në intervistimin e anëtarëve të Komisionit, presidenti nuk ‘kurseu’ as deputetin Anton Quni. Mirëpo kësaj radhe me ndihmën e ish-bashkpartiakut Hajdar Beqa.

Nga tema për ‘gylenistët kaluan në temën e luftës e të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Anëtari nga LDK-, Anton Quni duke e parë heshtjen e presidentit për rastin e deportimit të gjashtë shtetetasve turq e këshilloi që të mos frigohet në kohë paqeje.

“ E di që jeni frigu gjatë luftës por nuk e kuptoj pse frikoheni në paqe” tha Quni.

E në krah i doli Presidentit anëtari i PDK-së, Hajdar Beqa.

“Ti nuk ki vjet sa kam unë veprime në luftë, ti nuk je kon në saf të parë, ti je kon ma larg be Anton, lufta e UÇK-së është e shenjtë dhe nuk mundet me folë një njeri që ka ardhur me korrespodencë me luftë”, tha Beqa.

Ndërsa Quni u ‘përkujdes’ që tia ‘rikujtonte’ frikën e luftës deputetit Beqa

Kur e kemi bo ni udhëtim me ty në luftë aq shumë je tut sa u dashtë me të mbajtë në prehën” tha Quni.

Për këtë reagoi presidentit, Hashim Thaçi, ku i tha Qunit “mercenar lufte”.

“Ti në luftë je kon ka fundi një komë e ke shti në Kosovë një komë për Shqipëri, je hi në Kosovë pasi u kthy NATO, ti ke qenë një mercenar i paguar duke luftuar me uniformë. Ty duhet me të ardhë turp për shumë sene. Ti mercenari që asnjë ditë luftë nuk e ki në territorin e Kosovës dhe duhet më të ardhë turp për shumë sene”, tha Thaçi.

Ndërsa deputeti Anton Quni, në kundërpërgjigjen e tij drejtuar Hashim Thaccit, tha “Unë jam paguar nga institucionet me ligj, ti ke marrë sa ke mujtë”.

E në të gjithë këtë ‘muhabet’ të luftës presidenti heç edhe kravatën.

Deputetët e LDK-së drejtojnë gishti kah presidenti për depërtimin e shtetasve turq

Anëtari i Komisionit Hetimor për ‘gylenistët”, Driton Selmanaj (LDK) e ka akuzuar drejtpërdrejt Presidentin Thaçi për përfshirje në rastin e dëbimit të gjashtë shtetasve turq.

Selmanaj tha se Presidenti është i tensionuar pasi  “ai qëndron prapa kësaj”.

“Rri i qetë dëshmo çka ki me dëshmu, unë qysh po e shoh krejt është mos me kry obligimin Kushtetues, ju jeni ai që qëndroni mbrapa kësaj. Ti je mbrapa krejt këtij rasti prandaj edhe po qëndroni në tension. A je ti ai që ke dhënë urdhër, vetëm kësaj përgjigjju”, tha Selmanaj.

“S’ke ku me ikë, ti je përgjegjës për këto”, vazhdoi më tej ai drejtuar Presidentit.

Edhe deputeti tjetër nga radhët e LDK-së, Anton Quni tha se të gjitha rrugët për rastin e ndriçimit të dëbimit të gjashtë turqve nga Kosova, dërgojnë te presidenti Thaçi.

Këto deklarime u bënë në mbledhjen e Komisionit Hetimor për rastin e deportimit të “gylenistëve”.

“Në lidhje me ekspertin, ne kemi pas në dispozicion shumë dokumente dhe me të gjitha këto dëshmi nuk rezulton që ne kemi në dispozicion informata sensitive, eksperti ka mujt me marrë informata at sa kanë pas mediat, kështu që nuk ka pasur asnjë rrezik për sigurinë kombëtare. Sensacion do të jetë nëse i marrim përgjigjet nga ju, të gjitha rrugët dërgojnë në një adresë, në adresën e juaj”, tha Quni.

“Z. President e di që jeni frikuar gjatë luftës por nuk e kuptoj pse frikoheni në paqe”, i tha Quni, Thaçit.

Dorëzohen deputetët kërkojnë ndërprehet mbledhja

Mes akuzash, kundër akuzash e përqeshje ndaj deklaratave të njëri tjetrit, deputetët pajtohen në një pikë dhe kërkojnë që kjo mbledhje të përfundoj duke ia lënë publikut të gjykojnë ‘mosgatishmërinë’ e presidentit.

Kryesuesi i Komisionit, Xhelal Sveçla konstatoi se nuk ka kushte për të vazhduar mbledhjen, për shkak se Presidenti refuzoi të përgjigjet në pyetjet e anëtarëve të komisionit.

“Konstatoj që nuk ekzistojnë kushtet për punë, meqenëse Presidenti refuzon t’i  përgjigjet pyetjeve të anëtarëve të Komisionit dhe me kaq e mbylli këtë takim”, tha ai.

Por, gjatë deklaratës së Sveçlës, ndërhyri Presidenti Thaçi.

“Jo, vetëm edhe një sqarim se…Do të thotë nuk jeni të gatshëm me më dëgju. Okej. Faleminderit shumë, kur të ju bohen punët juve. Ne..me qetësi, dashuri, respekt”, përfundoi Presidenti.

Paraprakisht, Driton Selmanaj nga LDK-ja kërkoi të mos fyhet inteligjenca e qytetarëve me vazhdimin e kësaj mbledhje.

“Me qenë se jemi në këtë situatë, ne mund të rrimë me javë këtu, baza ligjore është shumë e saktë na jep të drejtë me angazhu, kontestoje në gjykatë, paditna, krijoji 5 mbi komisione mbi neve. Nuk keni marrë mundin një shkronjë me na thanë… keni ardh kur janë deklaru 5/6 zyre ndërkombëtarë. Nuk konsideroj qe ne mund të shkojmë në trajtim me këtë skenar president-PDK sepse nuk është ne rregull me familjet që ja kemi qu burrat me thes në kry”, tha ai.

Kurse, Muharrem Nitaj nga AAK-ja, tha se sot qytetarët kanë parë shfaqje në këtë komision.

“Presidenti nuk është i gatshëm, keni bo një shfaqje fantastike për qytetarët e Kosovës për shkak që presidenti ka një kërkesë që nuk mund të realizohet brenda ditës, kështu që kryetarë unë ju ftoj me e mbyllë mbledhjen le ta vlerësojnë qytetarët kujt i bie barra”, tha ai.

Ndërsa, Sami Kurteshi nga LVV-ja u shpreh se Thaçi është i gatshëm të bëjë shpifje personale.

“Presidenti, Hashim Thaçi me të gjitha lojërat që i bënë nuk është i gatshëm që të përgjigjet në asnjë pyetje, përkundrazi është i gatshëm të bëjë shpifje personale, unë konstatoj që presidenti nuk është i gatshëm të përgjigjet në pyetjet e komisionit parlamentar”, tha ai.

Ndërkaq, presidenti iu kundërpërgjigj sërish Kurteshit.

“Unë vetëm mund të them që ndoshta kam bë keq që nuk të kam thirrë z.Kurteshi por Sami”, tha ai.