Ramush Haradinaj e Hashim Thaçi

Thaçi e Haradinaj në garë për mbështetjen e Amerikës

Presidenti dhe kryeministri i Kosovës kanë ngecur në një luftë për të bërë që Uashingtoni  të mbështesë pikëpamje të kundërta përsa i takon një zgjidhjeje me Serbinë.

Në mes të udhëtimit të tij në dukje të suksesshme në SHBA, presidenti i Kosovës Hashim Thaçi u zgjua të mërkurën e kaluar për të gjetur një artikull në ​​në Washington Post-in prestigjioz të shkruar nga kryeministri i tij, Ramush Haradinaj, që dëmtonte haptazi turin e Thaçit.

Ndërsa Thaçi po përpiqej të fitonte mbështetje në Uashington për idenë e tij – dhe të presidentit serb Aleksandër Vuçiç – për ndryshimet kufitare si pjesë e një zgjidhjeje përfundimtare, artikulli i Haradinajt e denoncoi idenë, duke e quajtur atë një “përpjekje të dritëshkurtër për t’iu dorëzuar një bulluesi (Serbisë) me shpresën se bullizmi do të marrë fund.”

Në një event të mëvonshëm të mbajtur në Uashington nga Këshilli i Atlantikut të premten, Thaçi anashkaloi një pyetje nga BIRN në lidhje me faktin nëse ai e kishte lexuar apo jo shkrimin e Haradinajt.

Duke mos pranuar të sqarojë nëse ai dhe Haradinaj po konkurronin për mbështetjen e Amerikës, Thaçi tha vetëm se “Kosova do të jetë e bashkuar, aq sa mund të jetë”.

“Nuk di ndonjë rast në botë ku dy shtete, dy liderë, pas një konflikti shekullor, kanë arritur një marrëveshje paqeje me 100 për qind mbështetje të elektorateve të veta,” shtoi ai – duke mos e përmendur Haradinajn – duke iu referuar planit që ai dhe Vuçiçi parashtruan këtë verë, duke propozuar këmbime etnike si një rrugë drejt njohjes reciproke.

Thaçi tha se nuk i kishte harruar viktimat shqiptare të Kosovës të luftës për pavarësi me Serbinë, por vendi tani duhet të vazhdonte para.

“Ne nuk jemi të vetmet vende në botë që kanë qenë në luftë në të kaluarën dhe kanë arritur një marrëveshje paqeje. Nuk mund të vazhdojmë të sulmojmë njëri-tjetrin në lidhje me të kaluarën tonë. Ne duhet të punojmë së bashku për të ardhmen tonë,” tha Thaçi.

Vizione konkurruese në Uashington

Lëvizja e Thaçit dhe kundërpërgjigja e Haradinajt përbëjnë një luftë të vazhdueshme midis dy figurave kryesore politike në Kosovë për të fituar mbështetjen e SHBA-së për pikëpamjet e tyre të kundërta mbi të ardhmen e Kosovës.

Daniel Vajdich, i Këshillit të Atlantikut, tha për BIRN se publikimi i artikullit të Haradinajt “pa dyshim ishte për të dëmtuar Thaçin dhe vizitën e tij në Shtetet e Bashkuara”.

“Haradinaj dhe Thaçi janë në anë të kundërta për të arritur një lloj marrëveshjeje me Serbinë,” tha Vajdich për BIRN, duke kujtuar kundërshtimin e mëparshëm të Haradinajt për një marrëveshje demarkacioni të kufirit me Malin e Zi. “Këto janë politikat e tij.”

“Thaçi ndërkohë shikon përfitime në gjetjen e një zgjidhjeje që çon para interesat e Prishtinës, por është gjithashtu e pranueshme për Beogradin, Brukselin, Uashingtonin dhe madje Moskën,” shtoi Vajdich.

Në udhëtimin e tij në SHBA, Thaçi ka takuar pothuajse çdo person të rëndësishëm për Ballkanin, përveç presidentit Donald Trump.

Pas vizitës së tij në Uashington, ai shkoi në Dallas, Teksas dhe u kthye, duke takuar çdo anëtarë të rëndësishëm të Kongresit.

Ai i dha ish-presidentit të SHBA-së Xhorxh W. Bush Urdhrin e Pavarësisë së Kosovës dhe vizitoi organizatat më me influencë atje.

Thaçi kërkon mbështetje dypalëshe në SHBA për një marrëveshje me Serbinë që do të përfshinte ripërcaktimin e kufirit Kosovë-Serbi.

Pas takimit me Sekretarin e Shtetit të SHBA-së, Mike Pompeo, ky i fundit dukej se ishte mbështetës, duke thënë se ai “e inkurajonte Kosovën që ta kapë këtë mundësi unike për të arritur një marrëveshje historike gjithëpërfshirëse normalizimi me Serbinë”.

Këshilltari i Çështjeve Kombëtare të Sigurisë të Trumpit, John Bolton, postoi në Twitter diçka të ngjashme. “Tani është koha që Kosova dhe Serbia të arrijnë një marrëveshje,” shkroi ai.

Vajdich tha për BIRN se postimi i Bolton në veçanti, tregonte se Thaçi po bënte përpara.

“Qëllimi i vizitës së Thaçit ishte të fitonte mbështetje për arritjen e një marrëveshjeje me Beogradin, për të cilën Haradinaj është kundër. Bazuar në postimin në Tëitter të Këshilltarit të Sigurisë Kombëtare John Bolton, se tani është koha për të arritur një kompromis, vizita e Thaçit duket se ka qenë e suksesshme,” tha ai.

Por Haradinaj nuk tërhiqet nga qëndrimi i tij kundër shkëmbimit të territorit si çmim të një marrëveshjeje.

Duke iu referuar një artikulli të Reuters mbi shkëmbimin e propozuar të territorit, Haradinaj hodhi poshtë idenë se Vuçiçi, i mbështetur nga Rusia, do ta njihte Kosovën nëse kjo e fundit heq dorë nga një pjesë e territorit të saj, duke e quajtur atë “të turpshme”.

“Ky është një çmim shumë i lartë për të paguar. Ne nuk do të shkelim kushtetutën tonë, s’do të heqim dorë nga sovraniteti jonë dhe të shkatërrojmë integritetin tonë territorial vetëm që Serbia të njohë diçka që tashmë është një fakt,” shkroi Haradinaj.

Për më tepër, Haradinaj pohoi se shumica e njerëzve mbështesin anën e tij të argumentit.

Duke cituar një sondazh të kryer nga Institutit Demokratik të Kosovës, ai shkroi se 77.6 për qind e qytetarëve të Kosovës kundërshtojnë shkëmbimin territorial.

“Si kryeministër i vendit, kurrë nuk do ta mbështesja një tregti të tillë,” shtoi Haradinaj.

Megjithatë, Thaçi  tha se ai kurrë nuk priste që propozimi i tij të ishte popullor.

“Jam shumë i kënaqur me mendimin e qytetarëve të Kosovës, por nuk pres që të marr 100 për qind mbështetje nga të gjithë,” tha Thaçi për BIRN në përgjigjen e tij në lidhje me një pyetje për mbështetjen popullore.

Asnjë marrëveshje në atë që nënkupton “ndryshimi i kufijve”

Haradinaj pohon se një marrëveshje e suksesshme midis Serbisë dhe Kosovës duhet të ketë mbështetjen e shumicës në të dy vendet.

Daniel Serwer, profesor në Universitetin Johns Hopkins, tha se kjo as që pritet.

“Vuçiq dhe Thaçi janë ende larg asaj që secili prej tyre do ta gjente të pranueshme. Dhe as nuk ka gjasa që marrëveshja që dëshiron tjetri të miratohet në parlament,” tha Serwer për BIRN duke iu referuar faktit se asnjëra palë nuk ka sqaruar se çfarë ndryshimesh kufitare kanë në mendje.

Ndërsa Thaçi ka përmendur vetëm bashkimin me Kosovën të zonave me shumicë shqiptare të Serbisë jugore, Serbia po mendon kryesisht për bashkimin me Serbinë kryesisht të pjesëve me shumicë serbe të Kosovës veriore.

Serwer mendon se Thaçi dëshiron një marrëveshje me Serbinë, por sheh një problem në qasjen e tij me aktorët kryesorë të SHBA-së.

Ai “e sheh SHBA-ne si një aleat potencial, por Vuçiq mendon të njëjtën gjë. Ata nuk mund të kenë të dy të drejtë,” tha Serwer për BIRN.

Serwer gjithmonë ka menduar se ideja e ndryshimit të kufirit është një ide e keqe dhe këmbëngul se ideja tani është “kryesisht e vdekur”.

“Por idetë e këqija nuk vdesin kurrë plotësisht. Ato mbeten zombi. Dikush përpiqet gjithmonë t’i ringjallë ato, por nuk ia dalin kurrë mbanë,” tha ai.

Pavarësisht pikëpamjeve kontradiktore të liderëve të Kosovës dhe Serbisë, Daniel Vajdich, nga ana tjetër, beson se duke qenë se shumica e aktorëve të rëndësishëm në SHBA kanë pranuar parimin e ndryshimeve të kufijve, i mbetet Prishtinës dhe Beogradit të arrijnë një marrëveshje.

“Mbajtja e status quo-së për 30, 50 apo 100 vitet e ardhshme dëmton të dyja palët,” tha ai për BIRN.