Kandidatët për kryetar të Prishtinës. Ilustrimi: Trembelat

Tetëshja e Madhërishme: Maratona për Kryetar të Prishtinës

Më 22 tetor 2017, vendvotimet do të hapen për zgjedhje lokale në Kosovë, ku 38 komuna do të zgjedhin kryetarët dhe asambleistët e tyre. Janë gjithsej tetë kandidatë që garojnë për postin e kryetarit të Prishtinës. Çdonjëri prej tyre pretendon të ketë zgjidhje për shumë nga problemet e kryeqytetit — nga mbingarkesa në trafik, deri tek ndotja e ajrit, trajtimi i ndërtimeve të paligjshme, qasja në shëndetësi, kushte më të mira nëpër shkolla, lufta kundër nepotizmit, modernizimi i administratës, nevoja për më shumë parqe dhe hapësira të gjelbra, nevoja për uljen e ndotjes akustike nga kafetë dhe baret që janë shumë afër zonave rezidenciale, dhe të gjitha këto duke e siguruar një atmosferë pro-biznesit.

Afaristi i shndërruar në yll të rrjeteve sociale

Selim Pacolli, drejtor gjeneral i Swiss Diamond Hotel, garon nën flamurin e Aleancës Kosova e Re, AKR-së. Ka prapavijë në ekonomi dhe më parë ka pasur një sërë pozitash të larta nëpër kompani vendore dhe ndërkombëtare.

Pacolli e filloi fushatën e tij (para)zgjedhore me një sërë video-selfieve të sponzoruara nëpër Facebook dhe Instagram duke ftuar qytetarët ta kontaktojnë në numrin e tij të Viber-it. “Më dërgoni një tekst, fotografi ose video me pyetjet, sugjerimet apo shqetësimet e juaja”, thotë Pacolli në një nga videot e tija të hershme të incizuar në Sheshin Skënderbeu të Prishtinës.

Përpos pranimit të shqetësimeve legjitime nga qytetarët, Interneti duke qenë ‘vend’ i vrazhdë e i pashpirt, nuk u desh gjatë që shakatë të fillojnë dhe që rrjetet sociale të mbushën me kërkesa shakaplote nga qytetarët. Sidoqoftë, Pacolli i qëndroi besnik strategjisë së tij parësore dhe i thirri të gjithë konkurrentët që t’i bashkoheshin në festimin e ditëlindjes së tij, e cila rastësoi me fillimin e fushatës. Asnjë prej konkurrentëve të tij nuk i erdhi.

Selim Pacolli (AKR). Ilustrimi: Trembelat

Përpos fushatës virtuale, Pacollit gjithashtu i ka rënë të bëjë fushatë derë-më-derë dhe t’ua shtrëngojë duart qytetarëve. Sidoqoftë, janë premtimet sikur ato në faqen e tij të Facebook-ut që më së miri përshkruajnë prioritetet e tija: zhvendosja e institucioneve qeveritare jashtë Prishtinës, si dhe zvogëlimi i numrit të makinave për 20 përqind, për ta çliruar qytetin dhe për t’ja kthyer atë qytetarëve.

Numri i Viber-it i Pacollit është tanimë i shkruar pranë fytyrës së tij nëpër afishe gjigande anembanë Prishtinës. Ekipi i tij i marketingut padyshim se vlen sa pesha e tyre në flori. Nëse shkohet sipas thënies “nuk ka publicitet që është i keq”, dhe nëse shkrimi në Twitter ia mundësoi Trump-it fitoren, atëherë pse të mos shfrytëzohet kjofarë magjie e internetit deri në maksimum — nga marifetet si ngasja e taksisë, kalimi i një pasditeje me një skuadër të kompanisë ‘Pastrimi’ për të mbledhur mbeturinat kontejnerëve të qytetit, aktivitet të cilin gjykatësit e zgjedhjeve (PZAP) e gjykuan si antiligjor dhe e gjobitën për këtë veprim, e deri te maskimi si gazetar për t’i intervistuar qytetarët për problemet e tyre.

Kontabilisti Kuantik

Shyqiri Bytyqi është kandidati nga NISMA për Kosovën, edhe pse ai sapo ka pranuar punën e vështirë të Ministrit të Arsimit, Shkencës, dhe Teknologjisë me qeverinë e Ramush Haradinajt. Bytyqi është ekonomist dhe kontabilist e auditor i certifikuar. Ka qenë këshilltar për Bankën Botërore dhe Odën Ekonomike Amerikane në Kosovë dhe thotë se është një nga themeluesit e Administratës Tatimore të Kosovës.

Së fundi, në rolin e tij si Ministër i Arsimit, me kërkesë zyrtare nga Kryeministri Haradinaj, Bytyqi shkarkoi të tërë bordin dhe ushtruesin e detyrës së drejtorit të Agjencisë Kosovare të Akreditimit — gjë që shkaktoi kritika nga shoqëria civile.

Shyqiri Bytyqi (NISMA). Ilustrimi: Trembelat

Edhe pse fizika kuantike teorikisht mundëson që një objekt të ndodhet në dy vende të ndryshme në të njëjtën kohë, dyshojmë që sektori i shkencës dhe teknologjisë brenda ministrisë që Bytyqi drejton të ketë prodhuar një prototip makine e cila do t’ia mundësonte Bytyqit të jetë edhe ministër edhe kryetar komune. Kështuqë, duket se puna e re e Bytyqit e parandaloi atë të bëjë fushatë aktive në krahasim me konkurrentët e tij. Bazuar në paraqitjen e tij të cunguar mediatike, përqendrimi i tij për kryeqytetin duket të jetë kultura.

Ambientalisti

Rifat Deri garon si pjesë e partisë së sapoformuar Alternativa. Ai ka prapavijë në ekonomi dhe kontabilitet, dhe e udhëheq një biznes privat. Prioriteti i tij parësor është mbrojtja e ambientit, dhe për ta pastruar Prishtinën ai propozon një strategji me përqendrim në tri fusha: ajër, ujë, dhe mbeturina. Deri përmend nevojën urgjente për të kufizuar gazrat ndotëse nga mjetet transportuese, nxemja, djegia e mbeturinave, dhe shkarkimet e pakontrolluara të gazrave nga termocentralet me thëngjill.

Rifat Deri (Alternativa). Ilustrimi: Trembelat

Ai propozon ndërtimin e një deponie të re mbeturinash, rreth 30 deri 40 hektarë, e cila gjithashtu do të bashkëpunonte me kompanitë e reciklimit për të trajtuar 75 përqind të mbeturinave të Prishtinës, të cilat sipas Derit, janë të reciklueshme. Ai thekson nevojën për ndërtimin, nëpërmjet donacioneve, të një impianti për trajtimin e ujërave të zeza, ngaqë Prishtina është i vetmi kryeqytet në regjion të cilit i mungon një i tillë.

Në thirrjet e tij për urbanizim taktik, Deri propozon zgjidhje për ngarkesat në trafik përmes krijimit të “unazës së brendshme” të Prishtinës duke e shndërruar shumicën e rrugëve në një-anësore, brenda muajit të parë të mandatit të tij. Kjo, sipas Derit, do të shkurtonte kohëzgjatjen e udhëtimeve brenda qytetit për një të tretën.

Qytetari Bujk

Avni Çakmaku — i cili është magjistër i sociologjisë, dhe e konsideron veten si ‘mjek i shoqërisë’ pasi që “diagnostifikojmë edhe japim terapi për rrethana shoqëroro ekonomike” — garon me Fjalën, partinë e sapokrijuar konservatore fetare, rishtas të çarë nga Partia e Drejtësisë.

Avni Çakmaku (Fjala). Ilustrimi: Trembelat

Prioritet i Çakmakut për Prishtinën është zhvillimi ekonomik përmes zhvillimit të bujqësisë, blegtorisë, dhe pemëtarisë. Çakmaku thotë se plani i tij do ta zgjasë sezonin e prodhimit në plot 12 muaj të vitit dhe nga kjo do të përfitonin zonat përreth Prishtinës si Barileva, Prugovci, Bërnica, Besia, Bardhoshi, Shkabaj, dhe regjioni i Gollakut. Një gjë e tillë do të arrihej përmes subvencioneve për sera, një projekti për ta drejtuar ujin e ngrohtë prej termocentraleve për t’u përdorur për vaditje gjatë dimrit, si dhe me ndërtimin e një impianti për të trajtuar ujërat e zeza në mënyrë që të parandalohet ndotja e tokave pjellore.

“Në fazën e dytë do të fillonte industrializimi i këtyre veprimtarive duke investuar në industrinë përpunuese”, tha Çakmaku për Prishtina Insight përmes emailit. Çakmaku bën thirrje për një rishikim të tatimit në pronë, pasi që, sipas tij, Prishtina paguan dhjetë herë më shumë sesa Tirana.

Shfronëzuesi në Fron

Shpend Ahmeti është kryetari i tanishëm i Prishtinës dhe garon sërish nën flamurin e Vetëvendosjes. Para katër viteve ai në balotazh rrëzoi nga froni Isa Mustafën, kreun e LDK-së, duke thyer kështu vitegjatësinë e Prishtinës si bastion i LDK-së.

Shpend Ahmeti (VV). Ilustrimi: Trembelat

Gjatë katër viteve të kaluara, administrata e tij ka punuar për të ndalur ndërtimet ilegale në qytet, ka siguruar mëngjese pa pagesë për nxënësit, ka rritur transparencën e të dhënave të komunës, e ka riorganizuar administratën për të punuar në mënyrë më efikase — tani dokumentet zyrtare mund të nxirren përmes kiosqeve elektronike — dhe ka sjellë një flotë të autobusëve të rinj për sistemin e transportit publik.

Nga aga tjetër, rivalët e Ahmetit e kanë kritikuar se shumë nga projektet për të cilat ai merr lavde — si sjellja e ujit 24 orë, ose kompletimi i ndërtimit të disa rrugëve të gjëra — kishin filluar gjatë administratave të kaluara dhe rastësisht kanë përfunduar gjatë mandatit të tij. Ai gjithashtu është akuzuar me ngufatje të biznesit ndërtimor për shkak të implementimit të politikave të tij të urbanizmit.

Ahmeti iu pat futur politikës si senator dhe pastaj si kryetar i qeverisë studentore në Universitetin Amerikan në Bullgari. Ai pastaj vazhdoi arsimin në Kennedy School of Government në Harvard. Por, prapëseprapë, janë ca gjëra që vetëm rrugët e Prishtinës, dhe ecja në këpucë të kryetarit të saj, t’i mëson. Një prej tyre është edhe zbulesa se mospasja e votave të duhura në asamblenë komunale mund të ta vështirësojë shumë punën.

Dhe kështu, gjatë fjalimit të tij gjatë hapjes së fushatës zgjedhore, Ahmeti i bëri thirrje përkrahësve të tij për këtë çështje. “Po (ju) kërkoj votën jo vetëm për kryetar por edhe për kuvend komunal”.

Për mandatin e ardhshëm, Ahmeti iu betua një liste prej dhjetë premtimesh dhe njëqind zotimesh. Do të mbetet të shihet nëse ato do jenë të mjaftueshme për t’ia siguruar edhe një mandat, apo nëse ndonjë nga rivalët e tij do të jetë ai që do ta rrëzoi nga froni shfronëzuesin.

I Dërguari i Lidhjes

I shkolluar në Universitetin e Sussex-it, Arban Abrashi garon si kandidat i Lidhjes Demokratike të Kosovës, LDK-së. 38 vjeçari momentalisht është deputet dhe ka qenë Ministër i Punës dhe Mirëqenies Sociale në Qeverinë Mustafa.

Arban Abrashi (LDK). Ilustrimi: Trembelat

Nga thellësitë e nëndegëve dhe strukturave organizative të LDK-së, mes konsultimesh dhe diskutimesh, zërat janë bashkuar në përkrahje të kandidaturës së Abrashit. I përzgjedhur për aftësinë, siç kishte thënë Abrashi në një intervistë për Rrokum TV, “për m’i kry do punë t’mdhaja” dhe sepse është “i afërt me qytetarët”, lidershipi i partisë e ka zgjedhur për t’ia kthyer LDK-së lavdinë dhe për t’i ndihmuar ta rimarri qytetin të cilin ajo e konsideron si të sajin.

“Do ta ndryshojmë qasjen ndaj vet Prishtinës”, tha Abrashi gjatë fushatës së tij. “Ne mendojmë që nevojitet një qasje ndryshe zhvillimore. Ne kemi evidentuar se Prishtina ka shumë nevoja për investime të mëdha infrastrukturore, të cilat i kemi dizajnuar dhe planifikuar, ka nevoja të intervenimit në shumë sektorë, siç janë çështjet mjedisore, sektori i arsimit, shëndetësisë, sektori i kulturës”.

Zëri

Arbër Vllahiu — ish këshilltari i ish-Presidentes Jahjaga, dhe ish gazetari i BBC-së, Deutsche Welle-s, dhe Radios Europa e Lirë — kandidon në emër të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, AAK. Momentalisht është zëdhënësi i Qeverisë Haradinaj.

Arbër Vllahiu (AAK). Ilustrimi: Trembelat

Të qenit zëri i qeverisë i sjell disa përfitime për sa i përket përvojës: mund ta dish se çfarë lloj gjuhe dhezë më së miri me votuesit. Vllahiu vendosi t’i joshë qytetarët përmes konceptit të besës.

“(Prishtina) ka me ndryshu me njerëzit që besën nuk e kanë shkelë kurrë“, tha Vllahiu gjatë një tubimi të fushatës. “Ju kanë premtu shumëçka tjerët. Tash së fundi, ju kanë dhënë edhe njëqind premtime për vitet e ardhshme. Ne nuk premtojmë, por japim zgjidhje për çdo problem”.

Mbetet të shihet se si do të merret ‘zëri i zotimeve të pathyera’ me çështjet e “pafatshme që edhe pas tetëmbëdhjetë vitesh qytetarët e Prishtinës, pothuaj kudo, vazhdojnë të përballen me mungesë infrastrukture rrugore, mungesë të ujësjellësit dhe kanalizimit, mungesë të dritave, me bërllok kudo, e pa gjelbërim”, siç tha Vllahiu gjatë fjalimit të tij gjatë fushatës.

Thyesi i Murit të Katërt

Lirak Çelaj vjen nga radhët e Partisë Demokratike të Kosovës, PDK-së, dhe në të kaluarën ka mbajtur postet e deputetit, zëvëndës ministrit të Drejtësisë në Qeverinë Mustafa e drejtorit të Teatrit Kombëtar të Kosovës. Gjatë administratës së tanishme të Prishtinës, ishte asambleist në Asamblenë e Prishtinës, dhe kundërshtar dhe bllokues i zëshëm i propozimeve të Ahmetit.

Lirak Çelaj (PDK). Ilustrimi: Trembelat

Vetëm do të spekulonim nëse përvoja e gjerë e Çelajt në politikën e pasluftës do t’i ndihmojë atij gjatë fushatës, apo nëse veprimet e tija do të frymëzohen nga arti. Nëse politika është teatër, atëherë trajnimi profesional i Çelajt si aktor medoemos do të tregohej i dobishëm, jo vetëm në shfaqje por edhe në përmbajtje. A thua do t’i përvetësojë mësimet nga ‘Riçardi i III-të’ i Shekspirit, që shërbeu si frymëzim për serialin politikëplotë ‘Shtëpia e Letrave’ (House of Cards)? Apo, mbase është më shumë si ‘Koriolani’, duke pasur parasysh se Çelaj ishte pjesë e UÇK-së. Apo mbase Mark Antoni nga ‘Jul Çezari’, që pyet shokët, votuesit, bashkatdhetarët t’ia huazojnë vëmendjen dhe t’i njohin mirësitë që ua solli mbretërimi i PDK-së.

Sipas Çelaj, ai do ta shndërrojë Prishtinën në qytet të festivaleve. Ai, gjithashtu, planifikon ta shndërrojë atë në kryeqytet të teknologjisë informative, dhe ta kthejë Gollakun në një “Eko-Zonë”. Dhe krejt këto duke përfshirë edhe zgjidhjen e problemeve të trafikut të ngarkuar me vendosjen e një takse mbi makinat që hynë në Prishtinë dhe me përmirësimin e transportit publik.

Por, prapëseprapë, mbetet të shihet nëse të gjithë nga tetë kandidatët me gjithë ato premtime, mbase i ngjan më shumë magjistarit Prospero nga ‘Stuhia’ e Shekspirit.