Kadri Veseli e Ramush Haradinaj - Foto: REL/Reuters

Terenet partiake të Kadri Veselit e Ramush Haradinajt

Liderët e koalicionit PAN, kryeministri Ramush Haradinaj, i cili njëherësh është kryetar i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) dhe kryeparlamentari, njëherësh kryetar i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), mospajtimet e tyre qeverisëse po i shpërfaqin edhe në aktivitetet zyrtare që i mbajnë në lokacione të ndryshme të vendit.

Të rralla janë rastet kur partnerët e koalicionit shihen duke marrë pas vetes ministrat e partive të njëri-tjetrit, të cilët i drejtojnë dikasteret kryesore të Kosovës.

Lideri i PDK-së, Kadri Veseli gjatë vizitave që i ka zhvilluar javët e fundit, është parë në shoqërinë e ministrave nga partia e tij, si me atë të Financave Bedri Hamza, atë të Shëndetësisë, Uran Ismailin, ministrin e Kulturës Kujtim Gashi, ministrin e Drejtësisë Abelard Tahirin dhe deputetë e zyrtarë të tjerë të PDK-së.

Kryetari i PDK-së, Kadri Veseli dhe ministrat Bedri Hamza (majtas), Ablerad Tahiri (djathtas), si dhe deputeti i PDK-së, Bekim Haxhiu (prapa).
Foto: Kadri Veseli – Facebook / 29.03.2019

 

Ministri i Shëndetësisë Uran Ismaili (majtas), Kadri Veseli, kryetari i Komunës së Drenasit, Ramiz Lladrovci (djathtas)
Foto: Kadri Veseli – Facebook / 21.03.2019

Njësoj po ndodh edhe me kryeministrin Ramush Haradinaj, i cili në vizitat e tij ku është parë kryesisht bashkë me zyrtarë të AAK-së.

Kryeministri Ramush Haradinaj dhe deputeti i AAK-së, Daut Haradinaj (majtas)
Foto: Ramush Haradinaj – Facebook / 24.03.2019

Në disa aktivitete gjatë marsit të këtij viti, Haradinajn e kanë shoqëruar vëllai i tij, deputeti i AAK-së Daut Haradinaj, zëvendësministri i Mbrojtjes Burim Ramadani, shefi i grupit parlamentar të AAK-së, Ahmeti Isufi, ministri i Mbrojtjes Rrustem Berisha, zëvendësministri i Infrastrukturës dhe Transportit Rexhep Kadriu, e të tjerë.

Zëvendësministri Rexhep Kadriu (majtas), kryeministri Ramush Haradinaj dhe Shefi i GP të AAK-së, Ahmet Isufi (djathtas)
Foto: Ramush Haradinaj – Facebook / 04.03.2019

Lidhur me këtë çështje, politologu Ramush Tahiri, thotë për Gazetën Jeta në Kosovë, se zakonisht në Kosovë ndodhë që koalicionet janë vetëm formale dhe sa për ta marrë pushtetin, por pastaj siç thotë ai, të njëjtat veprojnë gjithmonë si subjekte politike.

“Kjo ka ndodhë edhe më herët por edhe tash, pa marrë parasysh a janë koalicionet parazgjedhore të qëndrueshme apo jo, a janë të vogla apo jo. Kjo është një dukuri në Kosovës, nuk është krejt e moralshme, por është e ligjshme. Ani që janë në kuadër të një koalicioni qeverisës, aktiviteti zhvillohet ashtu me ministra [ndarasi]”, theksoi ai.

Sipas Tahiri, kjo praktikë funksionon si me të gjitha partitë politike.

“Edhe kjo qeveri prej fillimit e ka pas këtë me [ndarjet] e ministrave, është si të gjitha partitë. Edhe Pacolli [kryetari i AKR-së, Behgjet Pacolli], kur i ka larguar 2-3 ministrat e tij, më nuk e ka pyetur Ramush Haradinajn, ai  vetëm e ka zbatuar urdhrin. Kështu funksionon, nuk e di a është mirë apo keq, por si konstatim kështu funksionon”, përfundoi njohësi i çështjeve politike në vend.

Analisti tjetër politik, Imer Mushkolaj thotë për Gazetën Jeta në Kosovë, se është evidente se kriza ekziston dhe se të dy palët po tregojnë se koalicioni nuk i ka punët mirë.

“Në anën tjetër, koalicioni gjendet në situatë interesante ku asnjëra palë nuk mund të bëjë diçka, nuk ka interes të ndërmarr hapa, qoftë për shkuarjen në zgjedhje të reja, qoftë për ndonjë zgjidhje tjetër. Pra, PDK nuk mendon tash të shkojë në zgjedhje, mos të harrojmë se është në procesin e brendshëm të zgjedhjeve. Njëkohësisht AAK-ja dhe po të dojë nuk mund të shkojë pa dashtë PDK-ja ose Nisma në këtë rast”, tha ai,

Sipas Mushkolajt, kjo është një situatë ku partnerët e koalicionit nuk po e durojnë njëri-tjetrin.

“Pra ka mos durueshmëri të madhe brenda koalicionit. Në anën tjetër ka pamundësi të mëdha që të gjendet zgjidhja, e cila do të duhej të ishte e lehtë nëse kemi parasysh se zgjedhjet mund të jenë kjo zgjidhje”, përfundoi analisti për Gazetën JnK.

Në anën tjetër, vetë kryeministri Ramush Haradinaj dhe kryetari i Kuvendit Kadri Veseli, thonë se aktualisht ka qëndrueshmëri të koalicionit qeverisës.

I pari i Qeverisë, në një intervistë për Emisionin “Jeta në Kosovë”, mbrëmjen e së enjtes, tha se ka pasur ndjenja të lënduara nga koalicioni me PDK-në.

https://kallxo.com/a-i-ka-rene-pishman-haradinaj-koalicionit-me-pdk-ne/

“Atëherë koalicioni i ka pas disa argumente pse duhet të ndodhë. Janë dy momente pse ndodhemi në punë, një është kontrata në tema pastaj është edhe ndjenja. Nganjëherë ndjenja edhe lëndohet. Tash ndjenja është pak më e lëndume këto kohët e fundit. Ajo që di është që ky koalicion megjithatë në disa tema me rëndësi është ka e jep provimin. Po përballet me realitetin”, u shpreh kryeministri.

Ndërsa, kreu i Kuvendit, Kadri Veseli para gazetarëve të enjten foli shkurt për ‘lëkundjen’ e koalicionit.

“Koalicioni qeverisës gjithmonë lëkundet prej vetvetit. Kur i ka ardh koha edhe lëkundet, por besoj se ende është duke qëndruar”, tha Veseli.

Kërkesa për pezullimin e tarifës doganore ndaj mallrave të Serbisë dhe Bosnjë e Hercegovinës si dhe emërimi i anëtarëve të partive në pushtet në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve, ishin vetëm disa nga temat që kanë ndikuar në krizën e koalicionit qeverisës PAN.

https://kallxo.com/taksa-vendimi-qe-po-percan-koalicionin/

‘Lëkundja’ e koalicionit PAN për KQZ-në