Terapia e Auditorit për Ministrinë e Shëndetësisë

Regjistra jo të plotë të pasurive, mos adresimi të rekomandimeve të Auditori, dobësi në menaxhimin e buxhetit, subvencionimin e pacientëve për trajtim në spitale private pa dëshmi, përdorimi i procedurave jo adekuate të prokurimit dhe vonesat në realizimin e projekteve, probleme me borxhlinjtë dhe borxhet e Ministrisë, janë disa prej të gjeturave që e kanë përcjell punën e këtij dikasteri përgjatë viteve 2014-2017.

Gazeta Jeta në Kosovë i ka analizuar raportet e Auditimit për Ministrinë e Shëndetësisë në katër vitet e fundit, që janë bërë nga Zyra Kombëtare e Auditimit (ZKA). Analiza shpërfaqë probleme te vazhdueshme të ministrisë qoftë në blerjen apo administrimin e barnave, por edhe me subvencionimin e shërimit të pacienteve nëpër institucione jashtë atyre publike.

Përveç kësaj, Auditori ka gjetur telashe të vazhdueshme në prokurim, në të gjitha fazat e tij. Dobësi janë gjetur në hartimin e specifikacioneve teknike, por edhe në fazën e vlerësimit të ofertave. Për më tepër, Auditori ka konstatuar se menaxheri i kontratës caktohet sapër të përmbushur obligimin ligjor, mirëpo ai nuk bënë raporte për menaxhim të kontratës.

Për katër vjet, ZKA-ja i ka dhënë gjithsej 98 rekomandime për ministrin e Shëndetësisë. Numër më i madh i rekomandimeve është dhënë në vitin 2017-të me gjithsej 27. Kurse mesatarja e rekomandimeve për vit i bie në mes të 22 dhe 23 rekomandimeve.

Nga 71 rekomandimet e dhëna për periudhën 2014-2016, Ministria e Shëndetësisë ka arritur t’i adresoj plotësisht mbi 38 për qind prej tyre, pjesërisht 31 për qind si dhe rekomandimet të cilat nuk janë zbatuar fare janë rreth 30 për qind.

Në vitin 2014-të, Auditori i ka dhënë Ministrisë së Shëndetësisë një opinion të pa modifikuar me theksim të çështjes. Si theksim i çështjes është përmendur fakti se shpalosjet e pasurive fikse dhe stoqeve nuk janë plotësisht të sakta dhe të besueshme.

Auditori i ka tërhequr vëmendjen Ministrisë së Shëndetësisë se pasuritë kapitale dhe jo kapitale nuk paraqesin një pamje të drejtë dhe të saktë. Edhe në vitet 2015-të dhe 2016-të auditori jep një opinion të pa modifikuar me theksim të çështjes më mos prezantimin e saktë të vlerës së pasurisë, stokut dhe investimeve kapitale.

Në anën tjetër Auditori del me opinion të kualifikuar sa i përket pasqyrave financiare të vitit 2017. Sipas këtij opinioni Pasqyrat Financiare Vjetore për vitin 2017 prezantojnë një pamje të drejtë dhe të vërtetë në të gjitha aspektet materiale përveç disa çështjeve. Te pasqyra e pranimeve dhe pagesave në para të gatshme – burimi i fondeve, Ministria nuk ka prezantuar vlerën prej 57 milionë euro nga granti i qeverisë.

Në raportin e vitit 2014-të evidentohet se MSh-ja e kishte nënshpenzuar buxhetin për investime kapitale dhe se kjo ka ndikuar në përqindjen totale të realizimit të buxhetit. Po ashtu një pjesë e buxhetit të mallrave dhe shërbimeve nuk ishte shpenzuar, njëkohësisht Ministria në fund të vitit kishte vlera të konsiderueshme të obligimeve të papaguara.

Për këtë të gjetur, ZKA-ja kishte dhënë një rekomandim që ishte zbatuar pjesërisht në vitin pasues.

Por, problemet me planifikimin e buxhetit e përcollën Ministrinë edhe në vitin 2017. Kjo ka shkaktuar nevoja që gjatë vitit 2017 të bëhen shumë përshtatje buxhetore nëpër kategori ekonomike. Pavarësisht rritjes buxhetore që ishte bërë në kategorinë mallra dhe shërbime për furnizim me barna, Ministria kishte arritur ta shpenzoj vetëm 89% të buxhetit të kësaj kategorie. Një ngecje e theksuar në realizimin e buxhetit ishte edhe te investimet kapitale.

“Ministri të siguroj se me rastin e planifikimit të buxhetit të analizohen nevojat dhe kërkesat reale dhe të bëjë monitorimin e vazhdueshëm të ekzekutimit të buxhetit dhe aty ku vërehen ngecjet në realizim të ndërmerr masat adekuate për të përmirësuar performancën buxhetore”, thuhet në rekomandim.

Me procedura të kuotimit Ministria bleu 30 mijë euro mobile e pajisje të IT-së

Në raportin e Auditorit për vitin 2014 janë evidentuar dobësi në proceset e prokurimit. Në kontratën me titull “Furnizim me pajisje të IT”, për laptop-ët me çmim 1,021 euro, sasia ishte përcaktuar vetëm një njësi, derisa për modele tjera (PC) më çmim më të lirë, 574 euro, sasia e paraparë ishte 10 njësi. MSh ishte furnizuar me 10 laptop me çmimin 1,021 euro, derisa nuk është furnizuar fare me PC që kishte çmim më të ulët.

Po ashtu është gjetur që Spitali i Përgjithshëm i Prizrenit ka bërë blerje jo në përputhje me kontratën. Spitali i Përgjithshëm në Prizren ka shfrytëzuar kontratën e lidhur nga ShSKUK për furnizim me shtretër për pacient për disa reparte. Auditori ka gjetur se për Repartin e Emergjencës ishin furnizuar me gjashtë shtretër të cilët nuk posedonin specifikat e dy llojeve të kontraktuara, ndërsa ishin faturuar me çmimin e produktit me të shtrenjtë po në atë kontratë. Gjithashtu Auditori ka gjetur se Ministria ka blerë 3 telefona mobil, ndërsa as në kontratë e as në raportin e pranimit të mallit nuk ka informata mbi llojin e telefonave të blerë.

“Ministri duhet të sigurojë që drejtori i prokurimit kryen një rishikim të brendshëm për të përcaktuar pse kërkesat e prokurimit nuk janë adresuar në të gjitha rastet e prokurimit. Përveç kësaj, duhet të zhvillohen procese dhe kontrolle më të mira për të siguruar se dobësitë e identifikuara janë adresuar. Njëjtë duhet të veprojë edhe drejtori i përgjithshëm i SHSKUK-së, në lidhje me çështjet e identifikuara në institucionet që janë nën menaxhimin e tij”, thuhet në rekomandimin e Auditorit për vitin 2014, i cili në vitin 2015 u adresua nga Ministria e Shëndetësisë.

Në vitin 2014, Auditori ka gjetur gjithashtu se Ministria e i ka keq klasifikuar shpenzimet me kode jo adekuate përmes prokurimit. Pagesa për bashkëfinancimin e objektit të QKMF-së në Skenderaj prej 1,1 milionë euro ishte regjistruar në SIMFK si objekt banimi e jo si objekt shëndetësor. Klasifikimi i gabuar i shpenzimeve e ka përcjellë prokurimin e furnizimeve të ndryshme në Administratën Qendrore, IKSHP, QKUK dhe në Spitalet e Përgjithshme në Prizren dhe Pejë. Të gjitha këto janë blerë nga Investimet Kapitale ndërsa është dashur të blihen nga mallrat dhe shërbimet. Totali i këtyre pagesave arrin vlerën 289,486 mijë euro.

“Ministri duhet të sigurojë që kjo problematike të përcillet duke filluar nga procesi i buxhetimit në mënyrë që shpenzimet të planifikohen dhe realizohen në kategoritë adekuate për të ofruar një pamje me të qartë lidhur me natyrën e shpenzimeve të realizuara dhe të prezantuara në PVF“, thuhet në rekomandim. Ky rekomandim i Auditorit ka mbetur i pa adresuar edhe gjatë vitit 2015.

Ministria kishte blerë pajisje të IT-së dhe mobile në mes shumës 20 e 30 mijë euro duke aplikuar procedurën e kuotimit. Me anë të procedurës së kuotimit të çmimeve dhe vlerës minimale janë realizuar 8 blerje të pajisjeve për TI dhe 4 blerje mobiljesh në vitin 2015.

“Ministri duhet të sigurojë se është kryer një rishikim i brendshëm për çështjet e identifikuara të prokurimit, në të cilat rregullat dhe udhëzuesit nuk janë aplikuar në mënyrë efektive. Bazuar në ketë rishikim, të ndërmerren masat e nevojshme që mundësojnë shmangien e mangësive të tilla në të ardhmen”, thuhet në rekomandimin e vitit 2015.

Problemet me ushtrues detyre dhe me kontrata mbi vepër

Zyra Kombëtare e Auditimit në katër vitet e fundit (2014, 2015, 2016, 2017) ka gjetur se sistemi i shëndeësisë vuan nga punësimet e personave me kontrata mbi shërbimet e vecante dhe me pozita që mbahen me Ushtrues Detyre. Përkundër që Auditori vazhdimisht kishte dhënë rekomandime se si të zgjidhet ky problem i rekrutimit, kjo ministri vazhdimisht ka pasur gjetje kur është fjala për punësime me kontrata mbi vepër dhe me ushtrues detyre.

Në vitin 2014, Auditori ka gjetur se shtatë pozita kyçe në menaxhmentin e MSh-së përfshirë edhe udhëheqësen e barnatores në QKUK janë të plotësuara me ushtrues detyre, me një kohëzgjatje me shumë se tre muaj. Ndërsa në AKPPM, për 13 pozita të rregullta ishin angazhuar punonjës me kontrata mbi shërbimet e veçanta.

“Ministri, drejtori i përgjithshëm i SHSKUK-së dhe drejtori i IKSHP-së duhet të sigurojnë që të gjitha pozitat udhëheqëse të ushtrohen me orar të plotë dhe në me kontrata të rregullta të punës. Kësaj duhet t’i paraprijë konkursi publik i zhvilluar në pajtim me rregullat në fuqi”, rekomandon auditori në 2014.

Auditori kishte gjetur se në QKUK me kontrata mbi vepër janë anagashuar edhe infermieret.

“Ministri duhet të sigurojë aprovimin e organogramit të ri, konform nevojave aktuale. Për plotësimin e pozitave të rregullta të punës të zhvillohen procedura të rregullta të rekrutimit. Edhe zëvendësuesit në QKUK dhe në Spitalet e Përgjithshme duhet të rekrutohen në bazë të konkursit të rregullt konform parimeve të Ligjeve të aplikueshme”, vazhdonte rekomandimi.

Edhe në vitin 2015 kishte telashe me kontrata mbi shërbimet e vecante. Auditori kishte gjetur se në AKPPM, gjatë vitit 2015 në 12 pozita të rregullta ishin angazhuar punonjës me kontrata mbi shërbimet e veçanta, të cilët janë angazhuar pa procedura të rregullta të rekrutimit.

Në vitin 2016 kishte probleme me ushtrues detyre dhe me punësime të realizuara me kontrata mbi vepër.

 

“Ministri dhe drejtori i IKShP-së duhet të sigurojnë që të gjitha pozitat udhëheqëse të ushtrohen me orar të plotë dhe me kontrata të rregullta të punës. Kësaj duhet ti paraprijë konkursi publik i zhvilluar në pajtim me rregullat në fuçi”, thuhet në rekomandimin e vitit 2016.

Në vitin 2016, MSh ka raportuar gjithsej 28 raste me kontrata të tilla prej të cilëve 12 i takojnë AKPPM-së. Ata paguhen nga mallrat dhe shërbimet dhe kohëzgjatja e tyre kishte tejkaluar afatet e lejuara me ligj.

“Ministri duhet të iniciojë një rishikim gjithëpërfshirës të rasteve në të cilat stafi është angazhuar me marrëveshje për shërbime të veçanta për të përcaktuar saktë nevojat për staf me qëllim që të gjitha pozitat e nevojshme të plotësohen me staf të rregullt, përmes procesit të hapur të rekrutimit”, potencohet në rekomandimin për vitin 2016.

Përvec punësimeve tjera, në vitin 2016 në kabinetin e kësaj ministrie punonin 20 persona, apo 10 më shumë se sa që e lejon ligji.

“Ministri duhet të siguroj që planifikimi i numrit të stafit të bëhet në pajtim me nevojat reale dhe numri i stafit të planifikuar me buxhet të mos tejkalohet”, theksohet në rekomandim.

Auditori ka gjetur po ashtu se janë realizuar mbi pagesa për personin e pezulluar nga puna, të cilëve ju takon vetëm 50% e pagës. Ish-kryeshefi ekzekutiv i AKPPM-së ishte suspenduar nga puna në shtator 2013. Këtij zyrtari për nëntë muaj i janë paguar më shumë se 50% e pagës dhe vlera totale e pagesave të tepërta gjatë vitit 2014 ishte 2,839 euro.

“Ministri duhet të sigurojë që Kryeshefi ekzekutiv i AKPPM-së ti adresojë këto çështje, dhe të shqyrtohen mundësitë ekzistuese ligjore për të kërkuar kthimin e mjeteve të paguara tepër”, vazhdonte rekomandimi.

Gjetja tjetër e Auditorit në vitin 2014 ishte pagesa e bordeve dhe komisioneve në kundërshtim me Ligjin për Menaxhimin e Financave Publike. Gjatë vitit 2014, sipas llogaritjeve të Auditorit janë shpenzuar rreth 90 mijë euro.

“Ministri duhet të iniciojë zhvillimin e një politike të re duke specifikuar në mënyrë të qartë parimet udhëzuese për anëtarët në bordet dhe komisionet në sektorin e shëndetësisë, bazuar në parimet e përgjithshme në lidhje me këto aranzhime. Të konsiderohet mundësia e përcaktimit të numrit të takimeve të bordeve dhe komisioneve si dhe çështjeve që do të shqyrtohen brenda takimit”, ka rekomanduar Auditori.

Uran Ismaili me mjekë – Foto: Facebook/UranIsmaili

Edhe në vitin 2017, njëjtë sikur në vitet paraprake ka pasur probleme për pozitat e lira që janë mbajtur me ushtrues detyre përtej afateve të parapara me ligj.

Në MSh kanë vazhduar të mbahen edhe në vitin 2017 gjithsej shtatë pozita me ushtrues detyre, të cilat kishin tejkaluar afatin e lejuar ligjor për mbajtjen e pozitës në këtë formë.

360 mijë euro barna me afat të skaduar

Në vitin 2016, është vërejtur se kishte vonesa të adresimit të kërkesave nga ana e AFSh-së tek operatorët ekonomik sa i përket furnizimit me barna. Në pesë raste për furnizim me barna kërkesat nga AFSh dhe urdhër blerja ishin bërë pas pranimit të faturës dhe në shtatë raste ka pasur vonesa nga ana e operatorëve ekonomik, mirëpo nuk janë llogaritur ndëshkimet për të gjitha rastet pasi porositë për furnizim me barna janë bërë pa urdhër blerje.

“Ministri duhet të sigurojë se është ndërmarrë një rishikim i procesit, për të përcaktuar shkaqet e vonesave në adresimin e kërkesave për furnizim me barna, dhe të ndërmarrë masat e nevojshme për menaxhim më të mirë të procesit të furnizimit me barna dhe material nga lista esenciale”, thotë rekomandimi.

Në vitin 2014 Auditori ka gjetur se menaxhimi i stokut ishte i dobët dhe ishin evidentuar mbi 360 mijë euro barna me afat të skaduar. Në raport thuhet se Ministria nuk ka arritur të vendos kontrolle adekuate sa i përket menaxhimit të Stokut Farmaceutik.

Auditori kishte gjetur se me ndërrimin e motmoteve, avullohen barnat në depot e Ministisë së Shëndetësisë. Auditori kishte gjetur diferencë prej 2.5 milionë të sasisë së barnave që janë regjistruar me 31 dhjetor 2013 dhe asaj që raportuar si stok me 1 janar 2014. Në raportin e Auditorit thuhet se stoku farmaceutik sipas PVF-ve të vitit 2013 ishte 17.4 milionë euro, ndërsa si saldo fillestare në SMSF ishte paraqitur vlera 14.8 milionë euro. Diferenca është 2.5 milionë euro. Po ashtu saldo përfundimtare e Stokut Farmaceutik në PVF-ve të vitit 2014 është 5.5 milionë euro, derisa në SMSF figurojnë stoqe në vlerë 13.6 milionë euro. Barnat që menaxhohen nga departamenti farmaceutik në MSh e që janë të dedikuara për nivelin primar shëndetësor ishte rreth 1.9 milionë euro nga to 360,634 mijë euro ishin barna me afat të skaduar.

“Ministri duhet urgjentisht të iniciojë aplikimin e plotë të SMSF-së përgjatë procesit të furnizimit dhe distribuimit të barnave dhe materialit nga lista esenciale. Kualiteti i informatave në sistem duhet të rishikohet. Kjo do të mundësonte menaxhim më të lehtë dhe pasqyrë më të saktë në lidhje me gjendjën e stokut farmaceutik. Vlerat e sakta të stokut farmaceutik duhet të shpalosen në PVF për të shmangur ndonjë modifikim të opinionit apo theksim të çështjes në PVF 2015”, ka rekomanduar Auditori.

Në raportin e vitit 2014 është evidentuar se zyrtarët nuk i kanë dorëzuar pajisjet zyrtare me rastin e shkëputjes se marrëdhënies se punës  në vlerë deri në 10 mijë euro. Me rastin e ndërrimit të kabinetit të ministrit, anëtarët e kabinetit të kaluar, me përjashtim të ministrit dhe një këshilltari, nuk i kanë dorëzuar pasuritë e blera nga MSh, si llaptopa, telefona zyrtar, aparate digjitale. Edhe zyrtarë të tjerë të larguar apo suspenduar nga puna kishin vepruar njëjtë.

“Ministri duhet të sigurojë që janë shfrytëzuar të gjitha mekanizmat ligjore për kthimin e pasurive nga ana e anëtarëve të kabinetit të kaluar dhe nga stafi tjetër i larguar nga puna”, thuhet në rekomandim.

Pagesa prej 11 mijë euro për barna pa konfirmim të pranimit

Në raportin e vitit 2017, për pagesën prej 238 mijë euro për furnizim me barna, është  konfirmuar mungesa e fletëdërgesave dhe fletëpranimeve për dy lloje barnash në vlerë prej 11.8 mijë euro.

“Ministri duhet të shtoj kontrolle për të siguruar se për të gjitha pagesat e bëra do të bëhet konfirmimi i pranimit të barnave”, theksohet në rekomandim.

Në raportin e vitit 2015, Ministria e Shëndetësisë nuk i kishte pasqyruar gjobat e Inspektoriatit Farmaceutik në vlerë prej 58 mijë eurove në pasqyra vjetore financiare.

“Ministri duhet të sigurojë se është ndërmarrë një rishikim gjithëpërfshirës sa i përket qasjes ndaj llogarive te arkëtueshme duke i identifikuar pengesat në përmirësimin e shkallës së mbledhjes së të hyrave. Duhet të mbahen evidenca të sakta në lidhje me llogaritë e arkëtueshme dhe informatat nga këto evidenca të shpalosen në PVF”, rekomandon Auditori në vitin 2015.

Po ashtu në vitin 2016 Auditori ka gjetur se klinikat private nuk ia paguajnë borxhin Qendrës së Transfuzionit të Gjakut. QKKTGj ka marrëveshje me klinikat private për shpenzimet e shërbimeve të gjakut. Pjesa më e madhe e te arkëtueshmeve apo rreth 70% vie nga një debitor, i cili ka obligime të cilat nuk i ka përmbushur që nga viti 2013.

“Ministri duhet t’i analizojë arsyet e trendit të rritjes së këtyre llogarive dhe mos raportimit te saktë të tyre dhe t’i forcojë kontrollet për të parandaluar rritjen e tyre të mëtutjeshme. Duhet të vendosen mekanizma adekuat dhe të shfrytëzohen të gjitha mjetet në dispozicion dhe veprimet ligjore për të mundësuar arkëtimin e borxheve të akumuluara”, thuhet në rekomandimin e Auditorit në vitin 2016.

Borxhet kanë pasur trend të rritjes për çdo vit. Përveç kësaj disa fatura ishin fshehur,.

Në vitin 2014, 12 fatura të QKUK-së në vlerë 66.3 mijë euro dhe 4 të tjera në Spitalin e Përgjithshëm të Pejës me vlerë 4.9 mijë euro, nuk ishin shpalosur në Pasqyrat financiare.

Rekomandimi i dhënë në vitin 2014 nuk ishte zbatuar, pasi mos prezantim të obligimeve kishte edhe në vitin 2015.

“Ministri duhet të siguroj që të zbatohen me përpikëri politikat dhe procedurat e kërkuara me rastin e udhëtimeve zyrtare, duke dëshmuar dhe arsyetuar saktë shpenzimet e ndodhura dhe duke mbyllur me kohë avancet”, vazhdon rekomandimi i Auditorit.

Në vitin 2015, nga buxheti për mallra dhe shërbime u pagua edukimi i stafit profesional në vlerë rreth 70 mijë euro. Lidhur me këtë të gjetur, ministrit iu rekomandua që pagesa të realizohen në përputhje me planifikimet paraprake. Ky rekomandim nuk u adresua.

Në katër kontrata kornizë të vitit 2017, Aditori ka identifikuar tejkalim të sasive indikative më shumë se sa 30 përqindëshi i lejuar. Edhe pse ishin tejkaluar kontratat kornizë MSh nuk i kishte ndërprerë ato. Kjo ka ndodhur për shkak të mungesës së menaxherëve të kontratave. Shprehur në vlera financiare tejkalimi i sasive indikative ishte 88.2 mijë euro.

“Ministri duhet të siguroj se kontratat kornizë do të përcillen gjatë implementimit nga menaxherët e projekteve, dhe të siguroj se certifikimi i pagesave nuk do të bëhet mbi tavanin e përcaktuar për kontratat kornizë”, rekomandon Auditori në vitin 2017.

Në raportin e auditimit thuhet se zyra e prokurimit në vitin 2016 kishte lidhur dy kontrata, me dy operator ekonomik të ndryshëm për furnizim me barna.

Në kuadër të këtyre dy kontratave ishin përfshirë tri lloje të barnave të njëjta, me çmime të ndryshme.

Ministria ishte furnizuar me barnat e njëjtë paralelisht nga të dy operatorët. Auditori i rekomandoi ministrit se duhet të siguroj se zyra e prokurimit nuk do kontraktoj barna të njëjtë me çmime të ndryshme për periudhën e njëjtë kohore. Për më tepër, se ministri duhet të inicioj rishikimin e rasteve të përmendura më lartë për të parandaluar dëmtimin potencial të buxhetit.

Në raportin e Auditorit të vitit 2017 është evidentuar se barna nga lista esenciale në vlerë 1.4 milionë euro nuk ishin regjistruar në sistem. Kjo edhe pse në të duhet të regjistrohen të gjitha transaksionet (hyrjet, daljet dhe sasia në stok) e barnave të Listës Esenciale. Lidhur me këtë të gjetur, ministrit iu rekomandua se duhet të shtoj kontrolle rreth menaxhimit të sistemit për të siguruar se të gjitha furnizimet e bëra për barna do të regjistrohen dhe evidentohen në sistem.

Pjesa më e madhe e borxheve i takojnë kategorisë së subvencioneve dhe transfereve. Ky borxh i evidentuar në raportin e vitit 2017 është në vlerë prej 3.8 milionë euro. Në rekomandimin adresuar ministrit u tha se duhet të siguroj se bordi ekzekutiv i TMJIShP të ketë kujdes me rastin e aprovimit të kërkesave për trajtim të pacientëve, duke pasur në konsideratë mundësitë buxhetore të ministrisë.

Në vitin 2017, Auditori ka gjetur se thesari kishte kryer pagesa në emër të MSh-së pas ankesave të operatorëve ekomomik. Pagesat e bëra nga thesari përmes nenit 39.2 dhe vendimeve gjyqësore ishin 475,636 mijë euro. Kjo kishte ndodhur për shkak se Ministria nuk i kishte paguar obligimet me kohë me që rast operatorët i kishin realizuar të drejtat e tyre përmes thesarit apo vendimeve gjyqësore. Lidhur me këtë të gjetur, Auditori rekomandoi që ministri duhet të siguroj se të gjitha faturat e pranuara paguhen brenda afatit të përcaktuar ligjor.

Subvencionimi i pacientëve për trajtim jashtë institucioneve publike

Auditori ka evidentuar mangësi në menaxhimin e subvencioneve. Në vitin 2014, Ministria kishte subvencionuar trajtimin e pacienteve jashtë institucioneve publike duke u bazuar në profatura që pacientët i sjellnin, por kishte raste kur ata nuk sillnin fare dëshmitë.

“Ministri duhet të sigurojë që një marrëveshje formale e nënshkruar nga MSH-ja dhe përfituesi i paraprinë dhënies së subvencioneve për trajtime mjekësore duke qartësuar obligimet e të dyja palëve. Njëherit duhet të bëhen barazimet me të gjitha spitalet ku janë trajtuar pacientë të subvencionuar, për të përcaktuar nëse ekzistojnë parapagime, dhe nëse po mjetet e tilla të ridestinohen”, thuhet në rekomandimin e vitit 2014.

Problem tjetër i evidentuar në raportin e auditimit për vitin 2014 është se mjetet e dedikuara për shërimin e pacientëve në spitalet private por ata shërbimet nuk i kanë marrë ose janë paguar dy herë për të njëjtin shërbim.

“Ministri duhet të iniciojë krijimin e një rregullore/udhëzimi duke përcaktuar përgjegjësitë e Ministrisë dhe marrëdhëniet në mes institucioneve shëndetësore publike dhe private duke specifikuar në mënyrë të qartë kërkesat për raportim financiar dhe në lidhje me shërbimet e ofruara”, vazhdon rekomandimi.

Në vitin 2015 ishte evidentuar që MSh kishte nënshkruar marrëveshje për subvencionim, me mjekët në shkollim specialistik me vetëfinancim. Këto marrëveshje ju mundësonin atyre që përveç kontratave të rregullta në QKUK, të kenë angazhim shtesë prej 8 orë punë në javë në kujdesin primar. Për të qenë përfitues të subvencionit Ministria i ka kushtëzuar specializantët që të nënshkruajnë nga një deklaratë me anë të së cilës ata zotohen se përveç kontratës bazë dhe 8 orëve në kujdesin primar, nuk do të kenë angazhime tjera. Auditori ka gjetur se 121 specializantë/përfitues gjatë vitit 2015 kanë punuar edhe në institucione tjera publike/private. Kjo ka rezultuar me pagesa në kundërshtim me marrëveshjet dhe dëmtim të buxhetit për 799,451 mijë euro.

Subvencionimi përmes bashkëfinancimit nuk kishte shkuar si duhet pasi OJQ-të nuk kishin respektuar marrëveshjet e arritura me MSh-në në vitin 2017. Marrëveshjet e mirëkuptimit parashohin që pas kryerjes së projekteve të subvencionuara, në MSh të dorëzohet raporti lidhur me shpenzimet e mjeteve buxhetore si dhe raportin e punës së kryer. Nga 10 mostrat e testuar për subvencionimin e OJQ-ve, në tri prej tyre (3 mijë euro, 2 mijë euro dhe 30 mijë euro) OJQ-të nuk kishin respektuar marrëveshjet e arritura me MSh-në duke mos dorëzuar raportet e kompletuara.

Auditori rekomandoi që të ndëshkohen apo të mos subvencionohen OJQ-të të cilat nuk raportojnë plotësisht.

“Ministri duhet të sigurojë mekanizëm për implementimin e plotë të marrëveshjeve të arritura për subvencionimin e OJQ-ve. Në rast të mos raportimit të plotë nga OJQ-të, në të ardhmen të rishikohen masat e ndëshkimit apo edhe të ndalimit të subvencionimit të tyre”, rekomandoi Auditori.

Në raportin e auditorit të vitit 2017 është evidentuar se mbi 236 mijë banderola më tepër sa duhet kishte shtypur AKPPM.

Të hyrat e realizuara në Agjencionin e Kosovës për Produkte dhe Pajisje Medicinale (AKPPM) nga banderolat për vitin 2017 në librin kryesor ishin në vlerë 290,9 mijë euro.

AKPPM gjatë vitit 2017 kishte shtypur 29,335,497 milionë banderola, prej këtyre 29,098,931 milionë banderola ishin shitur sipas kërkesës, ndërsa diferenca prej 236,566 banderolave të shtypura më shumë se atyre të shitura ishte rezultat i gabimeve në shtypjen e tyre nga AKPPM-ja.

Banderolat e shtypura më shumë janë kthyer nga operatorët dhe gjenden në depon e agjencionit në këtë rast koston e këtyre gabimeve e bartë agjencioni.

“Ministri duhet të bëjë shtimin e kontrolleve në lidhje me harmonizimin mes kërkesës dhe shtypjes së banderollave në mënyrë që sasitë e shtypura të jetë në përputhje me sasinë e kërkuar për të minimizuar kostot shtesë të agjensionit“, rekomandon auditori në vitin 2017.

Menaxherët nuk raportojnë për menaxhimin e kontratës

Në vitin 2016 në raportin e auditimit thuhet se menaxherët emërohen formalisht dhe nuk raportojnë për menaxhimin e kontratës.

Në pesë rastet (në MSh, AKPPM dhe QKKTGj), Auditori ka konstatuar se menaxherët e projekteve emërohen formalisht, por nuk raportojnë rreth menaxhimit dhe realizimit të kontratave, që është përgjegjësi ligjore e tyre nga momenti i emërimit.

Në QKKTGj, është hasur një rast ku servisimi i pajisjeve mjekësore kompensohet për orë pune. Pranimi i shërbimit nuk monitorohet/raportohet nga menaxheri i kontratës, ndërsa pagesa bëhet në bazë të raportit të servisimit të përgatitur nga Operatori Ekonomik, ku vet operatori i deklaron orët e punës të shpenzuara për servisim. Kompensimi për një orë pune përfshinë vlerën 40 deri në 50 euro.

Në vitin 2017 Auditori ka gjetur se Ministria kishte kryer mbipagesa për një kontratë të saj. Projekti për adaptimin e hapësirës në kardiokirurgji për vendosjen e angiografitë kishte pasur mangësi duke rezultuar kështu në shkëputje të kontratës.

Me 21 prill 2017 ministria kishte nënshkruar kontratë për “Adaptimi i hapësirave për angeograf në QKUK” me vlerë 214,961 euro. Gjatë implementimit të kontratës për shkak të mangësive të projektit ishin shfaqur punë të pa parashikuar të cilat nuk kishin pasur mundësi të përmbushen me kontratë. Kjo situatë ka rezultuar deri te shkëputja e njëanshme e kontratës nga ana e ministrisë. Për këtë kontratë ministria kishte shpenzuar 48,1 mijë euro. Më tutje, në mungesë të adaptimit të hapësirës për vendosjen e angiografit, pajisje e paguar nga huamarrja më 28 dhjetor 2016 në vlerë 2.1 milion euro, mbetet ende jashtë Kosovës.

“Ministri duhet që të adresoj këtë çështje me prioritet të lartë, në mënyrë që ky projekt të implementohet sa më shpejtë për të minimizuar rreziqet nga humbjet e mundshme financiare. Dhe se, në një kohë sa më të shpejtë të ju ofrohet mundësia e trajtimit të pacienteve me këtë aparat”, thuhet në rekomandimin e viti 2017.

Po ashtu në vitin 2017, Auditori ka evidentuar se vonesa në realizimin e projekteve si pasojë e hartimit të dobët të specifikimeve teknike. Gjatë auditimi të procedurave të prokurimit është  identifikuar se njësitë kërkuese të cilat kërkojnë financim nga MSh janë duke i hartuar specifikimet teknike të tyre në mënyrë jo adekuate respektivisht të përgjithësuara duke lënë mundësinë që operatorët të ofrojnë mallra/punë ose shërbime të cilat nuk ofrojnë vlerën e kërkuar për para.

Në dy projekte të vitit 2017, si pasojë e hartimit të mangët të specifikacioneve teknike nga njësitë kërkuese implementimi i projekteve është përcjellë me problematika të ndryshme. Vonesa një vjeçare në pranimin e Autoambulancës për bartjen e të porsalindurve nga institucionet tjera shëndetësore në QKUK me vlerë të kontraktuar 76.7 mijë euro. Te projekti dislokimi i Klinikës Pediatrike, me aneks kontratë ishte bërë ndryshimi i dy pozicioneve të kontratës bazë në sasi, kapacitet shpërndarës dhe çmim. Kjo kishte ndodhur për arsye se totali i punëve shtesë të pa parashikuara nuk mund të mbuloheshin me 10% të kontratës.

“Ministri duhet të siguroj kontrolle në përpilimin e specifikacioneve teknike , si dhe të sigurohet se është kryer një rishikim i tyre nga departamenti i prokurimit para inicimit të procedurave”, potencohet në rekomandim.