Tentimi i tretë i Qeverisë për zgjedhjen e kryesuesit të Bordit të ZRrE-së

Qeveria e Kosovës për herë të tretë do t’i dërgojë në Kuvend emrat për kryesues të Bordit të Zyrës së Rregullatorit të Energjisë, të cilët janë zgjedhur pa asistencën e britanikëve.

Komisioni vendor i ka përzgjedhur si kandidatë më të suksesshëm Petrit Pepaj dhe Naim Sahiti, pas një procesi të intervistimit që nuk është zhvillu në përputhje me praktikat e BDO-së, kompanisë së angazhuar nga Ambasada Britanike për t’i ofruar asistencë institucioneve të Kosovës në rekrutim.

Ambasada ishte tërhequr nga procesi i rekrutimit të kryesuesit të bordit të ZRrE-së, pasi Kuvendi dy herë kishte dështuar t’i emërojë kandidatët që britanikët i kishin përzgjedhur pas proceseve të gjata të rekrutimit.

Qeveria e Kosovës pritet t’i dërgojë në Kuvend kandidatët për kryesues të ZRrE-së, ndërkohë që janë edhe dy konkurse, dy anëtarë të bordit të OSHP-së dhe bordi i ndërmarrjes NKEK, që ende nuk po votohen nga qeveria përkundër që kanë përfunduar procedurat e rekrutimit.

Bordi i Zyrës së Rregullatorit të Energjisë ka kompetencë direkt për caktimin e çmimit të rrymës në Kosovë, dhe merr vendime që kanë peshë milionëshe për KEK-un, KEDS-in, KESCO, KOSTT-in dhe bizneset private që kanë investuar në prodhimin e energjisë nga burimet e ripërtritshme.

Britanikët edhe në të kaluarën kanë asistuar në zgjedhjen e anëtarëve të bordit të ZRRE-së. Kuvendi i Kosovës e kishte Selman Hotit dhe Izet Rushitit si anëtarë të bordit të ZRrE-së, të cilët ishin vlerësuar me pikë minimale krahasuar me katër kandidatët e tjerë nga komisioni vlerësues në të cilin bënte pjesë edhe partneri i Ambasadës Britanike. BDO-ja kishte vlerësuar se ata nuk i plotësonin kushtet minimale për emërim.

Konkursi larg syve të britanikëve

Konkursi për Kryesues të Bordit të ZRrE-së është hapur më 25 mars dhe është mbyllur më 8 prill 2019. Për këtë pozitë kanë aplikuar gjithsej 5 persona.

Ky ka qenë konkursi i tretë që është mbajtur për të njëjtin proces rekrutues. Komisioni vlerësues është përbërë vetëm nga komisioni vendor. Anëtarët e Komisionit përzgjedhës kanë qenë, Fitim Sadiku, sekretar i përgjithshëm në ministrinë e Punëve të Jashtme – Kryesues; Fidaim Sahiti, kryeshef ekzekutiv në Shërbim Gjeologjik të Kosovës (ShGjK); Veton Firzi, sekretari përgjithshëm në ministrinë e Kulturës, Rinisë dhe Sportit(MKRS); Ruzhdi Sefa, profesor në Universitetin “Hasan Prishtina” – Prishtinë dhe Ilir Morina, kryeshef ekzekutiv i Agjencionit për Mbrojtjen e Mjedisit te Kosovës.

BIRN ka monitoruar këtë proces të rekrutimit dhe ka vërejtur se Komisioni vendor nuk e ka përcjell praktikën e vendosur nga ana e BDO-së, përkundër që disa prej anëtarëve të komisionit kanë qenë pjesë e disa komisioneve dhe trajnimeve që i kanë mbajtur britanikët për anëtarët e komisionit vlerësues.

Po ashtu monitoruesit e BIRN kanë gjetur se hartimi i pyetjeve për intervistim nuk është bërë në përputhje me praktikën e Britanikëve. Pyetjet i ka sjellë njëri nga anëtarët e komisionit “të printuara” para se të mblidhet komisioni për intervistim, praktikë që nuk aplikohet nga BDO-ja. Në proceset kur janë të kyqur edhe BDO-ja, partneri i Ambasadës Britanike, hartimi i pyetjeve bëhet në ditën e intervistimit dhe në mënyrë transparente.

Gjithashtu, anëtarët e komisionit nuk e kanë argumentuar poentimin që e kanë bërë për kandidatët e intervistuar.

Pas intervistimit, komisioni vlerësues e kishte poentuar me 420 pikë Petrit Pepajn, drejtorin aktual menaxhues të ZRrE-së kurse me 320 pikë kandidatin tjetër, Naim Sahiti.

Historia e shkeljeve

Në mbledhjen e Qeverisë të mbajtur më 24 korrik 2018, kryeministri ka proceduar në Kuvend 4 emra për kryesuesin e bordit të ZRrE-së pas përfundimit të konkursit të dytë për kryesues të bordit të ZRrE-së.

Në komunikatën e Qeverisë të po të njëjtës datë, shkruan se me vendimin e miratuar në mbledhjen e sotme të kabinetit qeveritar, janë propozuar 4 kandidatët për kryesues të Bordit të Zyrës së Rregullatorit për Energji.

Në listën e të propozuarve janë: Fadil Ismaili, Petrit Pepaj, Përparim Kabashi, dhe Bekim Jakupi.

“Me vendimin e miratuar në mbledhjen e sotme të kabinetit qeveritar, janë propozuar kandidatët për kryesues të Bordit të Zyrës së Rregullatorit për Energji. Në listën e të propozuarve janë: Fadil Ismaili, Petrit Pepaj, Përparim Kabashi, dhe Bekim Jakupi. Lista e kandidatëve do të procedohet në Kuvendin e Kosovës, i cili do të bëjë përzgjedhjen e kryesuesit të Bordit të Zyrës së Rregullatorit për Energji”, thuhet në komunikatën e Qeverisë së Republikës së Kosovës.

Gazeta Jeta në Kosovë kishte gjetur se dy nga emrat që ministrat i kishin votuar për të hyrë në garë për kryesues të ZRRE-së janë hequr nga lista dhe vendimi. Në vendimin e Qeverisë së Republikës së Kosovës mungojnë emrat e Përparim Kabashit dhe Fadil Ismajlit. Aty janë vetëm Bekim Jakupi dhe Petrit Pepaj, të cilët duhet të marrin shumicën e votave të deputetëve për t’u bërë kryesues i Bordit të ZRrE-së.

Përparim Kabashi dhe Fadil Ismajli janë dy emrat e miratuar nga Qeveria për propozim Kuvendit për Kryesues të Bordit të ZRrE-së, të cilët në mënyrë të dyshimtë janë hequr nga lista pasi vendimi është publikuar.

Kryeministri Ramush Haradinaj ka thënë se dikush ia ka ndërruar vendimin e Qeverisë, por ka hezituar t’ia përmendë emrin.

“Ku me i gjet ata (persona që i kanë largu dy persona nga lista)”, ka thënë Haradinaj. “Unë kam deklaruar në paraqitjen publike që janë katër kandidatë, po në disa raste kam dëgjuar që është praktikë që nuk qohen 4 kandidatë për një vend, por është praktikë që shkojnë dy”, tha Haradinaj.

Hulumtimin e plotë të ‘Drejtësia në Kosovë’ për këtë rast mund ta ndiqni KËTU.

Më 16 tetor, ministri Valdrin Lluka në mbledhjen e Qeverisë propozoi që të shtohen dy kandidatët, Fadil Ismajli dhe Përparim Kabashi, të cilët ishin hequr në mënyrë misterioze nga lista, ani pse të njëjtit ishin votuar edhe në mbledhjen e 24 korrikut.

Disa ditë më vonë, Komisioni Parlamentar për Zhvillim Ekonomi, Infrastrukturë, Tregti, Industri dhe Zhvillim Rajonal ka dërguar në Kuvend listën me katër emra për kryesues të Bordit të ZRrE-së.

Katër emrat për kryesues të Bordit të ZRrE-së të cilët kanë ardhur nga Qeveria në Komision janë: Fadil Ismajli, Petrit Pepaj, Bekim Jakupi, Përparim Kabashi.

Përsëri emrat e dërguar në Kuvend nuk janë votuar. Pas injorimit që i është bërë partnerëve britanikë ata kanë refuzuar që për herë të tretë të bëhen pjesë e procesit për rekrutimin e pozitës së Kryesuesit të Bordit të Zyrës së Rregullatorit të Energjisë.

Ambasada Britanike është zhgënjyer me vendimin e deputetëve të Kuvendit të Kosovës të datës 28 shkurt, për mos-votimin e asnjërit prej kandidatëve të rekomanduar nga partneri zbatues i Projektit të Rekrutimit në pozitën e Kryesuesit të Bordit të ZRrE-së.