Tentativë e kundërligjshme e Fakultetit të Edukimit Fizik për avancime

Në Fakultetin e Edukimit Fizik dhe Sportiv kanë ‘harruar’ të vendosin në konkurs kriterin bazik për të pranuar një profesor asistent në lëndën “Fiziologji e Sportit”. Përkundër që nuk ka qenë në konkurs, Komisionit Recensues kishte konstatuar se për t’u bërë “profesor asistent” në këtë lëndë, kandidati duhet të jetë i diplomuar në Fakultetin e Mjekësisë, dhe jo në atë të Edukimit Fizik.

Duke u thirrur në këtë kriter të paqenë, Komisioni Recensues e kanë eliminuar nga gara për avancim në “profesor asistent” kandidatin, Masar Gjaka. Komisioni Recensues dhe Këshilli i Fakultetit e kanë refuzuar atë me arsyetimin e mosplotësimit të kushteve të parapara me Nenin 177 të Statutit të UP-së.

Komisioni Recensues kishin dhënë vlerësim pozitivë për kandidatin Ferat Sallahu, i cili ishte mjekë. Nga Këshilli i Fakultetit dhe Komisioni Recensues është deklaruar se ky kandidat i plotëson të gjitha kushtet e nenit 177 të Statutit të UP-së.

Por, ky vlerësim doli të jetë i gabuar. Pas publikimit të buletinit me referatet e kandidatëve të paraqitur për zgjedhjen e personelit akademik në FEFS, kandidati Masar Gjaka me 18 qershor 2018 kishte bërë ankesë ndaj Komisionit Recensues për mos shqyrtimin e saktë të të dhënave të dorëzuara për aplikim.

Në raportin e Komisionit për Shqyrtimin e Ankesave të FEFS-it për lëndën “Fiziologji e Sportit” është konstatuar se ka pasur shkelje në përzgjedhjen e kandidatit Ferat Sallahu për këtë pozitë sepse siç thuhet në raport “nuk është respektuar kriteri i moshës”, pasi i njëjti ishte 54 vjeç ndërsa me statut kërkohet që kandidati i cili zgjidhet për herë të parë i rregullt nuk duhet të jetë më i vjetër se 50 vjeç.

Duke u thirrur në raportin e komisionit për shqyrtim të ankesave, Senati i UP-së e ka refuzuar përzgjedhjen e Ferat Shallahut në pozitën e “profesor asistent” për lëndën Fiziologji e Sportit.

Kriteri ‘fantom’

Në konkursin e hapur me 27 prill të këtij viti, Masar Gjaka kishte aplikuar në pozitën numër 4 për lëndën “Fiziologji e Sportit”, përmes të cilës synonte të avancohej në pozitën profesor asistent por sipas vlerësimit të Komisionit Recensues dhe Këshillit të Fakultetit, ai është refuzuar me arsyetimin e mosplotësimit të kushteve të parapara me Nenin 177 të Statutit të UP-së.

Gazeta JnK ka kërkuar sqarime nga Komisioni Recensues, Dekanati i FEFS-it dhe Rektorati i UP-së, lidhur me konstatimin që është dhënë se kandidati në fjalë nuk i përmbushë kriteret e Nenit 177.

Në raportin e Komisionit Vlerësues thuhet se lënda “Fiziologji e Sportit” është lëndë mjekësore prandaj edhe Gjaka nuk mund të jetë kandidat i suksesshëm për këtë pozitë, sepse nuk është mjek.

Por, në konkursin e shpallur nuk është specifikuar se kandidatët duhet të jenë edhe mjek për t’u pranuar.

Kandidati Gjaka e konteston këtë konstatim të komisionit dhe thotë se një lëndë e tillë nuk kërkon që profesori të jetë mjekë.

“Lënda në të cilën unë kam aplikuar lidhet kryekëput me publikimin ku jam autor kryesor që ka të bëj me monitorimin e ngarkesave dhe rikuperimit te futbollistët e rinj. Që është saktësisht fiziologji e ushtrimeve për ata që e kuptojnë lëminë”, tha Gjaka.

Por, kërkesa për një mjekë ishte vendosur qysh në përzgjedhje të komisionit vlerësues, pasi në të ishin vendosur profesor të Fakultetit të Mjekësisë.

Dekani i FEFS-it, Musa Selimi thotë se komisioni vlerësues është profesional, përkundër që kryetar i komisionit vlerësues ishte Hysni Daka profesor i pensionuar nga Fakulteti i Mjekësisë. Me “Rregulloren për procedurat përzgjedhëse lidhur me emërimin, riemërimin dhe përzgjedhjen e personelit akademik në UP“, anëtarët e komisionit duhet të jenë nga radhët e profesorëve të FEFS-it.

Dekani tha se nuk kanë pasur profesor tjetër të Fiziologjisë për të emëruar në krye të komisionit vlerësues.

Selimi ngjashëm me Komisionin Vlerësues insistoi që lënda “Fiziologji e Sportit” është lëndë mjekësore dhe prandaj nuk është zgjedhur kandidati Gjaka, por ky fakt ishte “harruar” të cekej në konkurs.

Vendimi i Senatit

“Për shkak që lënda është e Mjekësisë dhe shumë komplekse ne si Këshill kemi respektuar mendimin  e komisionit”, ka thënë dekani i FEFS-it.

Gazeta Jeta në Kosovë ka arritur të kontaktojë me disa anëtarë të Komisionit Vlerësues, të cilët kishin nënshkruar mendim pozitiv për kandidatin Ferat Sallahu dhe negativ për kandidatin Masar Gjaka.

Nehat Baftiu, që vije nga fakulteti i Mjekësisë, ka thënë se tre anëtarët e komisionit njëzëri kishin vendosur që ta vlerësonin pozitivisht kandidatin Ferat Sallahu, sepse ishte mjek.

“Fiziologjinë nuk mundet me e dhanë dikush që nuk është mjek. Na kemi qenë të një zëri që me e votu atë që është më i mirë se ai e ka pas DIF-in(FEFS) e kryer, e asnjëherë nuk mundet me e dhënë Fiziologjinë”, ka thënë Baftiu. “Është lëndë multidiciplinare që duhet me i ditë anatominë e krejt lëndët e Fakultetit të Mjekësisë për me ditë më sqaru. Unë edhe doktor Ademi jemi kanë të vendimit që duhet me kanë doktor. Dy kandidatë kanë qenë doktor, e njëri ka qenë i Edukatës Fizike që as nuk shqyrtohet lënda e tij për Fiziologjinë e Edukatës Fizike.”

I pyetur nga gazeta JnK se përse kanë vendosur që të shkelin kriterin e moshës të caktuar në Nenin 177 të Statutit të UP-së, profesori universitar deklaroi se “nuk është e rëndësishme mosha… në botë ku të duash, me 100 vite nëse i plotëson kushtet zgjedhësh profesor”.

Profesori nga FEFS, Adem Nura, që ishte pjesë e komisionit, thotë se është pajtuar me konstatimet e dy anëtarëve të tjerë që është e nevojshme përgatitje në fushën e mjekësisë.

“Të dy anëtarët tjerë kanë pasur këtë vlerësim për kandidatët me të cilin jam pajtuar edhe unë si anëtarë i komisionit”, tha për gJnK Nura.

Kandidati Gjaka ishte ankuar në Senat të UP-së, por edhe kundër vendimit të senatit. Prorektori për kërkime shkencore, Faton Berisha ka thënë për Gazetën Jeta në Kosovë se emërimi i Komisioneve Vlerësuese, aprovimi i raporteve të tyre mbi kandidatët dhe shqyrtimi i ankesave janë kompetenca ekskluzive të Këshillave të Fakulteteve dhe në këtë rast FEFS duhet të japë përgjegjësi për këtë çështje.

Sa i përket raportit të Komisionit për Shqyrtimin e Ankesave për lëndën “Fiziologji e Sportit” i cili kishte konstatuar se ka pasur shkelje në përzgjedhjen e kandidatit Ferat Sallahu, prorektori Berisha tha se të gjitha raportet janë publikuar në buletinin e UP-së dhe senatorët kanë qenë të informuar para votimit në Senat.

Në mbledhjen e Senatit të UP-së të mbajtur me 20 shtator të këtij viti, senatorët kishin vendosur që ta refuzojnë kandidatin Gjaka për zgjedhjen e tij në thirrjen akademike “profesor asistent për lëndën Fiziologjia e Sportit”, me arsyetimin se “përveç mosplotësimit të Nenit 177 të Statutit të UP-së edhe instancat e tjera të vlerësimit kanë pasur vlerësim negativ”.

Ndërkaq, me 9 tetor kandidati Masar Gjaka kishte parashtruar ankesë kundër këtij vendimi të Senatit të UP-së. Me 12 nëntor të po këtij viti, Senati i UP-së kishte shqyrtuar raportin e Komisionit për Ankesa dhe Parashtresa dhe kishte marrë vendim që të miratohet propozimi i këtij komisioni i datës 7 nëntor për refuzim të zgjedhjes së kandidatit Masar Gjaka në pozitën mësimdhënës në FEFS.

Gjaka theksoi se tashmë ka parashtruar ankesë në Inspektorat të Punës rreth këtij refuzimi.

“Unë veç e kam parashtruar një ankesë me datën 26.11.2018 dhe po pres një përgjigje prej Inspektoratit edhe pse inspektorati tha që ka një numër mjaft të madh të lëndëve. Unë shpresoj se lënda ime do të trajtohet me një seriozitet maksimal”, përfundoi Gjaka.