Agim Aliu, PDK, Ferizaj. Foto: Atdhe Mulla

Tenderi i çuditshëm mijëra euro për Facebook-un e Kryetarit

Paraqitja publike e Kryetarit të Ferizajt Agim Aliu në rrjete sociale, në fotografi e video i ka kushtuar kësaj komune hiç më pak se 18 mijë euro.

Komuna e Ferizajt ka shpallur një tender vitin e kaluar për “Administrimin e profilit të kryetarit të Komunës në rrjete sociale” me vlerë prej 750 euro në muaj në kohëzgjatje  prej 2 vitesh.

Përfitues i kësaj kontrate është kompania “Shëndet Aliu B.I” nga Ferizaji me pronar Shëndet Aliun.

Ky i fundit është djali i vëllait të drejtorit të Urbanizmit, Lulzim Aliu.

Këtë e ka pranuar edhe vetë Drejtori i Urbanizmit në komunën e Ferizajt në një bisedë për KALLXO.com.

“Po është djali i vëllait tim”, tha shkurt Aliu.

Shëndet Aliu, që në të kaluarën ka qenë edhe fotograf personal i kryetarit Agim Aliu ka thënë shkurt ka thënë se nuk dëshiron të flas për këtë temë.

“Nuk dua të deklarohem për këtë temë. Nuk e di e nuk e kam mendu se do të bëhet kaq e madhe. S’ka të bëj me afërsi familjare asgjë. Nuk dua më shumë të flas për këtë temë” ka thënë ai shkurt.

KALLXO.com ka pyetur komunën e Ferizajt se pse është dashur të angazhoj një person të veçantë për menaxhimin e profileve në rrjetet sociale të kryetarit.

Zyra për informim e komunës ka shpjeguar se pse ka hapur tender për menaxhimin e profileve të kryetarit Aliu.

“Me kontratën përkatëse, trajtohet një gamë e veprimeve që do të ndërmerren nga i kontraktuari, të parashikuara me kontratë, për institucionin e Kryetarit të Komunës” thuhet në përgjigjen e zyrës për informim.

Komuna ka shpjeguar edhe aktivitetet që janë paraparë të bëhen përmes kontratës, e që nuk është vetëm menaxhimi i faqes së kryetarit Aliu në ‘Facebook’ por edhe të tjera punë, si përpunimi i videove, dizjanimi e të tjera.

“Veprimet tjera që duhet të ndërmerren në kuadër të kësaj kontrate janë: fotografimi (realizimi, përpunimi, arkivimi, klasifikimi si dhe gjetja e fotografive), video (projektimi, ideimi, direktimi, xhirimi, montimi dhe përpunimi, arkivimi, klasifikimi, gjetja e videove, krijimi i videove me animacion, direktimi i incizimit dhe përpunimit të zërit, efektet zanore dhe muzika), disajni grafik virtual dhe print (dizajnimi i prapavijave, ftesave, posterave, banerave, njoftimeve, fletushkave, broshurave, sllajdeve, pllakateve), menaxhimi i profileve online (facebook, instagram, media), postimi i fotografive, videove, angazhimi për rritjen e shikueshmërisë e të dhëna të tjera” kanë thënë për KALLXO.com zyrtarët për informim në këtë komunë.

Gjithashtu, sipas zyrës për informim, tenderi nuk është shpallur për menaxhimin vetëm të profilit të kryetarit Aliu, por në përgjithësi për zyrën e Kryetarit të Komunës.

“Fjala është për një shërbim që ofrohet, ritheksoj për Kryetarin e Komunës dhe mirëfilli kemi parasysh se institucioni i Kryetarit të Komunës, përfshin në vete edhe një varg zyrash e mekanizmash përmes së cilave realizohet aktiviteti ditor i punës, pra nuk është një shërbim personal por shërbim kabinetik, në kuadër të Zyrës së Kryetarit të Komunës (fjala është për drejtori komunale, zyra komunale dhe gjithë mekanizmat tjerë që përfshin Zyra e Kryetarit të Komunës)” thuhet më tej në përgjigje.

Duke u përgjigjur se pse është dashur të angazhohet një person i veçantë për administrimin e rrjeteve sociale të Kryetarit të Komunës, zyra për informim ka thënë se shërbimet që ofrohen nga kompania “Shëndet Aliu B.I” nuk i ofron zyra për informim.

“Shërbimi i lartpërmendur, nuk ofrohet në kuadër të zyrës së informimit (fjalë është për pjesën profesionale të xhirimit, përpunimit dhe formave tjera digjitale të videove, fotografive e formave tjera të lartpërmendura për mungesë të kapaciteteve njerëzore dhe pozicionesh e pajisjesh në kuadër të Zyrës për Informim.” thonë në komunën e Ferizajt.

“Ju bëj të ditur se aktualisht operon me vetëm dy zyrtarë, ky shërbim i kontraktuar ka munguar, kanë munguar edhe pajisjet adekuate, andaj konform të gjitha procedurave të nevojshme të prokurimit publik është lidhur edhe kjo kontratë”, shtuan ata.

Sipas tyre, në këtë tender nuk ka pasur asnjë shkelje sa i përket tenderimit.

“Bazuar në Ligjin për Prokurimit Publik, përkatësisht Neni 35 I LPP-së lejon procedurën e negociuar pa publikim te njoftimit për kontratë (2.1. çfarëdo kontrate publike:  nëse, për arsye objektive dhe të detyrueshme teknike ose artistike, kontrata duhet ti jepet një operatori të caktuar ekonomik;) paçka, arsyeshmëria e përdorimit të kësaj procedure është natyra dhe lloji i shërbimit  të ofruar për institucionin e Kryetarit të Komunës” përfundon përgjigja e komunës për KALLXO.com.

Por krejt të kundërten e kanë thënë organizata jo- qeveritare Iniciativa për Progres që monitorion punën e komunës së Ferizajt dhe partia opozitare, Lidhja Demokatike e Kosovës.

Ditë mëoarë INPO ka akuzuar kryetarin Agim Aliu se po bën menaxhimin e profilit të vet në rrjete sociale me para të popullit.

Sipas INPO-s, zyrtarët e Prokurimit në këtë komunë vepruan kundërligjshëm kur nënshkruajten kontratën me kompaninë “Shëndet Aliu B.I”. Organizata që merret me monitorimin e punës në komunën e Ferizajt ka thënë se zyrtarët që e dhanë këtë tender duhet të vihen para llogaridhënies.

“Organizata INPO reagon ashpër ndaj keq menaxhimit të parasë publike përmes instrumentit të prokurimit në komunën e Ferizajt dhe kërkon që të mbahen përgjegjës zyrtarët, të cilët kanë vepruar në kundërshtim me Ligjin për Prokurimin Publik në Republikën e Kosovës” thuhet në njoftimin e IMPOS në rrjetin social ‘Facebook’. Kjo organizatë ka numëruar edhe disa prej shkeljeve në tenderin që është dhënë me 27 prill të vitit të kaluar.

Për rastin ka reaguar edhe partia opozitare në komunën e Ferizajt, Lidhja Demokratike e Kosovës. Në një reagim të kësaj paritë thuhet se tenderi për administrimin e profileve të kryetarit Aliu në rrjete sociale ka qenë i kurdisur.

“Pra, nga paratë e taksapaguesve, qytetarëve të Ferizajt kryetari Aliu paska angazhuar dikë për ta mirëmbajtur Facebookun, për imazh të tij personal, për t’u dukur sa më bukur në fotografi 750 euro në muaj ose 18 mijë euro në total për dy vite. Dega e LDK së ne Ferizaj, pyet
z. Aliu, se cfarë funksioni ka zyra për informim në kuadër të zyrës së kryetarit?” thuhet në reagimin e LDK-së, dega në Ferizaj.