‘Telashet’ e zakonshme të seancave të jashtëzakonshme  

Kuvendi i Kosovës këtë vit është mbledhur plot nëntë herë për seanca të jashtëzakonshme, në pesë prej të cilave janë zhvilluar debate parlamentare.

Por në asnjërin prej debateve që zgjasnin me orë të tëra, legjislativi nuk ka arritur të miratojë rezolutat e nxjerra, për shkak të mungesës së kuorumit dhe mos koordinimit ndërmjet grupeve parlamentare.

Kjo situatë për deputetë dhe monitorues të punës së Kuvendit, nuk po del të jetë aspak pozitive.

Deputeti nga radhët e Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), njëherësh zëvendëskryetar i parë i Komisioni për Legjislacion, Mandate, Imunitete dhe Rregulloren e Kuvendit, thotë për Gazetën Jeta në Kosovë, se kërkesat për seanca të jashtëzakonshme apo debate parlamentare duhet të jenë serioze.

“Ne kemi të drejtë me rregulloren e Kuvendit të kërkojmë këso seanca, por ato duhet me qenë serioze dhe jo për çdo temë me mbajt seancë të jashtëzakonshme. Sa i përket rezolutave, duhet  bërë një harmonizim me grupet tjera parlamentare. Një rezolutë e një grupi politik nuk mund të kalojë pa u harmonizuar me subjektet e tjera politike”, theksoi deputeti Beqa.

Sipas deputetit të pozitës, Kuvendi ka humbur shumë kohë me këto seanca.

“Është mirë të diskutohen shumë çështje, megjithëse mendoj që kemi humbur shumë kohë  me këto seanca. Ndoshta nuk kanë qenë as kompetencë e jona shumë debate, pasi kanë mbetur edhe shumë ligje të cilat duhet të kalojnë dhe janë në interes të zhvillimit të vendit”, theksoi ai për Gazetën JnK.

Në anën tjetër, Agnesa Haxhiu hulumtuese nga Instituti Demokratik i Kosovës (KDI), që monitoron punën e Kuvendit, thotë për Gazetën Jeta në Kosovë se nga nëntë seancat  e jashtëzakonshme që janë mbajtur në Kuvend, katër prej tyre janë thirrur nga opozita, ndërsa të tjerat nga pozita.

“Nga asnjë prej debateve parlamentare të mbajtura gjatë këtij viti nuk kanë përfunduar për shkak të mungesës së kuorumit për të votuar rezolutat/ rekomandimet e nxjerra nga këto debate si dhe për shkak të mungesës së koordinimit mes grupeve parlamentare për harmonizim të rezolutave/rekomandimeve të propozuara”, tha Haxhiu.

Sipas saj, numri i madh i seancave të jashtëzakonshme të mbajtura për këtë periudhë (janar -prill 2019) ka lënë anash zhvillimin e seancave plenare me një sërë pikash që kanë mbetur të papërfunduara që nga muaji tetor i vitit 2017.

“Vetëm tri seanca plenare janë mbajtur për këtë periudhë kohore dhe për pasojë Kuvendi aktualisht i ka të hapura 6 seanca me gjithsej 56 pika të rendit të ditës.  Prej tyre 30 pika janë shqyrtim i projektligjeve në shqyrtim në parim ose në shqyrtim të dytë”, thotë hulumtuesja për Gazetën JnK.

Haxhiu shtoi se ky bllokim i seancave ka ndikuar edhe në punën e Komisioneve Parlamentare.

“Bllokimi i këtyre pikave në seanca, sidomos pikat që kanë për shqyrtim projektligjet në parim të cilat nuk po arrijnë të votohen për mungesë të kuorumit ka ndikuar jashtëzakonisht shumë edhe në dinamikën e ulët të punës edhe tek komisionet parlamentare në procesin e amendamentit të projektligjeve meqë të njëjta nuk po arrijnë të marrin aprovim në parim në seancë”, tha ajo.

Kurse, që nga fillimi i sesionit të ri pranveror, Kuvendi i Kosovës ka miratuar gjithsej 18 ligje.

Ndërkaq, sipas KDI-së, në procedurë për votim në lexim të dytë janë edhe 13 projektligje të tjera, por për shkak të mungesës së kuorumit procesi i votimit për to është përsëritur disa herë, por pa rezultat.

“Edhe pse jemi në mes të muajit prill Kuvendi ende nuk e ka miratuar plan – programin e punës për vitin 2019 por bazuar në programin legjislativ të Qeverisë si dhe projektligjeve që janë bartur nga viti i kaluar, Kuvendi do të ketë për shqyrtim 133 projektligje, që do të jetë shumë sfidë për Kuvendin që të përmbushet një agjendë e tillë për shkak të bllokadës në të cilën gjendet”, përfundoi Agnesa Haxhiu për Gazetën Jeta në Kosovë.

“Inatet politike” pozitë-opozitë dhe mungesa e kuorumit, po e karakterizojnë në vazhdimësi punën e Kuvendit të Kosovës.

Rregullorja e re e Punës së Kuvendit, peng e ‘inateve politike’