Universiteti i Gjilanit "Kadri Zeka".

Telashet e Universitetit të Gjilanit me pozitën e sekretarit të përgjithshëm

Rektorati i Universitetit të Gjilanit ‘Kadri Zeka” po synon t’ia vazhdojë kontratën sekretarit të përgjithshëm, Vaxhid Sadriu.

Ky universitet, duke u thirrur në një interpretim të Ministrisë së Administratës Publike, po synon të mos e hapë fare konkursin për sekretar të përgjithshëm.

Pozita e Sekretarit të Përgjithshëm të Universitetit të Gjilanit, ‘Kadri Zeka’, rrezikon të mbetet vakante për shkak të pamundësisë së vazhdimit të kontratës pasi Këshilli Drejtues i Universitetit është jofunksional.

Vaxhid Sadriut që momentalisht mban pozitën e sekretarit në këtë Universitet Publik do t’i skadojë kontrata në fund të këtij muaji.

Për këtë pozitë, Universiteti mund të hapë konkurs të ri ose sipas tyre mund të vazhdohet kontrata në mënyrë automatike duke u thirrur në një opinion të Ministrisë së Administratës Publike.

Minire Rexhepi, zyrtare për informim në këtë universitet, tha se pritet që propozimi për vazhdimin e kontratës së Sadriut të dërgohet për votim në Këshillin Drejtues.

“Më datë 27.10.2018 kemi pranuar përgjigje nga MAP, ku kërkohet  që Sekretari i Universitetit meqë është fjala për rizgjedhje, të veprohet konform dispozitave të Ligjit Nr.03/L-149 për Shërbimin Civil dhe Rregullores Nr.06/2012 për pozitat e larta drejtuese në shërbimin civile të Republikës së Kosovës,  ku në mënyrë decidive sqarohet se kur është fjala për rizgjedhje duhet të veprohet në bazë të performancës së Sekretarit të Përgjithshëm për tre vitet e fundit, dhe propozimin e Rektorit duhet ta votoj Këshilli Drejtues”, tha Rexhepi.

Megjithatë, edhe ky opsion për momentin është i pamundur meqë Këshilli Drejtues i Universitetit ‘Kadri Zeka’ është i paplotësuar me anëtarët e deleguar nga Ministria e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë.

Rektori i Universitetit të Gjilanit, Bajram Kosumi, dhe sekretari i Universitetit, Vaxhid Sadriu. Foto: Vaxhid Sadriu/Facebook

“Mandati i Sekretarit të Përgjithshëm i kalon këtë muaj, por ne jemi në pritje të emërimit të tre anëtarëve të KD nga ana e MASHT-it, të cilët është dashur të marrin mandatin me 1 tetor 2018. Kjo është edhe arsyeja se pse zgjedhja e Sekretarit të Përgjithshëm nuk ka mundur të procedohet deri më tani, pra në mungesë të konstituimit të Këshillit Drejtues”, tha Rexhepi.

Ajo shtoi se “derisa kemi një interpretim nga MAP, ne nuk mund të kërkojmë hapjen e konkursit për pozitën e Sekretarit të Përgjithshëm, meqë për hapjen e konkursit duhet të kërkohet autorizimi nga MAP”.

KALLXO.com ka kërkuar nga Ministria e Arsimit arsyet e mos emërimit të këtyre anëtarëve në KD, mirëpo të njëjtit nuk kanë treguar arsyet.

Valmir Gashi, këshilltar i Ministrit të Arsimit, Shyqyri Bytyqi tha se janë në proces të emërimit të tyre.

“Në lidhje me temën tuaj, ju informoj se jemi ne proces të emërimit të tyre”, tha Gashi.

Lidhur me çështjen e vazhdimit të kontratës apo hapjen e një konkursi të ri për këtë pozitë, është kërkuar përgjigje edhe nga anëtarët ekzistues të KD-së në universitetit të Gjilanit. Gazeta është në pritje të qëndrimit të tyre.

Gjatë këtij muaji, Gazeta Jeta në Kosovë ka raportuar me problemet në përzgjedhjen e sekretarit të universitetit të Prishtinës ‘Hasan Prishtina’.

Universiteti i Prishtinës po funksionon me një ushtrues detyre të Sekretarit të Përgjithshëm, për shkak të mospajtimit të rektoratit dhe Këshillit Drejtues lidhur me mënyrën e përzgjedhjes së personit që do të mbajë këtë pozitë.

Rektori i Universitetit të Prishtinës kishte kërkuar vazhdimin e kontratës së sekretarit me votim formal.

Këtë kërkesë, rektori Marjan Dema tha se e kishte bazuar në një mendim ligjor të Ministrisë së Administratës Publike e cila ia njeh të drejtën institucionit me ia vazhdu kontratën bazuar në përformancën e sekretarit.

Megjithatë, shumica e anëtarëve të Këshillit Drejtues, duke përfshirë kryesuesen Ardiana Bunjaku thanë se kërkojnë hapjen e një konkursi për t’u dhënë mundësi të gjithë personave të kualifikuar të konkurrojnë.

Kryesuesja e KD-së, Ardiana Bunjaku, më 2 tetor kishte thënë se një konkurs publik do të ishte mënyra më e mirë e përzgjedhjes së zyrtarit në këtë pozitë.

Më 2 tetor të këtij viti, Esat Kelmendit i skadoi kontrata 5 vjeçare si Sekretar i Përgjithshëm i Universitetit ‘Hasan Prishtina’.

Megjithatë, rektorati i UP-së nuk ka hapur konkurs për këtë pozitë siç parashihet me statutin e universitetit, ndërsa vetë Kelmendi po vazhdon të qëndrojë si ushtrues detyre në këtë pozitë.

Avancimi i dyshimtë në Universitetin e Prishtinës