Ilustrimi: Trembelat

Telashet e Shpend Ahmetit për Shumicën në Asamblenë Komunale

Qeverisja e këtij mandati për Shpend Ahmetin në krye të Prishtinës mund të kthehet në një ‘deja vu’ të mandatit të parë.

Gjatë tërë fushatës, Ahmeti kishte kërkuar nga votuesit që përveç atë në garën për kryetar ta mbështesin edhe listën e kandidatëve për asamblistë të Vetëvendosjes.

Gjatë katërvjeçarit të parë, Ahmeti e ka pasur të vështirë t’i shtyjë disa vendime të cilat synonte t’i merrte për shkak se nuk e kishte shumicën në asamble për t’i marrë ato.

Prandaj “Jepi krahë Prishtinës” e kishte vendosur si slogan të fushatës së vitit të kaluar.

Kur votuesit e nxorën Vetëvendosjen si subjektin më të votuar në asamble dhe Ahmeti bëri disa koalicione për ta siguruar shumicën, Ahmetit situata duket se po i del nga dora përbrenda listës për të cilën kishte kërkuar vota.

Tri ditë më parë, Shpend Ahmeti u largua nga Lëvizja Vetëvendosje me anë të një letre në të cilën kishte listuar pakënaqësitë e tij rreth zhvillimeve të fundit në parti.

Në asamblenë 51 anëtarëshe të komunës së Prishtinës, në zgjedhjet e 22 tetorit të vitit të kaluar, Lëvizja Vetëvendosje mori 17 ulëse.

Por largimi i tij nga partia po ia rrezikon shumicën.

Shefja e grupit të asamblistëve të Lëvizjes Vetëvendosje Leonora- Shabani – Bajraktari tha për KALLXO.com se ende nuk dihen se cilët këshilltarë do të anojnë nga Shpend Ahmeti e cilët do të mbeten në partinë për të cilën u votuan.

“Nuk kam informatë se cilët asambleistë kanë me anu nga Shpend Ahmeti meqenëse ata që janë të krahu të Dardanit (Molliqajt) veçse kanë dhënë dorëheqje më herët kështu që nuk kisha dashur të bëj një ndarje momentalisht”, tha Shabani për KALLXO.com.

Ajo shtoi se disa aktualisht janë disa prej tyre që besojnë në programin e Lëvizjes Vetëvendosje, që besojnë në udhëheqjen e Albin Kurtit, kështu që për shumicën ende nuk e ka mendimin e tyre se cilën anë do ta përkrahin, pasi nuk ka ende informata të sakta.

Ndërsa sipas shefit i grupit të asamblistëve të Lidhjes Demokratike të Kosovë në Kuvendin Komunal të Prishtinës, Halim Halimi, përçarja e asamblistëve të Vetëvendosjes ka filluar që nga mbajtja e mbledhjes së dytë së Kuvendit Komunal, në të cilën nuk u miratua raporti financiar për tre muajt e fundit nga kryetari Shpend Ahmeti.

Vetëm tetë nga 51 asamblistët e Prishtinës e kishin mbështetur këtë raport.

“Tash brenda grupit të tyre ka ndarje, ne e kemi vërejtë atë ditë kur është mbajtë mbledhja e dytë e kuvendi komunal, ku nuk është miratuar raporti financiar. Aty katër anëtarë kërkuan dhe thanë se ne jemi grup i veçantë, kështu që ata katër sigurisht janë me Shpendin”, tha Halimi për KALLXO.com.

Nol Nushi, i cili ishte larguar nga partia muajin e kaluar bashkë me një grup prej rreth 40 aktivistëve të VV-së, ishte njëri prej tyre që u ndanë nga grupi i asamblistëve të VV-së mbledhjen e kaluar.

Dorëheqje Aktivistësh nga VV

Halimi tha se tani grupi më i madh në kuvendin komunal të Prishtinës mbetet LDK me 15 asamblistë.

“Tani, sipas meje, ne do të jemi grupi më i madh parlamentar, prej 15 anëtarëve sa jemi. Më e mira do të ishte që Shpend Ahmeti  të japë dorëheqje. Nëse vazhdon kështu do të jenë katër vite të humbura sikurse mandati i kaluar”, u shpreh Halimi.

Ndërsa Nol Nushi tha për KALLXO.com se pret që edhe tjerë asamblistë të VV-së t’i bashkohen grupit të tyre.

“Katër jemi që kemi dhënë dorëheqje nga Lëvizja Vetëvendosje dhe kemi formuar grup të pavarur, dhe veprojmë si grup i pavarur. Besoj që pas daljes së Shpend Ahmetit (nga VV) kanë me u bashku tek ne edhe asamblistë të tjerë sepse ka edhe shumë të tjerë që kanë pakënaqësi të tilla organizative brenda Vetëvendosjes”, tha Nushi.

Sipas Nushit, gjithë ky distancim nga Lëvizja Vetëvendosje nuk është për fajin e atyre që po distancohen por për fajin e situiatës së krijuar brenda Lëvizjes.

Ndërsa shefi i grupit të asamlistëve të Partisë Demokratike të Kosovës, Blerand Stavileci në lidhje më përçarjen e asamblistëve të Lëvizjes Vetëvendosje tha se tash kur ndarja e tyre u bë e dukshme, do të jenë qytetarët ata që do të pësojnë nga kjo situatë.

“Shpendi po e humb mbështetjen e ish bashkëpartiakëve. Po ashtu ish partia e tij do ta humbë pozitën e partisë lidere në asamble. Pra, kemi disa zhvillime paralelisht”, tha Stavileci.

“Ahmeti më s’do ta gëzojë mbështetjen as nga ata që deri dje të paktën e mbështesnin politikisht, sepse po të ishte me performancë e punë që moti s’do duhej ta mbështesnin”, tha Stavileci.

Një deputet i Lëvizjes Vetëvendosje, Liburn Aliu, tha sot se Këshilli i Përgjithshëm i VV-së duhet të vendosë nëse do të hyjë në koalicion me Shpend Ahmetin.

“Ai e ka thyer besimin e të gjithëve. Tash që ai nuk është më pjesë e organizatës tonë, Lëvizja duhet të përcaktohet nëse dëshiron të hyjë në koalicion qeverisës me Shpend Ahmetin”, ka theksuar Aliu në një postim në Facebook.

Aliu ka shpjeguar se vendimi për të hyrë në koalicion qeverisës me Shpend Ahmetin sipas Statutit i takon Këshillit të Përgjithshëm, që do ta trajtojë këtë çështje në mbledhjen e radhës.

“Deri atëherë, meqenëse Shpend Ahmeti është në qeverisje në Prishtinë për shkak të Lëvizjes Vetëvendosje, mendoj se është normale që drejtorët nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje të qëndrojnë në pozicionet e tyre në komunën e Prishtinës”, ka përfunduar Liburn Aliu.

Liburn Aliu: VV Duhet të Vendosë Nëse Bën Koalicion me Shpend Ahmetin në Prishtinë

 

09 Mars 2018 - 21:40

Afërdita Fejzullahu 09/03/2018 - 21:40
NDËRVEPRIMI22
Prishtina Insight
NA NDIQNI

Send this to a friend