Ilustrim

Telashet e Komunës së Prishtinës me konkursin për Bordin e 'Prishtina Parking'

Komuna e Prishtinës nuk po arrin të funksionalizojë ndërmarrjen e re, Prishtina Parking. Konkursi për përzgjedhjen e anëtarëve të bordit të ndërmarrjes është në prag të anulimit për të tretën herë.

konkursin e fundit që është shpallur me 19 dhjetor 2018 kanë qenë të përfshirë edhe BDO-ja, kompania e angazhuar nga Ambasada britanike për t’i ofruar asistencë institucioneve të Kosovës në përzgjedhjen e pozitave të larta drejtuese.

Pas përmbylljes së procesit të intervistimit, Komisioni vendor ka propozuar katër kandidatë të suksesshëm për bord të ndërmarrjes: Lulzim Pirraku, Sinan Pasha, Mahir Blaku dhe Naser Krasniqi.

Kurse, BDO-ja pas intervistimit të 18 kandidatëve për katër pozitat e kërkuara ka arritur ta rekomandojë vetëm një kandidat të emërueshëm. Sipas BDO kandidati i emërueshëm ka qenë vetëm Naser Krasniqi.

Komuna e Prishtinës menjëherë pas përfundimit të procesit ka publikuar në Facebook një fotografi me anëtarët e komisionit ku kanë bërë njoftimin e përzgjedhjes së kandidatëve, por ky publikim ishte fshirë pak minuta pas publikimit.

“Komisioni i Aksionarëve të Ndërmarrjes “Prishtina Parking”, në bashkëpunim me përfaqësuesit e Ambasadës së Mbretërisë së Bashkuar, kanë zgjedhur anëtarët e Bordit të kësaj ndërmarrjeje. Lulzim Pirraku, Sinan Pasha, Mahir Blaku, Naser Krasniqi janë zgjedhur anëtarë të Bordit, pas përfundimit të të gjithë procedurave të konkursit publik”, kishte shkruar Komuna e Prishtinës në “Facebook”.

KALLXO.com ka kontaktuar me anëtarët e komisionit vendor për të parë se në çfarë faze është procesi dhe pse ende nuk janë emëruar kandidatët për drejtorë të “Prishtina Parking”.

Gëzim Mehmeti, kryesues i komisionit vendor, i cili vjen nga radhët e partisë AKR, ka thënë se ende nuk është takuar komisioni vendor për të vendosur nëse do të emërohen katër anëtarët e përzgjedhur apo do të anulohet.

“Gjatë ditëve në vazhdim do të takohemi, ne, anëtarët e komisionit vendor që t’i shohim rekomandimet dhe të vendosim se çfarë të bëjmë me konkursin dhe së bashku do të vendosim, gjë për të cilën do të njoftoheni me kohë”, është deklaruar Mehmeti.

Në anën tjetër Eman Rrahmani, asamblist komunal nga Vetëvendosje dhe aksionar në “Prishtina Parking”, ka thënë për KALLXO.com se kandidatët për këtë ndërmarrje nuk janë emëruar ende për shkak se të përzgjedhurit nuk janë në preferencat e udhëheqjes komunale.

“Arsye se pse ende nuk janë emëruar është pse janë përzgjedh njerëzit më meritor dhe jo ata që kanë dashur t’i përzgjedhin dhe janë njerëz të tyre”, ka thënë Rrahmani.

Ndërsa, anëtari tjetër i komisionit vendor, aksionari i kësaj ndërmarrjeje publike nga PSD, Drilon Pireva, ka thënë për KALLXO.com se për anëtarët e përzgjedhur për “Prishtina Parking” kanë kërkuar interpretim ligjor nga zyrtarët në Komunë. Interpretimi ligjor ishte kërkuar pas pyetjeve të dërguara nga KALLXO.com.

“Ne kemi kërkuar interpretim ligjor për kandidatët të cilët i kemi zgjedh, e para arsye është për shkak se janë përzgjedhur katër burra dhe duam ta shohim anën ligjore që të mos bëjmë shkelje për kuotën gjinore dhe e dyta është se jemi ende në konsultë me ambasadën britanike me pa nëse duhet ta përsërisim konkursin apo me vazhdu me të njëjtit për shkak se ata e kanë çu veç një rekomandim”, ka thënë Pireva.

Ai ka thënë se ndërmarrja është në situatë të jashtëzakonshme për shkak se të dështimeve të konkurseve paraprake.

“Kjo ndërmarrje është e re dhe nevoja për funksionalizim është shumë e madhe dhe ende nuk e dimë a do ta përsërisim konkursin. Jemi në mes sepse, ende nuk e dimë nëse është më e madhe nevoja për funksionalizim të ndërmarrjes apo rekomandimi i BDO që ka nxjerr vetëm një kandidat të suksesshëm, ndërsa ne i kemi kërkuar katër”, është deklaruar Pireva.

KALLXO.com ka hulumtuar për kandidatët e përzgjedhur dhe ka parë që kandidati Lulzim Pirraku ka qenë kandidat për Asamble Komunale të Prishtinë, nga radhët e Vetëvendosjes, në zgjedhjet e fundit të mbajtura në tetor të 2017-ës.

Në nenin 17 të Ligjit për ndërmarrje publike thuhet se kandidati në 36 muajt e fundit para datës së aplikimit për ndonjë pozitë të caktuar në ndërmarrje publike nuk duhet të jetë zyrtar i zgjedhur publik, të jetë i emëruar politik ose  bartës i një posti udhëheqës ose vendimmarrës në një parti politike.

KALLXO.com ka pyetur Pirevën se a e kanë konsultuar Ligjin për Ndërmarrjet Publike ose a keni kërkuar interpretim ligjor nga MZhE-ja për faktin që kandidati Lulzim Pirraku ka qenë kandidat për asamblist nga Lëvizja Vetëvendosje.

“Ky informacion ka ardhur nga ju, na ka ndihmuar shumë dhe pikërisht edhe për këtë jemi duke pritur opinionin e zyrës ligjore dhe jemi duke e shqyrtuar dhe besoj se kemi me ardhë në një përfundim se çka duhet të bëjmë”, ka deklaruar Pireva.

Komuna e Prishtinës më 7 nëntor të vitit 2018 ka nënshkruar memorandum bashkëpunimi. Ky memorandum  është nënshkruar nga ambasadori i Britanisë në Kosovë, Ruairi O’Connell dhe kryetarit të Prishtinës, Shpend Ahmeti.

Pas nënshkrimit të këtij memorandumi kryetari Ahmeti ka deklaruar se projekti i memorandumit të bashkëpunimit do ta ndihmojë Komunën e Prishtinës në rekrutimin e pozitave të larta.

“Kjo është mundësi që të tregojmë transparencën dhe të sigurohemi edhe ne se po e bëjmë më të mirën. Bordet e ndërmarrjeve janë me rëndësi për partitë dhe ka presion, këtë nuk mund ta mohojmë. Kjo është lehtësim për ne. Janë pozita që po vijnë në këtë fazë për komunën dhe janë të rëndësisë së lartë. Po flasim për ndërmarrjet, duke filluar nga NPB-ja në katër pozita në bord, për parkingjet, Pallatin e Rinisë”, kishte thënë Ahmeti.

Ahmeti kishte paralajmëruar se do të shpallet konkurs për emërimin e anëtarëve të bordit në ndërmarrjen “Prishtina Parking”, pak ditë pasi ishte shmangur ky konkurs dhe anëtarët e bordit ishin zgjedhur me mënyrën e emërimit.

“Patjetër po. S’kemi pasur persona që kanë përmbushur kriteret. Ne shpallim edhe konkursin për përzgjedhje dhe do ta bëjmë në bashkëpunim me ambasadën”.

Për këtë pozitë është kërkuar që kandidatët të kenë së paku pesë vjet përvojë pune në një nivel të lartë të menaxhmentit në fushën e administrimit të biznesit, financave korporative, financa, menaxhim i thesarit, banka, konsulencë në biznes ose industri ose nga një fushë tjetër e shkencës ose njohurisë e cila ka të bëjë me veprimtarinë afariste të NP-së.