Teatri i Gjilanit. Foto: Facebook

Teatri i Gjilanit, Një Vit Pa Shfaqje të Reja e Pa Drejtor

Gjithsej 18 punëtorë e performues të Teatrit të Gjilanit vazhdojnë të marrin paga nga buxheti vjetor prej 70 mijë eurove të cilat Komuna e Gjilanit i ndan për ta edhe pse gjatë këtij viti Teatri i Gjilanit nuk ka prodhuar asnjë shfaqje të re.

Teatri i cili ka 150 ulëse është ndërtuar në qendër të qytetit në vitin 1944 kurse shfaqja e parë e vendosur në këtë skenë është komedia “Vllazni interes” e Kristo Floqit.

“Im atë e donte Adolfin” e vitit 2016 me tekst të Mehmet Krajës dhe regji të Ilir Bokshit, është shfaqja e fundit e prodhuar nga ky teatër.

“Shfaqja e fundit ishte me datë 20 tetor 2017, repriza e shfaqjes “Im atë donte Adolfin”, shfaqje kjo që është prodhuar në vitin 2016 nga teatri jonë. Si shfaqje të teatrit të Gjilanit, janë shfaqur “Nata e Helverit” dhe “Im atë donte Adolfin”. Këto dy shfaqje janë dhënë disa herë gjatë vitit 2017”, është shprehur Avni Shkodra, aktori i Teatrit të Gjilanit.

Edhe regjisori Ekrem Sopi thotë se shfaqja e fundit e prodhuar nga Teatri i Gjilanit është shfaqur në vitin 2016.

“Teatri i Gjilanit shfaqjen e fundit e ka dhënë në vitin 2016. Në janar të vitit 2017 ka qenë një shfaqje e fakultetit dhe kjo është shfaqja e fundit. Një shfaqje e imja ‘MENEHMET, Plauti’ është paraparë të vendoset në skenën e teatrit të Gjilanit për repertorin e vitit 2017 dhe ka kaluar në muajin korrik, mirëpo akoma nuk kemi filluar, e udhëheqësit i marrin rrogat”, ka theksuar Sopi.

Kurse u.d i drejtorit të Teatrit të Gjilanit, Bujar Haziri i ka kundërshtuar këta dy të parët duke u shprehur se gjatë vitit kanë qenë tri shfaqje të reja kurse dy të tjera janë drejt përfundimit.

“Teatri ka zhvilluar tri shfaqje të reja këtë vit dhe 12 repriza gjatë vitit, ndërsa dy nga to janë në proces të përfundimit si premiera të këtij viti kalendarik. Teatri shfaqjen e fundit e ka pasur për festat e nëntorit “Im atë donte Adolfin”  dhe reprizën “Nata e Helverit””, thuhet në përgjigjen e Hazirit.

Regjisori Ekrem Sopi fajin për mos prodhimin e shfaqjeve ua lë udhëheqjes së teatrit të Gjilanit.

Në këtë segment aktorët nuk janë fajtor, ngase krejt çka mund të bëjnë ata është të jenë të gatshëm për punë, që edhe janë të tillë. Aktori nuk inicion projekte, shfaqje. Aktorin e fton udhëheqja e teatrit dhe ai fillon punën, por këtu ngec, udhëheqja. Thuhet dhe flitet shumë pse aktorët marrin paga e nuk punojnë, nuk është problemi këtu. Teatri nuk është i aktorëve por i Gjilanit, i qytetarëve të tij”, ka thënë Sopi.

Komuna ndan buxhet vjetor për teatrin në vlerë prej 70 mijë euro nga kodi i subvencionimit dhe paguan të gjitha shërbimet komunale për objektin e teatrit.

“Mjetet nga subvencionimi i teatrit alokohen për stafin teknik 6 persona dhe për ansamblin e aktorëve 12 persona, gjithsej 18 punëtorë e performues”, ka thënë Bujar Haziri, u.d i drejtorit të teatrit të Gjilanit.

Por sipas aktorit të Teatrit të Gjilanit, Avni Shkodra përveç buxhetit për paga, komunat obligohen ta sigurojnë edhe buxhetin për prodhim, në mënyrë që t’i angazhojnë punëtorët të cilën i kanë kontraktuar.

“Gjatë gjithë kohës po avokojmë që teatri jonë të zhvillohet dhe të ketë repertor të rregullt, në mënyrë që të mos kemi më probleme me vonesa të pagave dhe rrjedhimisht me prodhim e aktivitet”, ka thënë Shkodra.

Edhe pse Komuna e Gjilanit e ndan buxhetin për pagat e punëtorëve të teatrit shpesh ata ju mbesin nga 2 ose 3 paga borxh.

“Mbi këtë pikë, kemi themeluar edhe sindikatën e punëtorëve të teatrit, për t’i mbrojtur të drejtat themelore të punëtorëve në lidhje me pagesat dhe të drejtës për të krijuar. Jemi në bisedime edhe me komunën e Gjilanit por edhe me Ministrinë e Kulturës, që të gjendet ndonjë model tjetër, që teatri jonë të funksionoj pa këto probleme”, ka theksuar Shkodra.

Këtë problem e kanë të gjitha teatrot publike të qyteteve në Kosovë qysh kur ka hyrë në fuqi ligji i  ri për teatrot dhe ata kanë mbetur në kompetencë të komunave përkatëse.

Edhe u.d i drejtorit të Teatrit të Gjilanit, Bujar Haziri e ka pranuar se sfida kryesore është ridraftimi i ligjit për teatrot dhe rikthimi i statusit të teatrit nga ana e MKRS-së dhe çështja e buxhetimit permanent për produksionin e rregullt të shfaqjeve në teatër, sikurse edhe çështja e kompensimit të pagave për ansamblin e stafin rezident.

Më shumë se një vit pa drejtor

Por ky teatër me histori këto kohë po përballet edhe me një tjetër problem përveç me atë të mos prodhimit të shfaqjeve të reja.

Teatri i Gjilanit qe një vit ka mbetur pa drejtor. Gjatë kësaj kohe janë anuluar pesë konkurse me arsyetimin se ka pasur mungesë të kandidatëve me kushte të plotësuara sipas procedimit të Këshillit për teatër. Kështu që gjatë kësaj periudhe u.d i Drejtorit të Teatrit të Gjilanit ka qenë Bujar Haziri.

Komuna e Gjilanit në përgjigjen për KALLXO.com ka shpjeguar se procedurat për zgjedhjen e drejtorit të Teatrit të Gjilanit do të fillojnë pas konstituimit të Kuvendit dhe procedurave të rekrutimit dhe ndërrimeve statutore në Komunë, duke përfshirë edhe konstituimin e riformatimin e Këshillit për teatrin.

“Deri tani jane zhvilluar pesë konkurse. Këshilli i Pavarur mbikçyrës ka vendosur anulimin në procedurë dhe mungesë të kandidatëve me kushte të plotësuara dhe sipas procedimit të Këshillit për teatër”, thuhet në përgjigjen e Komunës së Gjilanit.

Regjisori Ekrem Sopi ka potencuar se ka një vjet e gjysmë që teatri është pa drejtor dhe sipas tij kjo është qasja e politikës karshi kulturës.

“Momentalisht Kosova lëvizë brenda mbijetesës dhe kultura është jashtë kësaj filozofie edhe pse në esencë kultura është bazament njerëzor ngase pikërisht kultura na bën të dallojmë nga kafshët”, ka thënë Sopi.

Kurse aktori i Teatrit të Gjilanit, Avni Shkodra ka theksur se problemi i anulimeve të konkurseve për drejtor të teatrit është diskutuar aq shumë saqë ai pret që sa më shpejtë të rishpallet konkursi për drejtor të teatrit.