Të Zhvendosurit e Padisin Malin e Zi në Strasbourg

“I kemi përdorur të gjitha mundësitë për të zgjidhur statusin tonë  në kuadër të institucioneve vendore. Ekipi ynë i avokatëve po përgatitet për Strasbourg. Pas një ose dy muajsh, do të fillojmë gjyqin”, i tha BIRN-it  Milenko Jovanovic, kryetar i Shoqatës.

Ky veprim vjen pasi në dhjetor, Gjykata Kushtetuese e refuzoi kërkesën e bërë nga Shoqata për të riparë një vendim të qeverisë të vitit 2008, që e ndalon dhënien e nënshtetësisë malazeze njerëzve që erdhën në Mal të Zi nga Bosnja, Kroacia dhe Kosova, gjatë luftërave të viteve 1990-të.

Mali i Zi strehon 11,000 persona nga Kosova  dhe pothuajse 7,000 njerëz nga Kroacia dhe Bosnja dhe Hercegovina. Shumica e tyre nuk kanë të drejtë të aplikojnë për nënshtetësi malazeze, nëse janë pajisur me dokumente identifikimi, nga vendi i tyre i origjinës, gjatë kohës sa kanë jetuar në Mal të Zi.

“Kjo nuk ka kuptim, sepse ID-të nga vendi i origjinës ishin prova e vetme e ekzistencës së tyre”, shpjegoi Jovanovic.

Parakushti për të aplikuar për nënshtetësi malazeze ishte regjistrimi në Ministrinë e Brendshme, ndërsa shumica e njerëzve nga Kosova ishin regjistruar në Komisariatin për Refugjatë dhe nuk mund të aplikojnë.

“Ky diskriminim duhet të ndalojë së shpejti dhe jam optimist për iniciativën tonë në Strasbourg”, i tha Jovanovic, BIRN-it.

Mali i Zi ka një nga regjimet më strikt në rajon, të dhënies së nënshtetësisë. Shteti është veçanërisht frenues në lidhje me nënshtetësinë e dyfishtë. Përveç 18,000 personave të zhvendosur, të cilët nuk kanë nënshtetësi, 25,000 persona të tjerë kanë aplikuar për nënshtetësi malazeze.