Hidrocentral në grykën e Topojanit |Foto: Bashkim Shala

Të pushtuar prej HEC-eve: Banorët e Kukësit kundërshtojnë ndërtimet

Kilometra të tërë të lumenjve Reka, Topojan dhe Orgjost do të futen në tuba për të ndërtuar hidrocentrale të vegjël. Banorët e fshatrave të Topojanit e Novosejt kërcënojnë për protesta deri në vetëflijim, ndërsa thonë se kjo ishte më e rëndë se “një pushtim”.

Prej muajit shkurt, kur Këshilli Kombëtar i Territorit miratoi lejet e ndërtimit për pesë hidrocentrale të reja mbi shtratin e lumit Reka, banorët e fshatrave të Topojanit dhe Novosejt jetojnë mes protestave dhe frikës se do të humbasin burimet ujore dhe natyrore të zonës së tyre.

Të papyetur nga askush, ata i thanë BIRN se janë të vendosur të ndalojnë me çdo kusht ndërtimin e HEC-eve, që parashikojnë të fusin në tuba kilometra të tërë të lumit rreth të cilit është ndërtuar e gjithë jeta e tyre.

“Flitet që uji do futet në tubacione nga Zaja deri në Topojan. Kështu që do të izolohet plotësisht lumi Reka. Për këtë lumë kanë jetuar këtu njerëzit me shekuj. Në rast se arrijnë që të fusin ujin nëpër tuba atëherë vetëm gjarpri fluturon këtu,” tha Ilmi Ahmeti, banor i fshatit Topojan.

“Dëmtohet bujqësia, drurët frutorë dhe pyjet. Shkatërrohet komplet biodiversiteti,” shtoi ai.

Ahmeti nuk është i vetmi që mendon kështu. Pasi Këshilli Kombëtar i Territorit (KKT) miratoi në shkurt lejet e ndërtimit për kompaninë “Reka Energy” shpk për ndërtimin e hidrocentraleve të Zajës, Turajt, Xhaferajt, Kollovozit e Novosejit, banorët e fshatrave organizuan protesta në Kukës dhe Tiranë, të cilat kanë rënë deri më tani në vesh të shurdhër.

Ilmi Ahmeti, banor i fshatit Topojan kundërshton projektin për ndërtimin e pese HEC-eve. Foto:Bashkim Shala

E megjithatë, ata nuk kanë hequr dorë dhe janë zotuar se nuk do të lejojnë ndërtimin, për të cilin thonë se nuk janë pyetur, ndërsa po ashtu akuzojnë kompaninë për falsifikim dokumentesh.

Ata po ashtu pretendojnë se koncesionet nuk do të dëmtojnë vetëm natyrën, që është pjesë e Parkut Natyror Korab-Koritnik, por edhe shkatërrojnë bujqësinë e zonës duke nxjerrë jashtë funksionit kanalet vaditës, disa mullinj qindra vjeçarë dhe madje edhe disa punishte tradicionale shumë të rralla të përpunimit të leshit.

BIRN nuk arriti të kontaktonte me administratorin dhe përfaqësues të “Reka Energy” Shpk.

Kontrata koncesionare të pesë hidrocentraleve janë miratuar që në vitin 2008, kur vendi drejtohej nga qeveria e Sali Berishës. Për vite me radhë, ato dukej se ishin lënë në harresë, deri kur KKT e drejtuar tani nga Edi Rama mori vendimin për t’i ringjallur duke dhënë lejet e ndërtimit.

Projekti i ri i shtohet një morie hidrocentralesh të miratuara në afërsi të kanionit të Grykës së Vanave në Kukës-i shpallur monument natyror dhe pjesë e parkut Korab-Koritnik.

BIRN gjeti se si edhe në raste të tjera të ngjashme, Vlerësimi i Ndikimit në Mjedis rezulton me gafa dhe paqartësi, ndërsa vihet re që herë pas here i referohet një hidrocentrali në Mat, në vend të atyre në Kukës.

Ndërtimi i HEC-ve pa konsultime me banorët e zonave që vareshin prej lumejve e përrenjve ku ato u vendosën, u pasua me protesta disa herë të dhunshme dhe shumë banorë të fshatrave në të gjithë vendin, përfshi edhe zonën e Kukësit u arrestuan apo kanë ende probleme me drejtësinë.

Megjithatë, banorët e Topojanit dhe Novosejt me të cilët BIRN bisedoi u shprehën të vendosur për t’i mbrojtur deri në vetëflijim burimet e tyre natyrore.

HEC-et kundër natyrës dhe kulturës

Një hidrocentral i vogël i ndërtuar në Grykën e Vanave-i shpallur monument natyror. Foto:Bashkim Shala

Bilbil Myftari, kryetar i Njësisë Administrative të Topojanit i tha BIRN se banorët e zonës nuk janë informuar dhe as janë përfshirë në konsultime publike. Myftari shtoi se lejet ishin dhënë në kundërshtim me ligjet dhe numëroi rreth 50 nene nga ligjet për Zonat e Mbrojtura, menaxhimi i burimeve ujore, mbrojtja e mjedisit, e biodiversitetit dhe e faunës së egër që ishin shkelur.

Sipas tij, ndërtimi i HEC-eve në Lumin Reka nxjerr jashtë funksionit mbi 15 kanale vaditëse, pasi në bazë të projektit, uji i lumit do të futet në tuba dhe për pasojë banorët e zonës do të privohen nga mbjellja e patates, misrit, fasules e perimeve.

“Krahas kanaleve vaditëse dalin jashtë loje edhe 15 mullinj bloje në të gjithë gjatësinë e lumit Reka, si dhe disa punishte për përpunimin e leshit që punojnë me ujë dhe që I përkasin trashëgimisë kulturore”, tha Miftari.

Kryetari i njësisë administrative të Topojanit shtoi gjithashtu se HEC rrezikojnë llojet e peshqve të egër, përfshi troftën dhe gjithë biodiversitetin e zonës, por edhe largimin e banorëve.

“Vendimi për ndërtimin e pesë HEC-eve do të sjellë si pasojë migrimin dhe emigrimin e detyrueshëm të këtyre banorëve, kjo në kundërshtim me vullnetin dhe të drejtën e tyre të parashikuar në kushtetutë për të zgjedhur lirisht vendbanimin dhe mënyrën e jetesës”, shtoi Myftari.

Në Topojan të Kukësit, Ilmi Ahmeti miraton shqetësimet e kryetarit të njësisë administrative dhe e krahason këmbënguljen e qeverisë për të ndërtuar HEC-e në zonë me pushtimin serb të fillimit të shekullit të kaluar.

“…me një ndryshim se Serbia nuk na preu bukën e ujin, ndërsa qeveritë tona me këto veprime po na ndalin bukën e ujin,” tha ai për BIRN.

Kundër ndërtimit të HEC-eve shprehen edhe banorë të fshatrave Novosej, Kollovoz e Shtrezë të Njësisë Administrative të Shishtavecit. Njëri prej tyre është 70 vjeçari Abedin Noka, i cili ka shërbyer për 47 vite në arsim dhe është nga të parët që ngriti zërin kundër ndërtimit të HEC-eve.

“Jam i pari që në emër të së ardhmes kam ngritë zërin kundër kësaj kuçedre që i kanoset kësaj zone. Ta marrin vesh  një herë e pergjithmonë se pa kaluar mbi trupat e këtyre banorëve HEC-e këtu nuk do ndërtohen,” thotë i irrituar Noka.

Noka thotë se HEC do rrezikojnë gjithçka ata kanë përfshi edhe bletarinë e pak prodhime bujqësore që mund të sigurojnë. “Kërkojmë të hetohen procedurat për dhënien e lejeve për këto HEC-e për arësye se nuk është pyetur komuniteti”, thotë Abedin Noka.

Ejup Mata, banor i fshatit Novosej thotë për “BIRN” se pa miratimin e banoreve të zonës aty nuk do të ndërtojë njeri HEC-e.

“Kjo është një zonë e mbrojtur. Është pronë e jona dembabadem dhe nuk guxon kush t’a prekë”, tha Mata, që shpreson se banorët edhe ata që kanë migruar apo ndodhen jashtë vendit do të tuboheshin për të ndaluar HEC-et.

Kundërshtimi i ekspertëve

Ejup Mataj, banor i fshatit Novosej dhe kundërshtar i ndërtimit të HEC-eve. Foto:Bashkim Shala

Kundërshtimi i banorëve nuk duket se ka bindur qeverinë për të ndaluar miratimin e lejeve të reja. Gjatë një takimi në Kukës me zyrtarë lokalë dhe banorë të prekur, me fokus te hidrocentralet e planifikuara, Olsi Nika drejtor ekzekutiv i ECO Albania tha se situata ishte alarmante dhe se në vend ishin planifikuar 520 hidrocentrale të vegjël, përfshi disa në zona e parqe të mbrojtura si Kanioni i Vanave dhe Parku Korab-Koritnik, të cilat preken nga 5 lejet e fundit.

“Ne i kemi ligjet, por stonon zbatueshmëria e tyre që është një problem thelbësor. Ligjet janë kontradiktore për Zonat e Mbrojtura, ku një ligj e ndalon investimin dhe një ligj tjetër e lejon”, tha Nika në takimin ku ndodheshin edhe banorët e fshatrave.

Në të njëjtin takim, eksperti i politikave-mjedisore Elton Qëndro paralajmëron se ndërtimi i HEC-eve dhe  për rrjedhojë edhe konfliktet prej tyre do të vijojnë. “Duhet të përgatitemi të gjithë bashkë për një rritje të ndërtimit të HEC-eve, njëherësh edhe konflikteve si dhe të presionit për të shfrytëzuar burimet ujore ku qëllimi kryesor i qeverisë është diversifikimi i energjisë dhe mungesa e importit”, tha Qëndro në të njëjtin takim të zhvilluar në Kukës në fillim të Majit.

Ai po ashtu vuri në dukje se strategjia e qeverisë për të shfrytëzuar deri në vitin 2030 rreth 80% të burimeve ujore ishte mjaft e gabuar dhe se cënonte rëndë turizmin.

“Të ardhurat nga sektori energjitik janë 1 deri në 1.1% të GDP-së, ndersa të ardhurat nga turizimi janë 6.2% të GDP-së. Prandaj turizmi është arteria kryesore e zhvillimit të vendit ku në vitin 2027 parashikohet që të ardhurat nga ky sektor të jenë 33% të GDP-së,” argumento Elton Qëndro.

Edhe  drejtori i Agjencisë Rajonale të Zonave të Mbrojtura për qarkun e Kukësit, Besnik Hallaçi shprehet mjaft kritik për mënyrën e dhënies së lejeve për HEC-et në Kanionin e Vanave që është Zonë e Mbrojtur dhe pjesë e parkut Natyror Korab-Koritnik.

“Përsa i përket Kanionit të Vanave, tashmë mund të themi se ai  mund të quhet kanion i dëmtuar dhe pa lumë. Të gjitha HEC-et janë ndërtuar në mënyrën më te keqe të mundshme. Ka ndryshuar i gjithë shtrati i lumit, pasi uji është futur nëpër tuba duke tharë lumin  dhe kjo ka ndikuar negativisht  në florën, faunën dhe biodiversitetin,” tha Hallaçi.

Kundër ndërtimit të HEC-eve shprehet edhe drejtori i Agjencisë Rajonale të Mjedisit, Shemsi Shahu, i cili njësoj si banorët protestues, duket se nuk është marrë parasysh nga qeveria.

“Me rastin e pesë HEC-eve në lumin e Topojanit dhe atë të Reçicës ne e kemi dhënë mendimin se ato nuk duhet të bëhen. Deri ketu është hapi ynë. Ndaj duhet të ndryshohet ligji, ku Vlerësimi I Ndikimit në Mjedis (VNM) duhet të aplikohet në zonën ku do të bëhet investimi dhe jo siç ndodh aktualisht, në Tiranë,” përfundoi Shahu.

HEC me tuba i ndërtuar mbi lumin e Orgjostit. Foto:Bashkim Shala
Kanali i HEC-it të ndërtuar mbi lumin Orgjost që pritet të hyjë në tuba. Foto:Bashkim Shala
Një mulli 300-vjeçar në lumin Orgjost. Foto:Bashkim Shala
Kanioni i Vanave, pjesë e Parkut Natyror Korab-Koritnik. Foto:Bashkim Shala.

Marrë nga reporter.al