Të mbijetuarit shqiptarë të bombardimeve të NATO-s rrëfejnë tmerrin që përjetuan

“Unë kurrë nuk e kam ditë që i bëj 20 vjet kështu. Thosha nuk më zë e nesërmja, e pasnesërmja. Thosha sot kam me vdekë, nesër kam me vdekë. Kurrë s’kisha besu me rrnu pa këmbë. Qe, u bënë 20 vjet”.

Kështu e fillon rrëfimin e saj Nazife Ahmetaj, e cila ishte vetëm 22 vjeçare kur më 13 maj të vitit 1999 humbi këmbën dhe u plagos në shpinë si pasojë e një bombardimi të ‘gabuar’ të NATO-s, në fshatin Korishë të Prizrenit.

Në 20 vjetorin e fillimit të bombardimeve të NATO-së, Nazifja për Gazetën Jeta në Kosovë rrëfen se çfarë ndodhi në natën tragjike.

“S’po di çka me kallxu ma përpara… Ora ka qenë rreth 12:20 e natës. Kemi qenë në traktor kur ka gjujtë NATO. Do i ka mbytë, do i ka plagosë. E mbaj mend, ka pas britma. Unë vetëdijen nuk e kam humb. Kam ditë gjithçka. E mbaj mend kam lyp ujë, m’kanë thanë s’ban me pi. E kom desh xhemperin edhe e kom mbështjell këmbën. Këmba më ka humb krejt, eshtrat më bënin: Kërrc, kërrc, kërrc’”, thotë ajo.

Tutje Nazifja rrëfen edhe për dhimbjen dhe pasojat që ky bombardim i ka lënë në trupin e saj.

“Kam pasë shumë dhimbje. Tani unë edhe shtatzënë isha, në muajin e gjashtë. Tani mandej kam lind vajzë. Kam qenë e plagosur në shpinë, ku edhe sot e kam një metal në shpinë. Këmbën e kam humbë”, thotë ajo deri sa mban dorën mbi gjurin e këmbës së saj.

Përveç tërë tragjedisë ajo kujton se menjëherë pas bombardimit i ka dëgjuar ushtarët serbë duke thënë: “NATO-n e keni lypë – qe NATO çka po ju bën, çfarë ndihme ju jep”..

Për Nazifen këto 20 vite kanë qenë dhimbje, trauma, e vështirësi për t’u përshtatur me realitetin të cilin i solli ajo natë.

“Bëhem nervoz se këmba më jep stres shumë. Natën më vjen njëfarë ligështimi. Them veç më ka ardhë vdekja. Por i pi hapat e qetësimit e më kalon. Këmba më jep presion se nuk është në rregull që 30 proteza që i bëj edhe nuk po më bëjnë rehat. Çdo tri ose katër vjet unë kam me hi në operacion”, vazhdon tutje rrëfimin e saj ajo.

Fatin e saj e kanë pasur edhe shumë banorë të lagjes së saj, me të cilët Nazifja takohet shpesh dhe diskutojnë dhimbjen që ajo natë ia la mbi supet e tyre.

“Gjithë këtë bisedë e kemi, çka kemi humbë në luftë. Në mëhallën tonë jemi tri veta që e kemi humb këmbën, një djalë mocanik me Artin e ka humb krahun, veç këtu jemi nja 4 a 5 veta pa këmbë”, tregon ajo.

Sekuenca nga kjo tragjedi mban mend edhe djali i Nazifes, Artisti, i cili kur ka ndodhur ngjarja i ka pasur vetëm tri vjet.

Për Artistin, i cili sot ka 22 vjet, pamjet e asaj nate janë të ngulitura thellë në kujtesën e tij për të mos u harrur asnjëherë.

“Kam qenë 3 vjeçar kur ka ndodhur e gjithë ngjarja. E mbaj në mend shumë pak. E mbaj në mend kur ka gjuajt (NATO). Në atë  moment ka qenë flakë. Bash te na ku ka gjujtë mua më ka rrokë fytyrën dhe e kam pasë fytyrën e djegur. Tani kur ka gjuajtë herën e dytë e ka rrokë nanën në këmbë. Mbaj në mend njerëzit tuj u kallë, kamionët, traktorët që kanë qenë atje”, rrëfen Artisti.

Ndërsa në pyetjen se çka mendon sot Artisti për NATO-në dhe a vazhdon t’i sheh si heronj ata, ai jep një përgjigje shumë interesante duke lëvizura supet e tij.

“Qysh po thonë krejt tash… S’di as çka me thënë. Me një fjalë (NATO) ka qenë shpëtim dhe me një fjalë ka bërë dëm”, rrëfen Artisti i cili në këtë bombardim ka humbur axhën dhe gjyshin e tij.

Nga tragjedia në Korishë ishte prekur edhe 80-vjeçarja Metije Ahmetaj.

Me lot në sy ajo rrëfen për momentin kur ishte zgjuar nga gjumi dhe kishte parë flakën mbi fytyrën e saj.

Metije Ahmetaj – Foto: Valerie Plesch

“Kur m’ka dalë gjumi, kam ndi tuj piskat gjinja. S’disha çka po folin. Veshtë mu kanë shurdhu krejt. Ai traktori çka u konë me najlon kështu mbuluet krejt u kall përmbi neve. Krejt teshat e kallta, fytyrën e kam pasë të djegur, qafën e djegur. Fytyra jem nuk plaket se fytyra mu ka pjek si mishi, krejt lëkura m’ka ra. 5 javë kam ndejt në spital”, thotë ajo duke treguar shenjat në trupin e saj.

Ajo tutje tregon se në momentin e goditjes nipi i saj 7 vjeçar ka qenë duke fjetur në prehrin e saj.

“E kam pas djalin n’krah, 7 vjet i ka pasë. Ai kishte qejf ngat meje me fjetë në traktor, kur po e përmeni, kur ia kam pa fytyrën e djegur, kryet e djegur… Kemi pa flakë boll…”, tregon ajo e vërshuar nga lotët.

Përveç djalit në këtë tragjedi ajo ka humbur edhe mbesën 4 vjeçare, për të cilën thotë që ka menduar që është në gjumë.

“Djalin e kam pasë n’krah, çika veç qetu n’ballë si birë, gjaku i shkojke, në kokërr t’shpinës çika, unë thirr Arbesë… Arbesë… E luaja, hajt thash mos i ka ra mundi, nuk di gjë qysh kam zhdryp prej traktorit, e kam kap çikën e kam lëshu në tokë, thash nashta është gjallë”, rrëfen tutje ajo.

Përveç dy fëmijëve, ajo rrëfen edhe për humbjen e gruas së djalit, pra nënës së dy fëmijëve.

“Prej familjes tonë mua m’kanë shku tre veta… tu i përfshi edhe të familjes së burrit 8 veta… Nusen s’un e pamë kurrkund, as copë s’kemi mujtë me i gjete hiç. Sipas shenjave, analizave, hirin kanë shku e kanë këqyrë, e kanë gjete. Ata krejt shkrumb janë ba… me çikë, me djalë qaty në traktor”, tregon ajo.

Foto: Valerie Plesch

Për 80 vjeçaren nga Korisha, pjesa më e vështirë në këtë tragjedi, kishte qenë kthimi nga spitali për në shtëpi.

“Jam mërzit boll… S’kam ditë qysh kam hi n’oborr, mu dokke që kush i gjallë s’ka mbet… Nusja jo, dy fëmijë jo. S’kish ma keq n’këtë dynja, as brenda s’un nejsha as jashtë. Çka kemi hekë na veç perëndia e di… Po më shkojnë mend gjithë qatje… qysh u mbytën, qysh u bonën”, thotë ajo.

Ajo thotë që e ka shumë të vështirë të kthehet në vendin se ku ka ndodhur tragjedia, sepse për të çdo kujtim është ende i freskët.

“Sa herë që shkoj në atë vend e knej kah pe shoh po më doket s’po du me këqyr me pa hiç.. Më kujtohet vendi ku u kanë, traktori ku u kanë, afër rrugës, na mshelën me dry milicia rreth e rreth.  Ishalla nuk e bjen Zoti… Kur po thonë qe don me kris apet luftë… Ishalla thash vdesim e nuk e presim”, rrëfen tutje ajo.

Nazifja thotë se nga kjo tragjedi, në familjen e saj shumë nipër dhe mbesa kanë mbetur pa gjymtyrë dhe me shenja nëpër trupin e tyre.

Sot 20 vjet pas gjithë tragjedisë, vendi ku ka ndodhur bombardimi është i boshatisur por askush nuk dëshiron ta blejë atë pronë ose ta marrë me qira. Kjo sepse banorët e Korishës këtë tokë e konsiderojnë të ‘larë me gjak’.

E për këtë vendim të fshatit, për gazetën Jeta në Kosovë flet Samir Kabashi, i cili ka pronën shumë afër tokës në të cilën ndodhi sulmi.

“Kur janë bo bombardimet ata kanë pas me lonë qashtu qysh janë kanë, traktorët e kallur, krejt, vetëm kufomat me i hjekë edhe mi lënë tjerat, pra ka pasë mu kanë ndërtim në xhama, por pronari nuk ka pranuar”, tregon ai.

Tutje ai rrëfen se pas vdekjes së pronarit, askush nga banorët nuk është interesuar më për pronën në fjalë, e cila sipas tij ka vlerë të madhe materiale.

“Problemi tash është. Unë e kam këtu afër, me ma fal nuk e marr. Kurrkush s’e merr tash, se këtu ka pasë gjak, edhe pse kjo tokë ka çmim shumë të  mirë unë nuk e marr. Edhe me lëshu me qira të Komunës së Suharekës dhe të Prizrenit nuk e marrin, vetëm të Prishtinës që nuk e dinë historinë e këtij vend”, tregon ai.

Gjersa tregon për të gjithë rastin, ai vazhdimisht insiston se NATO nuk kishte faj për këtë bombardim, sepse sipas tij e gjitha kjo ishte strategji serbe.

“Atëherë u patë hap kufiri me Shqipëri, serbët ditën kanë ndejtë me tenka këtu, me automatik edhe kur kanë ardhë popullata i kanë thënë: Pritni këtu, mos shkoni njëherë! Edhe serbët e kanë hjekë armatimin krejt, edhe tash NATO ka fotografu në qat kohë edhe i ka pa tenkat edhe e ka marrë urdhrin me bombardu natën edhe aty s’e ka ditë që janë popullata”, thotë Kabashi.