Foto: Kallxo.com

Të mbijetuarat nga Krusha e Madhe duan drejtësi për të gjithë

Pothuajse 20 vjet pas luftës në Kosovë, gratë e mbijetuarat ende përballen me një sërë problemesh të pazgjidhura – mungesë mbështetjeje institucionale, mungesë informacioni për të afërmit që rezultojnë ende të zhdukur, si edhe varfëri dhe përpjekjet e përditshme të familjeve që kanë humbur të dashurit.

Në fokus grupin e fundit që mbajta me dhjetë të mbijetuara nga fshati Krushë e Madhe në Kosovën perëndimore, ku 241 burra u vranë në masakrat në mars të vitit 1999, disa prej tyre kujtuan se si rindërtuan shtëpitë e tyre të djegura me burimet e veta, rritën fëmijë pa baballarë dhe vazhduan ta punonin vetë tokën e tyre, duke mos pasur asnjë njeri të cilit mund t’i kërkonin ndihmë.

Ato shprehën zhgënjim me përpjekjet e misioneve ndërkombëtare si UNMIK, EULEX dhe ato nga sistemi gjyqësor vendas për të ndëshkuar kriminelët e luftës dhe për të gjetur personat e mbetur të humbur nga konflikti. Gjashtëdhjetë e katër persona janë ende të listuar si të zhdukur nga Krusha e Madhe dhe gjithsej 1,666 nga lufta në tërësi – si serbë ashtu edhe shqiptarë.

“Çfarë është drejtësia kur ata nuk zbuluan fatin e personave të zhdukur?” pyeti një grua.

Disa ishin të shqetësuara gjithashtu se Gjykata Speciale e Kosovës në Hagë do të merret vetëm me krimet e dyshuara se janë kryer nga shqiptarët e Kosovës, kur serbët fajtorë për krime lufte janë akoma të lirë. Dhomat e Specializuara pritet të gjykojnë figura të larta të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës për krime të dyshuara se janë kryer gjatë dhe pas luftës së viteve 1998-1999, edhe pse nuk është ngritur ende asnjë padi.

“Gjykata Speciale le të merret më parë me serbët, pastaj me shqiptarët,” tha njëra.

Megjithatë, kishte gjithashtu nga ato që e pranonin idenë se të gjithë autorët e krimeve të luftës duhet të përballen me drejtësinë, cilado qoftë etnia e tyre. “Kushdo që ka kryer krime, le ta paguajë për këtë,” shtoi e njëjta grua.

Dhomat e specializuara do të dëgjojnë çështje që dalin nga një raport i Task Forcës Speciale Investigative të BE-së, i cili tha se zyrtarë të paidentifikuar të UÇK-së mund të përballen me aktakuza për një “fushatë persekutimi” kundër serbëve, romëve dhe shqiptarëve të Kosovës që besohet se ishin bashkëpunëtorë me regjimin e Beogradit. Krimet e dyshuara përfshijnë vrasje, rrëmbime, ndalime të paligjshme dhe dhunë seksuale.

Disa nga gratë nga Krusha e Madhe ishin të shqetësuara se Dhomat e Specializuara do ta përfundojnë mandatin e tyre pa vënë drejtësi, njësoj si UNMIK-u dhe EULEX-i.

“Nëse ato mbarojnë punë, do të jemi të gjithë të lumtur, por nëse fillojnë dhe më pas e braktisin këtë punë, kjo është diçka shumë e keqe. Edhe ta fillojnë dhe ta lënë atë, siç bënë UNMIK-u dhe EULEX-i, kjo do të na zhgënjejë të gjithëve,” tha njëra. “Mbaroni punë, vendosni drejtësi, ne duam të dimë se kush ka bërë gjëra të caktuara.”

Kjo përfshin luftëtarët e UÇK-së, nëse ata kryen krime, tha një tjetër. “Nëse ai ka vrarë dikë, ai nuk duhet të dënohet me disa vite burg, por me burgim të përjetshëm. Kushdo që ka kryer krime, serb apo shqiptar, duhet të marrë ndëshkimin e merituar.”

Sulmet në Krushë e Madhe nga forcat serbe e lanë fshatin me 140 vejusha dhe 502 jetimë.

Të pyetura se si do të ndiheshin si të mbijetuara nga një mizori e tillë kur të dëgjojnë paditë e para kundër anëtarëve të UÇK-së, pesë nga dhjetë të anketuarat thanë se ato ishin pro drejtësisë për të gjithë.

“Më vjen mirë që herët ose vonë po vendoset drejtësi. Nëse Dhomat e Specializuara dalin me fakte konkrete se dikush ka kryer krime, unë do të jem e lumtur. Ashtu siç dënohet një serb për krime kundër shqiptarëve, le të dënohen edhe shqiptarët nëse kanë kryer krime,” tha një nga të pestat.

Një nënë, dy fëmijët e të cilës u vranë dhe burri i saj u burgos kujtoi se si ushtarët e UÇK-së zaptuan në mënyrë të paligjshme shtëpinë e saj në Prizren pasi ajo iku në Shqipëri përkohësisht për t’i shpëtuar konfliktit.

“Erdha nga Shqipëria në apartamentin tim në Prizren pasi ata më vranë dy djemtë e mi, për të parë se apartamenti im ishte zënë nga një ushtar i UÇK-së,” tha ajo.

“M’u desh të bëja shumë dokumente për të rimarrë apartamentin tim. Vetëm kur im shoq doli nga burgu dhe shkoi te ushtari i UÇK-së ai e liroi apartamentin. Këtë e bëri një shqiptar,” shtoi ajo.

Disa shprehën shpresën se ish-anëtarët e UÇK-së që kanë qenë në pushtet në Kosovë gjatë 19 viteve të fundit që prej kohës së luftës, do të ndëshkohen nga gjykata e re nëse vërtetohet gjithashtu se ata kryen krime.

“Besoj se themelimi i Gjykatës Speciale ka kuptim, sepse lufta e UÇK-së shihej si e drejtë, por ka disa që abuzuan me atë luftë duke kryer krime,” shpjegoi njëra.

Kur gratë u pyetën nëse do të ketë trazirat pas ngritjes së akuzave të para nga Gjykata Speciale, e cila është shumë e papëlqyeshme në Kosovë se shënjestron ish-luftëtarët e UÇK-së të cilët shihen si heronj, vetëm njëra prej tyre u përgjigj se beson se “do të ketë një rrëmujë e madhe”.

Megjithatë, gjatë bisedës me të mbijetuarat pata përshtypjen se ato nuk kanë njohuri të mjaftueshme për mandatin e gjykatës së re, pasi disa prej tyre besojnë se ajo do të merret me korrupsionin si edhe me krimet e luftës.

Ajo që i shqetëson më shumë gratë është ajo që ato e shohin si indiferencë të institucioneve të Kosovës ndaj problemeve të tyre sociale dhe ekonomike.

“Shteti duhet të krijojë më shumë privilegje për fëmijët tanë, ashtu siç bën për fëmijët e luftëtarëve të vrarë,” tha njëra.

Sipas ligjit të Kosovës, fëmijët e luftëtarëve të vrarë në luftë kanë disa privilegje të caktuara përsa i takon kujdesit shëndetësor, arsimit dhe punësimit.

“Nënat që kanë humbur dy fëmijë duhet të gëzojnë një pension më të madh. Ato gra që kanë fëmijë mbi 18 vjeç, i kanë dërguar ata për të studiuar tani. Vetëm 170 euro nuk mjaftojnë për ato,” shtoi gruaja.

Ankesa pati edhe për atë që gratë e shohin si diskriminim të ligjit midis kategorive të ndryshme të të afërmve të viktimave të luftës. Familjet e viktimave civile marrin 230 euro në përfitime shtetërore në muaj, ndërsa familjet e personave të zhdukur marrin 170 euro.

Një grua, burri i së cilës u zhduk në vitin 1999 dhe ende nuk është gjetur, fajësoi krerët e vendit për gjendjen e tyre të vazhdueshme.

Ajo tha se për shkak të varfërisë, fëmijëve në fshatin e tyre u është dashur të qëndrojnë larg shkollave për të ndihmuar familjet e tyre të fitojnë para.

“Që të paguajnë faturat për shtëpinë, fëmijët tanë janë të detyruar të punojnë në një moshë të re,” tha ajo. “Jam e zhgënjyer nga liderët e Kosovës. Ata kanë jetuar me djersën e jetimëve.”

 

Nora Ahmetaj është themeluese e Qendrës për Hulumtim, Dokumentim dhe Publikim (CRDP). Ajo ndihmoi fokus grupin me gratë e mbijetuara nga Krusha e Madhe, të organizuar si pjesë e një programi të titulluar “Dialogu dhe Angazhimi Publik për Gjykatën Speciale të Kosovës”, i vënë në zbatim nga Integra, CPT dhe PAX.