Funerali 14 serbëve të masakruar në Gracka e Vjetërnë korrik 1999. Foto: EPA/LOUISA GOULIAMAKI

Të korrat e përgjakshme: Masakra e vitit 1999 në Grackë mbetet e pandëshkuar

Dy dekada pasi 14 serbë u vranë në një masakër ndërsa korrnin grurin në fshatin Gracka e Vjetër të Kosovës, shpresat e familjeve të tyre për drejtësi po veniten pasi deri më tani për këtë masakër nuk është ndjekur penalisht asnjë.

Periudha e përvitshme e korrjes së grurit është ajo më e vështira e të gjithë vitit për Slavica Popoviçin.

Kudo që shkon gjatë këtyre ditëve, nuk mund të mos kujtojë vrasjet e katër të afërmve të saj të cilët u vranë ndërsa kishin dalë të korrnin grurin e tyre.

Natën midis 23 dhe 24 korrikut të vitit 1999, ajo u zgjua nga zilja e telefonit të saj. Ishte xhaxhai i saj që e lajmëroi se babai i saj Momcilo, vëllai i saj 17-vjeçar Novica dhe dy xhaxhallarët e saj ishin vrarë.

Ata ishin midis 14 serbëve të vrarë në fshatin Gracka e Vjetër, 20 kilometra nga Prishtina, ndërsa kishin dalë në fushë për të korrur grurin e tyre, vetëm disa javë pas përfundimit zyrtar të luftës në Kosovë dhe pasi vendi hyri nën kontrollin e Kombeve të Bashkuara dhe të NATO-s në qershor 1999.

Popoviç kujton sesi e pyeti përsëri xhaxhanë e saj nëse vëllai i saj, Novica, ishte në fushë, duke mos dashur të besonte se ai ishte vrarë. Xhaxhai i saj u përgjigj: “Po”.

“Për herë të fundit i kisha parë para tre muajsh. Unë jetoja këtu, në Garaçanicë, me tim shoq dhe fëmijët e mi dhe nuk mund të lëviznim. Ata ishin në Gracka e Vjetër. Lufta kishte përfunduar dhe shpresonim të mund të jetonim këtu, në Kosovë,” tha Popoviç për BIRN në zyrën e saj në ndërtesën e komunës së Graçanicës, ku punon në stafin administrativ.

Së bashku me babanë e saj, Momcilo Janicijeviç, vëllanë e saj Novica dhe dy xhaxhallarët Slobodan Janicijeviç dhe Momir Janicijeviç, në masakër u qëlluan për vdekje edhe fqinjët e saj Milovan Jovanoviç, Jovica Ziviç, Radovan Ziviç, Andrija Odaloviç, Stanimir Dekiç, Bozidar Dekiç, Sasa Cvejiç, Ljubisa Cvejiç, Nikola Stojanoviç dhe Miodrag Tepsi.

Ata u ekzekutuan shumë pranë trupave paqeruajtëse të NATO-s në atë që ishte një nga sulmet më të ashpra ndaj civilëve serbë të Kosovës pas përfundimit të luftës. Asnjë nga autorët e këtij krimi nuk është dënuar.

Slavica Popoviq, Foto: BIRN

“S’ka kthim në normalitet”

Pak pas përfundimit të luftës, shumë serbë u vunë nën shënjestër nga grupe të armatosura dhe shumë prej tyre u larguan nga Kosova, duke iu druajtur sulmeve hakmarrëse pasi fushata 78-ditore e bombardimeve të NATO-s e detyroi Sllobodan Millosheviçin të tërhiqte trupat e tij dhe policinë në Serbi.

Popoviç tha se përveç fqinjit të tyre më të afërt, një shqiptar etnik i quajtur Muhamed, babai i saj Momçilo dhe familja e tyre kishin shumë miq të tjerë shqiptarë.

“Gjatë gjithë kohës së luftës, familja ime donte të mësonte të vërtetën në lidhje me atë që po ndodhte, histori të vërteta mizorish nga të dyja anët. Dhe në fund, kuptuam se lufta e kishte ndryshuar tashmë jetën tonë,” tha ajo.

“Lufta ishte e tmerrshme për shumë njerëz këtu. Në fund të saj po përpiqeshim të shihnim nëse gjërat do të ktheheshin në normalitet. Por për shumë njerëz si ne, kjo nuk ndodhi,” shtoi ajo.

Ditën e sulmit, fqinji i Popoviçit, Stevo Laliç dëgjoi të shtëna që vinin nga drejtimi i fushave dhe i kërkoi fqinjit tjetër të tij, Dragan Odaloviç, të shkonte me të në pjesën perëndimore të fshatit dhe të shikonin se nga vinte zhurma.

Kur iu afruan vendit të ngjarjes, panë një autokombajnë të ndaluar dhe nuk vunë re asnjë njeri mbi të. Më pas ata vrapuan në stacionin më të afërt të policisë së OKB-së disa kilometra larg, në Lipljan.

Një javë përpara se të ndodhte masakra, banorët e Grackës së Vjetër, nga frika e një sulmi të mundshëm, kishin kërkuar mbrojtje ushtarake nga forca e NATO-s në Kosovë, KFOR-i, por Popoviç tha se aty nuk u vendos asnjë patrullë.

“KFOR-i i mundësoi vrasjet, sepse ata nuk iu përgjigjën kërkesës së banorëve,” pretendoi ajo.

Komandanti i KFOR-it në Kosovë në atë kohë, gjenerali britanik Mike Jackson, e përshkroi masakrën si “një tmerr”. Ai konfirmoi se patrullimet ishin planifikuar të fillonin më 24 korrik, por vrasësit goditën një ditë më parë, duke ngritur pikëpyetje rreth aftësisë së forcave të NATO-s për t’u marrë me sulmet e mundshme hakmarrëse.

Kontigjenti britanik i KFOR-it tha në një deklaratë në atë kohë se ishin të paktën pesë të dyshuar në skenën e krimit. Katër vetë u arrestuan dy ditë më vonë në lidhje me vrasjet, por u liruan menjëherë pas kësaj.

Me lot në sy, Popoviç tha se viktimat u qëlluan dhe pastaj disa prej tyre u gjymtuan. “Disa nga fotot që pamë më vonë tregojnë disa prej tyre me kokë të prerë dhe sytë e djegur,” tha ajo.

Ajo tha se çdo vit ajo dhe nëna e saj duhet të durojnë katër ditë dhimbje, nga përvjetori i vrasjeve deri ditën që do të ishte ditëlindja e vëllait të saj.

“Kur ai u vra, ishte e premte në mbrëmje, më 23 korrik. Të martën, më 27 korrik, ai do të kishte mbushur 18 vjeç,” kujton ajo.

Që nga dita e funeralit të babait dhe vëllait të saj, Popoviç tha se nuk është ndier mjaftueshëm e sigurt për të shkuar në varrezë pa praninë e policisë.

Lazar Zivic, Foto: BIRN

“Të mos harrojmë”

Në dy dekadat pas luftës, demografia e fshatit ka ndryshuar dhe tani ka shumë shtëpi të reja në pronësi të shqiptarëve që u larguan nga qyteti i Preshevës në Serbinë jugore vitet e fundit.

Në shtëpinë e tij në Gracka e Vjeter, Lazar Ziviç vesh një bluzë të bardhë në të cilën janë të shënuar emrat e të 14 personave që u vranë në korrik 1999. Mbi emrat e tyre janë fjalët: “Të mos harrojmë korrjen e përgjakshme”.

Babai i tij, Jovica Ziviç, ishte një nga serbët që u vra, kur djali i tij Lazari ishte vetëm pesë vjeç. Ziviç dhe motra e tij nuk dëshironin të flisnin me BIRN, duke thënë se “çnë do përvjetor të masakrës, mediat dhe politikanët flasin për Grackën e Vjetër dhe më pas nuk ndodh asgjë”.

Policia nga misioni i OKB-së në Kosovë, UNMIK, arrestoi një shqiptar etnik të quajtur Mazllum Bytyqi nga fshati Hallaq i Madh në vitin 2007. Por ai u lirua dy muaj më vonë për shkak të mungesës së provave.

Në vitin 2010, prokurorët e OKB-së ia dorëzuan dosjen e çështjes EULEX-it. Në vitin 2017, çështja u mbyll.

Popoviç tha se ditën kur i lajmëruan se çështja ishte mbyllur nga EULEX ishte “më i keq se vrasja e tyre. Ky ishte një tjetër sulm ndaj nesh.”

Prokurorët e OKB-së dhe të EULEX-it, të cilët kanë punuar në këtë çështje, përfshirë prokurorin amerikan Charles Hardaway, i cili vendosi ta mbyllte çështjen, nuk pranuan të jepnin ndonjë koment.

Por një nga hetuesit ndërkombëtarë pranë këtij rasti tha për BIRN se vrasjet ishin “pjesë e një strukture më të gjerë spastrimi etnik” të serbëve të Kosovës.

Ai tha se ishin regjistruar gjithashtu sulme të tjera hakmarrëse ku ishin përdorur granata.

“Njerëzit e përfshirë në Gracka e Vjetër ishin gjithashtu të përfshirë në sulme të tjera për të larguar serbët. Kishte informacione në dosjen e shërbimit të fshehtë,” shtoi ai.

Tani kjo çështje ka kaluar në duart e prokurorëve ndërkombëtarë në Dhomat e Specializuara të Kosovës, e ashtuquajtura Gjykata Speciale, e themeluar në Holandë për të hetuar dhe gjykuar krimet e kryera gjatë dhe pas luftës së Kosovës.

Dhomat e Specializuara gjithashtu nuk pranuan të jepnin detaje dhe vetëm konfirmuan se çështja ishte brenda juridiksionit të saj.

Dy dekada më pas, Popoviç shpreson që të paktën gjykata e re do të zbulojë të vërtetën rreth masakrës.

Ajo tha se mendon se “ka ardhur koha që të dy palët të dërgojnë para gjykatës kriminelët” – përndryshe “nuk do të ketë kurrë pajtim dhe normalitet” midis serbëve dhe shqiptarëve të Kosovës.

“Nuk i shoh kurrë të gjithë shqiptarët si fajtorë. Por ata që kryen krime duhet të nxirren para drejtësisë. Të shohim nëse gjykata e re do të na japë ndopak shpresë,” tha ajo.