Të jetosh me zgjedhjen në mes të trupit dhe turpit

“Gruja s’bjen në gjak” – “Grueja l’shon me gjak prinden”. Se prindërit “janë në detyrën me dhanë arsye për çdo punë të lig qi t’ bajë në derë të burrit a kuejdo bija e tyne…”. A vajza? Vajza “s’ka tagër”, e mos pastë prind s’ka tagër as me zgjedh “as në këpucë as në petka”. Këtë për të e bëjnë vëllaznitë.

Një objekt, një qenie e pa “tagër” e pa jetë të sajën. “Gruaja është shakull për me bajt”.

Këto vargje citon Avdyl Hoxha, historian dhe studiues i Kanunit të Lekë Dukagjinit, dhe trashëgimtarë i Odës së Junikut që sot e asaj dite vazhdon të pleqnojë gjaqet mes njerëzve, teksa nis të interpretojë normat dhe sanksionet për ata që s’iu binden të përcaktuara për gratë dokumenti që dikur, e diku edhe sot, konsiderohej ligj e Kushtetutë ndër shqiptarët.

“Shakull për më bajt”. Kështu përshkruhet gruaja që në shoqërinë patriarkale kosovare sipas Avdyl Hoxhës njihet vetëm me një rol në shoqëri – riprodhimin dhe shtimin e familjes.

“Nëse një grua është lejuar dhe martuar, sipas rregullave dhe zakoneve të popullit shqiptarë, ka shku nëpërmjet msitit është bë përhajr…U martu. E tash çka duhet me bajt? Duhet me bajt burrin në ato kërkesat e veta çka i lyp, nëse burri dëshiron të ketë marrëdhënie e të ketë fëmijë, nuk mundet gruaja me i thanë jo sepse gruaja merret jo vetëm me punu në shi, më bashkëjetua apo jetu me atë burrë por gruaja merret për rritjen e familjes, për shtimin e familjes. Për atë arsye. Konceptohet me rrit atë familje pra me shtu”, nis të interpretojë pleqnari mbi të gjashtëdhjetat rolin e gruas në shoqërinë shqiptare duke shpjeguar se gruaja shqiptare me Kanun nuk ka pasur asnjë të drejtë mbi trupin e saj, e lërë më të vendos se çka do të bëhet me të.

Dëshmi për tregtinë me abortet në Kosovë

“Robi është i yti a gjaku i jemi”, është një frazë tjetër që përshkruan situatën e bisedës mes babës së vajzës dhe atij që e marton duke i tregu që vajza është gjak, pra pronë e babës nëse vritet porse është pronë e burrit në martesë. E vlera një vajze, siç thotë Hoxha, është peshuar me atë sa e “pastër”, ka qenë – me virgjërinë. Nëse vajza ka qenë “jo e pastër” ajo ka mbet pa kurorën e rrjedhimisht pa vlerë. Por historia njerëzore, siç shpjegon edhe Hoxha, ka treguar që qeniet njerëzore jo çdoherë iu janë bindur normave që janë përcaktuar në të shumtën e rasteve pa i pyetur. Dhe për këto raste pleqnari nga Juniku tregon se ka pasur praktika të ndryshme të veprimit. Në rast se një vajzë e re ka mbetur shtatzënë pa kurorë, pra si e pamartuar, pleqnari i Junikut tregon se aborti i vullnetshëm nuk ka qenë as opsion për t’u konsideruar. “Në Kanun nuk parashihet abortimi. Për këtë arsye kemi shumë njerëz që kanë lind me të meta, se aborti nuk ka ardh në shprehje. U rrëzu prej mollës a dardhës, a ka rrëshqit në akull, tjetër muhabet është dhe u dashtë me abortu. Abortimi ka qenë klasik, gratë kanë ngjesh me ujë ose kanë pi dicka për me abortu. Mirëpo është problemi a ka mbet pasoja që mandej mos me mujt gruja me lind nëse abortimi u kry në mujin e gjashtë ose shtatë. Atëherë mundet me pasoja me metgruja. Nëse gruja s’ka bo fëmijë burri ka mujt me marrë edhe një tjetër me bo fëmijë. Me Kanun thuhet me një nen se gruaja s’ka vlerë e posaçërisht s’ka vlerë nëse nuk është e kurorëzuar, ose nuk ka fëmijë. Nuk ka vlerë për një arsye sepse me kriju një familje u dashtë me pas kurorë se fëmija që ka lind u konsideru kopil”, vazhdon interpretimin i tij pleqnari që ndonëse Kanunin e ka mjet ligjor për të pajtuar palët thotë se ky dokument ka të meta të mëdha kur fjala vjen për të drejtat e “gjinisë femërore”. “Tash me të thanë të drejtën, me fol drejtë për Kanun sa i përket te gjinia femërore i ka do të meta…Për atë kohë ka qenë perfekt sepse atëherë ka kërsit pushka dhe është dashtë me u rregullu diqysh”.

Kanuni konsiderohet dokumenti i lashtë ndër shqiptarët dhe forma e parë e tij e shkruar i referohet Lekë Dukagjinit edhe pse konsiderohet që ekzistonte shumë më parë e që i përkiste tradiave të gojëdhënave të trashëguara brez pas brezi. Libri i Kanunit të Lekë Dukagjinit u përmblodh me shënime nga At ShtjefënGjeçovi gjatë viteve 1910-1925. Por edhe sot e asaj kohe, dhe pas dy ri-botimeve, dhe disa amandamentimeve, Kanuni nuk ka pësuar asnjë ndryshim sa i përket normave që i përcakton për vajzat dhe gratë. Ato kanë mbetur të pandryshuara pothuajse njësoj siç sociologë konsiderojnë se ka mbetur i pandryshuar përceptimi i shoqërisë shqiptare ndaj trupit të gruas.

Sibel Halimi, sociologe dhe aktiviste për të drejtat e gruas është marrë me studime të ndryshme që trajtojnë ndryshimet shoqërore karshi barazisë gjinore në Kosovë, ndër to edhe ndryshimin e pozitës së gruas, që sipas saj nuk do të mund të avancojë pikërisht nëse nuk ndryshon qasja ndaj trupit të saj. ”Në çfarëdo shoqërie edhe kjo e jona në konstruktin e vet social i ka të përcaktuar disa norma se deri ku dhe në çfarë moshe ja lejon vajzave apo grave me përdorë trupin e vet dhe për çfarë arsye mundet me u përdorë. Në Kosovë duhet me u ndryshu qasja ndaj trupit fillimisht edhe kur ndryshon qasja ndaj trupit atëherë ndryshon edhe vetë përceptimi i gruas dhe vajzave ndaj trupit të vet”, nis të shpjegojë ajo. Derisa thotë se përderisa virgjëria vazhdon me qenë vlerë e përcaktimit të moralit të vajzave ka një tregues se ato e kanë shumë vështirë të dalin që ta përdorin trupin e tyre vetëm për çështje kënaqësie e lërë më për çështje riprodhimi sipas vendimit të tyre. “Domethënë kur na i definojmë këto çështje se për çka është trupi, a është vetëm për çështje riprodhimi atëherë na këtu kemi me ndryshu qasjen ndaj gruas dhe kemi me ndryshu rolin e vajzave në shoqërinë tonë. Ne nëpërmjet seksualitetit dhe trupit të gruas dhe vajzave e kontrollojmë edhe shoqërinë edhe këtë sistemet patriarkale edhe tradicionale e ruajnë, e kultuvojnë sepse një prej motorëve të ndryshimit të një shoqërie dhe transformimit të saj prej asaj tradicionale në moderne është kur ndryshon qasja dhe botëkuptimi jonë ndaj trupit”, shpjegon Halimi. Lëvizje në këtë drejtim Halimi thotë se sheh shumë pak ngase sipas saj nuk ka mekanizma social e shtetëror që e promovojnë ndryshimin. Përkundrazi, ka mjekë, arsimtarë dhe përfaqësues shteti që e kultivojnë qasjen patriakrale ndaj trupit të vajzave dhe gruas për të ruajtur idenë e rolit të saj vetëm brenda familjes, dhe së këndejmi edhe riprodhimit. Tamam siç edhe është përcaktuar qysh shekuj më parë. Kultivimi me ngul i këtyre normave dhe mos vullneti për të ndryshuar qasjen ndaj trupit sipas Halimit shpeshherë e vënë vajzën dhe gruan në shoqërinë tonë në pozitë “lufte”. “Shoqëria me tejkalimin e kohës mitizon disa role që kanë të bëjnë me gratë por e sheh që këto mite janë vetëm në sferën private, si miti i Nanës që është inferior total. Duke shëndrru në mite kontrollojnë dhe disiplinojnë jetën e grave dhe ia jepin një pushtet veç në relacion me riprodhimin dhe familjen edhe kjo është arsye që edhe për një periudhë të gjatë s’kemi me mujt me bo një lëvizje dhe po që se bëhet një lëvizje stigmatizimi ëshë shumë i madh dhe gratë dhe vajzat e kanë vështirë me luftu dhe natyrisht zgjedhin komoditetin sepse gratë e vajzat që dojnë më lëviz stigmatizohen dhe e kanë problem me u ballafaqu me shoqërinë, shtoja këtu pasigurinë sociale, ekonomike etj”, shpjegon ajo. E stigmatizimi shpesh ndodh edhe në rrethet më të afërta shoqërore. Këtë e shpjegon Drita, një 28 vjeçare, e arsimuar në Amerikë dhe e cila përpara se të shkonte për studimet e magjistraturës kishte vendosur të ndërprejë shtatzëninë e padëshiruar pikërisht për shkak të vendimit për të vazhduar arsimin e saj.

Tregtia me aborte, në Shkup për zgjidhje

“Turpi mbi trupin”

Drita është një grua e pavarur dhe me jetën e saj në duart e veta. Por, diçka për të cilën ajo megjithatë nuk kishte folur kishte qenë përvoja e saj rreth abortit që kishte pasur disa vite më parë.

“Më kanë thënë mos me fol me askënd, ma mirë për mu”, po nis të më tregojë. Drita kishte vendosur që të ndërpret shtatzëninë e saj të parë, pas një lidhje disa vjeçare me partnerin e saj – po ashtu një mik timi- për shkak se në të njëjtën kohë kur kishte ngelur shtatzënë kishte fituar një bursë për të studiuar në Amerikë. “Thjeshtë ishte pa planifikim dhe unë nuk isha e gatshme. I kisha studimet, dhe shumë gjana që kisha planifiku para meje”, tregon ajo. Megjithëse me një shikim paksa të trishtë.

Drita e kishte pasur mbështetjen e plotë të partnerit të saj në vendimin që kishte marrë vetëm, por me aprovimin e tij. Me kushte të mira financiare për të përballuar shpenzimet si dhe familjarë që i kishin qëndruar pranë, Drita kishte ndërprerë shtatzëninë disa javësh. “E di që ka qenë vonë krejt, natën pra, kur me motrën kam kërku ambulancë të hapur për me përfundu ma shpejtë. Isha shumë në stres dhe fillova emocionalisht me u lidh. Kishin kalu dy javë që prej kur e kam ba testin’, tregon. Gjithçka kishte përfunduar me, siç thotë ajo, “më pak dhimbje”. Partneri i saj po i qëndronte pranë në çdo minutë. Se a ka bërë diçka që nuk është dashur megjithatë, nuk i kishte shkuar në mendje, deri në një moment kur këtë ia tha një mik i saj. Reagimet e shoqërisë pasi që e kishin kuptuar nga ajo, e kishin bërë të mendojë më tepër për veprimin e marrë. “Pati shku një kohë dhe në fillim nuk e kemi fol me askënd por dikur ti fillon e ndanë se e ndjenë edhe njëfarë lirimi. Një shok i jemi në një prej nejave me shoqëri kur kemi fol për veprime radikale, ma pati përmend thuajse në formë akuzuese pse e kam bë duke e cilësu si veprim jo normal”, tregon ajo. “Disa shoqe mandej me sugjeruan mos me fol me askënd për atë punë”. Drita thotë se as sot nuk e kupton pse nuk duhet të flas për “atë punë”, por arsyetimi që shoqet ia kishin dhënë është se “etiketohesh”.

Në pyetjet për shkaqet e sjelljes që kemi si shoqëri ndaj abortit, Luljeta Demollin, aktiviste për të drejtat e grave, sociologe ka disa përgjigje. Demolli punon në Qendrën Kosovare për Studime Gjinore dhe për vite të tëra është marrë me çështje që ndërlidhen me barazinë gjinore në shoqërinë shqiptare. Për të aborti shihet si një temë shumë e ndjeshme dhe me histori të hershme. “Nga e kaluara e deri tash gratë kanë gjetur mënyra për t’i ndërprerë shtatzënitë e padëshiruara dhe e kanë ndihmuar njëra tjetrën”, thotë ajo. Megjithëse thotë të ketë shumë dallim aborti që realizohet të një grua e re dhe që nuk ka marrëdhënie familjare me atë kur një grua vendos abortin si formë për planifikim familjar. Gratë në Kosovë, sipas saj, nuk kanë qenë të privuara nga e drejta e abortit sipas ligjit. Kjo e drejtë daton që nga vitet e 1970-a ku ligjet e periudhës socialiste ishin relativisht liberale nga pikëpamja e shëndetit publik. “Përgjithësisht, gratë nuk kanë rol autonom në marrëdhëniet shoqërore/riprodhuese”, thotë ajo duke treguar megjithatë se ekziston një mentalitet i kontrollit të jetës së tyre familjare dhe seksuale, me të cilin të tjerët synojnë të vendosin kur një grua duhet ta mbajë një fëmijë, kur ajo mund të krijojë marrëdhënie familjare dhe kur ajo duhet të abortojë.

Por diskutimi për abortin në Kosovë është tabu, njëjtë siç është tabu edhe edukimi seksual. Dhe siç, thotë Luljeta ka raste kur edhe debatet ligjore mbi abortin të shndërrohen në monopol të ekspertëve të shëndetësisë, gjë që nuk do të duhet të ndodhte. Luljeta mendon se fakti se Kosova është vend i vogël, me ndërlidhje shumëdimensionale sociale dhe familjare, e bënë është shumë të vogël mundësinë që një grua e re, e cila nuk ka status martesor, ta realizojë abortin dhe mos të përflitet si rast. Dhe mu për këtë arsye, sipas saj, ato janë të stigmatizuara nga rrethet në të cilat jetojnë: familja, shoqëria, etj.

Por ky nuk është problemi kryesor. Nga përvoja e saj si aktiviste për të drejtat e grave, Luljeta tregon se vajzat dhe gratë që kanë kryer aborte kanë një emërues të përbashkët. “Mungesën e etikës të stafit profesionist, komentet e padëshiruara, nxitja drejt ndryshimit të vendimit, mos- hospitalizimi i duhur pas abortit, mos rekomandimi tek psikologu, etj”, thotë ajo.

Dëshmi për tregtinë me abortet në Kosovë

Por këto çështje duket se nuk janë aspak në fokus të institucioneve të reja të Kosovës.

Edukimi seksual është temë po aq tabu, sa janë edhe temat rreth ciklit menstrual. Në shkollat tona publike, orët e biologjisë te mësimet rreth qelizave seksuale sikur kapërcehen pa përmendur fare nga arsimtarët. “Problemet si shtatzënia në adoleshencë, prindërimi i hershëm, sëmundjet seksualisht të transmetueshme, marrëdhëniet e detyrueshme, dhuna në çiftet adoleshente do të duhej të ishin në fokus të institucioneve arsimore dhe shëndetësore në Kosovë. E për këto tema nuk flitet në familjet tona sepse nuk flitet në institucionet relevante dhe nuk ka projekte konkrete nga ana e qeverisë që institucionet të merren në periudhë afatgjate me këtë aspekt të edukimit”, thotë Demolli. Anën tjetër, tema e abortit, stigmatizimi i tij, mënyra se si kryhet ai, çështja e abortit selektiv – tanimë janë problematika reale në Kosovë. Ekzistenca e tyre është sinjal i qartë, siç thotë Demolli, për domosdoshmërinë që shoqëria dhe institucionet sa më shpejt t’i krijojnë kushtet e përshtatshme për diskutime pragmatike dhe gjithëpërfshirëse. Një diskutim i domosdoshëm sipas SibelHalimit, ndërkaq është ai që duhet të bërë pikërisht për edukimin seksual e kjo për faktin se historikisht seksi ka qenë terreni më i përshtatshëm për moralin. Kanuni sot, sipas saj, është tejet aktual sepse po i bënë rezistencë shtetit ngase ky është jo funksional. “Edhe dhe religjioni vazhdimisht e ka përdor trupin e grave për me shtri ndikimin e vet sepse krijon kiearki dhe kjo ndërtohet brenda familjes dhe në momne8itn kur gruaja del përtej kësaj në sferën publike kirearkiabjen dhe pushteti i kontrolluar nga burrat…Seksi është një terren ku morali e ka gjet vetën shumë fuqishëm sepse edhe sociologët dhe psikoanalistët shpeshherë e kanë thënë që morali pa trupin nuk do të kishte ekzistuar fare. Do të thotë aq shumë është e lidhur saqë edhe seksin dhe seksualitetin e bëjmë tabu që në mënyrë që sa më misterioze të jetë ndikimi i religjionit dhe patriarkalit me qenë më i madh. Kështu kontrollohet saherë që vetëdija është e ulët për një çështja edhe niveli i kontrollimit është më i madh”, thotë Halimi. Një lëvizje për të folur më tepër rreth shëndetit riprodhues dhe edukimit seksual së fundmi kanë nisur organizata të shoqërisë civile. Si Koalicioni k10 me takimet këshilluese për të rinjtë rreth shëndetit riprodhues. Dhe së fundmi, zyra e UNICEF-it në Kosovë ka lansuar aplikacionin për telefon “Shneta”, i cili ka për qëllim të informojë rininë mbi edukimin seksual, shëndetin riprodhues dhe informacione të tjera relevante në lidhje me këto çështje. Në lansimin e aplikacionit që u mbajt më 15 tetor të këtij viti, drejtori i Zyrës së UNICEF-it në Kosovë, MuratSahin, tha se po testojnë dy gjëra për mënyrën se si teknologjia mund të përdoret për të mirë. “Ne jemi të zotuar që të përmirësojmë shëndetin. Askush nuk do që fëmijët e tyre të kenë sëmundjet seksuale si HIV. Askush nuk dëshiron që vajzat të lindin para moshës 18-vjecare. Ky aplikacion është një zgjidhje e jashtëzakonshme”, tha ai. Në të njëjtin takim zëvendësministri i Shëndetësisë RrustemMusa pati deklaruar se se mungesa e qasjes në një edukim seksual meriton vëmendje “sepse një edukim i tillë ndikon në zbulimin e sëmundjeve më herët”.

Por deri më tani nuk ka pasur asnjë angazhim serioz në aspektin e subjektivizmit të trupit të gruas dhe ndryshimit të qasjes ndaj trupit përmes shëndetit riprodhues dhe avancimit të të drejtave të gruas në praktikë në këtë drejtim nga ana e përfaqësuese të institucioneve publike të shëndetësisë në Kosovë, e besa as ato edukative e arsimore. E derisa kjo të mos ndryshojë, në do të vazhdojmë të dëgjojmë rrëfime nga vajzat dhe gratë në shoqërinë kosovare që rrezikohen duke rënë pre e atyre që po bëjnë para me të drejtën mbi trupin e tyre. Do të vazhdojmë të dëgjojmë rrëfime ku ato gra që vendosin megjithatë për trupin e tyre, të etiketohen si “të pamoralshme” apo linçohen nga shoqëria vetëm pse ato zgjodhën të mos nënshtrohen e të marrin jetën në duart e tyre, sepse vendosën të zgjedhin në mes një jete për trupin e tyre duke jetuar me ‘turpin” që ta tjerët ia kanë vënë atij sikur të ishte pronë e gjithkujt por jo i asaj.

Ky artikull është përkrahur në kuadër të projektit të financuar nga Zyra e Bashkimit Evropian në Kosovë dhe i zbatuar nga BIRN dhe AGK. Përmbajtja e këtij botimi është përgjegjësi e autorit dhe në asnjë mënyrë nuk mund të konsiderohet si qëndrim i Bashkimit Evropian ose BIRN-it dhe AGK-së”.