Ilustrimi: Trembelat për Kallxo.com

Të hash dhe të gatuash si feministe

Javë më parë, OJQ-ja feministe Artpolis organizoi një aktivitet të quajtur “Gatimi feminist dhe të tjera” si pjesë e projektit të tyre “Gratë e reja për paqe në Kosovë dhe Serbi.” Dy ngjarjet mblodhën gra të reja dhe aktiviste nga të dy shtetet, fillimisht në Beograd dhe pastaj në Prishtinë, për të gatuar, vallëzuar, dhe për t’u kënaqur me shoqërinë e njëra-tjetrës duke i ndarë përvojat rreth zhvillimeve feministe në këto shtete.

Prej fotografive, e gjitha çka mund të shihej ishin gra duke ngrënë dhe duke kaluar kohë së bashku rreth një bufeje me ushqime të ndryshme. Postimi shkaktoi reagime ndër aktiviste të cilat e cilësuan aktivitetin qesharak dhe ‘jofeminist’.

Për disa, kjo ngriti pyetje rreth asaj se a është feministe apo jofeministe të gatuash.

Përderisa do të duhej të ishte e qartë që të gatuash nuk është vetvetiu inferiore, po aq e qartë do të duhej të ishte, sidomos për një OJQ feministe, që imazhi tradicional i grave në kuzhinë duke gatuar e pastruar mund të simbolizojë nënshtrim sistematik të grave dhe përjashtimin e tyre nga jeta politike dhe publike.

Kur gatimi dhe kryerja e punëve tjera që historia i ka përkufizuar si ‘punë grash’ përkthehet në një aktivitet që mëton ta përçojë një porosi, do të duhej të vihet në perspektivë. Ngrënia dhe gatimi janë tema që ia vlen të diskutohen, dhe unë i konsideroj këto dy aktivitete shtëpiake si thellësisht feministe.

Kuzhina është dhoma më e veçuar për nga aspekti gjinor në shtëpitë patriarkale. Historikisht është identifikuar me gratë dhe jemi mësuar se është vendi ku ato përkasin. Një dhomë që zotërohet nga gratë, aty ku ato mund të jenë versioni më i mirë i vetvetes duke e ushqyer familjen si obligim kryesor, duke qenë kreative me receta, dhe duke pastruar e rregulluar ‘me marifet’ pas gatimit.

Në anën tjetër, si praktikë e përgjithshme dhe pavarësisht nga statusi ekonomik i familjeve, burrat janë të parët ata që i sulen tryezës dhe hanë sado që të duan. Është hapësirë ku atyre nuk iu vjen turp të kërkojnë më shumë dhe ndjehen të lirë të japin vlerësime rreth ushqimit që kanë ngrënë; shumë kripë, pak kripë, shumë e thatë, e yndyrshme, dhe të tjera.

Nëse na intereson t’i dëgjojmë historitë jetësore të stërgjysheve, gjysheve, apo edhe të nënave tona, mësojmë se përgjatë historisë, ushqimi ka qenë diçka që gratë e kanë përgatitur dhe shërbyer, por ato gjithmonë kanë ngrënë të fundat dhe si rrjedhojë u ka mbetur më së paku. Ngopja me thërrime nuk ka qenë vendim i vullnetshëm i grave, por disi është bërë e pashmangshme për shkak të ndarjes së punëve mes burrave dhe grave, burrat duke qenë mbajtësit e familjes, kurse gratë të ‘zonjat e shtëpisë’.

Detyra për t’i ushqyer dhe ngopur familjet e mëdha si tonat dy deri në tri herë në ditë mbetet punë grash. Por, kënaqja e barkut të burrave është detyrë e veçantë me të cilën ngarkohemi që nga mosha e re.

Dhe kjo pritshmëri, nëse nuk sfidohet, na përcjell në moshë madhore, pavarësisht sa vjet i bëjmë apo sa arrijmë në jetë.

Shumë herë shoh se si burrat u marrin ushqim nga pjata bashkëshorteve, të dashurave, apo motrave me shakanë patronizuese: “s’të duhet gjithë ky ushqim, hajt se trashesh”. Apo edhe raste kur gratë me vet dëshirë u kanë dhënë burrave pjesë të ushqimit të tyre duke u nisur nga besimi se burrat duhet të hanë më shumë se gratë për shkak të dallimeve tona fizike.

Prandaj, për ta ndryshuar diskursin gjinor rreth ushqimit, rregulla e parë është që gratë të hanë mirë dhe sa të duan. Theksimi i kësaj nevoje bazike njerëzore është thelbësore për debatin më të gjerë rreth të drejtave tona politike dhe ekonomike. “Nuk mund të mendosh mirë, të dashurosh mirë, të flesh mirë, nëse nuk ke ngrënë mirë”, ka thënë autorja Virginia Woolf në esenë e saj të famshme feministe “Dhomë për vete” në vitin 1929. Është këshillë e mirë për ta pasur në mend teksa vazhdojmë të jetojmë me seksizëm dhe përpiqemi ta luftojmë.

Arsye tjetër për ta kënaqur barkun tonë dhe t’i ushqejmë shqisat tona është mospërfillja e pritshmërive të tregut kapitalist që kërkon nga gratë të jenë të holla por u diktojnë se si t’i mbajnë të plota pjesë të caktuara të trupit sa për t’i kënaqur sytë e burrave. Prandaj, në këtë kontekst, ta përqafojmë moton klasike feministe “Jo dieta, protesta.”

‘Burrat në kuzhinë’ nuk është imazh i panjohur. Jemi mësuar t’i shohim burrat si kuzhinierë në restorante apo duke shërbyer ushqim në mjedise të ndryshme. Në përgjithësi, kur burrat gatuajnë, ata paguhen, dhe bashkë me pagesën gëzojnë prestigj dhe vlerësim. Kur gratë gatuajnë, atë e kanë obligim, ‘kontribut të papaguar’ siç e përkufizon Ligji për Barazi Gjinore në Kosovë. Prandaj, futja e burrave në kuzhinën shtëpiake do të ndryshonte tërësisht situatën, dhe kjo do të duhej të jetë ndër prioritetet kryesore për partneritet të barabartë në shtëpi dhe më tej.

Për më shumë, kur burrat marrin përsipër gatimin, larjen e enëve dhe kalojnë kohë në kuzhinë, ata bëhen imazh i njohur dhe i shëndoshë për djemtë dhe vajzat dhe shembull për tu ndjekur. Vajzat më vonë do t’i kërkojnë këto cilësi të burrat me të cilët do të shoqërohen, ndërsa djemtë do të mësohen të jenë të pavarur dhe të përgjegjshëm. Ata do t’i shohin vajzat si të barabarta me ta, nuk do t’ju duket konfliktuoze t’i lajnë enët, dhe do të mësohen të kujdesen për vetën dhe të tjerët në mënyrë të edukuar që e sfidon plotësisht “kujdesin maskilist” me dhunë e posedim.

S’është çudi që gatimi është pjesë e planprogrameve mësimore në shtetet skandinave dhe shtete të tjera të zhvilluara. Rezultati i reflekton vlerat thelbësore të tërë shoqërisë, me politika shtetërore që promovojnë barazi në shtëpi, shkollë dhe institucione të tjera.

Kur jeton në Kosovë dhe flet për përfshirjen e djemve dhe burrave në kuzhinë si pjesëmarrës aktivë, përgjigjja është e zymtë. “Vështirë se do t’ia arrijmë,” është çfarë dëgjoj vazhdimisht. Ky lloj pesimizmi është legjitim duke e pasur parasysh çështjen e përhapur të dhunës familjare në Kosovë ku gratë dhe fëmijët janë viktimat kryesore. Prandaj, t’u thuash grave të bëjnë si të duan mund të tingëllojë e papërgjegjshme për shumë njerëz. Gatimi nuk është gjithnjë detyrë konsensuale, por obligim të cilin nuk kanë çare pa e kryer me kohë.

Por sot ka shumë gra të reja dhe burra të rinj që e ngrisin zërin për ‘të bërë ndryshime’. Ka shumë gra të reja që veprojnë në hapësira të sigurta dhe mundësuese ku mund të heqin dorë nga traditat e vjetruara dhe ta frymëzojnë një imazh emancipues si nëna, bashkëshorte, dhe motra. Gra të cilat, nëse janë të vetmet që kanë përsipër gatimin, do të gatuajnë së pari për vete dhe i lënë të tjerët që t’i përshtaten shijes dhe zgjedhjeve të tyre ushqimore. Dhe, nëse të tjerët kanë preferenca të posaçme, le të merren me to vetë.

Ta kemi të qartë që po mundohemi t’ua lehtësojmë jetën grave, dhe kjo do të thotë të heqim dorë nga gjërat që na janë mësuar, se mund t’i durojmë të gjithat; të gatuajmë, të pastrojmë, të kujdesemi për të gjithë, të shkojmë në punë, dhe të buzëqeshim duke i bërë të gjitha këto.

Kuzhina nuk ka pse të jetë dhomë inferiore as për burrat, e as për gratë. Mund të jetë një vend ku burrat dhe gratë shoqërohen së bashku, vend që e asocojmë me ushqim dhe lojë. Por më me rëndësi, kuzhina mund të jetë vend ku ndryshimi radikal është i mundshëm, ku burrat i humbin privilegjet e tyre, dhe fëmijë pajisen me mësime jetësore.