Të Gjithë i Shqetësojnë Ndërtimet pa Leje

Përfaqësues të shoqërisë civile ferizajase dhe të opozitës kanë shprehur shqetësime rreth ndërtimeve pa leje në Ferizaj, në një debat të organizuar të enjten nga Organizata Inciativa për Progres INPO.

Faruk Guri këshilltar komunal nga radhët e LDK-së tha se tash qytetin e Ferizajit e simbolizojnë ndërtimet pa leje.

Bashkim Fazliu nga Nisma Qytetare e Ferizajt, shfrytëzoi rastin për të dhënë një premtim elektoral, duke thënë se në të ardhmen për çdo ndërtim të lartë, do të kërkohet edhe mendimi i komunitetit.

Por në këtë debat nuk ishin të pranishëm zyrtarë komunalë. Samir Reka, në emër të organizatorit tha se me kohë kanë ftuar Drejtorinë e Urbanizimit dhe Inspekoratin.

Sipas INPO-s inspektorati komunal ka identifikuar vetë 1 mijë e 300 objekte pa leje në Komunën e Ferizajit.

David Dema, drejtor i Ispektoratit ne Komunën e Ferizajt i tha Gazetës Jeta në Kosovë se nuk mund të mohohet se ka shumë ndërtime pa leje në këtë komunë.

“Por jemi duke bërë përpjekje maksimale për parandalimin e tyre, madje jemi në teren edhe ditëve të vikendit”, tha Dema.

Sipas tij ka shumë objekte që janë në kundërshtim me planin urbanistik, por plani urbanistik është miratuar vitin e kaluar.

“Shumë objekte janë ndërtuar para miratimit të këtij plani”, ankohet drejtori i Inspektoratit në Ferizaj.