Të Dyshuarit për Krime Lufte në Ballkan Ende me Ndikim Politik

Kur lideri i Partisë Radikale Serbe Vojisllav Shesheli luajti në celularin e tij për deputetët në parlament muajin e kaluar një këngë nacionaliste që lavdëronte Donald Trump, ai theksoi ndikimin përçarës që të dyshuarit për krime lufte mund të ushtrojnë ende në jetën publike në Ballkan.

Çështja e Sheshelit për krime lufte aktualisht është në apel në Gjykatën Penale Ndërkombëtare për ish-Jugosllavinë pasi ai u lirua nga akuzat në një vendim të shkallës së parë në mars të këtij viti.

Por që prej rikthimit të tij në Beograd në vitin 2014, pasi u lirua përkohësisht për t’u kuruar nga kanceri, ai i ka sjellë retorikën e tij të stilit të viteve nëntëdhjetë për krijimin e një “Serbie më të madhe” në skenën politike të vendit. Ai u zgjodh deputet në prill të këtij viti dhe tani është anëtar i bordit parlamentar për kontrollin e agjencive të sigurisë.

Shesheli ka lajmëruar gjithashtu se do të kandidojë në zgjedhjet presidenciale në Serbi në vitin 2017.

Dy anëtarë të partisë së tij, Petar Jojiç dhe Vjerica Radeta, që kërkohen ende nga gjykata e OKB-së nën dyshimin se kanë kërcënuar, bërë shantazh dhe janë përpjekur t’i japin ryshfet dëshmitarëve të mbrojtur që të mos dëshmojnë në gjyqin e Sheshelit, u zgjodhën gjithashtu deputetë në parlamentin e Serbisë këtë vit.

Gjykata e Hagës i ka bërë thirrje të gjitha shteteve anëtare të OKB-së për arrestimin e tyre nëse është e mundur. Por Serbia deri më tani ka refuzuar t’i ekstradojë ata dhe Radeta e cilëson gjykatën – e cila duhet të mbyllet vitin që vjen – si “një histori që ka marrë fund”. “Asnjë radikal nuk do të dorëzohet vetë,” tha ajo për BIRN.

Në pothuajse të gjitha vendet e ish-Jugosllavisë, njerëzit që janë akuzuar ose dënuar për krime lufte gjatë luftërave të viteve 1990 mund të kenë ende mbështetje të mjaftueshme publike për t’u zgjedhur.

Politikanë që kanë dalë në gjyq për krime lufte janë zgjedhur në poste zyrtare në Bosnje dhe Hercegovinë, Kroaci dhe Kosovë, si edhe në Serbi. Një ish i dënuar i Gjykatës së Hagës aktualisht kandidon për deputet në parlament në zgjedhjet e ardhshme në Maqedoni.

Karrierat e tyre politike janë një reflektim se si nacionalizmi mbetet një forcë e fuqishme në politikën e Ballkanit, e përdorur si mjet për të zgjuar entuziazmin populist dhe për të fituar vota në kohën e zgjedhjeve. Ai gjithashtu mund të shkaktojë probleme diplomatike midis vendeve të ish-Jugosllavisë, siç bëri Shesheli ku ai dogji në publik flamurin e Kroacisë fqinje në prillin e kaluar.

Fakti që ata janë në gjendje të ruajnë ndikimin politik gjeneron një atmosferë në të cilën të mohosh se nga “ana jonë” janë kryer krime mbetet e pranueshme, sugjerojnë analistët.

“Duke i votuar ata, ne u japim atyre legjitimitet, mbështetim qëndrimet e tyre, miratojmë të kaluarën e tyre dhe krimet e tyre dhe jo vetëm mohojmë vendimet e gjykatës, por më e rëndësishmja, mohojmë të drejtën e viktimave të këtyre krimeve për të gjetur paqe dhe kënaqësi ligjore,” u shpreh Aleksandra Letiç nga Komiteti i Helsinskit për të Drejtat e Njeriut në Republikën Srpska.

“Një shoqëri, në të cilën një numër qytetarësh ende mbështesin kriminelë dhe fuqia e tyre politike dhe ekonomike nuk mund të jetë pranë të qenit të gatshëm të përballet me të kaluarën e saj,” tha Letiç.

Kryeministri serb Aleksandër Vuçiç dikur ishte anëtar i Radikalëve të Sheshelit dhe punoi si këshilltar ligjor në çështjen e tij për krime lufte në Hagë, derisa ai u nda me Sheshelin në vitin 2008 për të ngritur ë Partinë e tij Progresive Serbe, e cila tani është në qeveri.

Nuk ka akuza ligjore të krime lufte kundër Vuçiçit ose deputetëve nga partia e tij, por partnerët e koalicionit të tij në qeverinë serbe, Partia Socialiste, e ka një kriminel lufte në bordin e saj kryesor.

Ish-zëvendës kryeministri jugosllav Nikola Sainoviç u zgjodh në bordin kryesor të socialistëve vetëm një javë pasi ai u kthye në Beograd pasi vuajti dy të tretat e dënimit me 18 vite burg për një fushatë dhune gjatë luftës në Kosovë me qëllim shpërnguljen me dhunë të popullsisë shqiptare etnike.

Ai ishte një nga bashkëpunëtorët më të afërt dhe më të besuar të presidentit jugosllav dhe ish-liderit të Partisë Socialiste Sllobodan Millosheviç, i cili vdiq gjatë gjyqit të tij në Hagë në vitin 2006.

Milica Kostic, drejtoreshë e programit ligjor në Qendrën për të Drejtën Humanitare në Beograd, u shpreh se nuk ka pasur ndonjë debat të vërtetë në Serbi mbi cili ishte vërtet përgjegjës për luftërat e viteve 1990 dhe për pasojë nuk ka ndërgjegjësimin publik në lidhje me krimet që janë kryer.

“Elita politike në Serbi, dhe këtu nënkuptoj të gjitha qeveritë nga vitet 1990 deri më sot, nuk e lë kurrë publikun të bëjë një debat të vërtetë në lidhje me përgjegjësitë e përfaqësuesve të institucioneve shtetërore për krimet e kryera gjatë luftërave dhe meritat e tyre për të vazhduar për të kryer funksione shtetërore,” tha Kostiç.

Rikthehet në skenën politike rebeli boshnjak “Babai”

2-abdiq

Në Bosnjë dhe Hercegovinë, një sërë politikanët që tani janë në poste zyrtare janë paditur ose akuzuar për krime lufte, por vetëm një i dënuar është në pushtet – veterani 77-vjeçar Fikret Abdiç.

Abdiç u zgjodh në zgjedhjet lokale të tetorit si kryetar i komunës veriperëndimore të Velika Kladusës ku janë kryer edhe krimet e tij.

Para luftës, Abdiç ishte një drejtues në “Agrokomerc”, selia e të cilës ishte në Velika Kladusa dhe në të cilën ishin punësuar 13,000 njerëz, duke e bërë atë një nga firmat më të begata bujqësore në ish-Jugosllavi. Suksesi i tij në biznes bëri që ai të fitonte popullaritet në vend dhe të njihej me pseudonimin “Babo” (“Babai”).

Gjatë luftës, ai themeloi Provincën Autonome të Bosnjës Perëndimore të udhëhequr nga boshnjakët, e cila luftoi kundër boshnjakëve që ishin besnikë ndaj qeverisë në Sarajevë dhe bashkëpunoi me forcat serbe dhe kroate.

Abdiç u dënua për përgjegjësi për krime lufte kundër të burgosurve të Ushtrisë Boshnjake, por u lirua në mars të vitit 2012 pasi kreu dy të tretat e dënimit të tij prej 15 vitesh burg.

Zgjedhja e tij si kryetar komune u bë e mundur sepse ligji boshnjak nuk i ndalon kriminelët e luftës që kanë kryer dënimet e tyre të mbajnë poste publike. “Unë kam shkëlqyer në të gjitha detyrat e mia dhe do të shkëlqej edhe në këtë,” premtoi ai pas votimit.

Ndërkohë një deputet në entitetin me shumicë serbe të Bosnjës, Republika Srpska, Dragomir Vasiç, është aktualisht në gjyq për planifikimin dhe zbatimin e ekzekutimeve masive të boshnjakëve nga Srebrenica në korrik 1995.

Vasiç u zgjodh në Kuvendin Popullor të Republikës Srpska në tetor të vitit 2014 si kandidat i Partisë Demokratike Serbe të themeluar nga Radovan Karaxhiç, i cili u dënua këtë vit për gjenocid dhe krime të tjera nga gjykata e OKB-së në Hagë.

Disa burra të tjerë që janë akuzuar për krime lufte mbajnë gjithashtu poste politike në Bosnje dhe Hercegovinë. Në nivel shtetëror, kryetari aktual i Dhomës së Përfaqësuesve të parlamentit, Sefik Dzaferoviç – një komandant policie i kohës së luftës në qytetin e Zenicës – vitin e kaluar u përball me pretendimet se ai ishte në dijeni të krimeve të luftës të kryera nga forcat boshnjake kundër civilëve serbë, por nuk i raportoi ato.

Megjithatë, prokuroria shtetërore vendosi të mos e hetonte Dzaferoviçin, duke shkaktuar zemërim mes grupeve të viktimave serbe të Bosnjës dhe politikanëve që bojkotuan seancat parlamentare në lidhje me këtë çështje. Dzaferoviç i mohoi pretendimet: “Të gjitha këto janë gënjeshtra të ndyra,” tha ai.

Zaim Backoviç, një ligjvënës në parlamentin shtetëror që ishte anëtar i kohës së luftës i njësive të Mbrojtjes Territoriale në Sarajevë, u hetua nga prokuroria boshnjake dhe ajo serbe për vrasje të trupave të Ushtrisë Popullore Jugosllave kur ata po tërhiqeshin nga kryeqyteti në vitin 1992. Hetimi në Sarajevë përfundoi pa ndonjë aktakuzë, por prokuroria serbe e ka vazhduar hetimin e saj.

Gjykata e re e Kosovës krijon situata të pakëndshme

3-lushtaku

Pavarësisht se në burg, Sami Lushtaku mbetet kryetari i komunës së Skenderajt në Kosovë pasi u dënua me shtatë vjet burg për përgjegjësi komanduese për abuzimin e të burgosurve civilë shqiptarë në një qendër paraburgimi të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës në fshatin Likovc gjatë luftës.

Në Kosovë çdo person i dënuar me vendim përfundimtar për krime lufte nuk lejohet të mbajë një post publik, por Lushtaku po e çon çështjen e tij në Gjykatën e Lartë duke shpresuar ta rrëzojë vendimin ndaj tij.

Dy politikanë të tjerë të dënuar së fundmi për krime lufte gjatë konfliktit të fundit të viteve 1990 në Kosovë megjithatë kanë dhënë dorëheqje nga posti, pasi Gjykata e Apelit në Prishtinë la në fuqi dënimet e tyre për krime lufte.

Fadil Demaku dha dorëheqjen si deputet dhe Nexhat Demaku u largua si kryetar i komunës së Drenasit, pasi dënimet e tyre u lanë në fuqi. Të dy u dënuan me tre vjet burg për rrahjen e të burgosurve në të njëjtën qendër paraburgimi të UÇK-së në Likovc.

Të tre politikanët ishin të gjithë anëtarë të “Grupit Drenica” të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, nga i cili dolën shumë prej liderëve politikë të vendit që nga koha e luftës, përfshirë edhe presidenti Hashim Thaçi.

Gjyqi i burrave të “Grupit Drenica” shkaktoi protesta në Kosovë sepse luftëtarët e UÇK-së shihen si luftëtarët e lirisë që luftuan për çlirimin nga forcave serbe gjatë luftës.

Shumë anëtarë të tjerë të elitës politike të pasluftës të Kosovës janë gjithashtu ish-luftëtarë të UÇK-së dhe e kanë ruajtur ndikimin e tyre, pavarësisht akuzave ndaj disave prej tyre, të cilat shpesh nga publiku shihen si përpjekje për të dëmtuar një luftë të drejtë.

Fatmir Limaj, i cili aktualisht është deputet dhe udhëheqës i partisë NISMA (NISMA për Kosovën), është shpallur i pafajshëm për krime lufte nga Gjykata e Hagës dhe nga gjykatat në Kosovë.

Megjithatë Limaj u akuzua përsëri për krime lufte muajin e kaluar nga Prokuroria Speciale e Kosovës, e cila e akuzoi atë për të mos pengimin e vrasjes së dy civilëve shqiptarë të Kosovës në tetor të vitit 1998. Ai i mohon akuzat.

I njohur si “Komandant Çeliku” gjatë luftës, Limaj drejtonte Brigadën 121 të UÇK-së në zonën e Pashtrikut. Pas luftës, ai u bë ministër i transportit në Kosovë, por koha e tij këtë post u ndërpre nga akuzat për krim të organizuar dhe korrupsion.

Ramush Haradinaj – i cili ishte për pak kohë kryeministër i Kosovës në vitin 2005 – u lirua nga akuzat për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit nga Gjykata e Hagës dhe iu bë një pritje tepër e ngazëllyer nga mijëra dashamirës të kthimit të tij në Prishtinë në vitin 2012.

Ai u lirua nga akuzat për torturim dhe vrasje të serbëve dhe shqiptarëve etnikë që besohet të kenë bashkëpunuar me serbët në një qendër paraburgimi të UÇK-së në Jabllanicë në vitin 1998.

Haradinaj tani udhëheq partinë politike Aleancën për Ardhmërinë e Kosovës, AAK, edhe pse ai dha dorëheqjen si deputet në shkurt pas kundërshtimit të një marrëveshjeje që qeveria e Kosovës nënshkroi me Serbinë në Bruksel. Ish-zëvendës komandanti i UÇK-së Lahi Ibrahimaj, i cili u lirua nga akuzat së bashku me të, mbetet ende një deputet AAK-së.

Haradinaj u shpreh se Kosova e bëri detyrën e saj ligjore duke dërguar të dyshuarit siç ishte edhe ai të dilnin në gjyq në Hagë: “Ne i nderuam detyrimet që Kosova dhe populli i saj kanë ndaj ligjit kombëtar dhe atij ndërkombëtar,” tha ai për BIRN.

Megjithatë ai këmbënguli gjithashtu se komandantët e UÇK-së nuk duhet të ishin ndjekur penalisht në Hagë: “”Ne aspironim lirinë, luftuam për liri. Dhe mënyra se si drejtësia ndërkombëtare e perceptoi luftën në Kosovë ishte e gabuar,” tha ai.

Por elita politike e Kosovës mund të përballet ende me një sfidë shumë më të madhe kur të ngrihen paditë e para nga Gjykata e re Speciale në Hagë.

Kjo gjykatë e re u ngrit, nën presionin e Perëndimit, për të gjykuar figura të larta të UÇK-së për krime të kryera gjatë dhe pas luftës. Nëse disa prej politikanëve kryesorë të Kosovës akuzohen ose dënohen, analistët thonë se kjo mund të shndërrojë skenën politike në vend.

Nacionalistët kroatë në titujt kryesor të lajmeve

4-glavas

Gjenerali në pension Branimir Glavas, lideri jo zyrtar i një partie rajonale të krahut të djathtë, Asambleja Demokratike Kroate e Sllavonisë dhe Baranjës, HDSSB, u votua sërish që të kthehej në parlament në zgjedhjet e shtatorit, edhe pse ai po pret të rigjykohet për krime lufte.

Gjatë kohës së luftës, Glavas ishte komandant i mbrojtjes së qytetit të Osijekut, dhe midis fillimit të viteve 1990 dhe mesit të viteve 2000, ai ishte gjithashtu një deputet me ndikim dominues në Bashkimin Demokratik Kroat, HDZ, si edhe ishte prefekti i qarkut të Osijekut.

Ai u dënua për krime lufte në dy çështje – në çështjen “Garazhi”, në të cilën ai u akuzua se kishte përgjegjësi komanduese për torturimin dhe vrasjen e një civili para një garazhi në vitin 1991, dhe rasti “Ngjitësi”, e quajtur kështu sepse viktimat ishin lidhur me shirita ngjitëse dhe ishin ekzekutuar në breg të lumit në vitin 1991-1992.

Ligji kroat i ndalon njerëzit me vendime përfundimtare për krime lufte të mbajnë poste zyrtare, por Gjykata Kushtetuese e rrëzoi vendimin për Glavasin në janar të vitit 2015 dhe ai u rikthye në parlament në zgjedhjet e mëvonshme të atij viti, duke u rizgjedhur në shtator të vitit 2016. Ai ia dorëzoi vendin e tij në parlament një kolegu të partisë së tij muajin e kaluar; data për fillimin e rigjykimit të tij nuk dihet ende.

Popullariteti i partisë së tij ka rënë, por HDSSB e Glavasit del ende në titujt kryesor të gazetave me gjëra të tilla si parada e një “njësie të rinjsh” të veshur me kostume ushtarake të zeza, të quajtur “Garda e Fajkonjve Sllavë” në tubimet e fushatës zgjedhore të vitit të kaluar. Ai ka shkaktuar gjithashtu polemika duke pozuar me një shishe verë me Adolf Hitlerin në etiketën e saj.

Qeveria e Kroacisë e kryesuar nga HDZ-ja kohët e fundit i dha një post të rëndësishëm një tjetër gjenerali të dalë në pension i cili u lirua nga akuzat për krime lufte, Ante Gotovina. Gotovina, të cilin në vitin 2012 gjykata e OKB-së e liroi nga akuzat për vrasje dhe dëbim të civilëve serbë gjatë Operacionit Stuhia të Ushtrisë Kroate, u emërua si këshilltar special për ministrinë e mbrojtjes për të zhvilluar një strategji të sigurisë kombëtare.

Edhe pse nuk është më një politikan aktiv, veterani i HDZ-së Vladimir Seks, i cili është akuzuar për krime lufte nga Serbia, mbetet në skenën politike, dhe deri në shkurt ishte një këshilltar i presidentes kroate Kolinda Grabar Kitaroviç.

Autoritetet serbe hetuan Seksin, Branimir Glavasin, ministrin e brendshëm kroat të viteve 1990 Ivan Vekiç dhe ndihmësin e tij dhe komandantin Tomislav Mercep nën dyshimet se kishin inkurajuar të tjerë të kryenin “gjenocid” ndaj serbëve vendas në qytetin lindor kroat të Vukovarit.

Mercep ndërkohë u dënua nga Gjykata e Qarkut të Zagrebit në maj me pesë vjet e gjysmë burg për krime lufte kundër civilëve, për përgjegjësi komanduese për vrasjet e 46 civilëve nga një batalion i policisë rezerviste i njohur si “Mercepovci” në vitin 1991 .

Karriera politike e Mercep nuk ka qenë e pasuksesshme, por ai është shpesh i pranishëm në ceremonitë shtetërore dhe ishte i ftuar VIP në inaugurimin e Grabar Kitaroviçit në shkurt të vitit të kaluar.

Analisti politik veteran kroat Zarko Puhovski u shpreh se prania e vazhdueshme e njerëzve si Glavasi dhe Mercepi në jetën publike ishte dëshmi se procesi i përballjes me të kaluarën deri më tani ka qenë i pasuksesshëm.

“Ky brez nuk arriti të bënte ndonjë gjë. Ndoshta brezi i ardhshëm do të mund të bëjë,” tha Puhovski për BIRN.

“Heroi maqedonas” kandidon për në parlament

5-tarculovski

Ish-polici Johan Tarculovski, i vetmi maqedonas i dënuar nga Gjykata e Hagës për krime lufte, ka dalë si kandidat parlamentar për partinë qeverisëse VMRO DPMNE në zgjedhjet e ardhshme që do të mbahen muajin e ardhshëm.

Maqedonia nuk ka ligj që nuk i lejon të dënuarit për krime lufte të mbajnë poste politike.

Gjykata e Hagës e dënoi Tarculovskin me 12 vjet burg për drejtimin e njësie policore që vrau civilë shqiptarë dhe kreu mizori të tjera në fshatin me popullsi shqiptare Luboten pranë Shkupit në vitin 2001.

Krimi ndodhi gjatë konfliktit të shkurtër të armatosur midis forcave të sigurisë maqedonase dhe një force tashmë të shpërbërë etnike kryengritëse shqiptare të quajtur Ushtria Çlirimtare Kombëtare, liderët e së cilës tani drejtojnë Bashkimin Demokratik për Integrim, e cila është pjesë e koalicionit aktual qeverisës bashkë me partinë DPMNE VMRO.

Pas lirimit të Tarculovskit në vitin 2013, qeveria e udhëhequr nga VMRO DPMNE organizoi një pritje prej heroi për të në Shkup dhe që atëherë ai është shndërruar në një ikonë për partinë në pushtet, shpesh duke mbajtur fjalime patriotike në mbledhjet dhe tubimet partiake.

https://www.youtube.com/watch?v=KUHHahpxA8Q

Atij iu dha gjithashtu një post i lartë si sekretar organizativ i DPMNE VMRO, e cila portretizon atë si një “mbrojtës” të Maqedonisë që ishte viktimë e një procesi të padrejtë në Hagë.

Gjykata e OKB-së dërgoi edhe katër çështje të tjera krimesh lufte nga konflikti i vitit 2001 në Maqedoni për përpunim nga sistemi gjyqësor vendas, por koalicioni në pushtet BDI / VMRO DPMNE votoi për të hequr dorë nga ato dhe i mbylli dosjet në lidhje me këto çështje.

Të katra çështjet kishin të bënin me krime që dyshohej të ishin kryer nga guerilasit shqiptarë, disa nga të cilët mbajnë poste të larta në BDI.

Në çështjen e parë, i gjithë lidershipi prej dhjetë personash i Ushtrisë Çlirimtare Kombëtare, shumica e të cilëve tani janë në radhët e larta të BDI-së, u akuzuan për përgjegjësi komanduese për veprime që rezultuan në krime lufte, siç është masakrimi i ushtarëve dhe policëve pranë fshatit Vicë.

Lideri politik i kryengritëseve, Ali Ahmeti, i cili tani është kreu i BDI-së, ishte figura më e shquar e lidhur me rastin e Vicës.

Çështja e dytë që u hoq i lidhte kryengritësit me rrëmbimin e dyshuar dhe vrasjen e 12 civilëve maqedonas nga paraushtarakët pranë qytetit të Tetovës, trupat e të cilëve më vonë u gjetën në një varr masiv.

Daut Rexepi-Leka u akuzua për drejtimin e grupit paraushtarak, por këmbënguli se ai nuk ishte fajtor. Ai u zgjodh si deputet me Partinë opozitare Demokratike Shqiptare në vitin 2006, ndërsa është ende subjekt i një urdhër arresti, edhe pse ai tashmë nuk është më ende aktiv në jetën politike.

Një tjetër çështje u hap dhe më vonë u mbyllë kundër Sajdula Durakut, një komandant kryengritës i Ushtrisë Çlirimtare Kombëtare që u bë zyrtar i lartë i BDI-së. Ai u akuzua se preu furnizimin me ujë në qytetin e Kumanovës gjatë konfliktit në vitin 2001. Duraku ishte ministër bujqësie nga viti 2004 deri në vitin 2006, më pas deputet i BDI-së, dhe tani është kryetar i Lipkovës pranë Kumanovës.

Çështje të pasqaruara në lidhje me konfliktin e vitit 2001, të cilat nuk janë shqyrtuar kurrë në gjykatë, kanë vazhduar të helmojnë marrëdhëniet midis komunitetit etnik maqedonas dhe pakicës shqiptare etnike, tha për BIRN analisti politik dhe ish-deputeti Ismet Ramadani.

“Për sa kohë sa sistemi i drejtësisë nuk funksionon dhe vazhdon të ndikohet nga partitë politike, është shumë e vështirë të ecet përpara,” tha Ramadani. “Mosbesimi midis komuniteteve … ngarkon rrugën e Maqedonisë drejt demokratizimit dhe dhënies fund të krizës politike që shpesh rrezikon sigurinë e vendit.”