Studentë serbë

Studentët serbë dyshojnë për marrëveshjen Kosovë - Serbi

Ndërsa Përfaqësuesja e Lartë e Bashkimit Europian, Federica Mogherini, thotë se ajo ende pret që Serbia dhe Kosova të arrijnë një marrëveshje, tensionet në rajon mbeten akute rreth 20 vjet pasi ndërhyrja e NATO-s e detyroi Serbinë të tërhiqej nga ish-provinca e saj.

Ato që janë në lojë, janë të rëndësishme për të dyja palët, pasi një zgjidhje e pranueshme për të dyja palët do t’i hapte rrugën të dyja vendeve drejt anëtarësimit të tyre në BE.

Midis të rinjve në kryeqytetin serb, pikëpamjet variojnë nga kundërshtimi i palëkundur ndaj njohjes së pavarësisë së Kosovës deri në interes për një marrëveshje – me kusht që Serbia të fitojë kontroll të plotë mbi pjesët me shumicë serbe të Kosovës veriore.

Disa, por jo shumë, janë të gatshëm të arrijnë ndonjë marrëveshje me Kosovën, në mënyrë që Serbia të ndërtojë një të ardhme më të begatë.

“Serbia duhet ta njohë pavarësinë e Kosovës, sepse ekonomia jonë po dështon,” arsyetoi Marija, një studente 21-vjeçare në Fakultetin e Teknologjisë dhe Metalurgjisë në Beograd.

“E gjithë vëmendja është te Kosova, kështu që pjesë të tjera të Serbisë janë harruar,” shtoi ajo.

Ajo tha se një dështim për të arritur një marrëveshje midis Beogradit dhe Prishtinës do të ishte një mundësi e humbur për Serbinë për të ndërtuar një jetë më të mirë në zonat rurale dhe qytete të vogla, të cilat sipas Bankës Botërore kanë norma të larta varfërie.

Jo të gjithë studentët serbë ndajnë të njëjtën ndjenjë urgjence si Marija për zgjidhjen e statusit përfundimtar të Kosovës.

“Një ‘konflikt i ngrirë’ është zgjidhja e duhur,” sugjeroi David, gjithashtu 21 vjeç, nga Fakulteti i Shkencave Politike.

“Tani për tani ne mundemi vetëm të humbasim,” shtoi ai duke këmbëngulur se Serbia kurrë nuk duhet ta njohë pavarësinë e Kosovës.

“Ne duhet të presim që Kosova të humbasë mbështetjen e komunitetit ndërkombëtar,” u shpreh studenti i politikës, Aleksandar, 21 vjeç, i cili foli për Kosovën jo për vite, por për shekuj.

“Beteja e Kosovës me osmanët u zhvillua në vitin 1389, por ne e pretenduam Kosovën nga Perandoria Osmane vetëm në vitin 1912. Pra, ne dimë si të presim për një kohë të gjatë,” pohoi ai.

Shumica e studentëve që folën për Beograd Insight nuk ishin të bindur se përfitimet e BE-së garantojnë njohjen e Kosovës.

“Unë nuk do të votoja për anëtarësim në BE nëse kjo do të thotë të heqim dorë nga Kosova,” deklaroi Milica, 19 vjeçe, nga Fakulteti i Teknologjisë dhe Metalurgjisë.

Studentët serbë gjithashtu janë dyshues për përfitimet e anëtarësimit të Serbisë në BE, sidomos nëse kjo nënkupton njohjen e pavarësisë së Kosovës. Foto: Beta.

Shumica e të rinjve serbë duket se ndajnë të njëjtën pikëpamje me të.

Një sondazh i vitit 2016 nga Lëvizja Europiane në Serbi gjeti se 74 për qind e të rinjve e kundërshtonin anëtarësimin e Serbisë në BE nëse kjo nënkupton heqjen dorë nga pretendimi për Kosovën. “Unë mendoj se anëtarësimi në BE nuk do të na sjellë asgjë pozitive,” shpjegoi Milica.

Sondazhet tregojnë se ndërkohë që shqetësimet ekonomike dhe të punësimit mbizotërojnë tej të rinjtë dhe të moshuarit, përfitimet ekonomike dhe tregtare të anëtarësimit në BE janë kryesisht të humbura për rininë e Serbisë.

Në vitin 2016, vetëm një e treta e serbëve të rinj thanë se besonin se integrimi europian i Serbisë do të kishte një ndikim pozitiv në ekonomi.

“Pavarësisht nga Kosova, nuk do të votoja për t’u anëtarësuar në BE,” tha Vojislav, 23 vjeç, një student veterinarie. “Serbia është një vend mjaft i ndjeshëm për të funksionuar më vete,” vazhdoi ai, duke këmbëngulur se Serbia nuk ka nevojë të anëtarësohet në BE.

Qëndrimet e rinisë ndaj BE-së po ashtu çojnë në një ndjenjë padrejtësie për mënyrën sesi ata mendojnë se po trajtohet Serbia nga Europa.

“Duket e padrejtë që Serbisë po i jepet ultimatumi të njohë Kosovën,” tha Anja, 20 vjeçe, një studente drejtësie, kur u pyet nëse ajo do ta mbështeste integrimin në BE nëse kjo do të kërkonte njohjen e pavarësisë së Kosovës.

Mbështetja e rinisë për anëtarësimin në BE në Serbi mbetet e ulët krahasuar me vendet e tjera në rajon.

Një studim i vitit 2018 nga Instituti për Çështje Europiane gjeti se 45.5 për qind e 18-29 vjeçarëve në Serbi e kundërshtonin anëtarësimin në BE, përqindja më e lartë e të gjitha grupmoshave.

Milos, 24 vjeç, një student i historisë, i cili foli për Belgrade Insight në Fakultetin e Filozofisë, tha se BE-ja kishte humbur shumë nga kredibiliteti i saj, gjë që mund të shpjegojë më tej rënien e mbështetjes popullore për integrimin europian.

“Bashkimi Europian tani po kalon krizën më të thellë në historinë e tij,” pohoi ai.

“Nuk kam asgjë kundër BE-së, por ajo ka nevojë për një lidership të ri,” shtoi ai, duke vënë në dukje se Serbia gjithsesi nuk do të anëtarësohej së shpejti në të.

Studentët e Beogradit gjithashtu janë të ndarë rreth ndryshimeve kufitare të hedhura si ide nga presidentët e Serbisë dhe Kosovës, Aleksandër Vuçiq dhe Hashim Thaçi, të cilët kanë ngritur idenë e shkëmbimit të territoreve për të siguruar një marrëveshje.

“Mendoj se do të ishte një vendim shumë i keq dhe i keqinformuar,” tha Milos, duke u pajtuar me ata analistë që shprehen se një shkëmbim territorial do të inkurajonte lëvizjet shkëputëse në të gjithë rajonin.

“Nëse ne fillojmë të ndryshojmë kufijtë në kohë paqeje, Bullgaria mund të pretendojë Bosilegradin,” paralajmëroi ai, duke iu referuar qytetit kufitar me shumicë bullgare në Serbinë juglindore.

Katër studentë që kundërshtuan më me forcë pavarësinë e Kosovës thanë se një shkëmbim tokash do të nënkuptonte të hiqej dorë nga të drejtat dhe fatet historike të Serbisë.

Kur u pyet për një ndryshim kufitar midis Serbisë dhe Kosovës, Aleksandar kundërshtoi.

Ai la të kuptohet se Serbia duhet të kërkojë në vend të kësaj qytetin verior të Shkodrës, që dikur i përkiste shtetit mesjetar serb.

Rreth një e katërta e studentëve, të cilët kishin më pak besim në rimarrjen e të gjithë Kosovës, gjithsesi preferuan një shkëmbim territori si kompromis.

“Është e sigurt se nuk do të rimarrim mbrapsht të gjithë Kosovën, kështu që kjo do të ishte zgjidhja më e mirë,” tha studentja e drejtësisë Jovana, 25 vjeçe, duke vënë në dukje se njohja e pavarësisë së Kosovës do të ishte ende një situatë e vështirë morale për të.

“Më mirë diçka sesa asgjë,” e përmblodhi Marija, duke shtuar se çdo marrëveshje është e preferueshme para tensioneve ekzistuese midis Serbisë dhe Kosovës. “Është shekulli i 21-të, por ne jetojmë në parahistori. Ne luftojmë, grindemi dhe debatojmë,” u ankua ajo.

 

Ky  artikull u publikua në gazetën e përdyjavshme të BIRN Belgrade Insight.