Foto: Eraldin Fazliu

Studentët protestues që mundën frikën

Studentët shqiptarë nuk i kanë arritur ende të gjitha qëllimet por pjesëmarrësit e protestës thonë se protesta ka ngjallur besim për një ndryshim të vërtetë shoqëror.

“Ju jeni milionerë, me vila e makina, s’paguaj më për ju, as unë dhe as familja ime!”

Kjo thirrje që është bërë sinonim i protestave të studentëve në Shqipëri, jehoi të dielën e kaluar në Tiranë, vetëm disa qindra metra nga sheshi kryesor “Skenderbeu”.

Aktivistët e ‘Lëvizjes për Universitetin’ dukej se po testonin zërat e tyre për protestën e parë të 2019-tës që do mbahej të nesërmen.

Foto: Eraldin Fazliu

Brenda, Qendra Sociale “Logu”, po gumëzhinte nga studentët që dukeshin me disponim, derisa shtëpia dykatëshe ishte e mbushur me mbishkrime dhe materiale tjera për protestën.

Bislim Lakna lehtë mund të identifikohet se vjen nga Kosova, falë dialektit të tij.

Një nga aktivistët e devotshëm të Lëvizjes për Universitetin, ai ka protestuar për më shumë se një muaj, duke kërkuar kushte më të mira në arsimin e lartë në Shqipëri.

I lindur në qytetin e Gjilanit, ai është student i Arkitekturës në Universitetin e Tiranës. Por, së fundmi, i gjithë angazhimi, koha dhe energjia e tij është përkushtuar në përpjekjen për të anuluar Ligjin mbi Arsimin e Lartë në Shqipëri.

Foto: Eraldin Fazliu

Studentë të organizatave të ndryshme janë duke u mbledhur rregullisht në Tiranë dhe në qytete të tjera për të protestuar padrejtësitë sociale dhe në veçanti kushtet e mjerueshme të studentëve. Këtë javë, studentët masivisht kanë bojkotuar mësimin duke vendosur mbishkrime në objektet universitare si shenjë revolte.

Ndër kërkesa të shumta, ata duan shkurtime të tarifave, rritje të buxhetit shtetëror për Universitetet Publike dhe ndalim të përkrahjes me para shtetërore të Universiteteve Private.

Për këto kërkesa, ata protestuan shesheve gjatë gjithë muajit dhjetor.

Bislim Lakna. Foto: Durim Pruthi

“Edhe nëse nuk do të ketë më protesta, efekti i protestave të dhjetorit ka me u vërejtë tash e tutje,” tha Lakna për Prishtina Insight, me një ndjenjë krenarie.

Për Laknën, vendimi i Kryeministrit shqiptar Edi Rama për të riformatuar kabinetin qeveritarë në fund të dhjetorit, kur Ministrja e Arsimit Lindita Nikolla u shkarkua në mesin e disa ministrave tjerë nuk është masë e mjaftueshme.

Lakna me kolegët e tij janë të vendosur të shohin Ligjin për Arsimin e lartë të bie poashtu. “Kjo është beteja më e madhe politike që Rama ka pas ndonjëherë,” argumenton Lakna.

Kryeministri shqiptar fillimisht refuzoi të plotësojë secilën kërkesë, duke i quajtur studentët protestues “ngelësa”.

Mirëpo, një muaj më pas Rama ka ulur tonin.

I zënë në frikë se protesta mund të zgjerohet në gjithë vendin, ai ndryshoi taktikën dhe filloi të thërriste për dialog.

Vendimi i Qeverisë për të paguar tarifa shtesë për provimet e përsëritura u tërhoq. Rama poashtu së fundmi shpalli se studentët e nivelit bachelor do të paguajnë gjysmën e tarifës që paguanin deri tash.

Studentët mbesin të pakënaqur, dhe kërkesa për të shfuqizuar Ligjin mbi Arsimin e lartë që pati kaluar në qershor të 2015-tës, tash mbetet qëllimi kryesor i tyre.

Por nuk janë vetëm studentët që janë mosbesues ndaj qëllimeve të Ramës dhe përgjigjeve të tij ndaj krizës së fundit.

Ervin Goci është ligjërues në Universitetin e Tiranës në drejtimin e Gazetarisë dhe Komunikimit. Ai poashtu protestoi këtë të hënë përballë Kryeministrisë.

Ai tha se vendimi për të përgjysmuar tarifën për studimet Bachelor mbetet “absolutisht i paqartë”.

Ervin Goci. Foto: Eraldin Fazliu

”Si mund të përgjysmohen tarifat e studentëve pa e rritur buxhetin për arsimin e lartë?” pyet ai retorikisht.

“Studentët kontribuojnë më shumë se shteti,” shton ai duke akuzuar qeverinë që në këtë mënyrë ka braktisur arsimin e lartë.

Goci ka përkrahur kërkesat e studentëve dhe ka qenë i zëshëm në vazhdimësi kundër Ligjit mbi Arsimin e lartë që kur u aprovua në Kuvendin e Shqipërisë.

Ai është njëri nga 50 pedagogët e Fakultetit të Shkencave Sociale që ka nënshkruar deklaratën e solidaritetit në mbështetje të kërkesave të studentëve.

Për të, të qenurit pedagog në Shqipëri është një përgjegjësi shtesë shoqërore që tejkalon detyrat e përditshme të një pjesëtari të akademisë të një vendi me normalitet.

“Nga pedagogu, ne detyrimisht kthehemi edhe në aktivist e njerëz që luftojnë për kauza tjera,” thotë ai.

Studentët kanë pranuar përkrahje edhe nga ata që nuk janë aktiv në jetën akademike.

Anita Lushi. Foto: Vincent Selamaj

Anita Lushi nuk është më studente por fuqimisht përkrahë abrogimin e Ligjit mbi Arsimin e Lartë, për të cilin ajo ka protestuar disa herë gjatë këtyre viteve me aktivistët e Lëvizjes për Universitetin.

Ndonëse e papunë, protesta i dha asaj shumë vullnet për të dalur në rrugë. “Nuk egzagjëroj nëse them se kjo është nga gjërat më të bukura që më kanë ndodhur në jetë,” i tha ajo Prishtina Insight.

Ngazëllimi i Lushit nuk është një rast i izoluar. Tranzicioni demokratik në Shqipëri gjithë këto dekada nuk është se ka parë protesta të tilla të organizuara nga studentët, pa i pasur partitë politike në ballë të tyre.

Erdi Berxulli është duke mbaruar studimet e Magjistraturës në Tiranë dhe poashtu punon si gazetar në një nga portalet shqiptare. Ai insiston se fryma jo e dhunshme e protestave nga studentët tashmë ka arritur rezultate të mahnitshme.

“Protesta ishte më paqësorja që u organizua ndonjëherë në Shqipëri. Pa dhunë dhe vandalizëm por vetëm me mbishkrime, fjalë dhe nganjëherë me vetëm heshtje…ne kemi arritur ta rrëzojmë gjysmën e qeverisë,” i ngazëllyer shton Berxulli, duke iu referuar rikonfigurimit të Qeverisë shqiptare në fund të dhjetorit.

“Vëllai im është në gjimnaz tash dhe kur të vie vitin e ardhshëm në Tiranë, tarifat e tij do të jenë më të ulëta… Kjo është arritje e përbashkët e gjithë neve,” thotë ai.

Erdi Berxuli. Foto: Daniel Mucaku

Dukshëm, sfida e tij kryesore së fundmi ka qenë përshtatja e orarit të punës dhe të qenurit në protestë.

“Në këto protesta, si asnjëherë më parë, studentët kanë triumfuar ndaj frikës,” i tha ai Prishtina Insight.

“Me asnjë lloj intimidimi, frike apo kërcënimi, aparati shtetëror nuk ka arritur ta ndalë ëndërrën tonë për një Shqipëri më të mirë,” vazhdoi të thotë ai.

Viosana Kokla vijon studimet e arkitekturës në Universitetin e Tiranës. Asaj, protestat i kanë sjellur “lotë gëzimi”.

“Kur i kam parë të gjithë të zgjoheshin në këmbë, e mendova se kjo ishte ajo që kisha ëndërruar,” tha Kokla për Prishtina Insight.

Kokla nuk është pjesë e ndonjë organizate studentore por është bërë e njohur së fundmi pas një fjalosje me kryeministrin Rama, gjatë një debati në Universitetin Politeknik të Tiranës.

Përfundimisht, Kokla me shumë studentë të tjerë braktisën sallën ku po mbahej takimi  me Ramën duke akuzuar të parin e qeverisë shqiptare për mbajtje të monologut.

“Rama duhet të plotësojë kërkesat tona dhe jo të vazhdojë me propagandë,” thotë e vendosur ajo. “Nuk duam më propagandë, duam që kërkesat tona të përmbushen në tërësi.”

Ligji që favorizon privatët

Ligji në fuqi i arsimit, me pak amandamente shtesë, është draftuar në vitin 2008 nga Qeveria, që atëbotë udhëhiqej nga Partia Demokratike, PD, dhe Lëvizja Socialiste për Integrim, LSI.

Mirëpo, ligji kaloi vetëm në vitin 2015 kur Partia Socialiste dhe LSI ishin në krye të ekzekutivit dhe bashkëqeverisnin.

Për Gocin, protestat e studentëve ilustrojnë problematikat e tjera të shoqërisë shqiptare të akumuluara që prej se vendi kaloi nga regjimi i egër i Enver Hoxhës në demokraci.

“Ne po përballemi me një dramë sociale që ka shpërthyer, që për mua, e gjithë kjo i ka rrënjët në korrupsion dhe vendime arbitrare që mirren nga qeveria dhe që ndanë buxhetin me një stil totalitar sektorit privat dhe oligarkëve,” thotë Goci.

Protesta e studentëve në Tiranë më 11 dhjetor 2018. Foto: Ivana Dervishi/BIRN

Lakna përqafon këto pohime duke e quajtur hipokrite faktin që një parti e vetëquajtur Socialiste shtyen komplet politika neoliberale në sektorin e arsimit.

“Përmes këtyre reformave në arsimin e lartë, Rama ka dëshmuar ideologjinë e tij neoliberale dhe partneritetin me biznesin e madh dhe oligarkët,” argumenton ai.

Një nga arsyet se pse studentët kundërshtojnë me ngulm ligjin mbi arsimin është pikërisht përparësia që i jep ligji sektorit privat.

Kjo, sepse si institucionet private të arsimit e si studentët me arritje të dalluara mund të përfitojnë nga paraja publike.

Përmes ligjit, universitetet private mundë të përfitojnë përmes projekteve hulumtuese, derisa studentët me arritje të dalluara të universiteteve private mundë të fitojnë bursa që financohen nga bugheti shtetëror.

Derisa paraja e shtetit shpenzohet edhe për sektorin privat, kushtet e përgjithshme në universitetet publike mbesin të mjerueshme.

Gjendja e zymtë e konvikteve, mungesa e bibliotekave dhe hapësirave për të studiuar e socializuar kanë qenë përherë problem.

“Ne duhet të qëndrojmë nëpër kafe sepse në hapësirat universitare nuk kemi as rrjet interneti,” thotë Kokla.

Me këtë konstatim pajtohet Joana Meraja që është në vitin e dytë të studimeve të studimeve të Psikologjisë. Për Merajën, mungesa e kartës studentore tregon që të qenurit student nuk të jep asnjë avantazh në Shqipëri.

“Përveç tarifave të larta, studentët nuk kanë jetë sociale. Ne nuk kemi asnjë ulje për të shkuar në kinema apo teatër. Nuk ka hapësira të hapura për ne, përveç kafeve, ku ne mundë të diskutojmë me kolegët tanë,” thotë Meraja.

Derisa shteti alokon para për sektorin privat të arsimit, sektori publik i ka çmimet më të larta në rajon për të studiuar.

Studimet post-diplomike në Shqipëri kushtojnë në mes të 1,500 euro dhe 2,000 euro. Për krahasim, në Universitetin e Prishtinës, në të njëjtin nivel, një student paguan 600 euro.

Për këtë, një nga banerët e protestës së ditës së hënë kërkonte thjeshtë: “UL TARIFAT PËR MASTER!”

Kokla rrëfeu se motra e saj nuk ka vazhduar studimet post-diplomike për shkak të tarifës së lartë.

“Motra ime nuk ka vazhduar studimet e masterit për shkak të tarifës së lartë,” pohoi ajo.

Protesta që ka karakter edhe emancipues

Tarifa e lartë dhe kushtet e rënda në sistemin arsimor të Shqipërisë kanë sjellë vajzat në ballë të protestës duke pasur një rol qendror në organizim.

Sipas Merajës, protesta për vajzat është një “luftë e dyfishtë”.

“Ne kemi një shoqëri patriarkale në të cilën gratë janë të shtypura jashtëzakonisht shumë dhe kur tarifat e studimeve rriten, më së shumti dëmtohen vajzat,” thotë ajo.

Joana Meraja. Foto: Ivana Dervishi

Meraja vjen nga Mamurrasi, një qytezë e vogël në veri-perëndim të Shqipërisë. “Vajzat në qytezën time kanë vetëm tre mundësi: Të punojnë për rroga qesharake dhe me pasiguri të mëdha, të rrinë në shtëpi dhe të qëndrojnë si shërbëtore apo të presin që babai të iu gjejë një burrë,” thotë ajo.

Gjendja e vështirë e grave në Shqipëri ka inspiruar Lushin poashtu si kauzë që të iu bashkangjitet protestave.

“Tarifat e larta i afektojnë vajzat më së shumti, sepse nëse në një familje që ka dy fëmijë, një djal dhe një vajzë, djali gjithnjë do të ketë avantazh për të vijuar studimet,” thotë ajo.

Varfëria, padrejtësitë sociale dhe numri i madh i të papunëve kanë nxitur shumë shqiptarë të migrojnë për të kërkuar të ardhme më të ndritur gjetiu në Evropë.

“Shqipëria ka para por ato kurrë nuk vijnë tek ne. Ka rritje ekonomike por njerzit kurrë nuk marrin asgjë,” ankohet Ervin Goci.

Sipas një studimi nga Universiteti Sussex, Angli, dhe hulumtuesi shqiptar Ilir Gedeshi, potenciali për të migruar nga Shqipëria është rritur nga 44 përqind sa ishte në vitin 2007, në 52 përqind në vitin 2018.

Për Gocin, gjendja e përgjithshme politike e ekonomike duhet të ndryshojë sepse vendi tashmë është në një kryqëzim.

“Nëse situata nuk ndryshon, shteti mund të bie dhe do të shohim edhe më shumë njerëz duke ikur sikurse i kemi parë 300,000 që e kanë lënë vendin këto pesë vitet e fundit,” thotë ai.

Por, zhvillimet e fundit kane ngjallur poashtu entuziazmin për të kërkuar më me ngulm ndryshime. Një luftë të re kundër padrejtësive sociale dhe kërkesës për përmirësim të jetesës.

“Prej tash e tutje, kur të shkojmë në Universitetet për të folur për kushtet, ata nuk mundë të na thonë ‘Jo, kjo nuk është e mundur’. E kemi dhënë një shembull që studentët mundë të ndërtojnë një Shqipëri më të mirë,” përfundoi Lakna.