Studentët Këmbëngulin në Dorëheqjen e Rektorit (TV)

Të mbledhur para hyrjes së rektoratit, ashtu si edhe të martën, studentët kanë mbajtur pankarta dhe kanë kënduar këngë, duke ironizuar me rektorin dhe gjendjen e UP-së në përgjithësi.

Për dallim nga dita e djeshme kur policia intervenoi që t’i largojë studentët nga aty, duke i shoqëruar 27 nga ta në polici, sot situata ishte krejt ndryshe. Forcat policore qëndronin larg studentëve, kurse këta të fundit të ulur vazhduan protestën të papenguar.

Rreth orës 12, në vendin ku po mbahet protesta ka arritur edhe Behxhet Shala nga Këshilli për Mbrojtjen e të Drejtave e të Lirive të Njeriut, i cili ka thënë se intervenimi i policisë në protestën e djeshme ndaj protestuesve ka kaluar caqet, por pa pasoja te studentët.

“Intervenimi i djeshëm i ka kaluar caqet por nuk ka pasur pasoja për studentë. Por duhet të kemi parasysh që policia në rastin kur duhet ta lirojë një objekt ose një vend, atëherë në qoftë se dikush nuk largohet, ata i përdorin mjetet për ta zbatuar urdhrin”, tha Shala.

Ai ka thënë se policia ka bërë përpjeke t’i ikë përdorimit të dhunës, por mendon se ka pasur disa raste kur kjo nuk është arritur.

“Mendoj se nëse dikush prangoset apo shtrihet për toke, nuk ka nevojë pastaj t’i qitet gjuri në qafë apo në gjoks”, tha ai.

Sipas komunikatës së policisë, të lëshuar të martën, pas ndërhyrjes për ta liruar hyrjen  e rektoratit, organet e rendit  “kanë bërë një reagim duarthatë, edhe pse rezistenca e protestuesve ka qenë shumë e shprehur”.

Protestës i është bashkuar edhe ish-profesori i elektronikës në Fakultetin Teknik, Agron Dida, i cili ka thënë që përveç kërkesës për dorëheqje, duhet kërkuar edhe përgjegjësi penale për publikime të rrejshme. Dida para disa ditëve ka njoftuar se i është bashkuar Lëvizjes Vetëvendosje.

Në anën tjetër, Myzejene Selmani nga Aleanca Kosova e Re, parti në të cilën ka qenë edhe rektori Gashi, ka kërkuar dorëheqjen e tij. 

 “Ajo është çështje morale dhe etike e tij si njeri akademik dhe si profesor i Universitetit të Prishtinës dhe mbas të gjithë atij skandali që po ndodh brenda Universitetit, është shumë e moralshme që njerëzit akademikë, me tituj akademikë të tërhiqen”, ka thënë Selmani për lajmi.net.

Protestat e studentëve të organizuar nga disa organizata kanë filluar javën e kaluar.

Këto protesta filluan pasi që rektori Gashi është përfolur në media se ka bërë publikime shkencore në revista që botojnë tekste në këmbim të një pagese.

Kërkesat e studentëve, përveç shkarkimi të rektorit Gashi, janë edhe krijimi i një organi për të hetuar mashtrimet dhe manipulimet e stafit akademik të UP-së, si dhe heqja e Këshillit Drejtues të UP-së, i cili sipas organizatorëve të protestës është dorë e zgjatur e pushtetit në universitet.

Gjatë ditës së mërkurë, nuk ka pasur ndonjë prononcim nga Rektorati i UP-së lidhur me kërkesat për dorëheqjen e Gashit. 

Gazeta Jeta ne Kosovë ka tentuar që të kontaktojë me zëdhënësin e rektoratit, Ardian Kastratin, por nuk ka arritur që të marrë ndonjë përgjigje nga ai.

Rektori Gashi i ka thënë RTK-së pas protestës së parë të studentëve, se është absurde të jap dorëheqje meqë sipas tij këtë dorëheqje po e kërkon vetëm një grup i studentëve.

Protesta po vazhdon ende dhe sipas organizatorëve, kjo nuk do të ndalet deri tek arritja e plotësimit të kërkesave të tyre.