Stili Është Vetë Dizajnerja

Ndonëse e përmendin faktin se shumica e të rejave dhe të rinjve kosovarë nuk zotërojnë pasuri të mjaftueshme për t’i blerë dizajnet e tyre, dizajneret kosovare shpresojnë te rinia për ndryshimin e shijes së gjerë shoqërore. Ato shohin kreativitet, ngjyra, potencial e rrjedhimisht edhe shpresë te rinia. Shpresë kjo edhe për transformimin e stileve popullore të veshjes.

Shumica e dizajnit të modës vazhdon të jetë e lidhur me veshjet e dasmave, të mbrëmjeve të maturës e gjysmë-maturës, të kanagjeqeve dhe ahengjeve, thonë disa nga dizajneret lokale që të intervistuara për Gazeta Jeta në Kosovë.

Sakrifica për t’i rezistuar tregut masiv

Dizajnerja Venera Mustafa, e ka hapur studion e saj në vitin 2011 në Prishtinë. Mustafa e ka përjetuar 2011-shin si vit të vështirë për ta sjellë linjën e parë të saj me veshje të gatshme mirëpo shprehet se sot ka të rinj te të cilët ajo mundet t’i veshë.

Pas kthimit Franca, ku edhe ishte shkolluar, Venera Mustafa, flet për një ekonomi të modës që i mungon industria.

“Në atë kohë e di që ka qenë njëfarë risie, në nëntor 2011. Njerëzit e kanë pritur mirë por është dashur kohë edhe sakrificë e madhe. Nuk jam luhatur asnjëherë – për të thënë se për shkak të parave apo leverdisë më të madhe ekonomike të bëj diçka për ta kapur tregun e vellove apo tregun e martesave ose kanagjeqeve. Ai vazhdon të jetë tregu më i madh, megjithatë jam pak kokëfortë në profesion”, shprehet ajo me një buzëqeshje të lehtë e krenare.

“Kam pasur raste kur kam qenë shumë e dëshpëruar… Po, kam sakrifikuar – tash duket shumë e lehtë për t’u thënë. Por përsëri kam vendosur të mos notoj andej kah tërheq rryma e ujit- vetëm peshqit e ngordhur shkojnë kah tërheq rryma)!”, shton Mustafa.

“Tregu i dasmave”, nuk e di se ç’emër i shkon për ta përshkruar, është tregu më i madh. I kemi disa panaire të dasmave – të cilat askund në botë s’i kam parë. Janë dy apo tri herë në vit – i fundit ka qenë në shesh”, thotë ajo.

Foto: Venera Mustafa, Facebook

Megjithatë, dizajnerja Mustafa mendon se ka ndryshim në këtë aspekt te në gjeneratat e reja.

Ajo tregon se përveç dizajnerëve të rinj, është duke ndryshuar edhe preferenca e të rinjve për atë se çfarë vendosin ta veshin për dasma.

“Unë e shoh edhe prej vajzave të reja – nuk janë më në stilin klasik… Po shkojnë me një dasmë më të thjeshta edhe me veshje më të thjeshtë – me diçka që i përshtatet kohës dhe stilit të tyre”, shprehet Mustafa.

“Sidomos 2-3 vitet e fundit kam parë shumë dallime ndërmjet preferencave të gjeneratave. Përsëri po e theksoj se jo të gjithë mund ta përballojnë ekonomikisht”, shton ajo.

Mirëpo, Venera Mustafa thotë se lypset një kohë më e gjatë derisa kjo gjeneratë të bëhet më stabile ekonomikisht që të blejë, në një masë të konsiderueshme, gjëra të bëra nga dizajnerët.

Mustafa shton se Kosova as tash nuk ka industri të modës duke iu referuar faktit se lënda e parë, tekstili, nuk vjen nga vendi por importohet.

“Në Kosovë nuk kemi industri, e kemi një skenë të vogël të modës”, shprehet ajo.

Ndërkaq, e pyetur nga Gazeta JnK se a sheh potencial për industri të modës në Kosovë ajo u përgjigj se ai ekziston mirëpo nuk mund t’i ketë për bazë dizajnerët.

“Ajo është njëfarë organizmi që nuk nis me dizajnerë por duhet njëfarë mbështetje edhe shtetërore edhe nga bizneset që kanë leverdi për të qenë investitorë”, tha dizajnerja duke kujtuar se duhen shumë fonde për themelim të një industrie.

Edukimi i publikut

Foto: Krenare Rugova/Facebook

Kur Krenare Rugova kishte  hapur studion e saj në vitin 2003, pa një akademi që ofronte drejtim të dizajnit të modës, Kosova kishte pasur shumë pak dizajnere. Që nga ky vit ajo thotë se është përpjekur që ta edukojë blerësin potencial në preferencat e tij.

“Përgjatë krejt viteve deri tash kur po flasim ka pasur plot ulje e ngritje. Jemi me një vend ku mundohesh të edukosh, jo vetëm të prodhosh, e të jetosh, e t’i paguash faturat – por të njëjtën kohë ta edukosh një masë që e ka potencialin të të luhasë shumë (në profesion)”, thotë Rugova.

“6-7 vitet e fundit klientela ka filluar ta kuptojë punën e veshjeve të gatshme — faktin që vjen te unë në studio dhe blen diçka të gatshme, por edhe nuk e flakin tutje opsionin për të porositur diçka enkas”, shton ajo.

Duke e bërë përsëri krahasimin me një dekadë e ca më parë, ajo thotë se dizajni kosovar ka shkuar drejt shumëllojshmërisë.

“Tash ka edhe dizajnerë të ndryshëm, edhe shohim show të ndryshëm të shijeve të ndryshme”, thotë Rugova.

“Nëse e marrim parasysh se ç’ndryshim ka ndodhur – del që krejt kemi shpërthy. Jo vetëm në dizajn të modës por në të gjitha lëmitë e artit”, tha Rugova duke iu referuar ndryshimeve në kinematografi e muzikë.

Dizajn urban nën rrethim

Ndryshe nga Mustafa dhe Rugova, Kaona Duriqi ka 3 vite e gjysmë që e ka hapur studion e parë. Ajo punon edhe në linjën e fustaneve mirëpo preferencë kryesore i ka veshjet urbane.

Provën e parë me linjën urbane ajo e ka bërë para një viti ndërsa, para 3 muajsh ajo e ka hapur lokalin e saj “Area Fence”, (“Gardhi i Zonës” në shqip), në Distriktin e Modës (Fashion District) te lagja Çarshia.

Duriqi tregon se ka pasur bashkëpunime të mira në këtë linjë.

“Deri tash kemi pasur bashkëpunime shumë të mira sa i përket linjës urbane. Një nga bashkëpunimet e fundit është me Stupcat – në serialin Egjeli, Vedat Bajrami, i cili e luan rolin e Likit, është një nga personazhet i cili vishet kohët e fundit në Area Fence”, thotë Kaona.

“Mund të them se është një nga karakteret të cilës i përshtatet më shumë linja e Area Fence…  Liki, si Lik, karakter urban, vishet me ngjyra, vesh rroba “cool”, edhe eksperimenton shumë më shumë në veshje. Nëse do ta shihnim Likin si personazh të vërtetë në rrugë me siguri do të binte shumë në sy nga ndonjë element i veshjes, jo për shkak të diçkaje të jashtëzakonshme por, një kombinim i ngjyrës, një ngjyrë pak më e çelët apo një detal i vogël që ka diçka pak më unike aty…”, shton ajo.

Duriqi me “Area Fence” shpreh edhe konceptin e saj të dizajnit urban për rini, e cila është me kufizime nga izolimi nga jashtë dhe izolimi i shprehjes së imagjinatës së vet. Ajo i përshkruan hekurat në “Area Fence” si kufij të një shoqërie, të një shteti por më së shumti kufij të imponimit ndaj imagjinatës dhe shprehjes njerëzore.

“Ky është koncepti i vendit, jemi në tela, muret janë ngjyrë hiri, por brenda ka ngjyra plus jemi të rrethuar me shirita të policisë. Brendi ‘Area Fence’ po del nga një vendi të izoluar, në tela ku brenda vendit shpërthejnë ngjyra prej rinisë”, tha Duriqi.

Foto: Gazeta JnK

Dizajneret thonë se ndryshimet kanë qenë të ngadalshme por të dukshme ndër vite. Me këtë ritëm, stili urban dhe “bashkëkohor”, sipas tyre, ka fituar më shumë terren në vitet e fundit.

Këto ndryshime ato i shohin si të kushtëzuara si nga kushtet ekonomike që të rinjtë e zotërojnë ashtu edhe nga njohjet e tyre për modën.

Mirëpo, popullata më të re e Europës, me të gjitha shpërthimet kreative në fushën artistike, i jep shpresë dizajnereve për përqafimin e veshjeve urbane dhe bashkëkohore.